Katër Komunikata të UÇK-së: Dy Kolaboracionistë të vrarë, disa Aksione të Suksesshme

0
60

Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, tregonte se si gjatë vitit 1995 dhe 1996, kishte kryer disa aksione të suksesshme guerile dhe atentate. Tregohej se UÇK-ja, kishte minuar disa shtëpi të kolonëve serbë, kishte vrarë një polic dhe dy shqiptarë të dyshuar se janë kolaboracionistë. Viktimat ishin: Behxhet Muçaka, Shukri Krasniqi nga Ostrozubi dhe Sredoje Radojeviq, polic serb në Podujevë. Insajderi sjell detaje interesante të këtyre aksioneve guerile të zhvilluara nga celulat e para të UÇK-së.

Ende pa u ditur ekzistenca e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, aksionet guerile të sulmeve dhe tërheqjeve të shpejta, po zbatoheshin në terren.

Sulmet sporadike mbi policë dhe stacione policore, vrasjet e shqiptarëve të dyshuar për bashkëpunëtor të Serbisë, aso kohe ishin enigmatike dhe pa autor të ditur.

Oponentet e LDK-se, ne ate kohe, përhapnin llafe se ato po kryheshin nga “Dora e zezë”. askush nuk e dinte se çfarë ishte “Dora e zezë”.

Të vetmit që dinin për këto sulme e vrasje të kryera nga celulat e para të UÇK-së, ishin vetë ata.

Me kalimin e viteve dhe me dështimin e politikës paqësore të udhëhequr nga Ibrahim Rugova, sulmet e tilla sa vinin e shpeshtoheshin. Ato, merreshin përsipër nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së me anë të komunikatave, një pjesë e të cilave janë e përmbledhur në një libër të autorit, Gafurr Elshani, njëri prej eksponentëve kryesor të Lëvizjes Popullore të Kosovës, dhe UÇK-së.

Insajderi ka botuar këto komunikata me lejen e autorit.

Në qershor të vitit 1995, Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, tregonte për disa aksione të që cilësoheshin të suksesshme.

Njëri kishte të bënte me një sulm të armatosur në stacionin e milicisë serbe në fshatin Irzniq të Deçanit. Aksioni tjetër ishte kryer me anë të minimit të dy shtëpive të ndërtuara për kolonë serbë të Kroacisë, të cilët po vendoseshin në Kosovë.

Sulmi i tretë tregonte se UÇK-ja kishte ekzekutuar Behxhet Muçakën, një shqiptar i dyshuar për bashkëpunim me regjimin e Serbisë.

Gjatë dy muajve të fundit Komanda Qendrore urdhëroi njësitë e armatosura për veprime ushtarake të cilat u ekzekutuan sipas planit”, thuhet në komunikatën numër 13.

Në këtë komunikatë njoftohej opinioni se në prill të vitit 1995, ishte sulmuar postëkomanda e policisë serbe në fshatin Irzniq.

“Në fillim të majit u minuan 2 shtëpi të sapondërtuara për vendosjen e kolonëve serbë e malazezë. Shpërthimet e eksplozivit në Junik janë vërejtje për ata kolonë që pranojnë të bëhen mish për top në duart e politikës së pastrimit etnik të Beogradit”, paralajmëronte UÇK-ja.

Në komunikatën numër 13, UÇK-ja merrte përsipër vrasjen e një shqiptari që pandehej për bashkëpunim me serbët në dëm të popullatës shqiptare.

“Në javën e fundit të majit u ekzekutua me vdekje spiuni i Serbisë, Bexhet Muçaku”, njoftonte SHP-ja me anë të komunikatës.

Aty i bëhej thirrje popullatës civile serbe e malazeze që të mendojë për ardhmërinë e tyre në Kosovë dhe mos të marrin pjesë në territorin e trupave okupuese ushtarake e policore kundër shqiptarëve.

“Komanda jonë Qendrore do të urdhërojë njësitet tona të armatosura për sulme tjera. Sulmet tona do të vazhdojnë deri në çlirimin e vendit”, shkruante në fund të komunikatës.

Kjo komunikatë është administruar si provë nga Tribunali i Hagës në gjykimin e Ramush Haradinajt, ish-komandant i Zonës së Dukagjinit, i cili ishte shpallur i pafajshëm.

Komunikata numër 18 

Shtabi i Përgjithshëm njoftonte se më 11 shkurt 1996, njësitet guerile të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kishin ndërmarrë një aksion të armatosura në zonën operative numër 1.

“Aksionet u kryen me bomba dore në kampet e kolonëve serbë të ardhur nga Kraina në Kryeqytetin e Republikës së Kosovës, Prishtinë dhe në qytetet Mitrovicë, Pejë, Podujevë, Suharekë dhe Vushtrri”, shkruante në komunikatë.

UÇK-ja i bënte thirrje okupatorit serb që se këto aksione ishin vetëm paralajmërim për ta, duke kërkuar që të ndërpritej kolonizimi i Kosovës me serbë të Kroacisë të ikur nga lufta.

“Në të mirë të paqes në Ballkan dhe në interesin e popullit serb dhe shqiptar është që të ndërpritet kolonizimi i Kosovës; të ndërpritet terrori dhe shpërngulja mbi ne shqiptarët dhe okupimi i Kosovës. Menjëherë të fillojë dialogu për tërheqjen e trupave ushtarake-policore nga Republika e Kosovës”, thuhej në komunikatë.

Shtabi i Përgjithshëm u bënte thirrje qendrave ndërkombëtare të vendosjes, e posaçërisht Shteteve të Bashkuara që të njohin pavarësinë e Kosovës për cilën populli është deklaruar me referendum.

Në të kundërtën, paralajmëronte Shtabi i Përgjithshëm, lufta në Kosovë është e pashmangshme.

“Vetëm duke respektuar vullnetin e popullit shqiptar do të mbetemi miq”, kërcënonte me këtë komunikatë, UÇK-ja ftonte institucionet shtetërore të Republikës së Kosovës, partitë dhe organizata politike që t’i përmbahen vullnetit të popullit për pavarësinë e Kosovës.

“Kush e nënshkruan autonominë e Kosovës nën Serbi e pret fati i Esat Pashë Toptanit”, kërcënonte me vrasje, Shtabi i Përgjithshëm.

Në këtë komunikatë u bëhej vërejtje edhe mediave të asaj kohe që siç thuhej të informonin drejtë për aksionet çlirimtare dhe të mos merren me shabllone politike.

Kjo komunikatë ishte lëshuar më 14 shkurt të vitit 1996 nga Prishtina nga Shtabi Qendror i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Komunikatë numër 19

Në një komunikatë tjetër që mbanë numrin 19, thuhej se më 22 prill 1996 në Kosovë, në zonën operative numër 1 njësite guerile ndërmorën sulme të armatosura kundër agresorëve serbë.

Në këtë komunikatë nuk saktësohej se ku ishin kryer ato sulme. Aty thuhej se forcat e UÇK-së nuk kishin pësuar asnjë humbje. Ndër tjera saktësohej se lufta e UÇK-së, nuk ishte fetare e as ndëretnike, por çlirimtare.

“Ua bëjmë me dije qendrave ndërkombëtare të vendosjes se përkrahja e agresorëve serbë dhe mosnjohja e vullnetit të popullit shqiptar të robëruar do të thotë vazhdim i luftës së armatosur në Kosovë dhe zgjerim i konfliktit në nivel ballkanik”, thuhej në komunikatën e UÇK-së, të datës 25 prill 1996.

Për tri sulme guerile kundër okupatorit serb fliste edhe komunikata numër 20, e datës 18 qershor 1996. Sulmet thuhej se ishin kryer më 16 dhe 17 qershor 1996.

Komunikata numër 21

Komunikata e 14 korrikut 1996, tregon për dy aksione të suksesshme, të cilat kishin rezultuar me vrasjen e një polici dhe një të dyshuari për bashkëpunim me Serbinë.

“Më 07 dhe 10 korrik, në zonën operative numër 1, njësitë tona guerile kryen dy atentate. Atentati i parë u krye kundër bashkëpunëtorit të regjimit serb, Shukri Krasniqi nga Ostrozubi, ndërsa i dyti në Podujevë kundër policit kriminel Sredoje Radojeviq”, thuhej në komunikatë. Aty sqarohej se forcat guerile ishin kthyer në bazë pa asnjë humbje.

Vazhdohej me gjuhë kërcënuese kundër bashkësisë ndërkombëtare dhe bashkëpunëtorëve tjerë shqiptarë të serbëve.

“Nuk do të pranojmë asnjë lloj marrëveshje e cila do të shkelte vullnetin e popullit shqiptar. Ata që do të kenë guximin për të nënshkruar marrëveshje të tilla do të ndëshkohen për tradhti. Lufta jonë është luftë çlirimtare dhe si e tillë ajo nuk ka karakter ‘terroristë’, ‘ndëretnik’ e as ‘fetar’. Ndaj okupatorëve dhe tradhtarëve do të jemi të pamëshirshëm”, paralajmëronte Shtabi i Përgjithshëm./Insajderi

Vijon

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu