Juristët: Bllaca u shpërblye

0
327

Nazim Bllaca nuk u dënua nga EULEX-i. Në krahasim me veprat që ka kryer, sipas juristëve kosovarë, ky njeri është shpërblyer nga misioni ndërkombëtar për sundimin e ligjit që vepron në Kosovë. Thonë se një dënim kaq i vogël, është vetëm një stimulin për ‘patriotët’ e tjerë që kanë vrarë e që vendosin të rrëfehen tek EULEX-i.

Nazim Bllaca, nuk u dënua nga misioni ndërkombëtar për sundimin e ligjit në Kosovë. EULEX e shpërbleu atë. Ky është vlerësimi që japin disa juristë për dënimin prej 4 vjet e gjysmë që mori dje i vetëdeklaruari agjent i SHIK-ut, Nazim Bllaca.

Një dënim i tillë, sipas tyre, është shumë i vogël në krahasim veprat që ai ka bërë.

Për avokatin Tomë Gashi, “dënimi” i Bllacës me vetëm 4 vjet e 5 muaj, është stimulim për “patriotët” e tjerë të mundshëm. “Porosia me këtë ‘dënim’ është e qartë. Vrani, preni, grini kë të doni dhe në fund rrëfehuni jo të prifti por tek EULEX-i. E, mundësisht edhe përmend ndonjë ish udhëheqës të UÇK-së i cili ka poste të larta politike apo funksione të larta shtetërore”, ka thënë avokati Gashi për Express. Sipas tij, është kjo mundësia e vetme që të shpëtoni prej dënimeve të larta të EULEX-it.

“Sapo t’i përmendni këta emra të caktuar ju jeni të falur apo të dënuar pak, kjo i bie njëjtë”, thotë ai. Megjithatë Gashi pohon se ky fat që e ndoqi Bllacën, nuk do të zgjasë përgjithmonë. Bllaca është shpërblyer dhe nuk është dënuar nga EULEX. Por kjo nuk do të zgjasë përgjithmonë”, pohon ai.

Vlerësim të ngjashëm ka edhe juristi tjetër Artan Qerkini. Ai thotë se duke marrë parasysh fakti se në rastin e Bllacës bëhet fjalë për vrasje për motive të ulëta, vendimi për dënimin e tij me 4 vite e pesë muaj është shumë i ulët. “Megjithatë është gjykata ajo që ka vendosur për këtë dënim, prandaj duhet respektuar”, ka thënë Qerkini për Express.

Megjithatë ai shpreson se këtij vendimi për dënim, gjykata do tija bashkëngjit edhe një arsye bindëse se pse e ka shqiptuar atë dënim aq të vogël.

“Sepse edhe vendimi mbi lartësinë e dënimin duhet të jetë pjesë arsyetuese e vendimit. Kështu që pa e pa atë pjesë, ndoshta nuk është edhe shumë falënderuese të sqarohemi rreth lartësisë së dënimit. Por unë parimisht po them se një dënim i tillë prapë se prapë mbetet i ulët në krahasim me veprën e kryer”, sqaron Qerkini.

Por, është i bindur që në shqiptimin e një dënimi kaq të vogël, për një njeri i cili ka pranuar se ka qenë kryes i një vrasje si dhe bashkëpjesëmarrës në disa të tjera, ka ndikuar edhe fakti se Bllaca ka qenë deri tash dëshmitar bashkëpunues i EULEX.

Sidoqoftë, vendimi tashmë është marrë dhe sipas të dy juristëve, Bllacës i ka mbetur vetëm nisja e vuajtjes së tij në ndonjërin prej burgjeve të Kosovës. Kjo pasi ligjërisht nuk ka kurrfarë baze që tashmë i dënuari Bllaca ta kryejë diku tjetër dënimin, sepse veprën për të cilën akuzohet, e ka kryer në Kosovë dhe njëkohësisht ai është shtetas i Kosovës.

E njëjtë thonë edhe për ndërrimin e identitetit të tij dhe largimin nga Kosova. “Edhe kjo gjë është e pamundur pasi Bllaca tash nuk është më dëshmitar por i dënuar. EULEX sipas ligjit ka pas të drejtë tija ndërrojë identitetin atij vetëm kur ka qenë dëshmitar bashkëpunues”, thotë Qerkini.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu