Interkonjeksioni, thyhet pakti Berisha-Fazlliç, përfitoi Serbia

0
67

PRISHTINE- Ndërtimi i linjës së interkonjeksionit Kosovë – Shqipëri, që u miratua nga qeveria Rama dhe u nënshkrua menjëherë nga dy qeveritë, e Tiranës dhe Prishtinës, në Prizren në dhjetor 2013, do t’ia prishë biznesin mafias serbe të energjetikës, e cila për më shumë se një dekadë nga buxheti i varfër i Kosovës ka marrë qindra miliona euro duke shitur energjinë elektrike. Kështu e komenton gazeta “Zëri” e Kosovës ngjarjen më të rëndësishme në fushën ekonomike midis dy vendeve, pas “luftës” absurde të patateve, çimentos, bllokimeve në kufi të mallrave të ndryshme me tarifa të stisura doganore, etj, midis dy shteteve të banuara nga shqiptarët në Ballkan.

Ministri
Ministri kosovar i Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismajli, tha për “Zërin” se nga ndërtimi i linjës së interkonjeksionit Kosovë – Shqipëri përfundimisht arrihet një siguri e lartë dhe stabilitet i sistemit elektroenergjetik në Kosovë, por edhe në Shqipëri.

“Në rast se dështojnë linjat e tjera ekzistuese, atëherë nuk rrezikohet stabiliteti i sistemit, sepse mjafton lidhja me Shqipërinë që ne të mund të na sigurojë furnizim stabël me energji elektrike. Mrekullia e kësaj linje është se sistemi elektroenergjetik i Kosovës fiton një pavarësi të plotë, sidomos nga Serbia. Po ashtu na hap shtigje të reja të bashkëpunimit, siç është shkëmbimi i energjisë, etj”, u shpreh ai ai.

Korporata
Nga ana tjetër, Arben Gjukaj, drejtor menaxhues në KEK, deklaroi se kjo linjë me Shqipërinë do të ndikojë edhe në koston që u ofrohet konsumatorëve të të dy vendeve.
“Ndërtimi i linjës së interkonjeksionit me Shqipërinë do të mundësojë unifikimin e dy sistemeve elektroenergjetike, çka do të nënkuptonte optimizimin me një kosto më të ulët, i cili do të ndikojnë drejtpërdrejt në tarifat e konsumatorëve të dy vendeve”, ka thënë ai.

Ekspertët
Agron Demi, drejtor ekzekutiv i Institutit GAP, ka thënë se ndërtimi i linjës së interkonjeksionit do të mundësojë shkëmbimet e energjisë në mes të Kosovës dhe Shqipërisë, qoftë me marrëveshje apo edhe me tregtim energjetik, pa përfshirë çmim shtesë të transaksionit, ose edhe shkëmbime shumë më të lira të energjisë. Sipas tij, përfitues më të mëdhenj do të jenë vetë shteti shqiptar dhe ai i Kosovës, kurse humbës, në këtë mes, do të jenë kompanitë për tregtimin e energjisë dhe shteti i Serbisë.

Ndërsa Ibrahim Rexhepi, ekspert i ekonomisë në Prishtinë thotë se çështja e importit nuk është edhe aq shumë e lidhur me linjën e interkonjeksionit. Sipas tij, kjo më shumë do të shërbejë për shkëmbim të energjisë elektrike në mes të dyja shteteve. “Deri tani, Kosova dhe Shqipëria nuk kanë patur import-eksport klasik, kanë pasur vetëm huazime”, ka thënë ai.

Sipas tij, me rëndësi është që të krijohet infrastruktura për mundësinë e ndërtimit të politikave të përbashkëta dhe, njëkohësisht, lidhjet e sistemit energjetik të paktën të barazohen me ato që ka pasur Kosova me sisteme të tjera, si me Malin e Zi, Serbinë, po ashtu me Maqedoninë.
“Në buxhet mund të ketë ndikim fakti që do të krijohet mundësia që të importohet energjia elektrike në formë tranziti përmes Shqipërisë. Gjë që, deri më tani, nuk ka mundur ta bëjë Kosova. Mirëpo, edhe këtu kur flitet për tranzit, edhe këtu ka pagesa, duhet të paguhet tarifa për tranzit, ashtu sikurse paguhet nëpër të gjitha vendet e tjera”, është shprehur ai.

Shkrimi u publikua sot (09.01.2014) në gazetën Shqiptarja.com

Shkrimi i ngjajshem nga data, 06 Maj 2012

http://zeriikosoves.org/index.php?option=com_content&view=article&id=2567:sali-berisha-me-mafine-serbe-kunder-kosoves&catid=1:politike&Itemid=2


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu