Komunistët Titistë në Kosovë

0
162

Në prill të vitit 2010, deputeti i PDK-së,  Nait Hasani, pati ushtruar kallëzim penal në Prokurorinë e Qarkut të Prishtinës dhe në atë të EULEX-it, drejtuar kundër disa ish-zyrtarëve shqiptarë të regjimit të  ish-Jugosllavisë, të implikuar në krime kundër njerëzimit, si  dhe për gjenocid të ushtruar kundër shqiptarëve liridashës të Kosovës, të cilët janë vrarë, janë masakruar dhe zhdukur gjatë kohës së regjimit jugosllav. Në mesin e atyre që janë përgjegjës për këto krime, deputeti Nait Hasani kishte evidentuar këta zyrtarë të lartë titistë e rankoviqistë, shumica syresh të vdekur, disa të tjerë të vdekur për së gjalli si: Fadil Hoxha, Sinan Hasani, Dushan Mugosha, Ali Shukriu, Rexhai Surroi, Imer Pula, Veli Deva, Xhevdet Hamza, Xhavit Nimani, Sahit Zatriqi, Mehmet Maliqi, Mehmet Shoshi, Jusuf Karakushi, Mahmut Bakalli, Azem Vllasi, Remzi Kolgeci, Rrahman Morina, Jusuf Zejnullahu, Hashim Rexhepi, Metë Kuçi, Mehmet Lumi, Hasan Mehmeti, Ibush Kllokoqi, Nazmi Mustafa, Xhemshit Duriqi, Hazër Susuri, Nikë Lumezi, Miftar Jasiqi, Hilmi Zhitia, Rexhep Haxhimusa dhe Vesel Latifi. >>>

 

I vetmi deri tash nga të gjallët, që u është përgjigjur akuzave të deputetit, Nait Hasanit me një kundër padi, në Gjykatë, është gazetari i përbetuar i dikurshëm dhe diferencuesi i zellshëm i gazetarëve në Rilindje,  gjatë viteve  80-të, Zenun Çelaj, i cili  kërkon  nga deputeti, Hasani që faktet kundër tij t’i paraqesë para një gjyqtari. Nëse këtë nuk e bën, ai kërkon që ligji ta thotë fjalën e vet duke e shpallur fajtor Nait Hasanin dhe avokatin e tij, Bajram Krasniqi, për shpifje dhe fyerje.  Kjo “vakia” më e frikshme  e Kosovës na përkujton atë anekdotën e shtëpiarit,  që e kishte zënë hajnin, por nuk e mbante dot. Dikur ishte pajtuar ta lëshonte, por hajni tashmë iu kishte kërleshur dhe nuk e lëshonte, duke e akuzuar përse kishte marrë guxim dhe e kishte  kapur për fyti.

Ish dhe tani Prokurori i vetëm, i cili asokohe kishte shfaqur gatishmëri të përballet me faktet dhe ligjin, është  Hilmi Zhitia. Të tjerët,  nga mesi i të gjallëve nuk u ndien për së gjalli, të vetëdijshëm se ka kush i mbron, ka kush shkruan libra për ta, ka kush iu jep medalje e iu ndan merita për së gjalli e për së vdekuri dhe ka kush organizon edhe ceremoni shtetërore, mortore e postmortore me rastin e vdekjes së tyre edhe fizike.

Deputeti, Nait Hasani, me nismën e tij të drejtë në aspektin kombëtar,  asokohe kishte marrë përkrahjen e opinionit liridashës të Kosovës, por jo edhe përkrahjen e bashkë-partiakëve të tij, por as të bashkë-deputetëve aktualë të Kuvendit të Kosovës. Si do të mund të kalonte një propozim i tillë, sado i drejtë dhe sado human, kur titistët, ata vetë, si dhe bijtë e bijat e tyre udhëheqin  shumicën e institucioneve të Kosovës, sidomos institucionet që kanë të bëjnë me sigurinë, krimin dhe drejtësinë?

Pavarësisht nga kjo, nisma e deputetit, Nait Hasani ishte një sfidë që iu bëhej institucioneve të Kosovës për të parë përmbajtjen kombëtare të tyre, për t’u bindur në prejardhjen ideologjike dhe përgjithësisht për të bërë një “matje” të nivelit të “moralit” kombëtar të zyrtarëve të lartë të shtetit, të cilët nuk po shkëputen dot nga nostalgjia e tyre bastarde, as edhe nga Serbia, e cila disponon të dhëna jo vetëm sekrete lidhur me klasën aktuale politike, aktualisht poltrone ndaj BE-së, sikur ishte klasa dhe paraklasa e tyre, poltrone ndaj Beogradit.

Titizmi, si ideologji dhe praktikë e bashkëjetesës dhe hibridizimit  të kombeve e kombësive në ish-Jugosllavi tani po rikthehet në formën e multietnicitetit, i  akomoduar në Kosovë me planin famëkeq dhe antishqiptar të Marti Ahtisarit.

Këta 30 e më shumë emra të përmendur, për bashkëfajtorë në krime kundër shqiptarëve, në nismën e deputetit, Nait Hasani na përkujtojnë radhën e dytë me 300 emra të tjerë, radhën e tretë me 3000 e kështu me shumëfishim të shifrave… Ata emra na sjellin në kujtesë  edhe 30 e më shumë dëshmitarët e mbrojtur të EULEX-it, 30 e më shumë dëshmitarë të Dik Martit, të cilët  qind për qind rrjedhin nga ky gjak i përzier dhe kanë të njëjtën ADN politike e antikombëtare me  prindërit tyre me kumbarët e “pobratimët” e tyre serbë, pa çka se mund të kenë edhe kodin e njëjtë gjenetik.

 

Redaksia: Zëri i Kosovës

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu