Koloradot Shqiptare, perlat e Skraparit

0
127

osumi 3064803375_5c34e0a3d7_z

Mëngjesi atë ditë të enjte ishte i freskët nga shiu që kishte spërkatur rrugët e pluhurosura të Tiranës. Do shkoja drejt një destinacioni të panjohur por mjaft të trumbetuar, ma përshkruanin si perlë shqiptare. Skraparllinjtë krenoheshin vitet e fundit me këtë bukuri të natyrës, megjithëse e gëzonin prej shekujsh. Duhej të vinin disa të huaj të na thoshin se “ju shqiptarët këtu keni Koloradot e Europës”. Kanionet e Osumit qe kryefjala e këtij mëngjesi të qetë por të bukur. Blerina Ago, udhëheqësja e ekipit që do të vizitonte kanionet, na u afrua te dera e autobusit e duke na buzëqeshur ëmbël, u prezantua. Ne gazetarët vijuam diskutimet fare pa u shqetësuar. Papritur biseda rrodhi drejt rendit të ditës. Nuk shkëputeshim dot nga politika, listat e deputetëve kishin dalë dhe ne nuk mund të mos komentonim herë me tone të larta dhe herë me dakordësi mendimin e kolegut duke tundur kokën. Blerina sakaq na dëgjonte duke mos u përfshirë në diskutimin tonë të pavend. Befas nuk u përmbajta dhe ia shpreha gëzimin që ndjeja Blerinës, se, do shikoja dhe provoja lundrimin në lumin Osum, mes kanioneve shekullore dhe të mahnitshme që deri atë mëngjes i kisha parë vetëm në fotografi. Asaj i erdhi buzëqeshja dhe duket se u futëm në temën ku ajo ishte eksperte. E pyetëm për gjithçka na duhej dhe morëm përgjigje koncize. Ishte vajzë nga Berati, megjithëse dialekti më tingëllonte ndryshe. Gjithë këtë etje për të marrë vesh për kanionet dhe rafting-un që zhvillohet atje, ma zbehu kolegu skraparlli. Me një shpërfillje dhe jo shumë entuziast, na parashtroi se është rritur aty dhe se i kishte parë edhe më parë, duke mos u dhënë rëndësinë apo përshkrimin e duhur për ne vizitoret që shkonim për herë të parë. Megjithëse e dija se do ta kishim udhëheqësin e grupit tonë për të na treguar histori dhe ngjarje për atë zonë. Autobusi i linjës u ndez. Ndezja nënkuptonte se duhej të hipnim që të nisnim udhëtimin. Lamë pas Tiranën e zhurmshme, po ashtu edhe Durrësin me kanale dhe rrugë në ndërtim e sipër… Kaluam pranë Lushnjës dhe prisja rrugën që e dija se ishte lënë në mëshirë të fatit. Këtë e kisha dëgjuar nga deputetë të zonës, të cilët kërkonin të kushtëzonin votimin e buxhetit të vitit 2013 për ndërtimin e asaj rruge. Por ajo që pashë ishte disi më e zbutur se fotot e zmadhuara që tregoheshin në foltoren e Kuvendit. Dhe kjo se, pak ditë më parë, në një fshat të Beratit kishte qenë vetë ai…, kryeministri. Inauguroi një rrugë fshati duke kaluar nga një rrugë nacionale e shkatërruar. Paradoks shqiptarësh. Iu afruam Beratit. Qytet me vlera dhe me histori… Doja ta shihja sa më parë. Por plani duket se ishte ndryshe. Qëndruam në Unazën e jashtme të Beratit, aty ku na prisnin dy furgonë dhe disa makina 4×4 me të cilat do të shkonim në Skrapar. Federata Shqiptare e Rafting-ut kishte në makina pajisjet dhe ato çfarë do të na duheshin për këtë aventurë dhe emocion të veçantë. Kaluam përmes Beratit. Asgjë nuk pamë. Shoferi e kishte marrë me nxitim, e kishte rrugë të përditshme. Për atë ishte punë, për ne kuriozitet. Debati filloi mes nesh…, po ashtu edhe gropat e para. Dy fotografë profesionistë në një furgon. Bashkë me të përfaqësues të Ministrisë së Kulturës. Një grua që e kisha pas, filloi komentet gjithë naze. ‘Ta dija, nuk vija. Kjo rrugë qenka e tmerrshme”. Ndërsa shoqja e saj, rreth të 50-tave, fliste me zë të lartë dhe me një gegnishte të fortë, që vinte fuqishëm deri në veshët tanë me pahir. Shpesh krahasonte vendin nga vinte dhe rrugët e asaj krahine me rrugët që përshkonim me furgon me nxitim e sipër. Shënonte ora rreth 12:00; vapa nisi, por edhe retë ishin të mbushura me zemërim saqë disa herë ia behte ndonjë pikë shiu në xhamin e parë të furgonit tonë të palarë. Fotografi i parë nisi fotot dhe debatin me shoferin beratas. “Po ti freno pak o burr i dheut, se këto pamje janë të bukura, duam t’i fotografojmë”, dhe herë pas here thoshte: “Eh Shqipëria ime”. Ndërsa shoferi, me qetësinë e tij ia kthente: “po pse ere, sa herë të shikosh ndonjë gjë të bukur ti do ndalojmë ne? Ne nesër vemi kështu si thua ti”. Makina gulçonte nga gropat e shumta; shoferi, i vendosur për të mos e ulur shpejtësinë…. Pasoja erdhi shumë shpejt: dy grave nisi t’u trazohej. Teksa ndaluam paksa për të marrë ajër, fotografët nisën shkrepjet. U nisëm sërish… Filloi diskutimi për Enver Hoxhën. “T’i kishte investuar paratë që bëri bunkerët për Shqipërinë, sot do të ishim më të zhvilluar”, – tha dikush aty pranë. Fotografi që kisha afër filloi të tregonte histori që kishte përjetuar si emigrant vite më parë. Iu afruam Poliçanit. Rruga vijonte e dëmtuar deri në palcë. Diskutimi, më tej u zhvendos për fabrikën e demontimit të armëve. Ndërsa gjatë gjithë rrugës shikoje pllaka guri të paketuara që ishin gati për t’u shitur. Dukeshin si një ushtri e shpartalluar, çdo 1 kilometër kishe vende që shiteshin, ndërsa mali nga nxirreshin ishte bërë si hoje bletësh nga shfrytëzimi pa kriter. “Ky biznes, – foli fotografi, – është mjaft fitimprurës. Por duhet të jesh në pushtet që ta bësh, se ndryshe nuk ia del dot. Komandanti e ka këtë zonë si tokë të babës së tij, bën ç’të dojë”, – tha skraparlliu-gazetar që kishim në furgon. Sakaq, copat e gurëve që kishin dalë tepër nga prerjet uniforme që kërkonin klientët kishin mbushur anët e rrugëve. Dikush në furgon tha se “një person me krah, në malin e shpartalluar që askush nuk e bën publik problemin, mund të nxjerrë deri në 20 mijë lekë të ardhura në ditë, por është e vështirë mbartja deri në rrugën kryesore”. Donim të ndalonim. Shoferi vijonte ritmin duke na përkundur gjithnjë e më shumë në atë rrugë të vështirë e me kthesa, por sigurisht, edhe me gropa shoqëruese të pandashme. Ndaluam në Bogovë. Me të zbritur mësova për Zalon e zonës. Historia ishte e thjeshtë: Zalo ‘mashtronte’ bashkëfshatarët dhe u merrte të ardhura, me argumentin se i hidhte te një nga vendet e shenjta që ndodhej në atë zonë. Duket se ky argument që dëgjova ishte i ‘vërtetë’. Një ndërtesë 3-katëshe me mbishkrim u shfaq bukur para nesh. Zalon na e paskëshin nxjerrë edhe disa emisione televizive për këtë të pabërë, para do kohësh, dhe tani njihej si ‘Zalua i emisionit’. Në Bogovë, fjala e parë e kamerierëve-pronarë ishte kukureci, përsheshi dhe mishi i qengjit. Nuk kishim si të mos provonim kukurecin te Zaloja, me lokalin fare pranë Osumit. Ndërtesa e Zalos ishte e bukur dhe me stil. Investimi vazhdonte. Nga uji i bollshëm i Bogovës furnizohej gjithë Berati, tubacionet e shtrira dukeshin prej së largu. Ora kishte shkuar rreth 13:30. Ishim vonë për në vendin ku do të niseshim për të bërë Rafting, në Ambull. Me ne në furgon erdhën dhe disa djem, të cilët do të ishin mësuesit tanë gjatë udhëtimit me gomonet me ngjyra, por për këta instruktorë të certifikuar vonë e mësuam. Padurimi nisi të shtohej; disa e kishin nga lodhja, disa nga përzierja. Një tabelë e kuqe me mbishkrimin “LSI” u shfaq përpara nesh. Ishte hyrja për në Çorovodë. Qytet i ndërtuar sa pranë Osumit, po aq edhe në kodrën-mal përbri. Papunësia duket qartë. Fotografi fiksoi në aparat në katin e 4-rt të një pallati, 5 gra dhe një burrë, që rrinin në të njëjtin ballkon me gjysmën e trupit jashtë ndërtesës. Ndërsa kolegu ynë na kujtoi një këngë për Çorovodën. Teksti i shkëputur nga konteksti ishte: “Çorovoda anës lumit, pi raki dhe futja gjumit”. Më tej ndalesa e radhës ishte një vend që banorët e zonës e cilësonin të shenjtë. Ishte teqeja që mbante emrin “Gjurma e Abaz Aliut”, ndërsa 20 metra më tutje ishte “Vrima e Nuses”. Kjo e fundit kishte një histori domethënëse. Një nuse e re, e cila udhëtonte me kalë nga një fshat në tjetrin, nuk dëshironte të martohej me burrin që i kishin gjetur dhe rrugës u hodh nga kali dhe sipas legjendës u hap shkëmbi dhe e përpiu… Ajo përfundoi e vdekur në lumin Osum. Kjo histori jo pak e trishtë, të paktën kështu na u shpjegua nga djemtë e zonës që iu bashkuan udhëtimit tonë, por edhe nga kolegu nga Skrapari. Kanionet u shfaqën magjishëm para nesh. Përnjëherësh vërshuam drejt zonës së ndaluar, drejt humbëtirës, për të parë fundin dhe ngjyrat që ofronte ajo pjesë e kanionit shekullor. Kanionet rrinin lavdishëm para nesh, fotot nuk reshtnin, as pasthirrmat e gëzuara të kujtdo që i shikonte për herë të parë. Rruga prej aty kishte filluar të rikonstruktohej, ose më saktë, të shtrohej rishtazi, falë edhe lobimit të bërë për zhvillimin e kësaj zone në Kryeministri nga ata që ushtrojnë rafting dhe ata që duan që kanionet të jenë pasuri e brezave të ardhshëm. Makinat që punonin na hapën rrugën për të kaluar. Duket se e kishin me nxitim. Pak minuta më vonë mbërritëm te zona nga e cila duhej të nisnim udhëtimin me ‘gomone’ në Osum. 13 kilometra do të ishte rafting-u që do të ushtronim me 5 gomone dhe me veshje të sigurta në plot kuptimin e fjalës. U pajisëm me mjetet që duhej të kishim për vozitjen dhe rrëmimin dhe gjithë ankth prisnim nisjen. Zamoja nis prezantimin. Ishte presidenti i Federatës Shqiptare të Rafting-ut. E kishte përvetësuar këtë sport aventure në emigrim para do vitesh dhe kishte vendosur të kthehej në vendlindjen e tij, me kanione, dhe e kishte parë lumin Osum, më se përshtatshëm për këtë sport. Zamoja na shpjegoi të gjitha teknikat, por edhe rreziqet që duhej të dinim. Me rëndësi ishte puna në grup. Rrëmimi nëpër Osum do të bëhej me urdhër të instruktorit të certifikuar ose mësuesit, si na pëlqente ta thërrisnim si grup. Aty mësuam se Shqipëria kishte një skuadër kombëtare Rafting-u. Europiani i radhës do të zhvillohej në Bosnjë dhe shpresat ishin të mëdha për një vend nderi. Zamoja mblodhi grupin e tij dhe u dha këshillat për çdo manovër apo lundrim ku lumi ishte mjaftueshëm i mbushur me ujin e përrenjve, që shiu i kishte egërsuar një ditë më parë. Fillimi i udhëtimit nisi me disa britma që skuadra e profesionistëve lëshoi para hipjes në gomone. Pak metra larg nesh, një ekskavator dhe një makinë e tonazhit të rëndë. Krahas rrëmimit që do të bënim ne me lopata në Osum, ata po rrëmonin me kovën modeste të ekskavatorit ato pak inerte që lumit i kishin ngelur në atë zonë. Situatë e trishtë… Gomonet nisën lundrimin njëra pas tjetrës. Instruktori nis urdhrat, paraaaa… stoppp… mbrapa, tani fort…. Nisëm të qeshnim. Erdhëm për rafting, por nuk e menduam kështu. Nuk donim urdhra edhe për një lundrim turistik, por shumë shpejt kuptuam se situata duhej të merrej seriozisht. Ujëvara e parë e magjishme bëri të ndalnim lopatat kur mësuesi na thoshte “përpara”… Dolëm në një breg dhe nisëm soditjen e bukurisë së parë mes kanioneve, që kishin lartësi që varionin nga 50-100 metra. Ky sport ushtrohej nga muaji shkurt dhe deri në muajin qershor. U realizua dhe demonstrimi i parë, ku tregohej se nëse një prej anëtarëve të skuadrës binte në lumë, instruktori me litarin që e mbante gati të vinte në ndihmë, megjithëse jeleku që kishim veshur ishte mëse i sigurt. Ujëvara e dytë, akoma më e lartë dhe më mbresëlënëse. Sërish ndaluam. Ora ecte, ne nuk lëviznim, vetëm vlerësonim bukuritë që kemi dhe nuk i njohim. Në mesin e udhëtimit tonë ishte dhe surpriza më e bukur. Uji qetësohej dhe futej në një hulli shkëmbinjsh të ngushtë. Thellësia e ujit arrinte 12 metra, gjerësia e kalimit të gomoneve të kushtueshme ishte nga 1.5 deri në 1.8 metra, ndërsa lartësia e kanionit, rreth 100 metra. Përrallore! Gomonet u renditën njëra pas tjetrës dhe nisën të bëheshin një lokomotivë e vërtetë. Nisi kënga. ‘Neve jemi grupi i parë që bëjmë rafting në Skrapar… Ne jemi skuadër me zemër, kapitenen e kemi femër (Blerina Ago). Përreth 15 minuta kanioni i ngushtë dhe i thellë ishte streha jonë. Zërat oshtinin duke krijuar një kor harmonik që lajmëronte dhe njoftonte për Koloradot e Europës, të lashtë më shumë se 3 milionë vjeçarë. Ndihemi të mikluar nga kjo bukuri, që duket sikur e zbuluam ne të parët. Euforikë, por të paqtë, ecim përpara ku mësuesi na tregon çdo objekt prej guri që me kalimin e kohës kishte marrë forma të përafërta me shumë gjëra që hasim përditë, si sanduiçi, kupola e kishës, krokodili, syri vëzhgues, por edhe ujëvara e shampanjës. Brezat duhet të ndihen me fat për këtë dhuratë, gjithmonë nëse ne do të dimë t’i ruajmë nga dëmtuesit me kollare që duan të bëjnë hidrocentrale. Në përfundim të 13 kilometrave bëmë bilancin e kohës. Kishim kaluar rreth 5 orë vozitje dhe soditje nëpër kanion. Mësuesi më në fund dha vlerësimin. ‘Femrat janë më mirë se ju’, na tha ne meshkujve, ndërsa njërit prej djemve në gomonen tonë iu drejtua me të qeshur: “Ti e mbaje lopatën si lugë supe”. Kjo shkaktoi të qeshura dhe mjaft freski, por udhëtimi sapo kishte mbaruar. Shkëmbi që lajmëronte përfundimin e udhëtimit na lejoi të hidheshim dhe të kridheshim në ujërat, megjithëse të turbullta, por çudibërëse të Osumit. Kthimi në Berat, makth më vete. Vozitja dhe përkundja nisi, por këtë herë jo në ujë, por në makinë, nga rruga shkatarraqe dhe e lodhshme. Berati i përgjumur shfaqej magjishëm, me drita të forta, por pak njerëz. Kalaja madhështore ofronte shumë. Ajo çfarë pamë të nesërmen ishte mrekullia me të cilën ky qark krenohej. Kalaja dhe muzeu “Onufri”, me afreske dhe piktura të Onufrit e të bijve, të bënin ta doje edhe më shumë Shqipërinë tonë të panjohur. Destinacioni i çdo shqiptari nuk ka si të mos jenë një herë në jetë Koloradot e Europës dhe krenaria që të ofron Kalaja e Beratit. Shqipëria ofron shumë, varet se çfarë duam ne. Nise udhëtimin tënd nga Shqipëria jote. www.albrafting.com; klikoni dhe do të gjeni gjithçka për këtë guidë turistike, të sigurt dhe plot adrenalinë.

 

Nga: Mariglen Mërtiri

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu