Koha për orën më të mirë të Gjykatës Kushtetuese, dhe Mitrovica duhet të çlirohet në Prishtinë!

0
60

Instituti për Hulumtime dhe Analiza të Politikave Ekonomike (INEPRA)

Punim hulumtues për diskutimin e politikave Nr. ESP033, Prishtinë, fillim tetori 2011

“Kurrfarë lirie nuk është e sigurt nëse të drejtat tuaja pronësore nuk janë të mbrojtura” –Neal Boortz

Agjencia Kosovar e Privatizimit (AKP) ka shkuar shumë larg me papërgjegjësitë e saja ligjore, kryeneçësinë vepruese, dhe imunitetit të mos llogaridhënies. Është bërë thuajse institucioni më i urryer në Kosovë për shkak të mënyrës se si e ka udhëhequr procesin e privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore (NSh), pasojat ekonomike që kanë dalë nga veprimtaria e saj me dyshime shumë të mëdha për korrupsion, dhe arrogancën e treguar në shpërfilljen e dëshmive zyrtare dhe ligjore. Pararendësja e saj, Agjencia Kosovare e Mirëbesimit (AKM), e kishte parë të “arsyeshme” t’i djegë dokumentet dhe dëshmitë e transaksioneve pronësore të privatizimit. AKP-ja, në pamundësi për t’i djegur dokumentet e disa ndërmarrjeve nga Gjakova, ka ndërmarrë disa veprime që janë më qesharake dhe më të paskrupullta se të AKM-së. Duke e ndier veten me autorizime të fuqishme dhe duke qenë imune ndaj veprimeve të saj, AKP-ja në kundërshtim me ligjin dhe me shpërfilljen e dëshmive ka vendosur rishitjen e atyre ndërmarrjeve, statusi pronësor i të cilave është ndryshuar në fillim të viteve 1990-ta sipas ligjeve të atëhershme dhe njëkohësisht edhe të sotshme në fuçi. Në këtë biznes të jashtëligjshëm të AKP-së, përgjegjësinë e mbajnë edhe Oda e Veçantë të Gjykatës Supreme (OVGjS), Kuvendi i Kosovës, dhe grupet e interesit për bashkëpunimi të heshtur dhe përfitime të përbashkëta në kurriz të pronës së tjetërkujt. Ky rrjet i biznesit të jashtëligjshëm shfrytëzon situatat kur vëmendja e opinionit publik dhe medieve zhvendoset në çështjet më të ndërlikuara për Kosovën siç është aktualiteti në veriun e Kosovës. Megjithatë, veprimet e tij duket sikur e kanë një fund, çka vërehet, në mes tjerash, me dorëheqjen e kryetarit të Këshillit Drejtues të AKP-së, dërgimin e raporteve mbresëlënëse në Bruksel rreth privatizimit në Kosovë përkundër realitetit tjetër në terren, ndërprerja e pagave nga ana e Komisionit Evropian (KE) në fund të qershorit të këtij viti për personelin e AKP-së edhe fondet për ndihmë teknike janë të garantuara deri në fillim të vitit 2013 si pjesë e Instrumentit Para Anëtarësimit, dhe tash së fundi, maskarallëku kundër ligjor me rastin e ndërmarrjeve nga Gjakova. Meqenëse më kanë rënë në dorë vendimet dhe shkresat e AKP-së dhe të OVGjS-së rreth këtij rasti që po mbahen larg syve të medieve dhe opinionit të gjerë, nga përmbajtja e tyre do ta vëreni se është se është maskarallëk, jo pse unë po e quaj kështu.

 

Çka janë dëshmitë zyrtare dhe ligjore rreth pronës?

 

Gjersa AKM-ja spekulonte se statusi pronësorë i ndërmarrjeve në Gjakova të ndryshuara në fillim të viteve 1990-ta ishte i dyshimtë dhe e kishte lënë anash këtë rast si të veçantë, AKP-ja refuzon të përballet me dëshmi ligjore, dhe vetëm që i injoron ato, por ndikon edhe në institucione tjera si OVGjS ta përcjellin të njëjtën shpërfillje dhe të ndërmarrin masa të kundërligjshme.

Në një aktgjykim të Gjykatës Ekonomike të Qarkut në Prishtinë me shifrën “III.C.nr.131/2006” të datës 24.05.2006, ku thuhet: “Në emër të popullit”, “pranohet kërkesëpadia e paditëses H.C. “Emin Duraku”, dhe obligohet e paditura Ministria për Tregti dhe Industri – Agjensioni Kosovar për Regjistrimin e Bizneseve dhe Emrave Tregtar që të vendosi sipas kërkesës së paraqitur për regjistrimin paditëses në regjistrin e bizneseve dhe të emrave tregtar…në bazë të dispozitës së nenit 10 paragrafit 10.2 të Urdhëresës Administrative UNMIK/URDH/2002/22 të Dt. 11. Tetor 2002..”. Në mbështetje të aktgjykimit dhe vendimit të sjellë, Gjykata në Prishtinë bazohet në provat e paditësit të regjistruara në Gjykatën Ekonomike të Qarkut në Gjakovë më 31.12.1991, dhe provat e regjistrimit të saj si ndërmarrje private në regjistrin e përkohshëm të bizneseve në vitin 2000. Pyetja është nëse Gjykata në Prishtinë ka pasur autorizime për ta gjykuar këtë lëndë dhe të merr vendim për “Emin Durakun” më 2006, ose në kohën kur AKM-ja, siç thuhej në nenin 5 të rregullores për themelimin e saj, “administron me ndërmarrjet në pronësi shoqërore, pavarësisht nëse i janë nënshtruar transformimit apo jo”? Dhe përgjigja është po, Gjykata ka gjykuar dhe ka sjellë një vendim për një ndërmarrje që nuk hyn nën administrimin e AKM-së, sepse është transformuar në ndërmarrje private. Rregullorja për AKM-në nuk thotë se kjo agjenci ka të drejtë të administrojë ndërmarrjet private. Prandaj, AKM-ja, e tash AKP-ja nuk kanë kurrfarë juridiksioni ndaj ndërmarrjeve të Gjakovës që i janë nënshtruar transformimit pronësorë, e shumica edhe privatizimit. Formulimi “administron me ndërmarrjet në pronësi shoqërore, pavarësisht nëse i janë nënshtruar transformimit apo jo”, ka të bëjë me ato ndërmarrje që iu ishin nënshtruar masave të dhunshme të Serbisë, por jo edhe vendimeve dhe regjistrimit për privatizim siç ishte rasti i ndërmarrjeve nga Gjakova. Transformimi pronësor dhe privatizimi janë koncepte të ndryshme dhe të ndara, edhe pse shpesh mund të shkojnë njëra me tjetrën.

Një e drejtë ekzistuese pronësore, apo çfarëdo e drejte e ligjshme që është fituar në bazë të ligjeve të kohës, nuk mund të mohohet sot, pos në rastet kur ajo pronë është krijuar në mënyrë të kundërligjshme ose duke ia marrë tjetërkujt. Një shembull për vlefshmërinë e dëshmive zyrtare të së kaluarës për të drejtat e sotme:

Pas luftës në Kosovë, regjistrimi i shumë njerëzve nga OSBE-ja ishte deri-diku problem për shkak se atyre ua kishin marrë dokumentet personale policia serbe. Në mungesë të këtyre dokumenteve, OSBE-ja kërkonte edhe ndonjë faturë të rrymës, telefonit, ujit, apo çfarëdo dëshmie tjetër për identitetin personal, e në raste të skajshme kur mungonin edhe këto, kërkoheshin dëshmitarë nga familja, farefisi, dhe institucione për të dëshmuar se keni të drejtë të regjistroheni sipas identitetit që dihej. Kur ka ndonjë provë zyrtare dhe ligjore, nuk kishte nevojë për asnjë dëshmitarë.

Shembull tjetër: Shkova në komunë të siguroj dokumentet e nevojshme për t’u pajisur me pasaportë të Republikës së Kosovës. Më thanë se certifikatën e lindjes nuk mund ta marrë pa e pasur kartonin e letërnjoftimit të ish-Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës (KSAK), që datonte diku në fillim të viteve 1990-ta ose kohën kur shpërbërja e Jugosllavisë ende nuk ishte njohur ndërkombëtarisht. E kërkonin atë karton si dëshmi për të dhëna. Unë po e nxjerri pasaportën e RFJ-së, dhe po u them: “Ja, ky është dokument origjinal, i lëshuar më vonë dhe të cilit tani i skaduar afati, është plot me viza, andaj çka po u duhet ai karton i letërnjoftimit të cilin nuk e kam as në origjinal e as në kopje”? Mirë qenka ky dokument që e keni si provë, dhe neve nuk po na u duhet origjinali i letërnjoftimit tënd por vetëm kopja e tij të cilin mund ta merrni në zyrën lokale të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës, më udhëzuan ata. Shkova e kërkova, e mora dhe e dorëzova atë karton. Ishte kopja e letërnjoftimit tim të RSFJ-së në një letër të formatit A4, me emërtime në gjuhën shqipe dhe serbokroate (tash i kemi dokumentet personale edhe në një gjuhë shtesë – anglisht). Shërbente si dëshmi.

AKP-ja nuk i cilëson si dëshmi dhe prova as dokumentet origjinale, kopjet, e as regjistrimet dhe vendimet e gjykatave. Në një shkresë të AKM-së më 13.07.2007, të nënshkruar nga Ahmet Shala – Zëvendës Drejtor, Kirk Adams – Udhëheqës i Departamentit të Privatizimit, dhe Teki Shehu – Departamenti Ligjor i AKM-së, bëhet i ditur një propozim për zgjidhjen e statusit të “Ndërmarrjeve të Gjakovës”, i cili u dorëzohet personalisht të gjithë drejtorëve të ndërmarrjeve prezent në takimin mbajtur më të njëjtë datë në Gjakovë, gjë e cila vërtetohet edhe me nënshkrimin e gjithsej 10 drejtorëve dhe vulat e ndërmarrjeve që i përfaqësojnë. Në bazë të kësaj, më 10/08.2009, zyra rajonale e AKP-së në Pejë njofton 6 drejtorë të këtyre ndërmarrjeve se ka caktuar një grup punues për ta shqyrtuar statusin pronësorë ashtu siç janë pajtuar në takimet e mëparshme. Ai shqyrtim nuk ndodhi kurrë deri në ditët e sotme. Në vend të tij, AKP-ja ndërmerr veprimet tjera – shpallë në gazetë shitjen e të njëjtave ndërmarrje.

 

Sistemi i drejtësisë në Kosovë si biznes i thashethemeve dhe interesit ditor

 

Boshti i sistemit të drejtësisë, hetimeve, provave dhe shumicës së vendimeve gjyqësore në Kosovë mbesin dëshmitarët dhe thashethemet e tyre. Për çdo ditë na ndodhë të dëgjojmë nëpër mjetet e informimit publik se filan dëshmitari i ka ndërruar fjalët, qoftë këtu apo në Hagë. Asgjë nuk janë këto në krahasim me gjendjen e përgjithshme mentale në popullsinë dhe institucionet e Kosovës. Pothuajse i tërë (mos) funksionimi bazohet vetëm në thashetheme, se çka them unë për juve, ju për mua, Hasani për Hysenin, e dreqi për të birin! Provat dhe vlerësimi real nuk u interesojnë shumë. Kështu secili mund të marrë pozitë udhëheqëse dhe punësohet në AKP, Qeveri, institucione shtetërore e publike, dhe nëpër organizata ndërkombëtare që veprojnë në Kosovë, në bazë të thashethemeve të quajtura referenca, ose edhe rrena. Ky eksperiment që 12 vite i ka prodhuar pasojat e qarta për ekonominë dhe shoqërinë kosovare. Çka është e çuditshme, vetëm nga këto burime na vijnë vërejtje për kaosin ekzistues socio-ekonomik në masë dhe imazhit të keq për Kosovën. Adresa e fajtorit në bazë të provave, së pari gjendet tek njerëzit dhe udhëheqësit e këtyre institucioneve, dhe askund tjetër. Dëshmitarët dhe thashethemet e tyre, pavarësisht se sa janë në numër, nuk vlejnë sa një dëshmi ligjore. Kjo vërtetohet edhe me shembullin e kopjes së kartonit të letërnjoftimit tim, që vlente më shumë se ata që u duhej të regjistroheshin me dëshmitarë, ose edhe me referenca. Mos të flasim për origjinalin. Pra, në pyetjen se pse sistemi i drejtësisë në Kosovë është në gjendje të këtillë i cili në masë të madhe shfrytëzohet për qëllime biznesi të jashtëligjshëm, përgjigja është se nuk bazohet në dëshmi dhe prova, por thashetheme dhe referencat e shpifura.

 

Masat e dhunshme të Serbisë dhe të AKP-së

 

AKP-ja pas gënjeshtrës se do ta bëjë revizionin ose vërtetoj statusin pronësor-juridik të ndërmarrjeve nga Gjakova, fillon të shpallë shitjen e të njëjtave. Ndërmarrjet padisin AKP-në në OVGJjS dhe njoftojnë publikun dhe blerësit e interesuar se ndërmarrjet të cilat mund t’i blejnë nga AKP-ja janë private, se nuk mund të lejohen të hyjnë në to, dhe se AKP-ja është e paditur për një veprim të tillë.

Drejtorët e Këshillit Ekzekutiv të Komunës së Gjakovës, në mbledhjen e mbajtur më 10.08.2010, të kryesuar nga nënkryetari i komunës, Agim Koci, nxjerrin vendimin 01.Nr.134/2010, me anë të të cilit i propozon AKP-së që të pezullojë vendimin për përzgjedhjen e ndërmarrjeve “Emin Duraku”, “Jatex”, dhe “Deva” për privatizimin në valën e 45A deri në përfundimin e procesit të auditimit dhe përfundimin e procesit gjyqësor të iniciuar nga këto ndërmarrje në OVGjS. më këtë përfundim njoftohen: Dino Asanaj, kryetar i këshillit drejtues të AKP-së, Shaban Deva, koordinator i SH.A. të Komunës së Gjakovës, dhe drejtorët e tri ndërmarrjeve në fjalë.  Në arsyetimin e AKP-së që figuron edhe në shpallje, thuhet se (ri)shitja e këtyre ndërmarrjeve bazohet në nenin 5.3 (b) të Ligjit për AKP-. Çka thotë ky nen:

“Agjencia ka të drejtë të supozoj që Transformimi nuk i përmbush të gjitha kushtet e cekura në paragrafin (a) më sipër, përveç nëse Agjencia ka të gatshme në dispozicion prova bindëse të cilat vërtetojnë se transformimi i përmbush këto kushte”.

Për këtë formulim të mbrapshtë paragjykues në ligj si: “Agjencia ka të drejtë të supozoj” i cili nuk mund të haset as në ligjet ose statutet e fiseve primitive nëpër xhungla, duhet të fajësohen të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës që e kanë votuar, prej të parit e deri në të fundit. Ligji nuk guxon të bazohet në supozime, ose siç e cekëm shpeshherë gjer më tani, në thashetheme. Njerëzit kanë të drejtë të supozojnë, por supozimet nuk janë bazë për marrjen e vendimeve ligjore. “Provat bindëse” që i përmend neni i lartë cekur, nuk vlejnë gjë nëse ato nuk doni t’i shqyrtoni. Atëherë, kjo u jep të drejtë të veproni në bazë të supozimeve, çka është e kundërligjshme. Thjeshtë, mund të vendosni t’i injoroni dëshmitë, siç ka bërë AKP-j deri në ditët e sotme. Në bazë të supozimit mundeni edhe të konstatoni se për ne këto nuk janë dëshmi bindëse, ose të thoni: “Ne supozojmë se këto nuk janë dëshmi”.  Për më tepër, përveç supozimit, ju edhe mund të gënjeni se do t’i shqyrtoni ato dëshmi sikur në njoftimin e AKP-së për ndërmarrjet e Gjakovës, dhe nuk e bëni një gjë të tillë, sepse për juve parimi bazë është si ua thotë rradakja e supozimeve.

Për ndërmarrjen “Emin Duraku”, AKP-ja angazhon policinë për shkarkimin dhe ndalimin e hyrjes në objekte, të drejtorit Murteza Dyla dhe vartësve të tij legjitim. Në vend të tyre, AKP-ja vendos një udhëheqësi të veten. Udhëheqësia legjitime e ndërmarrjes e larguar me dhunë, paditë AKP-në në OVGjS dhe i kërkon kësaj të fundit një vendim për masë të përkohshme që do ta ndalonte AKP-në të ndërmerr çfarëdo veprimi ndaj ndërmarrjes. Me aktvendimin e OVGjS-së SCC-08-0237 të datës 02.11.2011 është aprovuar kërkesa e paditësit “Emin Duraku” më 21.07.2008, për lëshimin e masës së përkohshme. Ja se çka thotë ai aktvendim:

“Në pikën 2 të aktvendimit[,] AKP-së i ndalohet ndërmarrja e çfarëdo veprimi për të shitur apo në ndonjë mënyrë tjetër të ndryshoj titullin e pronësisë ndaj aseteve të paditësit. Në pikën 3 të aktvendimit masa e përkohshme do të mbetet në fuqi deri atëherë kur të lëshohet nga Dhoma e Posaçme [OVGjS] aktvendimi mbi meritat në këtë shkallë.”

Aktvendimi është nënshkruar nga: Anna Bednarek, gjyqtare kryesuese nga EULEX-i; Antoinette Lepeltier-Durel, gjyqtare nga EULEX-i; Ilir Bajrami. Gjyqtar; dhe Tobias Lapke, kryeregjistrues në EULEX. Ndaj një mase të tillë të OVGjS-së reagon Gani Ademi, këshilltarë i lartë ligjor i AKP-së, me arsyetime të ulëta kundërligjore. Ai e cilëson aktvendimin e OVGjS-së për masë të përkohshme “[N]ë kundërshtim me dispozitën e nenit 55.1 të UA [Urdhëresës Administrative të] UNMIK-ut 2008/6, pasi që me këtë dispozitë nuk nënkupton se vetëm akti i paraqitjes së kërkesës është fakt i mjaftueshëm për aprovimin e masës së përkohshme, por paditësi duhet të prezantoj dëshmi të besueshme se ai do të pësoj dëm të menjëhershëm dhe të pariparueshëm, ose në të kundërtën nuk ka kushte ligjore për aplikimin e dispozitës së lartshënuar”. Gani Ademi, (nuk) harron se kërkesa për masën e përkohshme dhe aktvendimi i OVGjS-së për miratimin e saj është bazuar në një thes dëshmish të forta ligjore origjinale dhe në kopje. Ku po do dëshmi më të forta ligjore se dokumentet dhe vendimet e gjykatave? Edhe me këtë rast vijmë  mësimi dhe përvoja me nxjerrjes së pasaportës sime. Sipas Gani Ademit, komuna është dashur ta hedhë poshtë kërkesën time për t’u pajisur me pasaportë të Republikës së Kosovës, sepse kjo qenka në kundërshtim me UA të UNMIK-ut 2008/6! Pikërisht duke u bazuar në këtë UA për dëshmitë bindëse të cilat i ka marrë nga paditësi, dhe duke e cituar saktësisht të njëjtin nen (55.1) si arsyetim ligjor, OVGjS i thotë “stop” AKP-së me këtë fjali: “Dhoma e Posaçme, pas shqyrtimit të shkresave të lëndës, përcakton se në këtë rast janë plotësuar kushtet [për masën e përkohshme]” për të vazhduar “[P]aditësi [i] pretendon [asetet] si të tijat. Ky fakt nuk është mohuar nga AKP-ja”.

Dëshmitë e besueshme të cilat i përmend ky, në rastin tim ka qenë një kopje e kartonit të letërnjoftimit tim, origjinali i të cilit më duket se mbahet në Kragujevc të Serbisë prej vitit 1999. Ndërsa, dëshmitë e “Emin Durakut” janë me thes të shpërndara edhe në kopje, në mes tjerash, edhe në OVGjS. Origjinalet e tyre ndodhen në Gjakovë. Një pjesë e tyre ishte marrë ose vjedhur nga udhëheqësia e masave të dhunshme të Serbisë gjatë viteve 1990-ta (por nuk dihet a janë djegur siç bëri AKM-ja), një pjesë tjetër është kapur nga masat e dhunshme të AKP-së, por ato që kanë shpëtuar janë dëshmi të mjaftueshme zyrtare dhe ligjore. Këshilltari i lartë ligjor i AKP-së shprehet në mënyrë të ultë kur i propozon OVGjS-së që ta prishë aktvendimin e shkallës së parë SCC-08-0237 të datës 02.11.2010, si jo të bazuar në ligj. Këtë e ka bërë në ankesën e tij në emër të AKP-së drejtuar OVGjS-së më 26.11.2010.

Një pyetje interesante për këshilltarin e lartë ligjor të AKP-së: Nga e di ai se “Emin Duraku” nuk i ka sjellë dëshmi bindëse OVGjS-së? A është kompetent i padituri t’i shqyrtoj dëshmitë bindëse të paditësit, apo institucioni i pavarur për të dyja palët? A është detyrë e gjykatës të vendosë se cilat janë dëshmi bindëse, apo e të paditurit? Për këto pyetje, fajet pjesërisht i kanë edhe vetë përfaqësuesit e ndërmarrjeve nga Gjakova që kanë bashkëpunuar me AKP-në, e cila bazë të veprimeve i ka supozimet si “dëshmi bindëse” e jo dëshmitë bindëse dhe provat ligjore. AKP nuk ka kurrfarë juridiksioni ndaj ndërmarrjeve private, dhe çdo bashkëpunim dhe takim i ndërmarrjeve nga Gjakova duhet të refuzohet me forcë. Çështja duhet të drejtohet tek gjykata kompetente –  Gjykata  Kushtetuese e Kosovës.

 

AKP + OVGjS, biznes i përbashkët shantazhi dhe i jashtëligjshëm

 

Në lëndën numër SCC-08-0237 të OVGjS-së, vendoset për masën e përkohshme ndaj “Emin Durakut” për afat të pacaktuar, ose deri në kohën kur gjykata do ta gjykoj rastin dhe të sjellë vendimin për palët. Me fjalë tjera, të paditurit (AKP-së) i bëhet e qartë se ne jemi duke shqyrtuar lëndën për këtë mosmarrëveshje, dhe deri sa të gjykohet rasti dhe të merret vendimi përfundimtar, asgjë nuk guxoni të ndërmerrni ndaj paditësit, sidomos u ndalohet ta (ri)shitni atë ndërmarrje ose pjesët e saj. Dhe cili ishte rezultati i gjykimit dhe vendimi përfundimtar i OVGjS-së. Shiheni absurdin: Nuk kishte fare gjykim. Në vend të tij, OVGjS bënë anulimin e aktvendimit për masën e përkohshme pa e gjykuar lëndën. Në aktvendimin nr. ASC-10-0088 që u është dërguar palës së paditur dhe paditësit, thuhet:

“Kolegji i ankesave i OVGjS të Kosovës për çështjen që lidhen me AKM-në, i përbërë nga Torsten Frank Koschinka, si Gjyqtar Kryesues, Piero Leanza, dhe Mr.Sc. Sahit Sylejmani, Gjyqtarë, lidhur me ankesën e të Paditurës [AKP], të paraqitur ndaj aktvendimit të Trupit Gjykues, SCC-08-0237, të datës 2 nëntor 2010, pas seancës vendimmarrëse të mbajtur më 19 maj 2011, lëshon këtë “Aktvendim”:

  1. Ankesa e të Paditurës [AKP-së] është e bazuar.
  2. Aktvendimi i Trupit Gjykues i Dhomës së Posaçme, SCC-08-0237, i datës 2 nëntor 2010, prishet dhe Trupi Gjykues – në një përbërje tjetër – urdhërohet ta rigjykojë kërkesën për masë të përkohshme.

 

Çka do të thotë kjo? Do të thotë se miratohet urdhri i Gani Ademit drejtuar OVGjS-së për prishjen e masës së përkohshme. Si është e mundur të bëhet kjo nga e njëjta gjykatë, siç thotë populli, “me i hangër fjalët”? Çka thotë pika dy e këtij Aktvendimi për prishjen e masës së përkohshme? Se kërkesa e kundërligjshme e Gani Ademit ka qenë e pamundur të realizohet nga e njëjta gjykatë po të mos ndërroheshin gjyqtarët ose krijimin e trupi gjykues tjetër. Kështu OVGjS është gjykatë aq e pavarur sa që kushdo që vjen aty ose thirret në emër të saj gjykon dhe merr vendime që janë në kundërshtim të plotë me ato të paraardhësve dhe pasardhësve të tyre. A nuk janë këto dëshmi bindëse se gjykatat në Kosovë janë biznes i jashtëligjshëm, dhe se i tërë sistemi i drejtësisë është i shpifur? Pse është i shpifur? Sepse bazohet në thashethemet dhe supozimet e njerëzve, gjyqtarëve dhe publikut, e jo në dëshmi dhe fakte. Pse nuk e gjykoj lëndën e kërkesës trupi i ri gjykues dhe të sjellë aktvendimin, por e gjykon vet kërkesën e cila është miratuar nga po e njëjta gjykatë? Kjo është kështu: Ministria e Punëve të Brendshme në vend se të shqyrtoj të gjitha dokumentet e nevojshme të mia për t’u pajisur me pasaportë dhe të më njoftoj se edhe cila dëshmi tjetër shtesë nevojitet, thotë se përbërja e re e kësaj ministrie vendosë se kërkesa e juaj e pranuar në përputhje me ligjin nga përbërja e kaluar, tani prishet në bazë të të njëjtave ligje dhe nene që ishin në fuçi atëherë dhe sot!

Arsyetimet që i jep trupi i ri gjykues i OVGjS-së për këtë rast, duken sa të ngatërruara aq edhe banale për ata që duan ta lexojnë dhe kuptojnë aktvendimin e tyre. Megjithatë, përmbajtja e tij dëshmon se OVGjS nuk është gjykatë dhe AKP nuk është agjenci. Të dyja janë një biznes i përbashkët i grupeve të njerëzve. Të shkëpusim diçka nga përmbajtja e atij aktvendimi:

“Trupi Gjykues [i mëparshmi] e keqinterpretoj dhe zbatoj në mënyrë të gabuar Nenin 55 të UA-së së UNMIK-ut 2008/6. Vendimi i Trupit Gjykues nuk është në përputhje me parimet e zbatueshme në lëndët që kanë të bëjnë me masat e përkohshme, siç është përcaktuar nga Kolegji i Ankesave në jurisprudencën e tij konstante (inter alia, krahaso ASC-10-0017, ASC-10-0049)”.

Këtu trupi gjykues i riu po e gjykon trupin gjykues të mëparshëm, kuptohet, në mungesë, dhe e akuzon atë për keqkuptim të dëshmive të besueshme sipas nenit 55.1 të UA-së së UNMIK-ut 2008.6. Por çka mendon trupi gjykues se cilat janë dëshmi të besueshme, është për keqardhje dhe dëshmi bindëse se sistemi i drejtësisë në Kosovë është shumë më i degjeneruar, ose pikërisht biznes i jashtëligjshëm, se që mendojnë shumica e popullsisë. Këtë na e vërteton më së miri përmbajtje e aktvendimit të OVGjS-së.

 

Matematika apo statistika juridike e supozuar

 

Juristët në përgjegjësi kanë alergji ndaj matematikës. Nëse jeni jurist, më së shpeshti mund t’u ketë ndodhur t’u keni thënë të tjerëve se keni studiuar juridikun vetëm pse aty nuk ka matematikë, ose punë me numra dhe formula. Nëse në praktikë, jeni avokat, prokuror, gjykatës, njohuritë për numrat u kufizohen vetëm në një drejtim – atë të parave. Kështu është në Kosovë me sistemin e drejtësisë. Këtë e dëshmon publikisht në një intervistë në Top Channel të Shqipërisë (medium shumë i njohur) njëri ndër avokatët më të njohur të Kosovës, Tomë Gashi, i cili insiston tek gazetarja ta pyes se në cilën parti jeni. Me kërkesën e tij, gazetarja ia bënë pyetjen e kërkuar, dhe Tomë Gashi në avokaturën e tij prapa të cilit duket rafti i librave të shumta ku dallohen ato me shkrimin “Law” (Ligj, ose e Drejta), thotë me mburrje të madhe: “Unë jam n’parti t’hajnave dhe t’pareve; përndryshe n’asnji parti, politike”. Ky avokati më i drejtë në Kosovë, sepse e thotë e realitetin qe e dimë shumica. Mirëpo, problemi është tek pjesa e tjetër e sistemit të drejtësisë sikur ky trupi gjykues i ri i OVGjS-së që kinse mundohen të pështjellin diçka. Si mund ta vërtetojmë këtë? Shumë lehtë, duke u bazuar në aktvendimin e tyre. Shikoni më kujdes arsyetimin “ligjor” që e jep trupi i ri gjykues:

“Kërkesa për dëshmi të besueshme i përmban që të dyja: humus boni turis (probabiliteti se ekziston e drejta e kërkuar = presupozimi i bazës së mjaftueshme ligjore), dhe periculum in mora (rreziku i dëmtimit i pashmangshëm ndaj kësaj të drejte), pasi që humbja dhe dëmtimi i drejtpërdrejtë dhe i pariparueshëm mund të ndodhë vetëm nëse ekziston e drejta e pretenduar. Me fjalë tjera: Paditësi/Aplikuesi i cili kërkon ndalim të përkohshëm duhet të dëshmoj probabilitetin se 1. ekziston rreziku për të drejtën të cilën ai e kërkon, dhe 2. e drejta është në rrezik të drejtpërdrejtë të humbjes ose dëmtimit të pariparueshëm, nëse nuk lëshohet ndalimi i përkohshëm i kërkuar”.

Citati i mësipërm përmban dy anomali; e para, ndikohet nga thëniet e gjuhës latine dhe të drejtës romake që datojnë para 2000 viteve, dhe e dyta, anashkalon dëshmitë e besueshme duke e zhvendosur vëmendjen në probabilitet me shpresën se me këtë term në matematikë dhe thuajse të papranueshëm për dëshmi ligjore mund ta hipnotizojnë ndonjë që nuk di se çka kanë shkruar në aktvendim. Në anomalinë e parë, trupi gjykues është 2 000 vite prapa në gjykimin e lëndëve, që do të thotë se që nga koha romake, në zhvillimin shoqëror dhe juridik nuk paska pësuar asnjë ndryshim. Në anomalinë e dytë, trupi gjykues harron se një çështje gjykohet në bazë të të bëmave dhe dëshmive faktike, e jo në bazë të probabilitetit i cili më shumti zbatohet në teorinë e lojërave të fatit dhe gjasave për ndodhitë e ardhshme. Probabilitet në shqip do të thotë gjasë ose mundësi. Kufiri i probabilitetit shtrihet ndërmjet 0 dhe 1. Për shembull, nëse në tavolinë janë të shpërndara dhjetë letra bixhozi të ndryshme të kthyera përmbys dhe në mesin e të cilave është xhokeri, atëherë gjasat që unë ta tërheq xhokerin janë 0.1 ose 10 për qind. Kur kemi të bëjmë me zgjedhjen ndërmjet dy alternativave, probabiliteti ose gjasat që të ndodhë njëra ose tjera është 0.5 ose 50:50 për qind. Kjo vërtetohet edhe me anekdotën e shqiptarëve për një prind që kishte pasur dy djem shumë të mençur, njëri prej të cilëve thoshte “bjen shi sot”, e tjetri “nuk do të bjen”. Njëri prej tyre gjithmonë ia qëllonte – ose binte, ose nuk binte shi. Këtë lojë e lozë edhe OVGjS si gjykatë e “pavarur”, çka nuk do të duhej të guxonte ta lozë. Mirëpo, keni parasysh se i tërë sistemi i drejtësisë në Kosovë është i biznes i jashtëligjshëm që funksionon në bazë të paragjykimeve supozuese dhe thashethemeve.

Probabiliteti zbatohet kryesisht vetëm për ndodhitë e ardhme, e jo edhe për të kaluarat. Në momentin që e dimë se çka ka ndodhur në të kaluarën në bazë të dëshmive që i kemi, nuk kemi nevojë të merremi me probabilitet fare. Të kthehemi te rasti i dhjetë letrave të shpërndara në tavolinë. Nëse unë e kam tërhequr njërën dhe kam zbuluar se ai është xhokeri, atëherë kjo është dëshmi se unë e kam xhokerin. Gjasat që dikush tjetër ta tërheq xhokerin nga nëntë letrat e mbetura janë gjithmonë të barabarta me zero. Si dëshmi bindëse, unë ia tregoj xhokerin lojtarëve tjerë dhe ata binden që të mos shpresojnë se a ekziston apo jo xhokeri në letrat e mbetura dhe kur do të mund ta tërheqin. Por, me fakte të tilla nuk binden vetëm njerëzit e AKP-së dhe OVGjS-së. Sikur mua që mund të më kërkojnë lojtarët se a e kam xhokerin si dëshmi dhe unë u them: “po, shikoje, a është ky?”, edhe OVGjS u ka kërkuar ndërmarrjeve nga Gjakova një gjë të ngjashme të cilat këto ia kanë ofruar: “Ja, këto janë dëshmitë ligjore, zyrtare, vendimet e gjykatave, çfarë dëshmish dhe fakte më të forta po do ti”? Është e pakuptimtë dhe injorancë të përmendet probabiliteti për gjërat që kanë ndodhur. Sepse ato kanë ndodhur, dhe ne nuk mund t’i zhbëjmë dëshmitë e tyre me short siç po pretendon koalicioni AKP+OVGjS, dhe cinizmi i Gani Ademit, Mrika Tahirit, Naim Avdiut, e shumë të tjerëve në AKP që aq gjatë u ka shkuar kungulli mbi ujë.

Se cili ka qenë qëllimi i aktvendimit kundërthënës i trupit gjykues të ri për prishjen e masës së përkohshme që e kishte miratuar trupi i mëhershëm gjykues nga po e njëjta gjykatë (OVGjS), kjo kuptohet shumë qartë nga aksionet e menjëhershme që i ndërmerr i padituri (AKP-ja) kundër paditësit (ndërmarrjes “Emin Duraku”). Posa OVGjS shpall aktvendimin e ri, AKP hedhet në aksion kundër pasurisë së “Emin Durakut”. Në vijim diskutojmë shkurtimisht strategjinë e pashpallur të AKP-së se kjo vepron si ndërmarrje për interesa financiare të veta dhe grupeve të saj të interesit dhe në dëm të perspektivës ekonomike të Kosovës,  jo ashtu siç thirret.

OVGjS ia bënë me sy AKP-së, tash qepoj pa dhimtë!

 

Aktvendimi i trupit të vjetër gjykues për masën e përkohshme e kishte ndaluar AKP-në të shesë pasurinë e “Emin Durakut” deri në kohën e pacaktuar kur premtohej se do të gjykohet rasti i mosmarrëveshjes dhe shpallet aktvendimi përfundimtar. Pas prishjes së papritur të masës së përkohshme pa e gjykuar rastin, fillon me shitjen e pasurisë (aseteve siç po i thotë AKP-ja). Pasuria e shitur gjer më tani, sipas udhëheqësisë së përzënë nga AKP-ja, është dhënë për çmimin afër dy milionë euro. Po të njëjtit përmendin edhe emrin e blerësit, një firmë e njohur nga Peja, të cilën ne nuk po e përmendim, i cili blerë pjesën kryesore për afërsisht 700 000 euro. Blerësi ka qenë i vetmi ofertues, çka paraqet shkelje të ligjit për privatizimin/shitjen ku duhet të ketë së paku tre ofertues. Njësia “Edico” e “Emin Durakut” i është shitur një blerësi tjetër me çmim rreth 640 000 euro, kurse depot përafërsisht për 500 000 euro. Pjesa e pasurisë tjetër si banesa, dyqane, inventar, nuk ceket.

Sidoqoftë, blerësit dhe shumat e blerjes nuk kanë aq shumë rëndësi sa ka të kuptuarit e qëllimit pse AKP-ja insiston dhe i konvenon (ri)shitja e ndërmarrjeve. AKP-ja ka shqiptuar disa gjoba për blerësit e ndërmarrjeve shoqërore në kuadër të privatizimit me ‘spin-off’ të zakonshëm dhe special për mospërmbushjen e obligimeve financiare nga ana e blerësve. Numri i këtyre i këtyre blerësve dhe shuma e gjobave me të cilat janë ngarkuar ndryshon kohë pas kohe dhe shifrat e sakta i ka në dispozicion AKP-ja. Për shkak të pamundësisë ose mos dashjes për t’i përmbushur obligimet financiare, siç është rasti me fabrikën e llamarinës së zinktuar “Llamkos”, AKP-ja bëri ritenderimin dhe rishitjen e kësaj ndërmarrjeje. Kështu mund të ndodhë edhe me ndërmarrjet tjera që nuk i përmbushin obligimet e kontraktuara. Ekziston një problem lidhur me mospërmbushjen e obligimeve, çka mund të pasojë me rishitjen, sepse në disa raste ndërmarrjet janë dekapitalizuar nga blerësit dhe nëse AKP-ja bënë rishitjen e këtyre ndërmarrjeve, ka gjasa të jetë me çmime më të ulëta se kur është bërë shitja. Në këso raste ndërmarrjet humbin ndërsa ajo që fiton është AKP-ja. Këtu edhe lind dyshimi se AKP-së më shumë i pëlqen t’i rishes ndërmarrjet meqenëse kjo i leverdisë rritjes së fondit të privatizimit, se sa t’i përmbushin blerësit obligimet e tyre ndaj ndërmarrjeve. Nga perspektiva ekonomike, më mirë është që blerësit, sidomos të ndërmarrjeve të privatizuara me ‘spin-off’ special’,  t’i përmbushin obligimet e tyre dhe paraja të mbetet në funksion ekonomik. Nëse blerësit i përmbushin obligimet për investime dhe punësim në ndërmarrjet të cilat i kanë blerë, atëherë nga kjo përfiton perspektiva ekonomike e atyre ndërmarrjeve, e jo fondi i privatizimit. Nëse nuk i përmbushin dhe AKP-ja i rishet ndërmarrjet si masë ndëshkuese, përfiton fondi i privatizimit dhe kjo i konvenon më shumë AKP-së.

Ndërmarrjet nga Gjakova nuk kanë kurrfarë obligimi ndaj AKP-së. Ato nuk janë privatizuar me rregulloren e AKM-së ose ligjin e AKP-së, por me ligjet e kohës të cilat edhe sot janë fuçi. Një e drejtë pronësore private që është fituar me kohë sipas ligjeve në fuqi dhe në mënyrë transparente, nuk mund të mohohet me çfarëdo nxjerrje të ligjeve dhe përmbajtjes së tyre. Kjo ka ndodhur vetëm në vitet e para pas Luftës së Dytë Botërore me konfiskimin e pronës private dhe shndërrimin e saj në pronë shtetërore dhe shoqërore, për ta ndërtuar rendin shoqëror komunist. Mirëpo, të gjitha shtetet ish-komuniste që synojnë të anëtarësohen në Bashkësinë Evropiane (BE) u kërkohet, në mes tjerash, të nxjerrin dhe miratojnë Ligjin për Restitucionin ose kthimin e pasurisë ish-pronarëve ose trashëgimtarëve, pavarësisht se a janë shtetas të atyre vendeve ku gjendet prona apo jo. Këtu ka pasur disa probleme me ligjin e çekisë i cili theksonte se çdo pronë e konfiskuar do t’i kthehet ish-pronarëve të cilët duhet të jenë shtetas të republikës Çeke. Me këtë ishin përjashtuar gjermanët e deportuar nga rajoni i Sudeteve, por më vonë Çekia u detyrua të përfshijë edhe të drejtën e atyre që nuk janë shtetas të atij vendi, dhe ata të cilëve u është konfiskuar prona pa prova bindëse se kanë qenë bashkëpunëtor të okupatorit. I njëjti detyrim është zbatuar ndaj ligjit kroat që parashihte se të drejtën e restitucionit e kanë të gjithë ata që janë shtetas të Kroacisë, me çka përjashtoheshin të huajt. Gjykata e Strasburgut ka pranuar shumë ankesa nga qytetarët e vendeve ish-komuniste që kërkonin të drejtën e kthimit të pronës në përputhje me ligjet e vendeve të tyre. Interpretimi që u kanë dhënë Gjykata e Strasburgut të gjithë ankuesve, ishte se kjo gjykatë nuk është në pozitë të ndikoj dhe nuk përzihet në përmbajtjen e ligjeve të shteteve tjera, dhe nuk është organ vendimmarrës. Por, interpretimin që e ofron kjo gjykatë, shfrytëzohet nga institucionet e BE-së si dëshmi ndaj vendeve praj nga vijnë ankuesit, se këto shtete nuk i plotësojnë kushtet për anëtarësim në BE pa i bërë këto korrigjime në ligjet e tyre për restitucionin. Nëse Kosova e sheh ëndërr se mund të mund të bëhet në një të ardhme të afërt anëtare e BE-së, do të detyrohet së pari ta nxjerrë ligjin për restitucionin, e pastaj kthimin e pronës ish-pronarëve, ose kompensimin e saj. Këtu gjithsesi do të hyjë edhe rasti i “Emin Durakut”.

 

Forca si mjet i fundit i zgjidhjes së problemeve gjithmonë duhet të përgatitet e para

 

Një avokat amerikan nga “Interlex Associates”, Linn Slattengren”, i rekomandonte ish-drejtorit të “Emin Durakut”: Pse ju nuk e lajmëron rastin në polici, shumë thjeshtë. “Na është futur dikush me dhunë në pronën tonë dhe na ka nxjerrë jashtë me polici me diktatin e AKP-së. Ja ku janë dëshmitë se ne jemi pronarë”? I mendimit të ngjashëm ishte edhe avokati Alexander Borg Olivier, i cili më herët ka punuar në Zyrën Ligjore të UNMIK-ut. Sipas tij, sistem më të keq dhe ngatërruar të drejtësisë se në Kosovë, nuk ka askund në botë, dhe problemi akut është se, po e citoj në origjinal: “Këtu kemi të bëjmë me keqbërës, injorantë, dhe kaos”. Që të dy avokatët ishin thellësisht të bindur se nga ana e së drejtës, çdo gjë është në favor të ndërmarrjeve nga Gjakova, dhe shpreheshin në formë komike se e vetmja rrugëdalje nga këto mosmarrëveshje për të vënë drejtësinë, është të rrokën armët përderisa ka një shpërfillje shumë të lartë të shtetit të së drejtës dhe drejtës.

Thuhet se forca është mjet i fundit për realizimin e së drejtës. Në fakt, kjo në Kosovë duhet të jetë e para, pavarësisht se kush i specializuar ne te. Të drejtat e ndërmarrjeve në Gjakovë nuk mund të realizohet pa rebelizëm, sabotim dhe demonstrim të forcës. Kur të vjen koha e intervenimit të policisë, e cila mund të jetë në anën e koalicionit dhe grupeve politike të interesit AKP+OVGjS, çështja kthehet tek dëshmitë bindëse që ky koalicion po i përmend gjithandej, dhe me të cilat do të mposhtet drejtpërdrejtë. Këtij demonstrimi të rebelizmit, sabotimit, dhe forcës do t’ua shohin hairin edhe shumë institucioni dhe qytetarë të Kosovës. Forca shtytëse e kësaj forca ishte dashur të jenë sindikatat, të cilat fatkeqësisht nuk janë. Në opinion është krijuar bindja se sindikatat janë përçarë nga politika, se kryetari i BSPK-së, Haxhi Arifi, është i shantazhuar nga Qeveria dhe për vete merr rogë të majma, e shumë vërejtje tjera. Një befasi ishte kur dëgjova edhe thashethemet se kryetari i Këshillit Drejtues të AKP-së, Dino Asanaj, dhe Haxhi Arifi janë nip e dajë, se Haki Kabashi nga njësiti për krime ekonomike është baballëku i Dino Asanajt, e kështu me radhë. Se a qëndrojnë apo jo këto marrëdhënie, asnjëri prej këtyre nuk ka nevojë të na tregoj. Ajo çka vërehet nga veprimtari e tyre, duket sikur të jetë nga një familje e ngushtë, ose sikur babë, bir, e nip. Kjo ka rëndësi edhe më të madhe, pra veprimtaria. Sindikatat zakonisht janë shumë të zëshme dhe vepruese kundër cenimit të të drejtave të punëtorëve dhe kushteve socio-ekonomike të qytetarëve, dhe shpeshherë përdorin sabotimin dhe forcën. Në Kosovë, përpos kundërshtimeve verbale nga krerët e sindikatave, asgjë konkrete nuk ndërmerret.

 

Mitrovica duhet të çlirohet në Prishtinë!

 

Kohëve të fundit, shumë probleme akute dhe aktualitete dëshpërues në Kosovë i ka ngulfatur zhvendosja e vëmendjes në veri të Mitrovicës dhe veriun e Kosovës në përgjithësi në përpjekje për shtrirjen e pushtetit dhe sovranitetit të Prishtinës në atë pjesë që kontrollohet nga serbët. Ndonëse situata atje ishte dashur të jetë faktor unifikues dhe i qetësimit të problemeve në pjesën që Prishtina e ka nën kontroll, ndodhë e kundërta. Turbullirat e mëdha diku, shpesh shfrytëzohen për keqbërje më në brendi të Kosovës nga politika e cila synon ta shtrijë sovranitetin në veri. Kjo është për keqardhje të madhe dhe dëshmi bindëse (termi më i famshëm i OVGjS-së dhe AKP-së të cilin nuk e kuptojnë në thelb) për papjekurinë e skajshme në ndërtimin e shtetit dhe sundimin e ligjit. Dikujt mund t’i duket se këtyre u paska mbetur edhe pak marre dhe po shfrytëzojnë situatat delikate diku për t’u hedhur në aksion tjetërkah si formë e kamuflimit, por nuk është ashtu. U mungon forca, se përndryshe do të bënin edhe më zi. Sa për marre, diskreditim, poshtërsi, nuk e lënë kurrë.

Para afër një viti, Gjykata Kushtetuese (GjK) e Republikës së Kosovës ishte marrë me padinë e ndërmarrjes IMK nga Ferizaj. Atë kohë, unë kisha theksuar në një intervistë në Kosova Sot se GjK ende nuk është e thirrur të vendos për një rast të tillë meqenëse juridiksionin ndaj ndërmarrjeve shoqërore, privatizimin e tyre, dhe mos marrëveshjeve që lidhen me to së pari e ka OVGjS si gjykatë e pavarur (e themeluar si e tillë) që nuk i jep llogari askujt. Nëse GjK është marrë me atë rast dhe vendosi për të edhe pse vendimi nuk mund të zbatohej në praktikë, pra mbeti si vendim abstrakt, tash është koha për orën më të GjK të vendos për problemin e ndërmarrjeve që nuk hyjnë nën juridiksionin e AKP-së, OVGjS-së, por të GjK-së. Fjala është për ndërmarrjet nga Gjakova, të cilat, sipas ligjeve në fuqi, duhet t’i drejtohen GjK-së dhe kjo patjetër të vendos për to. E drejta e pronës është e garantuar edhe me kushtetutë.

 

Gjersa ne kemi zhvendosur vëmendjen në pronat e shqiptarëve në veri të Kosovës, këndej vazhdohet me uzurpimin dhe shitjen e kundërligjshme të pronave të tjetërkujt. Ka një dallim ndërmjet pronave të shqiptarëve atje dhe këndej. Siç mund ta dini, nga veriu i Kosovës në shkurt të vitit 2000 janë përzënë mbi 11 300 shqiptarë. Për më shumë se dhjetë vite, pushteti i Prishtinës dhe Administrata Ndërkombëtare (UNMIK) kanë qenë shpërfillës në veprime për atë pjesë të territorit të Kosovës. Shumë banorë të përzënë shqiptarë nga ajo anë, duke e pasur të pamundur kthimin, filluan t’i shesin pronat e tyre të mbetura atje. Përpos serbëve si individë, blerës i pronave private të shqiptarëve paraqitej edhe Qeveria e Serbisë. Qeveria e Serbisë po ashtu investonte në veri të Mitrovicës. Banorët shqiptarë për pronat që i kanë shitur, kanë marrë paratë.

Në pjesën tjetër të Kosovës ku Prishtina ka sovranitet, AKP-ja shet e rishet ndërmarrjet, ndërsa paratë i merr për vete. Pronarët sikur këta të ndërmarrjeve nga Gjakova sikur “Emin Duraku”, nuk e kanë fatin sikur të shqiptarëve të përzënë nga veriu, që t’i shesin vetë pronat dhe t’i marrin paratë nga blerësit. Pronat e tyre i shet pa bazë ligjore AKP-ja, e cila i merr edhe paratë.

Për veriun e Kosovës, tani duket se janë shtuar dukshëm deklarimet zyrtare për strukturat paralele, bandat kriminale, dhe gjendja jashtë kontrollit të Prishtinës atje. Po kush i krijoj këto struktura paralele dhe kush ua dha vizën të jenë të tilla. Po që se shikoni Planin e Atisarit, të cilit udhëheqësia politike e Kosovës (pozitë e opozitë) thoshte të mos i hiqet asnjë fjalë, ato janë struktura ligjore dhe mbështetjen e kanë të Plani dhe ligje tjera për decentralizimin në baza etnike, lidhjet horizontale të komunave me shumicë serbe ndërmjet vete dhe lidhje vertikale me Beogradin, garantimi i të drejtës për financimin e këtyre komunave nga agjencitë qeveritare të  Republikë së Serbisë, përcaktimi i zonave të mbrojtura, e shumë të tjera. Shtrirja e sovranitetit të Prishtinës në veri të Kosovës nuk do të thotë se banorët shqiptarë të përzënë nga ajo pjesë do të kthehen atje, e aq më pak ata që i kanë shitur pronat, që njëkohësisht do të thotë se blerësit serb të pronave nuk do të largohen. Atëherë, për çfarë shtrirje të sovranitetit dhe sundimit të ligjit bëhet fjalë për atje? Duam së pari sundimin e ligjit në Prishtinë. Kjo është më e ngutshme dhe kritike. Ata (serbët në veri) nuk janë në Prishtinë për t’i shitur ndërmarrjet private të shqiptarëve në Gjakovë. AKP-ja po. Vetëm duke e çliruar Prishtinën nga mos sundimi i ligjit, korrupsionit, krimit të organizuar, dhe nga biznesi i jashtëligjshëm i gjykatave, veriu mund të integrohet më mirë në Republikën e Kosovës, ose siç thotë populli: “Së pari duhet ta pastrojmë odën, e pastaj korridorin”.

 

Shkruan: Isa Mulaj

Mobile: +377 (0)44 112 397

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu