Këto zgjedhje kanë rënë

0
395

Fillimi i procesit të hapjes së kutive dhe shqyrtimit të fletëve të pavlefshme dhe të kontestuara, po rinxjerr para publikut një radiografi të shëmtuar të procesit zgjedhor. Në kutitë e para që u hapën, shqiptarët panë fletë jashtë zarfeve të futura në mënyrë të sforcuar në kuti, pamë kuti me kode të ndryshuara, pamë kuti me kapakë të liruar ku mund të fusje një zarf të tërë brenda, dhe asnjë reagim ligjor ndaj tyre. Kryetari i KQZ vazhdoi me nervozizëm legalizimin e tyre duke ridegraduar tashmë jo vetëm procesin zgjedhor, por dhe hetimin e këtij procesi. Arroganca për të mos përfillur faktet që shfaqen para syve të shqiptarëve dhe legalizimi i votave të futura në kuti si vota që janë pjesë e procesit, i heq kuptimin përpjekjes serioze të Kolegjit për të hetuar procesin dhe për t’i ruajtur atij integritetin.

Nga ky proces është e qartë se nuk del më asnjë rezultat ligjor. Në kuti janë futur duart qartazi dhe procesi nuk rakordon më. Askush nuk nxjerr dot më një shifër që të përputhë votat e hedhura për kryetarin me numrin e votuesve që kanë firmosur se kanë votuar. Kështu që në të gjitha rastet shansi i vetëm i rikthimit të legjitimitetit të zgjedhjeve është pavlefshmëria e këtij procesi dhe rivotimi për kryetarin.

Por çështja shtrohet nëse ka shanse të ndalet kjo arrogancë që po degradon hetimin e procesit? Dy anëtarët e mbetur të opozitës në KQZ nuk kanë as paturpësinë e Ristanit dhe as vullnetin për të shkelur ligjin që të jenë të barabartë në këtë përdhosje të ligjit. Ata nuk mund ta ndalin dot as fizikisht dhe as administrativisht atë maskaradë.

Opozita politike po ashtu përveçse të ngrejë zërin nuk ka ndonjë mënyrë tjetër se si ta ndalojë atë turp që po zhvillohet para syve tanë. Shpresa e vetme e tyre me sa duket është se sa më shumë të degradojë, aq më shumë do njollosen zgjedhjet, por kjo nuk vlen në rastin e Berishës, i cili i ngjan atij ujkut që sa më shumë erë të ketë kërma, aq më shumë i shijon.

Media po ashtu, siç është futur nën kontrollin thuajse të plotë të qeverisë, nuk ka asnjë qasje kritike për atë që po ndodh. Vëzhguesit ndërkombëtarë kanë ikur dhe ndonjë ekspert që ka mbetur këtu për të vëzhguar procesin, është duke parë një film të vjetër që xhirohet para tij. Në këto rrethana, ky hetim po e degradon edhe më keq procesin se sa e ka degraduar ndryshimi i rezultatit në tavolinë.

Gjithçka që po ndodh aty nuk dëshmon asnjë sinjal se procesi ka integritet. Nëse ne legjitimojmë vota jashtë zarfit, kuti me kode të hapura dhe të ndryshuara, kuti me kapak të liruar dhe fenomene të tjera flagrante të pavlefshmërisë, atëherë ne kemi  legjitimuar një standard primitiv të procesit, nga i cili s’mund të dalë kurrë një kryetar bashkie për kryeqytetin. Këto zgjedhje kanë rënë. Problemi është të mos marrin me vete gjithë shoqërinë për një mandat të kërkuar me çdo kusht nga një individ, i cili në një shoqëri normale me shtet ligjor, duhet të ishte që në 21 janar në mbrëmje në qelinë e burgut.

SHEKULLI

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu