Kinezët, kujtime entuziaste për Shqipërinë e viteve ’70

0
270

Kinezi mbi shqiprin

Në 65-vjetorin e krijimit të marrëdhënieve me Kinën, specialistët kinezë që erdhën në Shqipëri rrëfejnë rininë e tyre në Shqipëri. Ja si e kujtojnë ata udhëtimin dhe mbërritjen në vendin tonë në dokumentarin, “Kujtojmë për të mos harruar” 

Viti 2014 përkon me 65-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve shqiptaro-kineze. Pikërisht, në këtë vit jubilar, Radio e Jashtme e Kinës (CRI shqip) ka përgatitur një dokumentar me dëshmitë e të rinjve kinezë, që mbërritën në vendin tonë për ndërtimin e socializmit. Kontributi dhe puna e rreth 6 mijë specialistëve, të cilët erdhën në vendin tonë, pas prishjes së marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik, si edhe dëshmive emocionale vijnë nëpërmjet rrëfimeve të tyre. Më herët ata nuk dinin asgjë për Shqipërinë, ashtu sikurse vetë Kryetari Mao. Kështu, të rinjtë me misionin e vështirë të ndërtimit të Shqipërisë, filluan udhëtimin drejt një bote të re dhe të panjohur.

Kinezet mbi shqiprin

Shqipëria kishte nevojë për gjithçka

Ambasadori i 10-të i Kinës në Shqipëri, Fen Chengzuo ishte në gjimnaz kur dy shtetet lidhën aleancë.“Kina dhe Shqipëria i vendosën marrëdhëniet diplomatike pothuajse 65 vjet më parë, në vitin 1949. Ndërkohë, unë isha në gjimnaz, ende një nxënës. Që nga ajo kohë, 65 vjet më parë, mësova se ndër vendet që vendosën marrëdhënie diplomatike me Kinën, ishte dhe një vend shumë miqësor me ne, që quhej Shqipëri”, tregon gjatë rrëfimit të tij ambasadori. Këngë të njohura, si ajo “Pekin-Tiranë”, apo filmi “Ngadhënjim mbi vdekjen” kanë ndikuar mbi disa breza. Në qershor të vitit 1960, partitë Komuniste të 12 vendeve të lindjes, me në krye delegacionin sovjetik, të drejtuar nga Nikita Hrushovi, akuzuan Partinë Komuniste të Kinës për dogmatizëm. Në mbledhjen e Bukureshtit, delegacioni i Shqipërisë i refuzoi këto akuza dhe përkrahu hapur Kinën. Që nga ajo kohë, të dy vendet u bënë partnerë dhe u vëllazëruan. Që nga ato vite shumë të rinj të talentuar dhe entuziastë, shkuan në Shqipëri për të ndihmuar në ndërtimin e këtij vendi. “Kryetari Mao nuk fliste gjuhë të huaj, por ai takonte shpesh mysafirë të huaj. Në atë kohë, gjuha e parë që përdorej ishte rusishtja, gjithashtu anglishtja dhe frëngjishtja. Ai nuk kishte dëgjuar më parë për gjuhën shqipe dhe njëherë më pyeti se çfarë po flisja. Iu përgjigja se po flisja në gjuhën shqipe. Kryetari Mao u përgjigj dhe tha: “Oh, dhe vendi ynë paska përkthyes të shqipes. Po ku e keni mësuar?”. Iu drejtova kryetarit të Presidiumit të Kuvendit Popullor, që u ul përballë kryetarit Mao dhe iu përgjigja se e kisha mësuar shqipen në vendin e tij. Kryetari Mao i tha Rita Markos me seriozitet: “Shumë faleminderit që na keni përgatitur një talent të tillë!”, – tregon ambasadori Chengzuo. Në vitet 1950-60, Shqipëria kishte nevojë për gjithçka, nga materialet e ndërtimit deri te sigurimi i prodhimit industrial. Në vitin 1960, nënkryetari i Presidiumit të Kuvendit Popullor të Shqipërisë dhe kryetari i Shoqatës së Miqësisë Kinë-Shqipëri, Abdulla Kënaçi vizitoi Kinën. Megjithëse edhe Kina po vuante nga fatkeqësi natyrore prej 3 vitesh kryetari Mao dhe kryeministri Çu En Lai, reaguan aktivisht ndaj kërkesës së palës shqiptare. Imazhi që u fiksua në aparat, përfaqëson një gur monumental historik të ndihmës intensive të Kinës ndaj Shqipërisë në fazën fillestare.

Hera e parë për Kinën që dërgoi kaq shumë specialistë jashtë

Gjatë viteve të mëvonshme, shumë të rinj të talentuar që punonin në sektorë të ndryshëm në Kinë, shkuan në Shqipëri dhe morën pjesë në ndërtimin e brendshëm. Zhang Zailiang, pedagog i gjuhës angleze i Universitetit të Tiranës, tregon se përfundoi studimet në Pekin në 1957 dhe ka qenë në brezin e parë të studentëve, që pas krijimit të Republikës Popullore të Kinës. “Fillova punë, duke dhënë mësimin e gjuhës angleze, duke dhënë mësim për vitin e parë, të dytë dhe të tretë. Për gati 6 vjet, mora dije të konsiderueshme në mësimdhënie. Mendoj se kjo ishte ndoshta një arsye se përse u zgjodha në Shqipëri, sepse në atë kohë, sidomos në gjendjen në të cilën ndodhej, Kina mësonte nga Bashkimi Sovjetik dhe shumë pak njerëz mësonin gjuhën angleze. Madje, shumë më pak ndiqnin studimet pasuniversitare”, – thotë pedagogu. Për Kinën, kjo ishte hera e parë që dërgoi aq shumë teknikë dhe profesionistë të fushave të ndryshme, të ndihmonin një vend të vogël të huaj. Puna ishte e shumtë dhe misioni i vështirë, por edhe kushtet e përzgjedhjes ishin të rrepta. “Përgatita materialet për librat. Dega e gjuhës angleze sapo u hap. Për shkak se vendi ynë kishte këmbim të paktë valutor, nuk kishim mundësi të shpenzonim shumë para për blerjen e librave jashtë vendit, por për shkak të kërkesave të mësimdhënies, përgatita shumë materiale dhe i dërgova me postë në ambasadën e Kinës në Shqipëri. Kur arrita, puna e parë që bëra ishte vizita në ambasadë për të marrë librat. Aty kërkova një makinë, të më dërgonte në hotelin që do të banoja”, – citon Zailiang, duke qeshur.

Marrëdhëniet diplomatike

Ndër vendet e para që njohu Republikën Popullore të Kinës fill pas shpalljes së saj më 1 tetor 1949 ishte Shqipëria. Vendosja e marrëdhënieve diplomatike nuk u krye as dy muaj më pas, më 23 nëntor 1949 dhe shpejt ato u ngritën në rang ambasadorësh duke pësuar rritje të madhe në të gjitha fushat: diplomatike, ushtarake, ekonomike, kulturore etj. Kulmi i marrëdhënieve miqësore dypalëshe u arrit në vjeshtën e vitit 1971, kur Rezoluta e propozuar nga Shqipëria për pranimin e Kinës, si anëtare e ligjshme e OKB-së dhe anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit u miratua me shumicë dërrmuese nga Asambleja e Përgjithshme. Pas vitesh përpjekje të pareshtura, kjo ishte padyshim një sukses i madh i diplomacisë shqiptare. Duke lënë mënjanë konturet ideologjike të kohës, angazhimi i Shqipërisë në rivendosjen e të drejtave të mohuara të Republikës Popullore të Kinës në OKB është përvojë e vyer prej nga ku mund të mësojnë breza juristësh dhe diplomatësh. Mirëpo ende kjo ose nuk mësohet, ose përmendet shkarazi në tekstet e lëndës të së Drejtës Ndërkombëtare që jepet në fakultetet e drejtësisë në vend.

Një vend i vogël, që guxoi të sfidonte një vend të madh

Zhang Shimin, specialist i ndërtimit të radiostacionit dhe televizionit shqiptar në vitet 1969-71, sa i përket përzgjedhjes tregon se në atë kohë, së pari kërkohej besueshmëri politike. “Grupi i mbikëqyrjes ishte një organ sekret, sepse merrej me punën e përgatitjes së luftës, prandaj kërkonte që të gjithë kandidatët, duhet të kishin një sfond të mirë familjar”. Ndërsa kur mësoi se do të shkelte në tokën shqiptare, duke kujtuar përshtypjet e dikurshme, Shimin nuk e fsheh gëzimin. “Do të punoja jashtë vendit dhe isha shumë i gëzuar. I shkrova një letër familjes, ku u tregoja se do të shkoja jashtë Kinës. Koha e nisjes dhe përgatitjes së bagazheve ishte shumë e zënë. U tregova të gjithë të afërmve dhe ata ishin shumë të gëzuar. Në punë shumë shokë më shikonin me zili”.  Ndërsa, përgjegjësi i dytë në Kombinatin Metalurgjik, Hou Shuting,  thotë se kërkohej edhe aftësi e fortë profesionale. “Në atë kohë në një vend pune kishte vetëm një specialist, prandaj çdo specialist duhet të kishte aftësi të veçanta. Për shembull, një specialist kur ndeshej me vështirësi, nuk mund t’u kërkonte zgjidhje punonjësve”. Gjatë 20 viteve, kur Kina i dha ndihmë ekonomike Shqipërisë, ajo dërgoi 6 mijë specialistë, pothuajse në të gjitha fushat. “Në atë kohë ndihma kineze përfshinte fusha të ndryshme, nga ajo industriale, ushtarake, kulturore, arsimore dhe sportive”, – tregon Gou Keli, përgjegjës në Uzinën e Superfosfatit të Laçit, 1966-67. “Nga viti 1954 deri në vitin 1978, Kina i ofroi Shqipërisë 75 fonde ndihme me një vlerë prej 10 miliardë yanësh, sipas marrëveshjeve, 28 për qind e të cilave ishin mallra të konsumit të përditshëm. 43 për qind ishin në fushën ushtarake, 25 për qind përbënin projektet dhe 2 për qind ishin ndihma monetare. Shqipëria u bë vendi që mori vëllimin më të madh të ndihmës për frymë. ”  rrëfen Wang Hongqi, kryeredaktor i Agjencisë së Lajmeve Xinhua në byronë e Tiranës. Nga viti 1954 deri në vitin 1978, numri i projekteve të ndihmës për Shqipërinë arriti në 142, duke përfshirë prodhimin e çelikut, plehrave kimike, energjisë elektrike, industrinë tekstile, ushtarake, telekomunikacionit dhe të arsimit. Talente të shkëlqyer të fushave të ndryshme u dërguan në Shqipëri. Në sytë e këtyre të rinjve, Shqipëria ishte një vend i guximshëm. Ata dëshironin ta njihnin këtë komb të fortë dhe të punonin së bashku me vëllezërit shqiptarë. “Marrëdhënia e atëhershme politike ishte faza më e mirë e marrëdhënieve kino-shqiptare. Ata kishin kërkesa dhe qëndrime të afërta politike, sidomos Shqipëria, një vend i vogël që kishte guxuar të sfidonte një vend tjetër të madh. Për kinezët kjo ishte diçka për t’u admiruar”, – citon pedagogu Zailiang. Ndërsa ambasadori Chengzuo rrëfen se shqiptarët silleshin ndryshe nga pjesa tjetër e botës dhe mbarë bota e lavdëroi Shqipërinë, për kundërshtimin e hegjemonisë së Bashkimit Sovjetik.

Një javë në avion për të mbërritur në Shqipëri

Nëpërmjet zgjedhjeve në nivele të ndryshme, të rinjtë që shkonin në Shqipëri, përveçse ishin të gëzuar, bënin përgatitje të shumta para se të mbërrinin në vendin e vogël dhe të panjohur. Në vitin 1967 u botua programi i shfaqjes “Detashmenti i kuq i grave” (në gjuhën kineze dhe gjuhën shqipe), shfaqje e përbashkët e ansamblit artistik amator të Tiranës, “Në njërën dorë kazmën dhe në tjetrën pushkën” dhe trupës së teatrit të baletit të Kinës “Punëtorë, fshatarë dhe ushtarë”. Koreografja, Jiang Zuhui kujton nga ajo kohë se para nisjes në Shqipëri po zhvillonin provat e shfaqjes me punëtorët e tekstileve. “Pasi mbaruam provën e parë, mësova se do të shkonim në Shqipëri për të dhënë shfaqjen “Detashmenti i kuq i grave”. Unë dhe një balerin tjetër, u përzgjodhëm për shfaqjen. Për shkak se atëherë kishim vetëm 10 ditë kohë, bënim edhe ndarjen e punës sonë. Ai mësoi pjesën mashkullore të valles, kurse unë mësova të gjithë pjesën femërore të saj. Gjithashtu, kemi përgatitur së bashku edhe zbukurimet e skenës. Jemi marrë me muzikën, por edhe me veshjet. Pasi përfunduam përgatitjet, në muajin mars, ne u nisëm për në Shqipëri”, – rrëfen Zuhui.  Grupet e të rinjve u nisën me ëndrra dhe pasion drejt Shqipërisë. Në atë kohë kur transporti nuk ishte i zhvilluar, nga Kina deri në Evropën Lindore, udhëtimi ishte shumë i vështirë. Profesori i anglishtes e kujton kështu çastin e udhëtimit, teksa në rrugën një javore ndërroi 4 avionë. “Udhëtoja për herë të parë me avion. Me avion udhëtohej nga Pekini deri në Irskok. Më pas udhëtova me avionin sovjetik, nga Irskoku në Moskë, dhe prej aty në Budapest. Pas një jave qëndrimi në Hungari, shkova në Tiranë. Ndërsa njerëzit e tjerë që u nisën nga Shangai, udhëtonin nëpërmjet Pnompenit, Kairos dhe Parisit”.

Nga: Neritan Gjergo

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu