Kërkohet largimi i Armand Krasniqit

0
368

Lidhja e Intelektualëve e Kosovës (LIK) ka kërkuar dorëheqjen e ushtruesit të detyrës së rektorit të Universitetit të Pejës “Haxhi Zeka”, Armand Krasniqi. Kjo lidhje ka kërkuar që ai, madje as të mos zgjidhet më mësimdhënës.

Këtë kërkesë LIK-u e ka adresuar dhe tek institucionet më të larta udhëheqëse në vend, përfshirë dhe Qeverinë e Kosovës. Në këtë reagim të konfirmuar për “Zërin” nga kryetari i lidhjes, Rashit Alidema, theksohet se procedura për emërimin e kandidatëve për postin e ushtruesit të rektorit të universitetit publik të Pejës “Haxhi Zeka”, ka qenë krejtësisht jashtë rregullave që duheshin ndjekur, kandidati e caktoi/emëroi veten e tij ushtrues rektori.

“Universiteti publik i Pejës “Haxhi Zeka” sot ka mbi 7 mijë studentë. Ushtrues i detyrës së rektorit është A. Krasniqi, i akuzuar shumë herë edhe si dekan i FSHAB-së të UP-së të Pejës, për destabilizimin dhe degradimin e institucionit. Këtë taktikë e praktikë ai e vazhdoi dhe vazhdon ta ndjekë edhe tani në universitetin e përmendur, të porsathemeluar”, akuzohet në reagim Krasniqi, për të cilat akuza Alidema tha se kanë informuar edhe ekzekutivin e vendit, e jo vetëm Ministrinë e Arsimit.

“Në mungesë të disiplinës demokratike e të shtetit, po paraqesim shqetësimet tona për veprime kriminale për sa u përket vlerave akademike e juridike, një çrregullim i postulateve që shquajnë një institucion të lartë të mirëfilltë të arsimit e të shkencës”, theksohet më tutje në këtë letër drejtuar institucioneve, ku përmenden vendimmarrjet e tij jashtinstitucionale, si: lista e pagave është jashtë normave institucionale, ka shpërdorime në investime pa procedura të prokurimit publik, në zgjedhjen e kuadrove e të punonjësve të tjerë ka nepotizëm, aty mungon vetëm edhe çerdhja e fëmijëve, ka një mungesë të theksuar të kulturës së bashkëpunimit, korpurate – i ofendon edhe profesorët edhe studentët, injoron profesorët, duke i nxjerrë studentët jashtë gjatë konsultimeve për vlerësim (p. sh., rasti me prof. Dr. M. Hotin) – mbështetet në bindje e jo në fakte, se universiteti është vendi i vlerësimit të dijes, studentët i quan qenë (p. sh., rasti me prof. Dr. M. Malokun), ka informacione që studentët janë duke përgatitur peticion kundër tij, për ndërrimin e mbarë udhëheqjes, sepse cilësia e stafit pedagogjik dhe e studimeve në këtë universitet shkon vetëm duke u ulur dhe jo duke u ngritur”, theksohet në reagim ku nuk hezitohet të përmendet nga përfaqësues të kësaj lidhje se ka dhe veprime tjera të ngjashme, madje edhe më drastike…

“Bazuar në këto shqetësime dhe argumente e fakte, të çdo niveli, në horizontale e vertikale mashtruese, me procese të deformuara, jemi të bindur që A. Krasniqi është krejtësisht i dështuar, bën një politikë spekulative, që është tmerr e një fatkeqësi institucionale e akademike dhe një dëm kombëtar, prandaj ai duhet të japë përgjegjësi morale e juridike…”.

Nga ana e tij, i etiketuar në këtë letër, u.d. rektori Armand Krasniqi ka theksuar se ndihet i ofenduar nga fjalët e thëna nga profesorët nënshkrues të kësaj letre, e cila ai thekson se tash e sa kohë po qarkullon në e-maile të ndryshme.

Por, sipas tij, matës më i mirë i zbatimit të detyrës së tij në krye të këtij universiteti janë studentët dhe profesorët tjerë. Ai ka theksuar se nuk i “ngelet hatri” nga profesor Alidema, pasi konsideron se akuzat e tij janë personale dhe më shumë vijnë nga një “revoltë” e Alidemës se atij nuk është i vazhduar kontrata e punës me këtë universitet, si i angazhuar, pasi është pensionuar.

Ndërkaq, Alidema, ka përmendur se është profesor edhe në UP edhe në Universitet të Pejës. Krasniqi ka thënë se me përgjegjësi ka kryer obligimet e tij si u.d.rektor dhe se në qoftë se dikush duhet të mbajë përgjegjësi për vepër penale-kriminale janë këta profesorë që, sipas tij, nuk kanë adresuar rastin në prokurori kur paskan të drejtë se janë shkelur normat ligjore, por kanë heshtur rastin dhe tani u drejtohen mediave

. “Nuk më vjen mirë për këto akuza, por nuk e kam ndërmend të merrem se janë të kota dhe të pabazuara”, ka thënë ndër të tjera Krasniqi. Ndërkohë, ditë më parë për gazetën “Zëri”, ministri i arsimit, Ramë Buja ka paralajmëruar se do të shpallet së shpejti konkursi për rektor të ri të Universitetit të Pejës. “Tani do zgjedhim rektorin e Pejës, Gjilani do të nisë në tetor, më pas Gjakova dhe Mitrovica. Jemi në rrugë të mbarë për këtë”, ka theksuar Buja.

 

Nga: Anita Kadriu

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu