Komuna vendos për rinisjen e procesit mësimor

0
107

Prishtinë, 10 shkurt – (E plotësuar)Drejtori i Arsimit në Komunën e Prishtinës, Jusuf Thaçi, ka thënë se mësimi do të fillojë në të gjitha institucionet arsimore në Prishtinë, me përjashtim të shkollës “Meto Bajraktari”.

Sipas tij, ky vendim ka ardhur nga vet Kryetari i Komunës, Shpend Ahmeti, pas një mbledhjeje të mbajtur në Komunën e Prishtinës.

“Me të marrë shkresën nga Instituti Kombëtar për Shëndet Publik (IKSHP), Komuna e Prishtinës ka mbajtur një mbledhje urgjente dhe pas kësaj kryetari Shpend Ahmeti ka marrë vendim që të gjitha institucionet edukativo-arsimore dhe aftësuese të Komunës së Prishtinës fillojnë mësimin nesër, me përjashtim të shkollës Meto Bajraktari, meqë aty instituti ka konstatuar se duhet të riparohen disa defekte teknike, meqë ndjehet erë nafte”, ka shkruar Thaçi në Facebook.

“Për një vendim të tillë ne i kemi pritur zyrtarët e MASHT-it prej orës 15:41 deri në 16:26. Meqë ata nuk kanë ardhur, atëherë kryetari e ka nënshkruar vendimin për fillimin e procesit edukativo-arsimor dhe komunikata ju ka shkuar mediave para orës 17:00”, ka theksuar më tej drejtori i Arsimit, Jusuf Thaçi.

17:07-Komuna dërgon mostrat e naftës për super-analizë jashtë vendit

Prishtinë, 10 shkurt –  (E plotësuar)Komuna e Prishtinës ka marr përgjigjen nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në lidhje me cilësinë e naftës së përdorur për ngrohje në shkollat e Prishtinës.
Në përgjigjen që Komuna e ka pranuar nga IKSHP, thuhet se instituti NUK ka dhënë vlerësim të niveleve të squfurit dhe efektet potenciale në shëndet.
“Instituti nuk ka dhënë as edhe analizën më të vogël për vlerat e lejuara të squfurit në ambiente të tilla pa filtra dhe makina përkatëse për djegien e vajrave”, thotë Komuna e Prishtinës.
Ndër të tjera, Instituti ka konstatuar se sipas analizave nga laboratorët se lënda nuk është naftë sipas nenit 7 të udhëzimit administrativ 17/2012, por është vaj për djegie.
“Instituti ka konstatuar se në këto tri shkolla ( Sh. F. AsimVokshi, Sh.F. Meto Bajraktari dhe Gj. Sami Frashëri) rezervuarët janë të mbyllura dhe NUK mund të kontaminojnë ajrin në klasa dhe se po të njëjtat makina nuk kanë filtrat e nevojshëm, por megjithatë oxhaqet janë të larta mbi nivelin e shtëpive”, thuhet në njoftimin e Komunës së Prishtinës.
Në fund, Instituti ka dhënë rekomandime për Komunën të cilat kanë të bëjnë me riparimet e nevojshme në shkolla.
E në bazë të kësaj përgjigje, Komuna e Prishtinës do të ndërmarrë këto hapa:

1.    Komuna e Prishtinës do të kërkojë vlerësim shëndetësor të nivelit të lartë të squfurit në motorë pa filtra dhe që përdorin naftë, nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe nga organizata tjera ndërkombëtare.

2.    Komuna do të vazhdojë marrjen e mostrave nga të gjitha shkollat, dhe po ashtu disa nga mostrat e kontaminuara do t’i dërgojë për super analizë jashtë vendit për të vërtetuar se në produkti i cili blihet si naftë me vlera 10 ppm të arrijë vlera të squfurit deri në 700 ppm. Komuna do t’i ndihmojë autoriteteve zbulimin e krimit potencial ekonomik ku komuna e Prishtinës është dëmtuar në vlera që arrijnë mbi 1 milion Euro.

3.    Në shkollat ku rezervuarët janë në hapësira të mbyllura do të rifillojë mësimi në bazë të përgjigjes së Institutit Kombëtar të Shëndetësisë ku përgjegjësinë për këtë e merr Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik dhe komisioni i ekspertëve të Institutit.

4.    Në shkollat ku rezervuarët janë në hapësira të hapura dhe në kontakt me nxënësit nuk do të përdoret ngrohja përderisa nuk bëhet ndërrimi i naftës së kontaminuar dhe pastrimi aty ku është e nevojshme. Nafta e zbrazur do të dërgohet për analiza jashtë vendit.

5.    Ndalohet përdorimi i gjeneratorëve derisa të bëhet zëvendësimi i naftës së kontaminuar me naftë tjetër.

6.    Për shkak të vlerësimit se në Shkollën “Meto Bajraktari” vërehet një erë nafte, mësimi në këtë shkollë nuk rifillon derisa të bëhet riparimi i defekteve teknike.

7.    Komuna e Prishtinës do të kontaktojë zyrtarisht me Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor në lidhje me kontaminimin e ajrit për shkak të përdorimit të ndaluar të vajrave.

“Komuna e Prishtinës edhe njëherë dëshiron të ritheksojë se shëndeti dhe siguria e qytetarëve janë prioriteti i parë. Komuna nuk do të ndalet deri në zbardhjen e plotë të çështjes së përdorimit të naftës jashtë standardeve”, thuhet në njoftimin e Komunës së Prishtinës.

Komuna e Prishtinës i bën thirrje shoqërisë civile, mediave dhe subjekteve politike të kërkojnë përgjegjësi për cilësinë e karburanteve në Kosovë, sepse mungesa e kontrollit dhe menaxhimit dëmton shëndetin publik.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu