Ishalla!

0
137

Më së fundi edhe kodi zgjedhor mori udhën, duke e kaluar derën e komisionit që ishte mbarsur për ta pjellë. Do vejë në sallën e parlamentit që ta pagëzojnë dhe pastaj do ta nxjerrin në punë. Kodi ynë zgjedhor është nga më të komplikuarit në botë. Arsyeja pse është i tillë vjen ngase kur njëra palë e ka ndarë mendjen të fusi duart në kuti, kundërshtari shpik një mijë e një pengesa. Damian Gjiknuri i socialistëve tha që ky do jetë më i sigurti nga të shkuarit. Fakti që zona eksperimentale për numërim elektronik u caktua Fieri, hambari i votave të majta, sikur nuk tingëllon për mirë! Pse pikërisht në zonën që mund të bëjë diferencën? Kaq e sigurt është se aty nuk do ikin dritat, nuk do prishen aparaturat e kontrollit dhe numërimit? Nuk lihej dot një qark më i vogël dhe më pak përcaktues dhe më kollaj i kontrollueshëm si Lezha apo Gjirokastra, për shembull? Nejse. Çfarë u bë, u bë. Mbetet të shpresohet se Gjiknuri i ka kaluar mirë në sitë problemet dhe kontrolluar shtigjet nga mund t’iu rrëshqasë fitorja pas një viti. Shokët e tij mbetet të urojnë se e ka menduar thellë sa ka nënshkruar, dhe nuk do t’i përshëndesë rishtas Berisha nga dritarja e kryeministrit. Ishalla!
Në këtë kod, me sa duket u përjashtuan partitë e vogla. “Trimi i mirë me shokë shumë”, thotë një fjalë e vjetër. Dhe shokët e shumtë i duhen opozitës. Por opozita megjithëse ka në dorë të shpërndajë vetëm krunde, u tregua e shtrënguar edhe në to. Herën e fundit socialistët bënë të nëntëdhjetë e nëntat për të fituar, por kundërshtari bëri të njëqind e njëtat për mos lëshuar pushtetin. Dhe ia doli. Nëse ka një gjë që nuk ndryshon në këtë kod, është fakti se duhen sa më shumë aleatë që të fitosh. Berisha po i bën duke shpërndarë poste dhe favore. Opozita shpreson t’i venë pas. Aferim në ndodhtë!
Një risi tjetër ishte Ristani, që me sa duket do iki. Megjithëse ngjan se Arbeni nuk e prish fort gjakun dhe me stilin e tij fodull nuk u shkon as në komision. Me gjasa, kryetari i ri i KQZ-së do zgjidhet me konkurs. Në vendin ku edhe për të punuar roje varrezash, duhet rekomandim nga seksioni i Partisë Demokratike, dhe konkurset trukohen më ashiqare se ndeshjet e futbollit, roja i fatit të zgjedhjeve do jetë produkt i një konkursi, ku socialistët mendojnë se do ta kontrollojnë dhe kenë dorë në përzgjedhje! Nëse ia kemi arritur kësaj dite, atëherë… Marshallah!
Dy personazhe kyç për procesin si ministri i Brendshëm dhe Presidenti i Republikës, janë produkt i inkubatorit personal të Berishës. Gjithçka kanë arritur në jetë ia detyrojnë vetëm atij. Cila do jetë sjellja nëse fati i zgjedhjeve do jetë në dorën e tyre, nuk është vështirë të parashikohet. Partia, është militarizuar dhe vepron si formacion ushtarak. Individëve të promovuar nga kryetari, me mungesë biografie apo personaliteti të nevojshëm për të qenë politikanë të vijës së parë, nuk lenë dyshim për idetë që kanë për partinë, zgjedhjet apo demokracinë si koncepte. Sado naiv dhe mirëkuptues të jesh ndaj veprimeve të kryeministrit Berisha, pak iluzione mund të kesh se çfarë synon për zgjedhjet e ardhshme që janë në prag të derës. I duhen me çdo kusht. I duhen me çdo çmim. Kush beson se në formimin e tij, fatin personal, atë të familjes dhe punëve që ka nëpër duar, mund ta lërë në dorë të votës që hedh një qytetar, atëherë nuk e ka kuptuar shkollën nga ai vjen. Berisha është i qartë në etapat e tij. Do marrë me çdo kusht zgjedhjet e 2013-ës dhe pastaj do rizgjidhet president. Këtë e dëshmojnë ngjarjet e sapokaluara. Zgjedhja e presidentit me shpejtësi rekord, përveç arsyes së shprehur të presionit ndaj deputetëve të lëkundur, kishte synim kryesor përfundimin e shpejtë të kësaj procedure. Ku qëndron kleçka? Parlamenti i ri që do zgjidhet në korrik të 2013-ës, normalisht, e mbaron mandatin po këtë muaj të 2017-ës. Meqenëse parlamenti nuk mund ta zgjedhë presidentin një muaj para mbarimit të mandatit, rezultonte që pasardhësin e Nishanit do ta zgjidhte parlamenti që do dilte nga zgjedhjet e 2017-ës. Por Berisha ia ka vënë syrin postit presidencial. Ndaj, presidenti post-Nishani, do zgjidhet në maj të 2017-ës. Bujari do t’i shtyjë zgjedhjet e këtij viti për në shtator, sepse ia lejojnë prerogativat presidenciale. Si përfundim, Berisha do jetë presidenti i ri, duke i komanduar shqiptarët deri në 2023-in, dhe me shumë gjasa me një pushtet absolut që do i lejojë të përzgjedhë edhe pasardhësin e tij. Ndaj këto zgjedhje janë tepër të rëndësishme jo nëse do fitojnë socialistët, por nëse do bëhet rotacioni. Nëse do ketë një vazhdimësi të qeverisjes së Berishës, atëherë do jetë e sigurt që vendi do kthehet në një feud të tijin dhe pasardhësve biologjikë dhe politikë. Ndërsa Partia Socialiste, do kalojë në një kalvar, ku ai i ’91-it do ngjajë me një shëtitje. A thua i ka kuptuar këto establishmenti politik i saj dhe përfaqësuesi në komision? Ishalla po! Se përndryshe…

 

Nga Dritan Hila

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu