Irak, ekstremistët vazhdojnë avancimin

0
138
lufta ne siri 03Militantët ekstremistë sunitë të grupit Shteti Islamik i Irakut dhe Levantit vazhdojnë të zgjerojnë zonat nën kontrollin e tyre në Irak.

 Pas Mosulit dhe Tikritit nën kontrollin e ISIS kanë rënë edhe dy qytete të tjera në provincën lindore të Diyalas. Qyteti Saadiya dhe Jalaëla u mor nën kontrollin e ISIS në orët e vona të së enjtes.

Sipas raportimeve të medieve ndërkombëtare edhe këtu ekstremistët hasën pak rezistencë të forcave qeveritare që kanë braktisur postat dhe zyrat e tyre pak para mbërritjes së militantëve.
Ndërkohë, në veri forcat e republikës autonome kurde morën nën kontroll qytetin e Kirkukut. Ky qyteti shihet si kryeqendra historike e kurdëve, por që në ndarjen administrative të Irakut nuk është përfshirë në republikën autonome kurde.
Kurdët thanë se morën nën kontroll qytetin e pasur me naftë për të shmangur rënien e tij në duart e ekstremistëve të ISIS. Sipas tyre, qyteti ishte braktisur nga forcat e ushtrisë federale dhe risku që ekstremistët të merrnin nën kontroll zonën ishte i madh.
Një ditë më parë, pas dështimit për të votuar në parlament gjendjen e jashtëzakonshme që do t’i jepte pushtet ekstra kryeministri Nuri Al Maliki, qeveria u bëri thirrje të gjithë qytetarëve që janë të aftë për luftë të mobilizohen.
Seanca parlamentare e parashikuar për ta shqyrtuar kërkesën e qeverisë për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme dështoi pas bojkotimit të deputetëve sunitë dhe të atyre kurdë. Këta të fundit thanë se nuk mund të votonin për t’i dhënë pushtet të pakufizuar Nuri Al Malikit.
Menjëherë më pas mbërriti apeli i qeverisë drejtuar të gjithë qytetarëve të aftë për luftë ku i kërkohet të mbrohen ndaj ekstremistëve që ndodhen vetëm 110 kilometra larg Irakut. Mijëra irakianë u grumbulluan në pikat e regjistrimit dhe të shpërndarjes së armatimit. “Do të mbrojmë veten, familjet dhe vendin tonë!” deklaronin ata.
Ndërkohë, presidenti amerikan Barack Obama ka deklaruar se SHBA po shqyrton “të gjitha opsionet” për të ndihmuar Irakun që të luftojë militantët islamikë, përfshirë këtu aksionin ushtarak.
Obama ka theksuar se, Shtetet e Bashkuara janë të interesuara që të sigurojnë që xhihadistët të mos fitojnë terren në Irak.
“Do të ketë disa masa afat-shkurtëra të menjëhershme që duhet të bëhen në mënyrë ushtarake”, ka thënë Obama për gazetarët në një konferencë shtypi nga Shtëpia e Bardhë.
Deklarata e tij mbërriti pasi qytetet e Mosulit dhe Tikritit kanë rënë në duart e rebelëve islamikë sunitë, nëpërmjet disa ofensivave të dhunshme ushtarake. (TCH)

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu