Konspiracioni francez kundër Ali Pashës

0
522

ali-pasha

Më 1807, ushtritë e Bonapartit marshonin triumfalisht nëpër territoret e Evropës lindore dhe perëndimore. Po kaq glorioze zbrisnin ato edhe mbi jugun e kontinentit, në territoret e Italisë. Mandej ato kapërcenin Adriatikun dhe Jonin dhe vendoseshin në Shtatë Ishujt e Jonit; Lefkadhë, Zaqintho, Santa Maura, Korfuz, etj., duke u afruar buzë brigjeve të Ballkanit Perëndimor.

Afrimi i trupave franceze, për herë të dytë, pranë brigjeve të Pashallëkut të Janinës si dhe marrja prej tyre e bazës së rëndësishme ushtarake të Prevezës, brenda në territoret e Pashallëkut të Janinës, evidentoi qartë se kërcënimi i Bonapartit po trokiste tek porta. Ekspansioni francez, ashtu siç u shtri në brigjet veriore të Ballkanit, apo siç e thërriti Bonaparti “Dalmacinë Ilirike”, filloi të kërcënonte për të derdhur barut e zjarr edhe mbi vetë Janinën!!! Padyshim, shqetësimi dhe bashkë me to mobilizimi i Pashait të Janinës për të reaguar ndaj tërë shpurës së ushtarakëve, misionarëve dhe spiunëve të shumtë francezë që bridhnin në afërsi të brigjeve por edhe brenda territorit të pashallëkut, ishte rritur maksimalisht.
Pak vite më parë Aliu kishte goditur dy bazat e tyre ushtarake në Butrint e në Pargë dhe kishte përgjakur keq francezët, duke paralajmëruar kështu fort se synimet e tyre do të qenë me pasoja të tmerrshme në se do të tentonin territoret kontinentale të Pashallëkut të tij. E menjëhershme qe pakënaqësia dhe reagimi i Ali Pashës edhe ndaj këtij invazioni të dytë, që francezët ndërrmorën ndaj ishujve Jonianë dhe zbritjes së tyre në bazat e steresë së pashallëkut, për të parandaluar çdo intrigë dhe veprimtari që do të destabilizonte situatën dhe do t’u hapte portat francezëve për t’u derdhur në ato anë.

Konspiracioni i francezëve kundër Ali Pashës

Ndërkohë, shtabet ushtarake franceze, me qendër në Korfuz, nën drejtimin e Guvernatorit të Përgjithshëm te Shtatë Ishujve, Besjerit dhe Gjeneralit Çezare Bartje, që dinin fare mirë qëndrimin kundërshtues të Ali Pashës, kishin filluar përgatitje konspirative, duke shfrytëzuar elementin e pakënaqur si dhe të gjithë pashallarët e tjerë fqinjë, kundërshtarë të vendosur dhe rivalë pushteti dhe territoresh të Tepelenasit. (Boppe, August; “Napoleoni dhe Ali Pasha”, Globus R,, Tiranë 1999 , f. 46…)
Dhe vërtet, nuk do të vononte koha, kur ushtarakët francezë do të fillonin veprime për të mobilizuar dhe organizuar në një “Aleancë” të gjithë Pashallarët dhe Agallarët, nëpër territoret rreth apo brenda pashallëkut për përmbysjen dhe vrasjen e Ali Pashës.
Mustafa Pasha i Delvinës dhe vëllai i tij Sadik beu, Bejlerët dhe Agallarët e njohur Pronio, Kokajt, Dostët, bashkë me ta dhe në krye të tyre Pashai i Beratit – Ibrahim Pasha e shikonin të favorshëm këtë rast, prandaj dhe ky i fundit dërgoi në Korfuz sekretarin e tij për t’u lidhur me francezët. Dhe padyshim francezët që kishin filluar përgatitjet me kohë, u dhanë Mustafa Pashës dhe Ibrahim Pashës, veç të tjerave, një mbështetje të madhe financiare për mobilizimin e njerëzve dhe organizimin e Aleancës. Shumat, që shtabi ushtarak francez ofroi për të dy qenë marramendëse; 14 000 dhe 25 000 franga. (Boppe, Auguste; “Napoloni dhe Ali Pasha”, Letër e Besjerit 14 Korrik 1808., f. 59)
Aleanca shumë shpejt shtrihej drejt një organizimi aktiv dhe për një ofensivë të gjerë kundër Aliut e nxitur dhe e mbështetur në mënyrë sekrete nga francezët. Ajo fillonte nga Himara, Kseromeri, Çamëria, Berati, Kardhiqi, etj.
“Është e domosdoshme që e gjithë kjo lëvizje të ruajë një karakter “thjesht vendas” – shkruhet me shumë rafinesë, në korrespondencën që Parisi u dërgonte ushtarakëve të saj në Korfuz, me qëllim që të fshinin gjurmët e veprimtarisë së tyre të pistë në punët e pashallëkut dhe të sovranitetit të tij. “Në fakt dy gjeneralët francezë Donzelo dhe Besjer duhet të jenë “shpirti dhe motori i padukshëm”, i vërtetë, i këtij aksioni,” – shkruajnë planet e kësaj veprimtarie konspirative që miratonte shtabi i luftës franceze. “Pushteti i tij (Ali Pashës) duhet të shembet si vetvetiu… të mbahen të grumbulluar dhe të organizuar të gjithë armiqtë e Aliut që të veprojnë kundër tij, kur të vijë çasti …” (Letër e Besjerit – 14 Korrik 1808 – August Boppe “Napoleoni dhe Ali Pasha”, 59.)
Nisur nga fakti që barriera kryesore për avancimin e trupave franceze në këto anë të Ballkanit jugor ishte Ali Pasha, ai duhej të ishte edhe objekti kryesor i goditjes.
Pikërisht, për këtë arsye, së fundmi, urdhrat e ardhura nga shtabet e luftës së Parisit për ushtarakët francezë të Korfuzit, këto kohë konkludonin: “….Është koha për gjetur mjetet e efektshme, për të hequr qafe një fqinj kaq të mërzitshëm dhe kaq të rrezikshëm…” (A.E. Dosja “Janina”, Korrespondencë; Besjeri- Shamoanjit, 14 Maj 1808)
Shihet qartë që veprimtaria e fshehtë franceze synonte hapur eliminimin fizik të Ali Pashës, kësaj pengese serioze që frenonte realizimin dhe avancimin e synimeve të tyre ekspansioniste.
Po a dinte vallë Ali Pasha se ç’po gatuhej, çfarë përgatitej nën rrogoz nga francezët dhe kundërshtarët e tij të egër kundër tij?
Nga të gjithë autorët që kanë shkruar për Pashain, biografë apo studiues, nga të gjitha botimet e këtyre dyqind viteve askush nuk di dhe nuk na thotë gjë rreth këtij fakti!
Gjer para pak muajsh, kur dokumentet e Arkivit të Ali Pashës qëndronin të mbyllura, askush nuk mund të fliste me siguri nëse Pashai dinte gjë rreth planeve dhe veprimeve të fshehta të francezëve! Askush nuk mund të pohonte nëse kishte ai dijeni për planet, konspiratorët, ndërlidhësit, krerët kryesorë, ku do të fillonte goditja, nga vinin kërcënimit etj !!!??? Çuditërisht!, tani që kemi në dorë dorëshkrimet e këtij Arkivi, të publikuara pak më parë, mësojmë fakte tepër interesante! Nga këto dokumente del qartë se Ali Pasha ka pasur informacione pothuaj të plota, që e vinin atë në dijeni rreth përgatitjeve sekrete të kundërshtarve të tij, rreth organizimit të tyre nën drejtimin e francezëve dhe pleksjen e shtabeve bonaparteske për përmbysjen dhe vrasjen e mundshme të Ali Pashës.
Duke iu referuar dokumenteve të këtij arkivi, ndër të tjera gjejmë disa informacione të shkruara, të cilat e vënë në dijeni Ali Pashën për shumë lëvizje të dyshimta, kontakte, marrëveshje dhe mbledhje të Aleancës konspirative si dhe planet e tyre kundër tij.

Dokumenti i parë

Në vëllimin e dytë të dokumenteve të “Arkivit të Ali Pashës” gjendet një informacion që Mustafa Ibro, njeri i besuar, ushtarak në shërbim të Ali Pashës, i shkruan këtij të fundit duke e vënë në dijeni se së bashku me një tjetër ushtarak në shërbim të Aliut, Mustafa Xhekën kanë ndeshur në rrugën që lidh Çamërinë më Beratin një korrier të fshehtë. Pas bisedave me të, ata i kanë dhënë korrierit, Myftar Tukë – Nivicës treqind groshë flori. Në këmbim të floririt të dhënë, ky i fundit u ka dorëzuar ushtarakëve të Ali Pashës dokumente shumë të rëndësishme, që bëjnë fjalë për marrëveshje të fshehta dhe plane mes pashallarëve kundërshtarë për të goditur Ali Pashën. (“Arqeio Ali Pasa”, Instituto Neoelinikon Spudhon”, Athina 2007, Vol. II, f. 8)
Nga përmbajtja e letrës del qartë që korrieri, Myftar Tuka duhet të jetë kapur në rrugën Delvinë-Berat, por natyrisht jo në rrugën legale dhe të njohur të kalimeve urbane, pasi një korrier i fshehtë që mban mesazhe të tilla nuk mund ta bënte një gabim të tillë, pasi duhej të ruhej nga ekspozimet para kalimtarëve. Aq më tepër ai e dinte se në këtë rrugë banonin qytetarë të cilët ruanin simpati dhe marrëdhënie miqësore me Ali Pashën, zotin e tyre.
Letra mban vitin 1809, kohë në të cilën marrëdhëniet mes Aliut dhe Ibrahimit janë në pikën më të lartë të acarimit të tyre dhe intensiteti i veprimtarisë së francezëve dhe kundërshtarëve të tjerë të Aliut ka arritur kulmin e tyre. Letra që Mustafa Xheka i dërgon Aliut ndër të tjera thotë:
“I madhërishëm dhe i shumëndritshëm, Vezir Ali Pasha!
….përmes kësaj letre unë të bëj me dije se Myftar Tuka Nivicioti vinte me një letër nga Mustafa Pasha ( i Delvinës) nga Çamëria për të shkuar në Berat, tek Ibrahim Pasha. Ne vumë pas tij Myftar Xhekën dhe na e solli Myftar Tukën këtu me të gjitha letrat që ai kishte me vehte, të cilat i kishte shkruar Mustafa Pasha i Delvinës dhe Çamët. Për këto dokumente që ai na dha, ne i dhamë (“taksëm”) atij treqind groshë, një pisqollë dhe një kostum “skut”….” .(“Arqeio Ali Pasa”, Instituto Neoelinikon Spudhon”, Athina 2007, Vol. II, f. 7-8)
Megjithëse, në këtë dokument nuk jepet përmbajtja e letrave që janë kapur korrierit dhe çuar Ali Pashës, kuptohet qartë që në to shkruhet dhe komunikohet nga pjesëtarët e konspiracionit, apo siç i kanë emëruar francezët, pjesëtarët e “Aleancës”

Dokumenti i dytë

Një tjetër dokument i takon muajve të parë të vitit 1809. Ai është shkruar nga një agjent sekret i Aliut, i cili natyrisht nuk shënon poshtë emrin e tij, për të mos u identifikuar. Agjenti i Aliut duhet të jetë me shërbim dhe mision në kontrollin e rrugës Dhrimadhe (Dhërmi) – Berat, nga ku ai e dërgon edhe informacionin me shkrim për Pashain.
Përmes informacionit të tij, agjenti e vë në dijeni Ali Pashën se: Salibeu, mesazhmbajtës i grupit të kundërshtarve të Çamërisë, shkonte për në drejtim të Beratit, ku një tjetër Pasha vepron aktivisht kundër tepelenasit.
Për të kontrolluar edhe më tej dhe survejuar nga afër lëvizjet dhe destinacionion e këtij ndërlidhësi dhe mbajtësit të mesazhit, agjenti i Aliut ka dërguar pas mesazhierit, të nipin e tij, Kristo Karuzo.
Nga shkrimi dhe gjuha e përdorur në letër, studiuesit e saj, konkludojnë se autori i kësaj letre duhet të jetë nga fshatrat e Bregut të jugut të Shqipërisë. “Zoti të dhëntë ty jetë të gjatë.” Është shprehja që përdor letërshkruesi, çka nuk përdoret në idiomatikën greke. (“Arqeio Ali Pasa”, Instituto Neoellenikon Erevnon, Tomos B, 1809-1817 , Athina 2010, F. 12)
Aty, agjenti është informuar për marrëdhëniet e Ibrahim Pashës me Francezët. Pikërisht, për këtë ai sjell një informacion të çuditshëm. Ai flet për një ndihmë financiare që Ibrahim Pasha i dërgon Mustafa Pashës të Delvinës përmes Francezëve që këto kohë ndodhen në Korfuz.
“Zoti im! “
….Të bëj me dije se kaloi këtej Sali beu, nga Dhrima dhe shkonte për në Berat. Natyrisht, unë nuk mungova për të qënën në krye të punëve, në shërbimin tënd. Dërgova menjëhërë nga prapa tij nipin tim, Kristo Karuzon në Berat që ta mbikqyrë nga afër Saliun, ku qëndroi pesëmbëdhjetë ditë…. Pas kthimit, nipi më informoi se Ibrahim Pasha i Beratit do të bëjë Xhaferrin, (Pashën) krushkun e tij, pasha në Vlorë. Pasi rregulloi mirë punët me Francezët, Ibrahim Pasha dërgoi sekretarin e tij Anastasin, në Korfuz tek shtabi ushtarak francez me tetëdhjetë puja aspra si ndihmë për Mustafa pashën. Nga ana e tij shtabi francez do të dërgojë trupa në ndihmë të Mustafa pashës. Ky i fundit, Mustafai do të ketë në mbështetje edhe pak çamë…. Për shumë çështje të tjera po dërgoj aty të të informojë nipin tim Kristo Karuzo, … (i cili është kthyer nga Berati)…” (“Arqeio Ali Pasa” Instituto Neoellenikon Erevnon, Tomos B, 1809-1817, Athina 2010, F. 12)

Dokumenti i tretë

Ndërsa, në një tjetër letër, që një nga krerët e njohur të Çamërisë, Demir Dosti i dërgon Ali Pashës, e informon hapur për bashkëbisedimet e bëra nga agallarët e Margaritit të Çamërisë me Francezët dhe me Ibrahim Pashën e Beratit…. Ndër të tjera ai shkruan:
“… Erdhi sot këtu tek unë Memushi dhe me gojën e tij më tha se Margaritasit (qytezë shqiptare në Çamëri) kanë pranuar dhe rënë dakort në bisedime me Francezët dhe me Ibrahim Pashën dhe nëse do të mundnin do t’u bëjnë thirrje edhe të tjerve, më gjerë …. (kundër Ali Pashës). Në këto që të them nuk ka asnjë gënjeshtër…. Nëse do të duhet, këtu me vehte e kam Memushin dhe mund të ta dërgoj atje.. për hollësi të tjera” (“Arqeio Ali Pasa” Instituto Neoellenikon Erevnon, Tomos B, 1809-1817, Athina 2010, F.69-71)

Dokumenti i katërt
Një dokument i gjendur në arkivin e Ali PAshës është një letër e dërguar nga Konispoli, më datë 10 Korrik 1809, nga Qazim Xhumani për Ali Pashën. Në të thuhet se:
“… Hisli Beroku dhe Musai, djali i Hasan Çaparit erdhën nga Vagalati dhe qëndruan këtu për katër ditë rresht. Ata bisedonin me Hoxhë Markatin, i cili kishte mbërritur dhe i priste më parë tek Dajlani. Bisedat u bënë të fshehta dhe mbyllur…. dëgjova që thoshin se do të mbledhin shumë njerëz dhe pasi të bëhen të gjithë tok në Filat do të godasin…. të gjitha këto bëhen për të të gremisur (rrëzuar) ty… “ (“Arqeio Ali Pasa” Instituto Neoellenikon Erevnon, Tomos B, 1809-1817, Athina 2010, F.83-4)
Pra, nga dokumentet shihet qartë që Aliu ka marrë mjaft informacione për planet e kundërshtarëve të tij, lidhjet dhe veprimtarinë e tyre të përbashkët me Francezët; për ndihmat e mëdha në të holla që ata kanë marrë nga francezët; për vajtjen e sekretarit të Pashait të Beratit në Korfuz, pranë shtabit ushtarak francez dhe kontakteve me ta, etj.
Informacionet e arkivave franceze që bëjnë fjalë për planet e tyre kundër Aliut, duke i ballafaquar me dokumentet që ruhen në arkivin e Ali Pashës, vërtetojnë qartë se Aliu ka pasur dijeni të plotë për gjithçka përgatitej kundër tij.
Padyshim këto janë vetëm një pjesë e informacioneve që gjenden të ruajtura në Arkivin e Aliut mbi veprimtarinë konspirative të francezëve; me siguri ai ka pasur të tjera dokumente, të tjera informacione, gojore, konfidenciale; pohime nga të arrestuarit dhe informacione prej anglezëve gjithashtu. Sidoqoftë duket se Pashai ka pasur fare të qartë ç’gatuhej kundër tij.

Reagimi diplomatik dhe ushtarak i Aliut

Pikërisht, kur francezët intensifikonin përpjekjet e tyre për të realizuar një goditje të rëndë kundër Ali Pashës, ky i fundit kish filluar lëvizjet e tij me karakter politik, diplomatik dhe ushtarak. Mes hapave të ndërmarra ato kohë, kanë qenë; – afrimi i forcave dhe armatimit të tij ushtarak në afërsi të bazave franceze në Pargë dhe Prevezë; – kontaktet me përfaqësuesit ushtarakë anglezë, të cilët qenë kundërshtarë të vendosur të francezëve dhe – ndjekja e konspiratorëve në shërbim të francezëve, etj.
Francezët e frikësuar nga lëvizjet e Aliut duket se kanë marrë informacione nga agjentët e tyre dhe Pukëvili për mbështetjen ushtrake që britanikët i kanë dhenë atij. (“Arqeio Ali Pasa” Instituto Neoellenikon Erevnon, Tomos B, 1809-1817, Athina 2010, F.25)
Të tronditur pa masë nga një kundërreagim i mundshëm i Aliut kundër tyre, Komisari Perandorak i Napoleonit të Madh për Shtatë Ishujt e Jonit, Julian Bessiere, me datë 27 Shkurt 1809, i dërgonte këtë letër Ali Pashës:
“…. Këtu mësojmë lajmin për Paqen mes Turqisë dhe Anglezëve dhe nisur nga kjo informohemi se Ju në marrëveshje dhe bashkëpunim me Anglezët po bëheni gati të na sulmoni në bazën tonë ushtarake ne Pargë!!!! …. jemi informuar për dhuratat që keni marrë nga anglezët, si topa, barut dhe materiale të tjera luftarake…
Këtyre lajmeve që na vijnë, natyrisht unë nuk u besoj, pasi e njoh urtësinë tuaj, miqësinë mes nesh, interesat tuaja për të mos shkaktuar probleme me ne dhe mos ndërmarrë as edhe një lëvizje qoftë edhe të vogël kundër nesh apo territoreve të Napoleonit të Madh – Perandorit tonë!…”
(“Arqeio Ali Pasa” Instituto Neoellenikon Erevnon, Tomos B, 1809-1817, Athina 2010, F.25-27)
Por, pavarësisht nga dyfytyrësia franceze, Aliu me një durim të admirueshëm, ndiqte me vëmendje tërë lëvizjet dhe organizimet e “Aleancës së fshehtë”. Ai kishte fiksuar gjthë krerët dhe bazat e tyre, kishte nën kontroll tërë përpjekjet e Ibrahim Pashës së Beratit, të pashait të Delvinës së Kardhiqit, të Paramithisë, etj.

Hakmarrja mbi “aleancën e fshehtë”

Dhe në momentin e përshtatshëm Ali Pasha do të hidhej mbi kundërshtarët e tij dhe tërë frontin e organizuar, që drejtohej nga francezët, me një hakmarrje të papërmbajtur.
Më 26 Shtator 1809 ai do të rrethonte dhe godiste Beratin duke kapur rob pashain e këtij qyteti dhe një nga krerët kryesorë të Aleancës, Ibrahim Pashën.
Pas rënies së Beratit dhe arrestimit të Ibrahimit Pashës, do t’u vinte radha qyteteve të tjera që kontrolloheshin nga pjestarët e tjerë të kësaj Aleance dhe që mbështeteshin nga francezët. Vlora dhe mandej Delvina, Kardhiqi, Elbasani, Konispoli, Filati, Paramithia, Lopsi, etj, që kishin shpallur armiqësinë e tyre ndaj Ali Pashës do të goditeshin në mënyrë të rrufeshme dhe do të ndëshkoheshin keq.
Agjentët dhe ndërlidhësit që përdoreshin nga francezët për kontaktet me krerët e Aleancës, si Stamati Bullagari, Liperaqi, Pano Margariti, Dhimitër Gjirokastriti dhe i mirënjohuri Andruci, të cilit francezët për merita të veçanta i kishin dhënë shtetësinë e tyre, qenë kapur nga policia e Ali Pashës dhe kishin marrë ndëshkime ekstreme.
Arrestimi i Andrucit nga rojet shqiptare ndërsa hynte dhe vepronte në mënyrë klandestine në territoret e pashallëkut ishte konsideruar nga autoritetet franceze si “një fyerje e rëndë ndaj flamurit perandorak francez dhe ka shkaktuar një reagim të thellë emocional nga Korfuzi në Paris.”- deklaronin autoritetet ushtarake franceze.
Me gjithë ofertat e Aleancës, që francezët të ndërhynin dhe të merrnin Vlorën dhe portin e saj në zotërim të tyre, Bonaparti do të refuzonte këtë kërkesë pasi sipas tij “marrja e këtyre territoreve do të thoshte shpallje lufte ndaj Portës së Lartë”. ( AMAE.AD.Ç. Vol I, 1800-1807, 23 Qershor 1810. Letër e Bonopartit Korfuzit, Min.Jashtme…)
Në këtë mënyrë francezët do të shikonin se pas goditjeve të rënda dhe fitoreve emocionale të Ali Pashës do të shkonin dëm rreth 450 000 franga ari që ata kishin vënë në dispozicion për organizimin e kësaj lëvizjeje që synonte përmbysjen e Ali Pashës. Aty nga fundi i vitit 1810 Ali kishte nënshtruar pothuajse të gjitha vatrat e veprimtarisë ushtarake kundër tij që drejtoheshin nga francezët dhe kishte në dorë të gjithë krerët e kësaj Aleance; Ibrahim Pashën e Beratit, Demir Again e Vlorës, Mustafa Beun, Myrteza Beun, Demir Dostin e Kardhiqit, Mustafa Pashën i Gjirokastrës, të cilët shumë shpejt do t’i priste ndëshkimi me vdekje, ndërsa drejtuesi kryesor dhe i fundmë i Aleancës, Selim Koka, që nuk kishte rënë në duart e Aliut, nga dëshpërimni kishte vrarë veten. (Boppe, Auguste; “Napoloni dhe Ali Pasha”, Globus R. Tiranë 1999, Letër Korfuzi-Min.Jashtme…)
Kështu do të mbyllte pashai i Janinës një nga periudhat më të trazuara dhe të rënda të karrierës dhe jetës politike të Pashallakut, duke u kthyer këto kohë një fuqi dhe forcë serioze, që do të lëvizte me kurajë drejt ëndrrave për një shtet të shkëputur nga Porta dhe sovran…

Tiranë, 19 Qershor 2010

Dr. Irakli Koçollari

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu