Intervistë me Fan Nolin dhe Kristo Dako nga gazeta amerikane Boston Globe në vitin 1916

0
423

Noli dhe Kristo dako

Korrespondenti i gazetës BOSTON GLOBE bisedoi me Atë Fan Nolin, të cilin e përshkruan si prift i degës shqiptare të Kishës ruse nën juridiksionin e arqipeshkvit të Nju Jorkut. Fan Noli ishte shuguruar prift në Nju Jork në vitin 1908 dhe kishte mbaruar Universitetin e Harvardit.

Noli kishte shkuar në Durrës në vitin 1914, por ishte kthyer në Amerikë pas shpërthimit të luftës.

BOSTON GLOBE: Si është gjendja sot në Shqipëri?

FAN NOLI: Ju nuk mund ta merrni dot me mend se sa të mëdha janë vuajtjet atje. Kur shpërtheu lufta, vendi ynë u sulmua nga ushtritë e shteteve ballkanike fqinje, Greqisë, Malit të Zi dhe Serbisë. Ne nuk ishim në gjendje të mbroheshim, por kishim shpallur asnjanësinë. Kjo ndërhyrje ishte një shkelje po aq skandaloze e marrëveshjeve ndërkombëtare sa ç’ishte edhe ndërhyrja e Gjermanisë ndaj Belgjikës. Për këtë shkelje të vendit tonë nga ushtritë e shteteve të tjera nuk pati kurrfarë provokimi, as edhe ndonjë ftesë të çfarëdo lloji që ata ta përdornin Shqipërinë për operacionet e tyre. Italia, jo vetëm pushtoi portin shqiptar të Vlorës, por shpalli edhe një bllokadë të krejt bregdetit tonë, ndaj së cilës, për fat të keq ne nuk kishim fuqinë të protestonim. Ne kemi pak të dhëna për luftën në Europë, përveç atyre që shkruhen në gazetat amerikane. Kur fqinjët tanë ballkanikë sulmuan Shqipërinë dhe Italia vendosi bllokadën në bregdet duke pushtuar Vlorën, austriakët dhe bullgarët u detyruan të pushtojnë vendin tonë për t’i nxjerrë ata jashtë. Pra, ju e shihni se ne ishim viktima të pafajshme të intrigave të vendeve të huaja.

BOSTON GLOBE: Përse shqiptarët nuk u bënë dot ballë këtyre ndërhyrjeve?

FAN NOLI: Ne ishim të papërgatitur dhe, si rezultat i natyrshëm i kësaj, vendi ynë po vuan pasojat; shumë nga njerëzit tanë po vdesin urie. Një numër i madh shqiptarësh kishin ardhur në Amerikë dhe, pas shpërthimit të luftës, erdhën edhe shumë të tjerë.

BOSTON GLOBE: Si do të veprojnë shqiptarët e Amerikës pas luftës?

FAN NOLI: Ne jemi në pritje të mbarimit të luftës dhe e kuptojmë se duhet të përgatitemi për ditën kur ky dyluftim i madh të ketë marrë fund. Nëse mund të sigurojmë pavarësinë e Shqipërisë pas luftës, na duhet të jemi të përgatitur për ta ruajtur këtë pavarësi. Për këtë arsye kemi formuar Shoqëritë Shqiptare të Stërvitjes dhe prandaj shumë nga të rinjtë tanë janë organizuar në kompani ushtarake dhe stërviten rregullisht. Një numër të rinjsh shqiptarë kanë hyrë në Milicinë Vullnetare të Shteteve të Bashkuara dhe disa prej tyre kanë shkuar në kufirin me Meksikën. Atje ata shpresojnë të marrin njohuritë dhe trajnimin ushtarak për të cilat kanë aq shumë nevojë.

BOSTON GLOBE: Çfarë do të bënin në Shqipëri këto njësi ushtarake?

FAN NOLI: Në mbarim të luftës botërore, nëse Shqipëria mbetet një shtet sovran dhe i pavarur, këto kompani ushtarake të cilat tani stërviten në Amerikë, do të përdoren si bërthamë e një ushtrie të Shqipërisë, me të cilën do të ruhet ajo pavarësi. Populli ynë i përket një race të fortë dhe mjaft luftarake dhe vendi ynë, në shumë pjesë të tij, mbrohet lehtë nëse ka një forcë të stërvitur si duhet për këtë punë.

BOSTON GLOBE: Ç’mendojnë shqiptarët e këtushëm për Presidentin Woodrow Wilson?

FAN NOLI: Presidenti Wilson është bërë jashtëzakonisht popullor në mesin e shqiptarëve të Amerikës që kur ai vendosi të mos dërgojë më nota proteste por ultimatume në adresë të Gjermanisë dhe Meksikës.

BOSTON GLOBE: A keni dërguar ndihma në Shqipëri?

FAN NOLI: Kemi organizuar një Komision Ndihmash për Shqipërinë në Nju Jork, i cili u themelua kryesisht nga zoti Charles R. Crane. Ai ka qenë ambasador i Amerikës në Kinë dhe i biri i tij është sekretar i Sekretarit të Shtetit Lansing. Dërguam një anije me ndihma ushqimore për shqiptarët në Vlorë, por qeveria italiane nuk e lejoi kështuqë ndihmat arritën në një pjesë tjetër të Shqipërisë, ku nevoja nuk ishte aq e madhe. Na kanë thënë se plot 60 mijë shqiptarë kanë vdekur nga uria. Tani po përpiqemi të dërgojmë një tjetër anije me ndihma dhe këtë punë e ka marrë përsipër zoti W. W. Howard, që i ka zyrat në Nju Jork.

——–

Në këtë çast, Atë Nolin e thërresin dhe intervista vazhdon me Kristo Dakon, editor i Diellit. Z. Dako është nga Shqipëria dhe ka studiuar në Kolegjin e Stambollit, ashtu si edhe e shoqja. Bashkëshortja e tij është themeluese e të vetmes shkollë shqipe në Korçë. Ajo ishte drejtoreshë e shkollës, ndërsa ai arkëtar dhe mësues i historisë së Shqipërisë dhe i matematikës. Për 22 vjet rresht, kjo ishte shkolla e vetme në Korçë që nuk u mbyll. Në kohën e kësaj interviste ajo drejtohej nga një këshill përfaqësuesish dhe mbështetej thuajse plotësisht nga Z. Charles R. Crane nga Çikagoja. Dako flet për kompanitë e të rinjve shqiptarë, që stërviteshin në rrethinat e Bostonit.

BOSTON GLOBE: Si funksionojnë Shoqëritë Shqiptare të Stërvitjes, ku ndodhen ato dhe sa njerëz kanë?

KRISTO DAKO: Mund t’ju them se ne kemi kompani të vogla ushtarake në shumë qyteza rreth Bostonit dhe kudo në shtetin Masaçusets si dhe në shtete të tjera të Anglisë së Re, ku ndodhet pjesa më e madhe e shqiptarëve. Këtu në Boston kemi një kompani në uniformë ushtarake prej 50-60 vetash që stërviten rregullisht në një ndërtesë, e cila ndodhet në adresën 995 Uashington Street.

BOSTON GLOBE: Kjo kompani marshoi në paradën e 4 Korrikut?

KRISTO DAKO: Po. Ata marshuan në Charlestown. Në paradën që u bë në Southbridge, kishim një kompani prej 120 vetash me uniforma ushtarake përveç shqiptarëve që marshonin me veshje civile. Kishim edhe një automobil të zbukuruar ku ndodheshin dy vajza, njëra me kostum kombëtar shqiptar dhe me flamurin shqiptar në duar, ndërsa tjetra ishte veshur me një kostum që përfaqësonte Amerikën dhe valviste flamurin amerikan. Mbesa ime, e cila ka mbaruar Kolegjin e Stambollit, ishte njëra nga këto dy vajza.

BOSTON GLOBE: Ku tjetër bëni stërvitje ushtarake?

KRISTO DAKO: Ne kemi kompani ushtarake që stërviten në Worcester (Uster), New Bedford, Natick, Hudson, Portland, Lewiston, Biddeford si dhe në shtetet Rhode Island e Connecticut. Gjithsej, kemi 5-6 mijë njerëz në këto kompani. Në Boston, oficeri ynë i stërvitjes është Naum Teodori. Kemi edhe një oficer për mbikqyrjen e përgjithshme, i cili inspekton me radhë kompanitë për të parë se si shkon puna.

BOSTON GLOBE: Si ka shkuar stërvitja deri tani?

KRISTO DAKO: Kompanitë po arrijnë përparim të mirë në stërvitje dhe shpresojmë t’i kemi gati kur të ketë mbaruar lufta, që ato të formojnë bërthamën e një ushtrie të ardhme për Shqipërinë.

Por ç’ndodhi me kompanitë shqiptare që stërviteshin në verilindjen amerikane? Sipas revistës The Adriatic Review (shtator 1918), në vjeshtën e vitit 1916, Vatra, me anë të delegatit të saj, Mehmet Konica, i ofroi ministrisë së Jashtme britanike një ose dy regjimente me vullnetarë shqiptarë për të luftuar në frontin e Ballkanit kundër ushtrive austro-gjermane dhe bullgare, që ato të dëboheshin nga Shqipëria veriore.

Në atë kohë, Vatra ishte pozicionuar pro fuqive të Antantës. Menjëherë pas hyrjes së Amerikës në Luftë në prill 1917, federata panshqiptare u njoftua se qeveria britanike do ta mirëpriste dërgimin e regjimenteve me vullnetarë shqiptarë dhe se vendimi do të merrej së shpejti. Vatra llogariste që vullnetarët në fillim të formonin një regjiment, i cili dalngadalë të shndrrohej në një forcë më të madhe, gati në një ushtri.

Më vonë, propozimi i Vatrës për dërgimin e vullnetarëve u la në heshtje nga Forin Ofisi dhe pastaj u kundërshtua, sepse veprimi i forcave që do të shkonin në Shqipëri u konsiderua i dyshimtë. Frymëzuesit kryesorë të këtij kundërshtimi ishin francezët. Ata dyshonin se trupat e shqiptarëve të Amerikës ndonëse në dukje mbështesnin çështjen e Antantës, mund të kalonin në anën tjetër, atë të austriakëve.

Përgatiti: Flamur Maxharri

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu