Kerkohet te bie, Aktakuza ndaj „Syrit të Popullit“

0
62

Aktakuza e ngritur nga prokurori Sylë Hoxha kundër organizatës “Syri i popullin” rrezikon të bie. Arsye për këtë mund të jetë vet prokurori Hoxha, pasi që emri i tij figuron në listën e kësaj organizate, të cilin do ta kapnin për t`i kërkuar llogari për vdekjen e Astrit dhe Arbnor Deharit. Avokati i të akuzuarit Sadri Ramabaja, Ramiz Krasniqi, i cili e ka propozuar Hoxhën si dëshmitarë në gjykimin e këtij rasti, pretendon se prokurori ka bërë shkelje të kodit të procedurës penale. Ai ka kërkuar sqarim edhe nga zyra e kryeprokurorit Aleksandër Lumezi, nëse Syla ka pasur të drejtë t`i zhvilloj hetimet dhe ta ngrisë aktakuzën.

Dy vjet nga nisja e hetimeve dhe një vit pas ngritjes së aktakuzës e mbajtjes së një pjese të madhe të seancave gjyqësore ndaj dhjetë personave të grupit “Syri i Popullit”, aktakuza rrezikon të bie.

Arsye për këtë mund të jetë vet prokurori që e ka ngritur këtë aktakuzë, Sylë Hoxha. Ai përveç si prokuror ka qenë edhe palë e dëmtuar në rast. Emri i tij, figuron në listën e personave që kjo organizatë synonte t`i likuidonte, shkruan Insajderi.

Dhjetë personat e dyshuar akuzohen nga prokuroria Speciale për veprat penale hakmarrje, përgatitje të veprave terroriste dhe posedim i paautorizuar i armëve.

Gazeta ka siguruar një shkresë që avokati i të dyshuarit Sadri Ramabaja i ka dërguar kryeprokurorit Aleksandër Lumezi, nga i cili kërkon  të dijë nëse prokurori Hoxha ka pasur të drejtë ta hetoj këtë rast, të ngrisë aktakuzë dhe ta përfaqësojë atë në gjykatë.

Fillimisht avokati Ramiz Krasniqi me 11 mars e propozoi si dëshmitarë prokurorin Sylë Hoxha.

Ndërsa të nesërmen iu drejtua kryeprokurorit duke kërkuar sqarime nëse në sistemin prokurorial ka vetëm një prokuror me emrin Sylë Hoxha që në këtë rast është prokurori që ka ngritur aktakuzën.

“Nuk e kemi të qartë se në prokuroritë e Republikës së Kosovës a kemi dy prokuror me emrin e mbiemrin Sylë Hoxha. Nëse kemi vetëm një prokurorë me këtë emër dhe mbiemër e që është prokurori aktual i cili edhe i ka kryer veprimet hetimore kundër këtij grupi, dhe e ka ngritur dhe e përfaqëson  aktakuzën ndërsa emir i tij figuron në listën “Top sekret”, të Lëvizjes “Syri i Popullit”, ku në aksionin e radhës është thënë se për tu zbuluar vrasjet e Astrit dhe Arbnor Deharit “të kapen”, në mes tyre edhe Sylë Hoxha- Prokuror i Prizrenit, i cili duhet cilësuar palë e dëmtuar”, thuhet në këtë shkresë.

Me tej në shkresën e avokatit thuhet se nëse nuk ka prokuror tjetër por është vetëm ky që i ka zhvilluar hetimet dhe përfaqëson aktakuzën “këto veprime të tij bien ndesh me dispozitat e nenit 44 të Kodit të Procedurës Penale.

“Ju kujtojmë një: nenin 44 par. 1 nën par.1.1 thotë se prokurori i shtetit përjashtohet kur është: dëmtuar me veprën penale”, thuhet në këtë shkresë.

Më tej në nenin 44 të kodit të Procedurës penale, shpjegohet edhe rastet tjera kur prokurorët janë të përjashtuara nga rastet.

Saktësisht në piken 1.4 thuhet se prokurori përjashtohet nëse për “çështjen e njëjtë penale ka marrë pjesë në procedurë si gjyqtar, mbrojtës, përfaqësues ligjor apo përfaqësues i autorizuar i të dëmtuarit ose është pyetur si dëshmitar apo ekspert”

“Ose 1.5. ekziston konflikti i interesit siç përcaktohet në nenin 6 të Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik”.

Insajderi ka kontaktuar prokurorin Sylë Hoxha i cili tha se listën e organizatës për ekzekutim kanë qenë të gjithë prokurorët e gjykatësit pas vitit 1999, andaj nuk kanë mund të marrin prokuror nga jashtë për të hetuar këtë rast.

“Në atë listë nuk jam vetëm unë por të gjithë prokurorët të gjithë gjyqtarët e pasluftës, kështu që është desht një prokurorë me u merr me atë rast, na nuk kemi mujt me dal jashtë shtetit me marrë naj prokuror me zhvillu procedure”, tha Hoxha.

Ai beson se nuk do të bjen kjo aktakuzë.

“Nuk bjen aktakuza, na me ditë që na bjen aktakuza nuk e kishim marrë rastin”, tha Hoxha.

Shkresës së avokatit Krasniqi i është përgjigjur prokuroria me 26 mars. Në përgjigjen e siguruar nga Insajderi thuhet se pas shqyrtimit të rastit kanë ardhur në përfundim se “në këtë çështje nuk ka pengesa që prokurori të hetoj dhe përfaqësojë këtë rast në gjykatë”.

“Vetëm ekzistimi i emrit të tij në një listë me shumë emra tjerë, nuk e bënë të papërshtatshëm të merret me këtë rast sidomos në situatën kur prokurori, përveç gjetjes së emrit në listë, ai nuk është i dëmtuar, pra nuk ka pësuar kurrfarë dëmi, cenim të të drejtave apo ndonjë disavantazhi”, thuhet në përgjigjen e prokurores Sevdije Morina.

Kurse në fund të kësaj përgjigje, thuhet se në bazë të dispozitave ligjore që rregullojnë përjashtimin, mund ta kërkojnë përjashtimin e prokurorit.

Pas kësaj përgjigje ka reaguar avokati Krasniqi, ai thotë se pajtohet me konstatimin se prokurori Sylë Hoxha nuk ka qenë i dëmtuar por shton se atë është dashur ta adresojnë të prokuori.

“Këtë konstatim tuajin është dashur ta adresoni te Prokurori Sylë Hoxha, i cili vetëm për faktin se ka pasur emra të shënuar në këtë listë, ka ngritur aktakuzë, dhe vetëm për këtë fakt o ka trajtuar sit ë dëmtuar më se 100 dëshmitarë, përfshirë kryetarin e shtetit, kryeparlamentarin e Kuvendit, dhe shumë deputet të kuvendit dhe jasht tij”, thuhet në shkresën e avokatit Krasniqi.

Sa i përketë kërkesës për përjashtim të prokurorit, Krasniqi thotë se edhe këtë vërejtje, është dashur ta adresojnë te prokurori Hoxha, duke përkujtuar edhe një herë paragrafin e parë të nenit 44 të Kodit të Procedurës Penale, që thotë se “Prokurori i shtetit përjashtohet kur është dëmtuar me veprën penale”.

“Nëse ju si prokurori e shtetit, konsideroni se ekzistimi i emrit të prokurorit në atë listë nuk e bënë atë të jetë i dëmtuar, atëherë a duhet të vlejë kjo edhe për persona e tjerë që gjenden në atë listë. Po i njëjti a mund të jetë dëshmitarë në këtë cështje. Cka e bënë prokuorin aktual, të jetë i ndryshëm nga të tjerët, emrat e të cilve figurojnë në listën e përmendur”, thuhet më tej në shkresën e avokatit Ramiz Krasniqi.

Gjykimi ndaj pjesëtarëve të organizatës “Syri i Popullit” ka filluar në mars të vitit të kaluar dhe pjesë e këtij procesi gjyqësor në cilësinë e dëshmitarëve ishin edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, Fatmir Limaj, Hajredin Kuqi, Xhavit Haliti, Faton Topalli etj.

Kujtojmë se në mars të vitit 2017, u krye edhe tentim-vrasja e parë. I pari në listë kishte qenë avokati Azem Vllasi, ai mbeti i plagosur në zyrën e tij mëngjesin e 13 marsit të vitit 2017.

Për tentim vrasje, ishte arrestuar, Murat Jashari dhe Avni Llumnica, si pjesëtarë të organizatës “Syri i Popullit”,  pasi kishin marrë përgjegjësinë për këtë rast.

Pas tyre u arrestuan edhe Bajrush Konjusha, Ragip Sallova, Sadri Ramabaja, Rexhep Topllana, Sabit Berisha, Halim Halimi, Bexhet Luzha dhe Lirije Luzha, duke u zbuluar kështu ekzistimi i organizatës dhe plani i saj për likujdimin e fytyrave publike.

Prokuroria Speciale e Kosovës,  në shkurt të vitit të kaluar ngriti aktakuzën ndaj 10 personave si pjesë e organizatës “Syri i Popullit”.

Prokuroria e cilëson si terroriste organizatën ndërsa pjesëtarët e saj akuzohen se po planifikonin shkatërrimin e strukturave themelore politike, kushtetuese, ekonomike apo shoqërore të Republikës së Kosovës me sulme dhe me vrasje ndaj personaliteteve më të larta shtetërore duke filluar nga ish-funksionarët e lartë të Kosovës prej vitit 1980 deri në 1991, duke i konsideruar si tradhtarë të vendit, e po ashtu funksionarët nga viti 1999 deri në vitin 2016.

Sipas aktakuzës që përbëhet nga afër 80 faqe, organizata ka pasur dy grupe; “Grupet Guerile” dhe “Grupi i Dajakut”.

Aktakuza e Prokurorisë Speciale, shpjegon se kjo organizatë kishte logon, emblemën, vulat dhe betimet, të cilat kryheshin para flamurit kombëtar dhe fotografive të Adem Jasharit, i cili në Kosovë njihet si “komandanti legjendar i UÇK-së”.

Sipas planifikimeve që kishin bërë të dyshuarit pas fillimit të aksioneve, veprimtarët do të kishin rroga mujore, derisa financimi do të bëhej nga afaristët vendorë kur të krijoheshin rrethanat, si dhe nga mërgata. /Insajderi.com

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu