Koncesione Serbisë, në këmbim të dosjeve

0
230

Edhe më herët kanë thënë se nuk hyjmë, nuk e bëjmë dhe nuk e pranojnë, por kanë hyrë, kanë bërë dhe kanë pranuar. Para ‘këmbënguljeve’ të reja qeveritare ndodhet përvoja e vjetër qytetare me ta. Kur ‘këmbëngulin’ rishtas, këta qeveritarë duan të na thonë se kësaj radhe është ndryshe, se do të jenë të ndryshëm prej asaj qysh jemi mësuar me ta: se do të na befasojnë neve, se do ta befasojnë edhe Brukselin. Kundërshtimet e pasinqerta dhe jokategorike të qeveritarëve kosovarë ndaj trysnisë ndërkombëtare rregullisht bëhen kontribut në rritjen e asaj trysnie që e përjetojnë ata. Fuqia dhe ‘rezistenca’ po futen në një vorbull të cilit i shihet e i dihet fundi. Mirëpo, a ka qenë pranimi i dialogut politik për veriun nga Qeveria e Kosovës pranim pavarësisht agjendës së dialogut? Po dhe jo. Po, sepse këta qeveritarë janë të kushtëzuar dhe pranojnë pa kushte. Jo, sepse këta qeveritarë i kanë thënë PO agjendës së dialogut edhe para se t’i thonë PO vetë dialogut politik. Nuk është pra se këta qeveritarë shkojnë në bisedime me Serbinë dhe aty pastaj caktohen temat, aty marrin pjesë këta në përcaktimin e agjendës. Jo, sepse më parë është caktuar agjenda e dialogut politik dhe është arritur pajtimi për të dhe vetëm mandej është lançuar publikisht dialogu politik e u bë pranimi i tij. Nga pikëvështrimi i qytetarëve duket se dialogu politik i paraprin agjendës së dialogut, mirëpo realiteti këtu është si te një ‘camera obscura’: bisedimet jopublike para këtij dialogu e për këtë dialog të Baroneshës Ashton e këshilltarit të saj, Robert Cooper, me kryeministrat Thaçi e Daçiq, tashmë e kanë përcaktuar agjendën e dialogut dhe pikërisht për këtë arsye, tani së fundi, u bë publike ideja dhe nisma e dialogut politik. Nëse këta paraprakisht nuk do të merreshin vesh për agjendën e dialogut, fare nuk do të arrinte në publik ideja e dialogut dhe as nisma për të. Dialog me konsensus a pa konsensus? Me transparencë a pa transparencë? Me këtë temë a pa atë temë? Me platformë a pa platformë? Me strategji a pa strategji? I përgatitur mirë apo i papërgatitur? Kurrfarë rëndësie praktike s’kanë këto gjëra. Mbiemrat e ndajfoljet vetëm sa shërbejnë për ta legjitimuar dialogun si të tillë. Përderisa e kemi këtë qeveri, në rrugë plotësisht të gabuar dhe me njerëz krejtësisht të shantazhuar, nuk mund ta shpëtojmë veriun, KEK-un, PTK-në e Trepçën. Këta qeveritarë nuk mund t’i ndihmosh si politikan dhe këta qeveritarë nuk mund të na ndihmojnë si qytetarë. Dialogu Kosovë-Serbi është interes i Serbisë dhe nevojë e Qeverisë së Kosovës. Serbia përfiton koncesione të vazhdueshme përderisa nuk na njeh dhe i intensifikon politikat antishqiptare, ndërsa Qeveria e Kosovës mbijeton duke i bërë koncesione Serbisë dhe duke i shitur ndërmarrjet publike, sepse kësisoj nuk ua hapin dosjet. E megjithatë kjo paraqet një fazë të re. Sepse bisedimet me Serbinë tash do të jenë për Veriun e Kosovës, ndërkohë që atje erdhi në pushtet koalicioni nazifashist midis Nikoliqit dhe Daçiqit. Dhe, për shkak se privatizimi tash do t’i kafshojë resurset kryesore strategjike të Kosovës si KEK-un, PTK-në e Trepçën ndërkohë që udhëheqësi i Agjencisë së Privatizimit, Dino Asanaj, kinse kreu vetëvrasje. Përderisa në Prishtinë po kriminalizohet politika, në Veri të Kosovës po politizohet krimi…

 

Shkruan, Albin Kurti

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu