Kjo eshtë fjala e fundit e Prokurorit te Eulex-it per Naser Kelmendin

0
205

Prokurori i EULEX-it, Andreë Hughes, ka kërkuar nga gjykata që i akuzuari për disa vepra penale, Naser Kelmendi të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit. Për vrasjen e Ramiz Delaliqit, prokurori Hughes, e ka bërë fajtor grupin e Naser Kelmendit dhe Fahrudin Radoniqit.

Ai ka thënë se kjo vrasje është kryer me qëllim që Kelmendi e Radoniqi, sipas tij, të dërgonin porosi tek kundërshtarët e tyre.

Këto deklarata, prokurori Hughes, i ka bërë gjatë dhënies së fjalës përfundimtare në këtë rast, në të cilin Naser Kelmendi akuzohet për veprat penale: krim i organizuar, vrasje e rëndë, blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje e paautorizuar e narkotikëve të rrezikshëm dhe substancave psikotropike dhe prodhim e përpunim i paautorizuar i narkotikëve të rrezikshëm dhe substancave psikotropike, të përmbledhura në 9 pika të aktakuzës.

Prokurori fjalën përfundimtare, të cilën e kishte përpiluar me shkrim, në më shumë se 80 faqe, e ka elaburuar në seancën e së martës, në Gjykatën Themelore të Prishtinës, që ka zgjatur për rreth pesë orë.

Prokurori ka vazhduar duke thënë se në këtë rast nuk ka pasur dëshmitar në vendin e ngjarjes, por ligji sipas tij, nuk kërkon vetëm prova direkte, por ai ka thënë se kjo mund të vërtetohet edhe me prova indirekte.

Ai ka deklaruar se Ramiz Delaliq, ishte hero lufte dhe nuk ia kishte frikën Fahrudin Radonçiqit dhe Naser Kelmendit, ndërsa sipas tij, ai i urrente drogat.

Prokurori në fund ka thënë se mbetet pranë të gjitha akuzave që ndërlidhen me drogën duke pretenduar se pretendimet e tij janë vërtetuar me dëshmitë e dëshmitarëve, të cilët kanë dëshmuar në këtë proces gjyqësor.

Kurse, në seancën e nesërme, fjalën përfundimtare do ta paraqes mbrojtja si dhe i akuzuari Naser Kelmendi.

Prokuroria kishte ngritur aktakuzë në korrik të vitit 2014, kundër Naser Kelmendit, të cilin e ngarkonte me 9 pika të aktakuzës.Kelmendi, i cili po gjykohet nga një trup gjykues me shumicë të gjyqtarëve të EULEX-it, ishte arrestuar në maj të vitit 2013, ndërsa nga ajo kohë kishte qëndruar në paraburgim deri më 28 shkurt të viti 2017, kur iu zëvendësua kjo masë me atë të arrestit shtëpiak.

Më pas, Gjykata e Apelit e kishte kthyer prapë në paraburgim, ndërsa më 17 mars të vitit 2017, ishte liruar nga paraburgimi përsëri nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

Ndaj këtij vendimi ishte ankuar prokurori, ndërsa Gjykata e Apelit e kishte miratuar ankesën e tij duke e kthyer në paraburgim prapë të akuzuarin Kelmendi.

Më vonë Kelmendi, në qershor të vitit 2017, prapë është liruar nga paraburgimi për tu mbrojtur në liri, gjë që e bënë edhe tani pasi që ndaj tij, nuk ka të caktuar ndonjë masë për sigurimin e prezencës së tij në gjykatë, pasi që u është përgjigjur rregullisht ftesave të gjykatës.

Prokuroria Speciale, Naser Kelmendin e ka ngarkuar me veprat penale: krim i organizuar, vrasje e rëndë, blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje e paautorizuar e narkotikëve të rrezikshëm dhe substancave psikotropike dhe prodhim e përpunim i paautorizuar i narkotikëve të rrezikshëm dhe substancave psikotropike, të përmbledhura në 9 pika të aktakuzës.

Prokuroria pretendon se Kelmendi në bashkëkryerje me Fahrudin Radonçiqin, Ekrem Lekiqin, Muhamed Ali Gashin, Milovan Jeremiqin, Lubisha Buhan “Çume”, Milan Ostojiqin, “Sandokanin”, Naser Oriqin, Senad Sahinpasiqin, Nebojsha Vukomanoviqin, Raseta Stranjan, Benjamin Halimoviqin, Edin Ahmetshahiqin dhe të tjerë, ka organizuar, formuar, mbikëqyrur, udhëhequr dhe apo drejtuar grupin kriminal të organizuar dhe të strukturuar, apo ka marrë pjesë aktivisht në këtë grup të organizuar kriminal që kanë kontribuar në kryerjen e krimeve të rënda, e që veçohet vrasja e “kryegangsterit rival” Ramiz Delaliq- “Çelo”, në vitin 2007.

Për vrasjen e Delaliqit, sipas prokurorisë, Naser Kelmendi, në vitin 2006, ka bërë një sërë takimesh në Sarajevë, me Fahredin Radonçiqin, Ekrem Lekiqin, Muhamed Ali Gashin, Senad Sahipasiqin, Naser Oriqin dhe me të tjerë, për  të planifikuar dhe për të bërë komplotin dhe për të vrarë, Ramiz Delaliq.

Prokuroria pretendon se si rezultat i këtyre takimeve të organizuara, Naser Kelmendi është ofruar dhe ka pranuar përgjegjësi për të identifikuar dhe punësuar varësit që do të kryenin vrasjen e Ramiz Delaliqit, për kryerjen e kësaj vrasje prokuroria ka thënë se Kelmendi ka angazhuar me pagesë Strahinja Raseta dhe Nebojsha Vukomanoviq nga Serbia, për të vrarë Ramiz Delaliqin, më 27 qershor 2007 në Sarajevë rreth orës 23:30.

Tutje, sipas aktakuzës, së paku nga viti 2000 deri në 2012, Naser Kelmendi si kreu dhe drejtuesi i grupit të gjerë kriminal të strukturuar dhe të organizuar ka menaxhuar dhe drejtuar blerjen, përgatitjen, transportin, shitjen dhe shpërndarjen e një sasie të madhe heroine, ekstazie, spind dhe droga të tjera, nëpërmjet një rrjeti të organizuar kriminal të themeluar mirë, që përfshinte dëshmitarin K1- përgjegjës për menaxhimin dhe përzierjen e narkotikëve për Naser Kelmendin, K2, i cili ka udhëhequr dërgesat ndërmjet Turqisë, rajonit të Ballkanit dhe Holandës, K3-shpërndarës i drogës në Beograd, Liridon Kelmendin, menaxher i shpërndarjes së drogës për në Serbi dhe për në vendet tjera evropiane, Mehanoviq Haris – vozitës dhe truproj, Sead Akeliq – vozitës, Zelko Boziq – automekanik, i cili krijonte hapësira të fshehta në automjete për drogat, Hakija Kreliq që mbante kontakte në Turqi, Ilir Kastrati – që mbante kontakte në Turqi, Asmir Kalac – koordinator i dërgesave të drogës, dhe të tjerë.

Prokuroria pretendon se përmes rrugëve të koordinuara mirë për trafikimin e narkotikëve, dërgesave të mëdha me ekstazi janë marrë nga Holanda dhe janë transportuar për në Bosnjë- Hercegovinë dhe Kosovë, ku janë ripaketuar dhe transportuar më tej për në Stamboll dhe Droga e marrë në Stamboll u transportua përsëri përmes Bosnjës dhe Hercegovinës dhe Kosovës dhe më pas u dërgua dhe u shit tregtarëve dhe shpërndarësve në të gjithë Evropën.

Naser Kelmendi, akuzohet se në bashkëkryerje me Kl, K2, K3, Liridon Kelmendi, Haris Mehanovic, Sead Akeljic, Zeljko  Bozic, Hakija  Krlic, Iljier Kastrati, Asm_jr Kalac dhe të tjerët pa autorizim, kanë kultivuar, prodhuar, përpunuan ose përgatiten substance, të deklaruara si droga të rrezikshme narkotike me qëllim të shitjes, shpërndarjes ose ofrimit të tyre për shitje/Betimi për Drejtësi

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu