Kaçaniku, çerdhja e xhihadistve

0
341

Kacanikas para xhamisËshtë ditë e xhuma, dita që obligon meshkujt të shkojnë dhe të falen në xhami (të premten) që ka mbledhur edhe qytetarët (xhematin) kaçanikas. Ata po shkojnë të falen në emër të Zotit dhe për Zotin.

Xhamia e rinovuar në Kaçanik e ndërtuar në vitin 1594 nga veziri i madh turk Koxha Sinan Pasha, emrin e të cilit edhe e mban të jep përshtypjen e një qyteti që ruan trashëgiminë kulturore, fetare, historike. Por, ky qytet kosovar në kufirin me Maqedoninë, po përjeton trendët e reja, fatkeqësisht jo ato që duhej, si zhvillim urbanistik, kulturor, ekonomik, punësim të të rinjve…

Në qytetin e lënë anash nga Qeveria qendrore e komunale, ka nisur të zë vend më të madh i ashtuquajturi ekstremizëm fetar. Djem të rinj me mjekra të gjata e pantallona të shkurtra që identifikojnë një mënyrë tjetër të veshjes dhe lutjeve ndaj Zotit, nga ajo që në xhaminë “Koxha Sinan Pasha” është bërë shekuj me radhë.

Të rinj shihen rreth moshës 25-30 vjeç të mbledhur nga dy-katër veta, grupe-grupe përreth xhamisë që po bëhen gati të falin xhumanë në orën 13:00. Të etiketuar së fundi e sidomos me arrestimet më të reja të ndodhura një ditë më parë nga njësia e specializuar e Policisë së Kosovës, e cila nën dyshimin se po rekrutonin terroristë për t’i dërguar në Siri, arrestoi tre persona në Kaçanik e Han të Elezit: Ilir Berisha, Jetmir Kyçyku dhe Sedat Tropojani, që të premten iu shqiptua masa e paraburgimit, si pjesëmarrës se kanë qenë në luftë në Siri si pjesë e organizatës terroriste “Al Nusra”, ka irrituar këta të rinj kaçanikas. Për ta gazetarët janë bërë “halë në sy”. Nga këta të rinj nuk guxon të bësh foto tek xhamia apo të fotografosh xhematin, po tentove ata të turren dhe të fyejnë.

Edhe kryetari i Këshillit të BIK-ut, Florim Neziraj, që në fillim morëm përgjigje se nuk ndodhej në objektin e kësaj bashkësie fetare, më vonë imami Neziraj i kontaktuar nga gazeta nuk ka pranuar të deklarohet as në telefon, me arsyetimin se është i zënë, apo se mediave duhet t’iu mjaftojë deklarata e dhënë nga myftiu Naim Tërnava gjatë ditës. Qytetarët kaçanikas pranojnë se diçka më ndryshe po ndodh në qytetin e tyre. Janë lindur e po plaken në Kaçanik, po dalin ngadalë nga xhamia ku falën xhumanë, disa duke shkuar drejt në shtëpi e të tjerët për t’u ulur në kafiteritë buzë lumit që kalon nëpërmes qytetit. I.Muhaxheri thotë se fali xhumanë ashtu siç ka bërë gjithë vjetet e jetës së tij. Por, ai nuk pëlqen mënyrën si po falen, sipas tij tash “të rinjtë”.

“Nuk po falen sipas traditës, siç kemi bërë ne, por në një formë që ngjason me faljen që bëjnë gratë. Ma shkurt falen, faqja e zezë ”, thotë ai për gazetën. Operacioni për kapjen e disa personave të dyshuar për terrorizëm edhe në Kaçanik ka shqetësuar qytetarët e tij. Frika se mos Kaçaniku po shndërrohet në një qytet afgan brenda Kosovës, ka ndikuar që kaçanikasit të frustrohen me Qeverinë e Kosovës, e cila sipas tyre është fajtore se nuk po ndal këtë trend të përhapjes se ekstremizmit fetar.

Tusha: Asnjë fe nuk thotë vrit njerëz të pafajshëm 

Agjib Tusha, njohës i librit të shenjtë “Kuranit” e quan të patolerueshme shkuarjen e të rinjve për të luftuar në Siri. “Vrasja e njeriut të pafajshëm është e patolerueshme me Kuran. Por, këta janë më shumë të rinj me fillore, i lëshojnë mjekrat e kujtojnë se është bërë nami.

Ajo që po ndjekin është rrugë e gabuar dhe e pafalshme që me asnjë libër të shenjtë, as me Bibël, as me Kuran, as budizëm, pra asnjë fe se jep vrasjen e njerëzve të pafajshëm”. Tusha thotë se këta të rinj kanë plot probleme për të “luftuar” në Kosovë.

“Të rinjtë tanë duhet të ndjekin rrugën tonë si mysliman sikurse kanë bërë të parët, myslimanët e Evropës, e jo mysliman i hallakatur”. Ai thekson se provimin e burrërisë nuk e kanë dhënë as hoxhallarët, as qeveritarët, as mjekët…”Ne jemi plot probleme, ne jemi kah të këqyr, ngado që shkon krejt me probleme”, thotë ai duke shtuar se në zhvillimin si dhe rritjen e ekstremizmit fetar ka ndikuar mosshkollimi, e papunësia e të rinjve.

“Në Kaçanik përpara (ish –Jugosllavi) s’kanë arritur të depërtojnë kurrë as partitë. Ne kemi pasur rrugën tonë, ne kemi pasur edhe të fshatrave të inkuadruar në shoqërinë tonë intelektuale, më vonë kanë shkruar dhe ju kanë thënë atyre (fshatarëve) se ‘kaçanikasit janë njerëz të poshtër ne kemi ymydin tek ju fshatarë’, ju kanë dhënë dhe rroga dhe u bë ndarja pastaj fshat –qytet, pra në sistemin ish-jugosllav. Dhe tash po na përcjell, kjo është e tmerrshme, madje Qeverinë se kemi në terezi dhe kjo po krijon hapësira për të shkuar të rinjtë në Siri në mungesë të punës këtu”. Ai rrëfen se kur ishte hapur shkolla në Kaçanik para se të nisnin pushimet, sheh numër të madh të rinjsh nëpër rrugë. “Rinia po kryejnë nga dy fakultete e s’po gjejnë punë, s’ka punë, s’ka hapësirë dhe po krijohet mundësia të merren me gjëra të tjera, thjesht të shkojnë për të luftuar. Pra, nuk jemi shoqëri kompakte për të rinjtë të mendojmë, kjo është fatkeqësia jonë”, thotë Tusha për “Zërin”.

Gjeneratat e vjetra manifestuan fenë me pozitivitet

Ibush Vishi, drejtor i Gjimnazit “Skënderbeu” në Kaçanik, thotë se rrethanat në krahasim me periudhën e paraluftës kanë ndryshuar shumë për të mirë. Por, në kontekstin edukativ, me fokus më të ngushtë në trendët predikuese fetare, ai mendon se më parë ka qenë një frymë më e shëndetshme sesa sot.

“Gjithsesi kjo është një frymë që po na vjen nga importi, një frymë e huaj. Nëna dhe babai im kanë qenë njerëz të devotshëm, por nuk kanë qenë fanatikë fetarë, siç mund ta cilësojmë sot. Natyrisht, ata janë kujdesur të mbjellin besimin tek Zoti edhe tek unë si fëmijë dhe te të tjerët, por kurrë nuk iu ka penguar sjellja ime e lirë”, thotë ai, duke marrë shembull prindërit e tij dhe duke portretizuar gjeneratën e vjetër në këtë qytet. Sipas tij, ata kanë qenë më korrektë në predikimin e fesë. “Tash ca njerëz janë pak më ekstremë sesa ata më herët dhe kjo na pengon, kjo po bëhet pengesë për shoqërinë. Njerëzit që po fokusohen në këtë proces janë shumë agresivë”.

Vishi, situatën aktuale në Kaçanik e ndërlidh edhe me punën e tij. Ai ka marrë kërcënime, si drejtor, për shkak të angazhimit të tij pedagogjik në rastet kur është përpjekur të mos lejojë që normat zyrtare të shkollës të zëvendësohen me ato fetare. “Brenda në shkollë ka ardhur njëri dhe më është kërcënuar se pse unë ia kam këshilluar motrën e tij (nxënëse jona) që të ketë një sjellje dhe dukje normale në shkollë, pra mbi bazën e uniformës zyrtare të nxënësve”.

Ai parafrazon t’i ketë thënë këtij personi se në shkollë ka norma zyrtare, kurse ai t’ia ketë kthyer: “Edhe ne kemi norma jashtë shkollës!”. Ndërkohë që Vishi thotë se rastin e ka paraqitur edhe në Polici. Në këtë gjimnaz dy-tri nxënëse janë toleruar të vijojnë shkollën me shami, mirëpo Vishi nuk e mohon se kanë gabuar që kanë bërë lëshim, duke mos zbatuar në këtë pikë Udhëzimin Administrativ të MASHT-it që ndalon shaminë në shkolla.

“ Kemi pasur nga dy- tri raste nëpër vite në gjimnaz që kanë ardhur në shkollë me mbulesë, mirëpo sikur nuk kemi pasur “përkrahje” të mjaftueshme për t’i parandaluar. Duke mos dashur t’i dramatizojmë këto raste minore, ato kanë vazhduar të vijnë me mbulesë një, pastaj dy…”. Ai thotë se tash mendon që nuk e kanë pasur mirë dhe vlerëson se është dashur të reagohet më fuqishëm me kohë, “konform rregullave të shkollës”.

“Edhe pse ishin raste në miniaturë, në kuptimin e trendëve në zhvillim e sipër, del se është dashur ta tregojmë normën e saktë dhe fuqinë e ligjit se diçka e tillë është e ndaluar në shkollë”. Drejtori Vishi tha se planifikon që për vitin e ri shkollor të kërkojë përkrahje më të bindshme nga organet komunale për zbatimin e Udhëzimit të MASHT-it, përkitazi me bartjen e shamisë në shkollë. “Apeloj tek subjektet tona politike dhe jo vetëm ato, që të braktisin hipokrizinë dhe rrospillëkun politik për një votë, siç e praktikuan në fushatën zgjedhore, në të mirë interesave reale të shoqërisë e të kombit, që është në short të pësojë keq ndoshta edhe në një të ardhme të afërt…”

Kosova në rrugë të Afganistanit

Ekstremizmi fetar ka kaluar kufirin dhe ka hyrë në brendësi të Kosovës. Dy qytetet e Kosovës që janë përfshirë nga ekstremizmi sipas Besnik Krasniqi, nga fshati Kaçanik i vjetër, i cili ka magjistruar në drejtimin e Shkencave Politike në Universitetin e Prishtinës me temën “Intervenimi amerikan në Afganistan”,  fokusuar tek terrorizmi janë: Kaçaniku dhe Elez Hani. Ai i bënë thirrje Qeverisë dhe klasës politike që të mos ndodhë ajo çka ka ndodhur në vitin 1995 në Afaganistan, periudhë kjo kur ky shtet arab është kapur nga udhëheqësja e Talibanëve.

“Qeveria duhet të tregojë dhëmbët e vet, të mos jetë e butë me këto struktura se këta njerëz janë të vendosur ta çojnë deri në fund, që në mënyrë të dhunshme të na kthejnë në mesjetë”. Bazuar në hulumtimin që ka bërë, ai thekson se një gjë e tillë i ka ndodhur Afganistanit, i cili sipas tij ka qenë i modernizuar deri në vitin 1995 dhe se “femrat janë veshur në mënyrë modeste,moderne, janë marrë me sport, kanë punuar në kompani ajrore, si mjeke…, në momentin kur ka ardhur talibani, ata (talibanët) për një muaj si shtet kanë hyrë në mesjetë”.

Ai thotë se në Kosovë ka shenja të ndodhë e njëjta gjë sikurse në Afganistan, e po ashtu në mënyrë të dhunshme. “ Këto shenja i kam parë qysh në kohën kur jam marrë me hulumtim 2009-2010””. Një pjesë të punës së tij si përkthyes e ka bërë dhe në Afganistan ku ka parë realitetin, pranë njësitit amerikan që është marrë me këto probleme. “Ka pika nëpër Kosovë ku ata trajnohen, ku iu bëjnë lavazhin e trurit sidomos njerëzve të rinj që nuk janë ende të aftë të mendojë me trurin e vet, të marrin vendime me trurin e vet.

Ata e kanë targetin e tyre dhe shumë të organizuar, madje mendojë se kanë qasje shkencore për të infiltruar njerëzit, që janë të rinj që janë ekonomikisht të dobët, që nuk shohin perspektivë në të ardhmen”. Apo sipas tij dhe njerëzit që klasifikohen me mendje kriminale, e të cilët ai thotë se nuk mund të dalin në sipërfaqe me asgjë tjetër, por përmes kriminalitetit.

“Rast eklatantë është Lavdrim Muhaxheri nga Kaqaniku që ne se kemi njohur kurrë, por ai ka arritur me mendjen e tij kriminale të dalë publikisht të përhapë në krejt botën që është një njeri që merr guximin të kërcënojë edhe Barak Obamen”. Ekstremizmi fetar ai thotë se në mënyrë të theksuar po ndodh në Kaçanik dhe këtë e shpjegon bazuar në tradicionalitetin e lidhjeve martesore si dhe familjare me Maqedoninë Tetovë-Shkup.

“Ky fakt nuk duhet të anashkaluar kurrsesi, nëse më herët ka ndodhur që kanë pasur lidhje ka qenë një islam i moderuar, por dhe atje e kohët e fundit mendojë se ajo valë që ka hyrë në Maqedoni, ajo valë e nxehtësisë radikale veç ka kaluar kufirin në këtë rast , prandaj Hani i Elezit dhe Kaqaniku kanë dalë në sipërfaqe në mënyrë të theksuar në Kosovë se ka radikalizëm islam”, ka thënë Krasniqi për gazetën.

Ndërsa, në këtë rritje të radikalizmit ai thotë se ka ndikuar dhe mosinteresimi i Qeverisë për Kaçanikun. “Komuna e Kaçanikut është harruar nga Qeveria. Kaçaniku është e vërtetë se është bastion i PDK-së, por PDK-ja ka harruar Kaçanikun edhe pse në pushtet ka qenë nga viti 2007, qoftë për fajin e vet qeverisë dhe të elitës politike në Kaçanik, Komuna jonë ekonomikisht është rrënuar”. Sipas Krasniqit nëse nuk intervenohet tash, kjo valë e nxehtë e radikalizmit do ta përfshijë komplet Kosovën. “Ka qarqe të caktuara që iu intereson të kenë një fole të radikalizmit islamik në zemër të Evropës, e njëjta gjë është arritur me masë të caktuar në Bosnjë, tentohet dhe në Shqipëri”, thotë ai për gazetën.

Nga: Anita Kadriu

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu