Infiltrimi i Sigurimit te Fronti i Rezistencës

0
240

Mark Dodani | 07/02/2009

Rrëfimi i ish-punonjësit të Sigurimit, Mark Dodani, për lojën e agjentëve të fshehtë

(Vijon nga numri i kaluar)

Ndërsa në pjesën e kaluar u njohët me rekrutimin e anëtarëve dhe drejtuesve dhe organizimin e organizatës Fronti i Rezistencës, në këtë pjesë flitet për infiltrimin e agjentit të Sigurimit të Shtetit në organizatë, për të mësuar nga brenga mënyrën e organizimit, shtrirjen dhe planet për të vepruar kundër regjimit komunist.

Njerëzit e Frontit të Rezistencës përpiqeshin që, duke punuar kundër pushtetit, të merrnin njëkohësisht të gjitha masat e sigurimit të tyre. Për këtë arsye “Kaçiatori” me të tjerë, sipas orientimit të Hamdi Frashërit, filloi punën për të rekrutuar persona me kredi, të cilët ishin oficerë të Sigurimit të Shtetit.

Këta, sipas planit të tyre, duhej t’i përdornin si kundërinformacion në organet e Sigurimit të Shtetit dhe njëkohësisht si ndërlidhës me sektorë të ndryshëm. Sigurimi i Shtetit, duke qenë në dijeni të plotë të qenies së të ashtuquajturës organizatë Fronti i Rezistencës, për qëllime të mëtejshme zbulimi, veç të tjerëve, përgatiti dhe e ofroi oficerin e Sigurimit “Tigrin”.

Ai ishte komunist dhe kishte një rreth të gjerë shoqëror (jo vetëm me punonjësit e Sigurimit). Kështu, nga fundi i qershorit të vitit 1949, “Kaçiatori” filloi të përparonte në bisedimet e tij me “Tigrin”.
Por, ky, si gjithë shokët e tij të Sigurimit, kishte si detyrë kryesore të zbulonte dhe të godiste pa mëshirë çdo armik të partisë. Mbasi vuri re se “Kaçiatori” e provokonte shpesh, “Tigri” nxori përfundimin se ai donte ta hidhte në kurth.
Për këtë, “Tigri” njoftoi pa vonesë shefin e tij, megjithëse kishte marrë udhëzimin e përgjithshëm se si duhej të vepronte, në qoftë se do të ndodhej në situata të jashtëzakonshme. Natyrisht, “Tigrit” nuk mund t’i jepeshin receta, por i dhanë orientim që të ruante gjakftohtësinë dhe të hynte sa më thellë në rrjetën e organizatës.

Kështu, armiku do të tërhiqej për një kohë sa më të gjatë dhe sa më thellë në kurthet që përgatiteshin nga Sigurimi. Dhe “Tigri” manovronte me “Kaçiatorin” si me “mikun” e tij, për ta çorientuar atë.

“Kaçiatori” kishte udhëzim që të punonte me takt. Në qoftë se “Tigri” gradualisht do të pranonte bisedimet për vështirësitë ekonomike, për gjendjen e për kushtet e “rënda” të vendit, atëherë “Kaçiatori” “do të hidhej në sulm”. Kjo ndeshje midis “Tigrit” dhe “Kaçiatorit” vazhdoi për disa kohë.

Kur “Kaçiatori” mendonte se e kishte provuar që “Tigri” ishte i “lëkundur”, së bashku me Hamdi Frashërin, vendosën ta shtinin në kurth. Dhe më datën 3 korrik 1949, e ftuan në dyqan. Atje organizuan një darkë dhe përgatitën rrethanat për të zhvilluar
bisedime “konspirative”. Në bisedë e sipër, Hamdi Frashëri i tha hapur se: “..oficerët e Sigurimit kishin hije të rëndë, por ai dukej si i shtëpisë”. “Tigri”, si pa e kuptuar ende se ku donte të dilte me këto fjalë Hamdi Frashëri me “Kaçiatorin”, e kaloi bisedën me të qeshur. Mandej biseduan për situatën e jashtme dhe të brendshme.

“Tigri” “pranoi” plotësisht pikëpamjet e Hamdi Frashërit, se Shqipëria e kishte shumë të vështirë në të gjitha fushat, qofshin këto ekonomike apo politike, dhe se ekonomia jone, sipas Hamdi Frashërit, “nuk mund të përballonte vështirësitë pa patur miq afër kufijve, aq më tepër pse Kosova dhe Çamëria janë jashtë kufijve të Shqipërisë.

“Tigri”, për t’u treguar se ishte i një mendimi me pikëpamjet e Hamdi Frashërit, iu përgjigj se, “sikur ta derdhte gjakun për Kosovën, edhe varri do t’i dukej lule”. Dhe të kënaqur nga bisedime të tilla, “miqtë” vendosën që ta rekrutonin “Tigrin”. “Kaçiatori”, i sinjalizuar nga Hamdi Frashëri, nxori flamurin kombëtar.

E hapi me kujdes dhe iu drejtua Hamdi Frashërit: “Tani mund ta merrni fjalën Hamdi”. H. Frashëri, duke përqafuar “Tigrin”, i tha: “Për ju e kemi…”, dhe, ai, si pa gjë të keq, iu përgjigj: “Duket se ky flamur po na thërret për të çliruar Kosovën”. Pas kësaj “ceremonie”, “Tigri” priste fjalën e Hamdi Frashërit.

Ai i tha se kishin vendosur të bisedonin me të për një çështje me rëndësi jetike, për situatën që kalonte Shqipëria, prandaj, meqë e konsideronin si shok shumë të afërt, e ftuan të betohej, përpara bisedimeve mbi “flamurin” kombëtar.

“Tigri”, si i habitur, u kërkoi të dinte se për çfarë betimi bëhej fjalë. Hamdi Frashëri e “sqaroi” se në Shqipëri vepronte organizata Fronti i Rezistencës. I tregoi qëllimet e kësaj organizate dhe për përkrahjen që kishte gjetur nga “të gjitha shtresat e popullit” dhe për lidhjet që kishte arritur t’i krijonte me vendet e Perëndimit. Më në fund i tha se së shpejti pritej ndryshimi i situatës.

“Tigri” u tregua se ishte dakord me propozimin e Hamdi Frashërit dhe, për t’i siguruar për “besnikërinë” e tij ndaj Frontit të Rezistencës, në fillim hezitoi dhe u la të kuptonin se besën shqiptare e respektonte dhe gjakun jepte për të, por më parë “duhej parë mirë puna”…Kur “Tigri” e ndjeu veten të “rekrutuar” nga krerët e Frontit të Rezistencës, u betua mbi flamurin që e kishin shtrirë mbi tavolinë.

Përpara Hamdi Frashërit dhe “Kaçiatorit” u paraqit plotësisht i vendosur për Frontin e Rezistencës dhe u angazhua se nuk do të kursente as jetën për çështjen e organizatës.
Detyra kryesore që iu dha “Tigrit” ishte të sinjalizonte sa më shpejt Hamdi Frashërin dhe “Kaçiatorin” për të dhënat që mund të merrte Sigurimi i Shtetit për organizatën. Me këtë rast, “Tigri” mësoi se organizata ishte e shtrirë në një pjesë të madhe të krahinave të Shqipërisë dhe se si drejtues kryesorë kishte një person me pseudonimin “Besniku”, kurse ndër kryesorët ishte edhe Hamdi Frashëri (të cilit nuk ia dinte pseudonimin” me “Kaçiatorin”.

Më datën 4.VII.1949, “Tigri” i raportoi shefit të tij në Sigurim se: “…Hamdi Frashëri me “Kaçiatorin”, me datën 3.VII.1949, nga ora 21 deri në 24, më kanë treguar se kanë formuar një organizatë të fshehtë me emrin Fronti i Rezistencës shqiptare, që shtrihet si të thuash në të gjitha krahinat e Republikës dhe që në krye të së cilës, thonë se është një njeri me pseudonimin “Besniku”.

Ata kërkojnë që unë të informoj nëse organet e Sigurimit të Shtetit bien në gjurmë të kësaj organizate, me qëllim që, po e panë keq, të arratisen, dhe veprimtarinë e tyre ta vazhdojnë në mal”.

***

Hamdi Frashëri, qysh prej nisjes së Z.H. në Jugosllavi, nuk kishte marrë asnjë lajm, prandaj, më 5.VII.1949 u takua me “Surratin” dhe e ngarkoi me detyrën që të kalonte në Jugosllavi dhe në “Komitetin e Strugës (zyra e informacionit” të dorëzonte letrën që do t’i jepej nga ana e Frontit të Rezistencës”. Kur mori letrën, “Surrati” u paraqit i frikësuar, prandaj, për t’i dhënë guxim, Hamdi Frashëri i tha: “Kështu “Surrat”! Mos ki frikë, se letra nuk do të diktohet, mbasi në një anë është lutje dhe nga ana tjetër është shkruar me bojë që nuk duket dhe nuk kuptohet, edhe po qe se të kontrollojnë”.
Në arkivin e Ministrisë së Brendshme, dosja numër 302/F, faqe 68, jep pyetjet që oficerët e UDB-së i kishin bërë “Surratit” për Frontin e Rezistencës, si më poshtë: “Ku e njeh Hamdiun? Shtëpinë ku e ka? Sa vëllezër janë? A ka grua dhe fëmijë? Çfarë pune bën dhe çfarë burri është? Nga është?
Nga ana e tij, “Surrati” u përgjigj: “Jam njohur me të në Tiranë, nëpërmjet C.Z. Shtëpinë e ka te Rruga e “Dibrës”. Nuk di sa njerëz ka në familje. Punon në spitalin Civil. Është njeri me kulturë”.
“Surrati”, i vendosur në rrugën e tij si agjent i UDB-së dhe tani në favor të Frontit të Rezistencës, merr letrën dhe niset nga Tirana për në katundin e tij, Rajcë. Më datën 9 korrik 1949, ai u largua nga shtëpia e tij në drejtim të kufirit (pasi u sigurua se nuk kishte ndonjë lëvizje të jashtëzakonshme).

(Vijon)

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu