Jahjaga, presidente inekzistente

0
243

Presidentja e “zarfit”, Atifete Jahjaga, edhe pas dy vjetësh prej se është rehatuar në karrigen e të parës së shtetit, nuk po arrin të luajë rolin e saj unifikues, duke u treguar e pafuqishme dhe thuajse inekzistente.

Të paktën ky është vlerësimi i analistëve politikë në Prishtinë, të cilët konsiderojnë se ish-policja kosovare nuk ka kapacitete as intelektuale për të qenë në krye të shtetit. Sipas tyre, Jahjaga nga koha që ka marrë postin e të parës së shtetit, ( 7 prill 2011) është treguar e paaftë, duke mos qenë e zonja që në asnjë moment, si në aspektin moral ashtu edhe në atë faktik të marrë timonin e Presidentes.

Emri i Atifete Jahjagës doli nga zarfi i ambasadorit amerikan në Kosovë, Kristofer Dell, për ta udhëhequr vendin vetëm sa për ta nxjerrë vendin nga ngërçi politik.

Nga koha prej se Jahjaga po shijon karrigen e të parës, njohësit e zhvillimeve politike e konsiderojnë atë si një “Presidente kukull”. Analisti politik, Avni Zogiani thotë se përgjatë këtyre dy vjetëve, roli i presidentes Atifete Jahjagës ka qenë krejtësisht i parëndësishëm për shkak të pafuqisë së saj politike. “Vetë mënyra e ardhjes së saj në krye të shtetit, tregon pafuqinë e saj politike. Nuk shoh ndonjë kontribut të veçantë të saj, bile do të thosha se vetëm sa e ka mbushur atë pozitë për të mos e kryer rolin që i takon. Ajo thjesht ka qenë inekzistnte, duke qenë e paaftë në balancimin e pushteteve dhe që të luajë rolin unifikues”, ka thënë Zogiani.

Ai ka përmendur madje krijimin e Këshillit Anti-Korrupsion, që sipas tij, vetëm sa e ka ekspozuar pafuqinë dhe mosndikimin e saj. “Atifeteja ka filluar zero (O) në politikë dhe do të dalë si minues nga politika”, ka thënë ai, duke shtuar se e vetmja përparësi për Kosovën në rastin e Jahagës, ka qenë se kemi një presidente femër. Se si po reflekton fotografia e saj, ai tha se, “ajo ka probleme serioze me të shprehurit dhe kjo dobësi po e bën atë që të mos shihet shumë seriozisht nga opinioni publik”.

Nga ana tjetër, Nexhmedin Spahiu thotë se që është pritur që Presidentja e zgjedhur në një mënyrë duke dalë nga zarfi, objektivisht të luajë rolin e saj që i takon. “Në Kosovë ne jemi mësuar që Presidenti të ketë një kredibilitet të fortë moral, sikurse e kishim Ibrahim Rugovën, por vërtet kjo presidente nuk ka as kapacitete intelektuale për të qenë në krye të shtetit. Pra, edhe në kohën sa ka qenë police, ajo s’ka arritur të ndërtojë ndonjë kredibilitet të saj, prandaj, as si presidente nuk ka personalitet”, ka thënë ai. Sipas tij, Atifete Jahjaga e ka marrë vetëm formalisht funksionin e saj, por jo edhe realisht.

”Thjesht ajo nuk ka arritur të marrë timonin e Presidentes, as në aspektin moral e as në atë faktik. Pra, Jahjaga s’ka arritur fare të hyjë në rolin e saj të Presidentes. Përveç fotografisë që po duket mirë pse Kosova ka një femër në krye të shtetit, asgjë tjetër nuk ka arritur të reflektojë. Fotografia nuk është gjithçka”, ka thënë analisti Spahiu. Ai theksoi se Jahjaga është një presidente formale dhe nuk është de fakto Presidente.

“Vetëm emrin e ka Presidente dhe ne nuk mund të flasim për sukseset dhe as dështimet e saj përgjatë këtyre dy vjetëve prej sa ka marrë postin e të parës së shtetit”, ka deklaruar analisti Nexhmedin Spahiu.

Duke komentuar krijimin e Këshillit Anti-Korrupsion nga ana e Presidentes, ai tha se “ajo mund t’i krijojë edhe 100 këshilla, por përderisa kemi një nivel të lartë të korrupsionit, atëherë kjo flet më së miri për punën që po bën ky këshill. Konsideroj se ky këshill figuron vetëm në letër, sepse s’ka arritur të funksionojë fare”.

Përgjatë këtyre dy vjetëve presidentja Atifete Jahjaga ka qenë në thumb të kritikave, si nga shoqëria civile ashtu edhe nga partitë politike opozitare, të cilat kanë vlerësuar se ajo nuk po e luan rolin unifikues, madje partia e Isa Mustafës ka kërkuar dorëheqjen e saj për shkak të mosrespektimit të marrëveshjes mes tre liderëve politikë ( Thaçi-Mustafa dhe Pacolli). Presidentja Jahjaga ka ardhur në këtë pozitë vitin e kaluar pas krizës politike. Emrin e saj e kishte nxjerrë nga zarfi ambasadori amerikan, Kritofer Dell, derisa ishte në takim me liderët Thaçi, Mustafa dhe Pacolli. Më pas ishte arritur marrëveshja politike, e cila është shndërruar në Rezolutë.

Ndërkaq, nga zyra e Presidentes Jahjaga nuk janë përgjigjur rreth punës së saj dyvjeçare. Këshilltari i saj, Arbër Vllahiu, ndonëse ka premtuar se do të përgjigjet në pyetjet e gazetës rreth punës dyvjeçare të Presidentes, ai gjatë së enjtes nuk i ka kthyer ato.

 

Nga Lumturie Blakaj

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu