Institucionet nuk lejojnë qasje rreth shpenzimit të parave publike

0
144

Një numër i konsiderueshëm i institucioneve në Kosovë nuk po tregohen aspak transparente me taksapaguesit. Ato po refuzojnë kërkesat për qasje në dokumente zyrtare, duke mos dashur t’u zbulohen mënyrat sesi shpenzojnë paranë publike. Një raport gjithëpërfshirës i hartuar nga Zyra e Kryeministrit ka nxjerrë në pah numrin e konsiderueshëm të kërkesave zyrtare të refuzuara nga institucionet gjatë vitit 2017, shkruan sot Gazeta “Zëri”

Institucionet e Kosovës nuk po u lejojnë qasje gazetareve, por edhe qytetarëve në dokumentet rreth mënyrës sesi shpenzohet paraja publike, derisa në dokumente të natyrave të tjera gjatë vitit që lamë pas ata kanë lejuar qasje të plotë.

Nga 1171 kërkesa sa i janë adresuar Qeverisë, duke përfshirë ministritë dhe agjencitë vartëse, 45 prej tyre janë refuzuar, 18 kërkesave u është ofruar vetëm qasje e pjesshme, ndërsa në total thuhet të jenë lejuar mbi 1 mijë kërkesa, shkruan më tutje “Zëri”.

Megjithatë, monitoruesit që kanë përcjellë për së afërmi këtë punë thonë se shifrat e pasqyruara në raportin vjetor sa u përket kërkesave zyrtare janë manipuluar.

Sipas tyre, rastet e refuzimit të kërkesave janë bërë kur institucioneve u janë kërkuar të dhëna për shpenzimet financiare.

Ndërkohë, në Zyrën e Kryeministrit Ramush Haradinaj që nga marrja e mandatit deri më tani janë parashtruar 39 kërkesa për qasje në dokumente publike.

Gazeta “Zëri” ia ka adresuar këtij institucioni pyetjet në adresën zyrtare për të kuptuar numrin e përgjithshëm të kërkesave. Në Qeveri janë zotuar se deri më tani janë parashtruar 39 kërkesa, 35 prej tyre u është lejuar qasje, 1 me qasje të pjesshme, ndërsa janë duke i shqyrtuar 3 të tjera.

“Që nga marrja e mandatit nga kryeministri Ramush Haradinaj, në shtator 2017, deri më tani në Zyrën për Komunikim Publik të Zyrës së Kryeministrit, e cila në bazë të Ligjit për Qasje në Dokumente Publike është përgjegjëse për pranimin dhe trajtimin fillestar të kërkesave për qasje në dokumente publike, janë parashtruar 39 kërkesa. Nga numri i përgjithshëm i kërkesave të pranuara pas trajtimit qasje e plotë u është lejuar 35 kërkesave, qasje të pjesshme ka marrë një kërkesë, ndërsa 3 kërkesa janë duke u trajtuar. Zyra për Komunikim Publik deri më tani ka respektuar afatet e përcaktuara me ligj”, thuhet në përgjigjen me shkrim të kabinetit të kryeministrit.

Derisa janë zotuar se nuk i kanë ofruar qasje refuzuese asnjë kërkese të vetme të parashtruar nga gazetarët e përfaqësuesit e shoqërisë civile.

“Në kërkesat e parashtruara prijnë gazetarët me 24 kërkesa dhe organizatat e shoqërisë civile me 15 kërkesa. Vlen të theksohet se deri më tani nuk është refuzuar asnjë kërkesë dhe Zyra për Komunikim Publik në funksion të transparencës dhe llogaridhënies ka trajtuar kërkesat për qasje dhe informacion, duke u kthyer përgjigje në afatin sa më të shkurt kohor palëve të interesuara”, kanë thënë më tutje në Qeveri.

Më të hapur karshi kërkuesve të dokumenteve zyrtare janë treguar në disa institucione të tjera qendrore, në Presidencë, në Gjykatën Kushtetuese e në Kuvendin e Kosovës.

2 mijë e 524 është numri i përgjithshëm i kërkesave për qasje në dokumente zyrtare, i adresuar në Qeveri, në Kuvend, në Presidencë, në Gjykatën Kushtetuese, në komuna e në institucione të tjera. Prej tyre 90 janë refuzuar, 37 me qasje të pjesshme, ndërsa 2 mijë e 397-ve u është lejuar qasja.

Institucionet i fshehin dokumentet nga publiku

Qasja refuzuese e kërkesave zyrtare nga ana e institucioneve nuk po pëlqehet as nga deputetët e Kuvendit të Kosovës.

Sipas tyre, institucionet në rast të refuzimit të kërkesave japin alarm për fshehje të gjërave nga publiku. Kështu është shprehur në një prononcim dhënë gazetës “Zëri” deputetja nga radhët e Partisë Socialdemokrate (PSD), Shqipe Pantina.

“Shumica e dokumenteve duhet të bëhen paraprakisht publike nëpër uebfaqe, që qytetarët dhe gazetarët të mos kenë nevojë të merren fare me kërkesë. Megjithatë, për çdo kërkesë afati ligjor është që brenda 7 ditësh të kthehet përgjigje, përveç në rastet kur mund të jenë dokumente vuliminoze. Fakti që institucionet nuk lejojnë qasje në dokumente është që ata kanë për të fshehur diçka nga publiku dhe përveçqë është shkelje ligjore, është qeverisje jotransparente”, është shprehur Pantina.

Për raste të abuzimit me paranë publike ka folur edhe njohësi i fushës së sundimit ligjor, Riza Smaka. Në një përgjigje për gazetën “Zëri” Smaka ka kërkuar respektimin e ligjit, duke komentuar edhe rastet e abuzimit me paranë publike në emër të interesave personale.

“Ekziston Ligji për të Dhënat Publike, është i qartë, i plotë dhe komplet. Kam marrë pjesë në hartimin e këtij ligji gjatë kohës sa kam qenë deputet. Duhet të aplikohet ligji dhe asgjë tjetër. Ka rregullore të bazuar në ligjin, në udhëzime administrative nëse nuk përfillet është shkelje e ligjit. Ka raste të abuzimit duke u thirrur në interesin publik të mos lejohen të dhëna të caktuara, ka raste të arbitraritetit”, ka deklaruar Smaka.

Duke u bazuar në të dhënat e raportit zyrtar gjithëpërfshirës, vetëm në Zyrën e Kryeministrit gjatë vitit të kaluar nga 28 kërkesa zyrtare 3 –ve u është ofruar qasje e pjesshme, 2 janë refuzuar ndërsa 23 prej tyre u është lejuar qasja.

Kalaja: Korrupsioni, arsye që institucionet refuzojnë kërkesat zyrtare

Përfaqësuesit e shoqërisë civile i kanë demantuar statistikat e paraqitura në raportet zyrtare të Qeverisë.

Sipas tyre, Qeveria nuk ka ofruar qasje në rastet kur u janë kërkuar pasqyrat financiare për menaxhimin me paranë publike, ose thënë më mirë shpenzimet e tyre. Të paktën kështu ka thënë drejtori i Qendrës Kosovare Kundër Korrupsionit, Fidan Kalaja.

“Edhe pse në raportet vjetore të Qeverisë së Kosovës janë paraqitur numra të mëdhenj sa i përket lejimit të plotë ose të pjesshëm në qasje të këtyre dokumenteve zyrtare, sipas analizës tonë del se pothuajse në shumicën e dokumenteve ku është lejuar qasje kanë qenë dokumente që për nga relevanca se si qeveriset në përgjithësi e sidomos në kërkesat që kanë pasur të bëjnë më shpenzimet e buxhetit dhe procedurat e ndjekura ligjore institucionet publike kanë qenë të mbyllura ose i kanë refuzuar”, ka treguar Kalaja.

Ai nuk ka harruar t’i përmendë edhe rastet ku organizatat kanë fituar ato në gjykata sa i përket refuzimit të kërkesave zyrtare, me ç’rast gjykatat në vendimet e tyre i kanë obliguar institucionet qeveritare t’u lejojnë qasje në dokumentet që janë refuzuar më herët, të cila vendime nuk janë respektuar.

“Sa i përket raportit të fundit të Qeverisë së Kosovës për realizimin e së drejtës kushtetuese e ligjore për qasje në dokument zyrtare për vitin 2017 vërehet një element, që numri i refuzimeve të kërkesave zyrtare është rritur në raport me vitet paraprake. Të gjitha faktet na dërgojnë rreth një konkludimi se refuzimi i këtyre kërkesave bëhet me të vetmin qëllim, që institucionet e caktuara të fshehin keqpërdorimet, keqmenaxhimet, abuzimin me buxhetin dhe procedurat përcjellëse dhe me e rëndësishmja, dyshimi kryesor është që të fshehin aferat korruptime që janë bërë nga këto institucione”, ka shtuar në mes të tjerash.

Sipas Kalajës, korrupsioni mbetet arsyeja kryesore që institucionet refuzojnë kërkesat për qasje në dokumente publike.

“Korrupsioni është arsyeja kryesore që institucionet publike refuzojnë kërkesat për qasje në dokumente zyrtare, duke mos respektuar as vendimet gjyqësore e duke bërë shkelje të rënda të Kushtetutës dhe të ligjeve të tjera në fuqi”, ka sqaruar ai.

Në bazë të krahasimit të të dhënave, ndër vite vërehet një numër i shtuar i refuzimit të kërkesave për qasje në dokumente zyrtare, pavarësisht obligimit ligjor të institucioneve për t’i bërë publike dokumentet pa pasur nevojën e parashtrimit të një kërkese zyrtare.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu