Jusuf Gërvalla i shkruante Enver Hoxhës

0
189

(Pjesa II)

Sot po sjellim pjesën e dytë të letrës që Patrioti nga kosova që i kishte dërguar Enver Hoxhësh, ku i tregonte për gjendjen e mjerueshme të popullit të Kosovës dhe kërkonte ndihmën e tij.

Është mbarësi e posaçme që pjesa e tyre dërmuese ka pasur platformë të shëndoshë ideopolitike. Ato mund të mburren se e kanë ndjekur rrugën e luftës nacionalçlirimtare dhe revolucionit socialist, duke synuar në mënyrë permanente bashkimin e tokave dhe të popullit e me vullnetin e popullit, me vendin tonë amë, Shqipërinë socialiste të Partisë së Punës dhe Shokut Enver.

Në këtë mënyrë ata janë bërë pararojë dhe shprehje e artë e popullit shqiptarë të ndrydhur nga tradhtia e madhe e PKJ-së dhe nga interesat e Fuqive të Mëdha. Por, megjithëse numerikisht kanë aktivizuar në gjirin e tyre një pjesë bukur të mirë të patriotëve dhe revolucionarëve shqiptarë, këto grupe dhe organizata nuk mund të mburren për konsolidimin e mjaftueshëm të forcave tona përparimtare dhe për punën me efekte të larta në goditjen e armikut.

Thuajse rregullisht, veprimtaria e tyre është zbuluar dhe ndëshkuar që në gjysmë të rrugës. Atyre u ka munguar konspiracioni i thellë, i domosdoshëm në veprimtarinë ilegale. Organizimi i tyre është bërë shpesh në suaza regjionesh të caktuara, të ngushta dhe vetëm në ndonjë rast të rrallë (si bie fjala më 1964) janë përhapur në ndonjë trevë më të madhe në tokat tona. Përjashtim bën Lëvizja Nacionalçlirimtare e Kosovës dhe Viseve të tjera të Shqiptare nën Jugosllavi (LNCKVSHJ), për të cilën mendoj se jeni në dijeni dhe anëtar i secilës jam edhe unë.

Kjo lëvizje vazhdimisht ka pasur parasysh si një nga qëllimet kryesore përfshirjen në gji të vet patriotëve dhe të revolucionarëve nga të gjitha viset shqiptare. Pos kësaj, edhe anëtarët e saj kanë qenë në të gjitha strukturat shtetërore, gjë që organizatës i kanë dhënë një karakter të përgjithshëm popullor.

Me gjithë të metat që janë përcjell në aktivitetin e grupeve dhe organizatave patriotike revolucionare të shqiptarëve në Jugosllavi, ne para se të sulmojmë me kritikën tonë lidhur me ndonjë aspekt të posaçëm të tyre, me në fund, siç është fare e natyrshme, ka qenë në përputhshmëri me mundësitë që ofrojnë kushtet e përgjithshme shoqërore ndër ne. Po tash, meqë lufta e jonë politike ka hyrë në fazën e vet përfundimtare,po zhvillohet në favorin tonë, janë të domosdoshme edhe forma më të larta organizimit të aktivitetit revolucionar.

Edhe nga kjo pikëpamje ne, me një vonesë të konsiderueshme, kemi arritur në përfundim se luftës sonë i duhet një emërues i përbashkët dhe i fuqishëm. E ky emërues mund të jetë vetëm lufta në baza rigoroze të marksizëm – leninizmit dhe një gji të një partie Marksiste-Leniniste.

Pas themelimit të një mirëvajtje e një partie Komuniste Marksiste-Leniniste të Shqiptarëve.

Në dëshmi të tyre flet vetëdija kombëtare dhe klasore, e shqiptarëve me banim në Jugosllavi.

Na bën të lumtur fakti që Partia e Punës e Shqipërisë dhe Ti, shoku Enver, jo vetëm që keni ndjekur në hap të gjithë konjugcionet e gjenocidit sllavomadh të ushtruar mbi ne, por keni qenë edhe të vetmit denoncues të denjë të këtij gjenocidi në sy të botës.

Deri sa ne kemi duruar, deri sa ne kemi shikuar me sedër të vrarë kombëtare si zbret dhe si na ndalohet flamuri kombëtar shqiptar, deri sa në vatrat tona na kanë dëbuar me dajak, me presion e shantazhe, dhe deri sa na kanë vënë në tortura të pashembullta, gjithë kohën që ne kemi shijuar mjetet më të egra të gjenocidit nga ana e social shovinizmit serbo-malazez-maqedonas, i vetmi satisfaksion për ne ka qenë forcimi dhe zhvillimi i mbarë Shqipërisë mëmë dhe denoncimi i hapët nga ana e PPSH i të zezave të zbrazura me rrebesh mbi kokën tonë.

Dhe, në vend të ndjenje të braktisjes nga Shqipëria mëmë (këtë ndjenjë provojnë kohë të gjatë ta injektonte në qenien tonë kombëtare gënjeshtra të liga titiste), qenien tonë e mbushi ndjenja e fuqishme se kush na del zot dhe kush davarit mjegullën historike, me të cilën titistët donin ta mbështillnin historinë të vërtetë dhe planet e tyre shtetërore për shfarosjen e shqiptarëve.

Të shtypin në pikëpamje ekonomike, sociale, nacionale e kulturore, me breza të tërë intelektualësh e revolucionarësh të asgjësuar fizikisht nga pushtuesit serbo-malazez- maqedonas, pa institucione dhe literaturë të përshtatshme, nga do të rridhnin informata e njohuri, në bazë te të cilave do të mund të hetohej aktualiteti ndërkombëtar dhe çështja e jonë jetike.

Aktivitetin e djalërisë patriotike të kësaj pjesë të robëruar të atdheut tonë e karakterizonte një kohë të gjatë vetëm instinkti kombëtar dhe entuziazmi i pashuar.

U desh një kohë relativisht e gjatë që ne të kuptonim një fakt fare të thjesht, se kufijtë e Shqipërisë dhe të Jugosllavisë, në kushtet e sotme arrin në shkallë ndërkombëtare, janë të pacenueshëm dhe se çdo intervenim i hapët i Shqipërisë në çështjen e shqiptarëve të robëruar mund të konsiderohet përzierje e në punët e brendshme të Jugosllavisë e kështu të sjell pasoja të rënda intervencioniste edhe për vetë atdheun tonë, pavarësia e të cilit ka kushtuar çdo pëllëmbë e gjak. Po tani vetëdija e jonë politike po begatohet gjithnjë e më shumë, rrezikun e Shqipërisë mund ta hetojmë më lehtë dhe më lehtë t’i bëhemi prag atij. Sidomos më të madhin, rrezikun e intervenimit ndërkombëtar në Shqipërinë Socialiste. Nuk e aprovojmë në asnjë mënyrë dhe jam i bindur se djalëria e jonë përparimtare dhe përgjithësisht populli shqiptar brenda kufijve politikë të Jugosllavisë, më parë do të duronte asgjësimin e vet së sa zhbërjen e Shqipërisë.

Duhet të presim vetëm çastin vendimtar të luftës sonë kur lufta të kaloj në konflikt të armatosur. (Por, gjithashtu ne prekemi thellë në sedër sa herë që, nga mosbesimi në ne, apo nga konspiracioni i thellë, ndonjë shtetas i RPS të Shqipërisë ngul këmbë se si ne në Jugosllavi nuk jemi aq keq dhe se Shqipëria nuk ka fare të bëjë me të vërtetën sa i përket qëndrimit të Shqipërisë socialiste ndaj tokave të veta të pushtuara, sjellin dekurajimin dhe pakënaqësi në mesin e popullit të shumëvuajtur).

Nga ana tjetër, ne aprovojmë pa rezervë pranimin marksist-leninist të PPSH-së lidhur me rivendikimin e kufijve. Mirëpo nga përvoja 35 vjeçare me titizmin, a mund të priten rrethana të rivendikimit në rrethana marksist – leniniste.

Te ne nuk do të lëkundet kurrë besimi në revulucionaritetin e popujve. Kjo vlen edhe për popujt jugosllav.

Ti, i dashur shoku Enver, ke konstatuar vetë se klima politike në Jugosllavi është e atillë që në të mund të pritet shpërthimi i revolucionit socialist. Dhe kushtet ekonomiko-shoqërore për një shpërthim të tillë ekzistojnë qëmoti në këtë vend revizionist, sidomos sot, në kohën e krizës më të madhe në të cilënështë katandisur ky vend.

Aparati fashist jugosllav ja ka dalë t’i shuaj grevat e shumta të punëtorëve, që janë zhvilluar kohëve të fundit, po edhe të minimizojë jehonën e tyre, duke i ruajtur ato në fshehtësi. Këto greva vërtet mund të merren si shkëndijë e një revolucioni të ardhshëm, sado që ato, për sa mund të hetohet, nuk dalin me ndonjë program të qartë marksist-leninist.

Sa i përket opozitës së regjimit të sotëm titist, sidomos kur është fjala për pjesëtarë të kombit kroat nga Kroacia dhe Bosnja, veprimtaria e saj propagandistike dhe agjitatore i ka rrënjët në emigracion thuajse kryekëput nga imperializmi dhe kapitalizmi perëndimor. Kjo opozitë me një bazë fare të dobët në vend po bën presion të vazhdueshëm që populli kroat, krahas luftës për pavarësi të plotë nga Jugosllavia, të orientohet nga “demokracia” perëndimore, që do të thotë nga regresi i shkelur para dyzet vjetësh, kundër të cilit është derdhur gjaku i popullit kroat. Pos kësaj, regjimi social-shovinist i Beogradit ia ka dalë të helmojë me ndjenjë shoviniste dhe të ndërsejë kundër popullit shqiptar një pjesë të madhe të popullsisë serbe, malazeze dhe maqedonase, sidomos brenda tokave shqiptare dhe në regjionet ku kufizohet me viset tona.

Prandaj ne jemi skeptik se për realizimin e aspiratave tona shekullore të drejta, për bashkimin e tokave dhe të popullit tonë, mund të priten rrethana të rivendikimit në baza marksiste – leniniste. Ose, së paku deri sa të arrij një kohë e tillë, ka rrezik për dëmtime të mëdha të popullsisë shqiptare që lëngon nën regjimin e egër titist.

Aktualisht, siç e di edhe Ti, shoku Enver, te ne vazhdon eksplorimi i paskrupullt ekonomik i viseve shqiptare nga ana e qeverisë së Beogradit. Vazhdon me të madhe papunësia dhe shitja e krahut të lirë të punës te kapitalistët perëndimor.

(Kohët e fundit, qeveria “shqiptare” e Kosovës deklaroi me mburrje në shtyp se si janë duke u bërë përpjekje për t’u siguruar punë edhe së paku dhjetë mijë kosovarëve në Libi, pastaj në RFGJ, etj).

Krahas zbrazjes së mëtejshme të Kosovës nga krahu vital i punës (dhe i pushkës), titistët po i shërbejnë, të thuash, pa pengesa edhe një qëllimi sa të lashtë, edhe aktual sllavomadh: duke sjellë kolonistë të rinj në vend të shqiptarëve të mënjanuar në një mënyrë a në një tjetër, t’i ndërrohet fizionomia etnike tokave të mirëfillta shqiptare.

Në kushte të papunësisë, të pagave të ngurtësuara në anën tjetër, populli shqiptar nën Jugosllavi po çon jetë të mjeruar prej skllavi. Ndërsa rezervat e mëdha ekonomike të viseve tona merren nëpër këmbë dhe me to ushqehet makineria e egër e sistemit revizionist jugosllav dhe ngrihen qendrat e çetnikëve dhe administratës serbo-malazeze-maqedonas.

Kështu pakënaqësia e populli shqiptarë, që gjithmonë ka qenë i pakënaqur nga regjimetme banim në Jugosllavi, është e domosdoshme një ndihmë konkrete nga ana e Partisë së Punës të Shqipërisë. Një ndihmë e tillë, konsiderojmë ne, është e drejtë e patjetërsueshme si për PPSH-në, ashtu edhe për djalërinë patriotike e revolucionare shqiptare në pjesën e robëruar të atdheut tonë të përbashkët.

Kështu do të përligjej dhe do të fuqizohej lufta e drejtë, po edhe përkrahja që do të merrnin nga PPSH. Ndihma, natyrisht, nuk ka munguar as deri me tash. Literatura revolucionare dhe patriotike, që ka depërtuar në masë të madhe edhe të populli i ynë këndej, ka rëndësi të madhe dhe ka ushtruar ndikim të madh. Një rol të rëndësishëm ka luajtur deri me tash sidomos Radio Tirana me emisionet e saj. Dhe një nga masat më të qëlluara për afrimin dhe për ngritjen e vetëdijes kombëtare, shoqërore, politike e ideologjike të popullit tonë në pjesën e robëruar të Shqipërisë, konsiderojmë ne, ka qenë ajo e 28 nëntorit të kaluar, që kur shqiptarët në Jugosllavi mund të ndjekin edhe programin e Televizionit Shqiptar. Mirëpo, për t’i dalë në mënyrë sa më të denjë dhe sa me efektive qëllimit tonë të lartë, mendojmë se në mesin tonë duhet të punojë një dorë komuniste, që do të na i transmetonte drejtpërdrejt bazat e shëndetit, të veprimtarisë së një partie Komuniste Marksiste-Leniniste, në kushtet e ilegalitetit të thellë.

Nga ana e jonë mund të them se një gjë është fare e sigurt, njerëz përparimtarë nga të gjitha strukturat shoqërore të ne janë të gatshëm të punojnë pa kursyer asgjë për atdhe dhe për idetë e larta komuniste. Pos kësaj, në mesin tonë dita ditës po nxjerr kokë një mendim i përgjithshëm: Brezi i ynë i sotëm e ndjen vetën të thirrur të bëj një hap të madh përpara në luftën për liri dhe bashkim me vendin amë, në mos edhe ta realizojë përfundimisht revolucionin e pashmangshëm.

Prandaj, të sigurt se kjo çështje është e denjë për kujdesin Tënd, të Partisë së Punës dhe të mbarë popullit shqiptar, ne presim që kërkesat e mbarështuara këtu për ndihmën e përmendur nga ana e PPSH-së, të hasë në mirëkuptim dhe të shqyrtohet në nivelin për të cilin do ta konsideroni ju së është adekuat.

Duke çmuar kohën Tënde të shtrenjtë, shoku Enver, shpresoj se do të kesh mirësinë t’i propozosh ndonjërit nga shokët e afërt të Partisë së Punës te më përgjigjet në këtë letër.

(Çdo fjalë, çdo mendim a porosi do të jetë shumë efektive dhe jo vetëm për mua).

Në përfundim të kësaj letre, kam nderin e jashtëzakonshëm të të uroj punë të mbarë në ndriçimin e idesë së lartë komuniste dhe shëndet të çeliktë në udhëheqjen e popullit të lirë shqiptar dhe të Partisë së Punës së Shqipërisë.

Untergruppenbach

Jusuf Gërvalla

19 gusht 1980

Habichthohe 40,

7101Untergruppenbach

RF e Gjermanisë


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu