Kërçova dhe Prishtina, befasia e zgjedhjeve të vitit 2013

0
137

Viti 2013 dhe rezultatet e zgjedhjeve  historike në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni

Do të mbahet mend për shumëçka, në veçanti për zgjedhjet, rezultatet dhe kthesat e mëdha që janë shënuar në këto zgjedhje në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni. Në Shqipëri u përmbys Sali Berisha dhe erdhi në pushtet e në udhëheqje të saj koalicioni Aleanca për Shqipërinë Evropiane e PS-LSI dhe e shumë partive të tjera të majta, me kryeministër Edi Ramën.

Për herë të parë u shënua një ngjarje e pazakontë në skenën politike të Shqipërisë. LSI e Ilir Metës e braktisi pushtetin që e kishte ndarë më PD-në e Berishës dhe iu bashkua Edi Ramës në opozitë, prandaj edhe konsiderohet se është shkaktari më i madh i humbjes me të madhe të Sali Berishës që kur kishte ardhur në pushtet më 9 prill 1992 si president i Shqipërisë.

Në Maqedoni BDI e Ali Ahmetit shënoi fitore spektakulare në zgjedhjet për pushtet lokal, duke fituar pothuaj të gjitha komunat e mëdha të banuara me popullatë shqiptare, me përjashtim të Strugës, të cilën BDI dhe Ali Ahmeti nuk lejuan ta fitonin maqedonasit. Por, fitorja e Fatmir Deharit në Kërçovë, e cila, pas më shumë së 70 vjetëve ose prej vitit 1913, merret me votë të lirë e demokratike, të njohur e të pranuar edhe nga Qeveria Maqedonase dhe nga faktori ndërkombëtar, në udhëheqje nga shqiptarët.

Ishte ngjarja më e jashtëzakonshme në tërë hapësirat shqiptare, ishte qershia mbi tortën kombëtare, pas 100- vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.

Në Kosovë zgjedhjet e nëntorit ishin me plot të papritura, të cilat shënuan fitore dhe humbje njëkohësisht të partive politike të mëdha si PDK, LDK, VV dhe AAK.

U fituan dhe u humbën shumë komuna. Por fitorja e Shpend Ahmetit në Prishtinë ishte surpriza dhe ngjarja më e madhe që shënoi këto zgjedhje në Kosovë, të cilat do të mbahen gjatë në mend, jo vetëm pse humbi pas 15 vjetëve LDK-ja, por edhe për herë të parë pas luftës së UÇK-së, në veçanti se u fitua për herë të parë të garës për pushtet lokal në Prishtinë nga Lëvizja Vetëvendosje!

Viti 2013 duket qartë dhe është paralajmërim i fillimit të ndryshimit të madh të skenës politike shqiptare dhe i personazheve të reja që po dalin e do të dalin në të ardhmen në skenën e drejtimit të tribunës kombëtare e politike shtetërore shqiptare, në tërë hapësirat ku jetojnë shqiptarët!

Fitimtarët më të mëdhenj të këtyre zgjedhjeve të vitit 2013 ishin Fatmir Dehari në Kërçovë dhe Shpend Ahmeti në Prishtinë! Kërçova duhet dhe besoj se do të drejtohet gjithmonë nga shumica shqiptare, kurse Prishtina do të drejtohet nga klasa e re politike, e cila përfaqësohet nga ndikimi i praktikave me të arritura të qeverisjes së kryeqyteteve dhe qyteteve të mëdha evropiane dhe amerikane, por edhe ato të mëdha e të zhvilluara botërore.

Është për t’u vlerësuar lart dhe për t’u admiruar, se të gjitha këto ndryshime që kanë ndodhur gjatë këtyre proceseve zgjedhore të vitit 2013 janë përshëndetur dhe janë pranuar nga bashkësia ndërkombëtare si: SHBA-ja, BE-ja etj.

 

Shkruan: Ismet Sylejmani

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu