Kontratat që blenë botën

0
477

Në 1 shkurt 2011, SHBA shprehej se e vlerësonte partneritetin me Egjiptin, por i bënte thirrje presidentit Mubarak për reforma demokratike. Pas 10 ditëve, përballë qëndresës së paepur të popullit egjiptian në sheshin “Tahrir”, SHBA-të kërkonin tranzicion të vërtetë dhe të qetë në Egjipt, duke nënkuptuar daljen e shpejtë të z.Mubarak nga skena.

Përveç pasjes së një partneri besnik në bisedimet e paqes për Lindjen e Mesme, në tri dekadat e fundit, SHBA ishte eksportuesi më i rëndësishëm i armëve në Egjipt, duke u sjellë shumë përfitime amerikanëve.

Sipas një raporti sekret të ambasadës amerikane në Kajro, të botuar në “Wikileaks” vetëm gjiganti i armatimeve “Lockhead Martin” kishte nënshkruar në 10 vitet e fundit kontrata për shitjen e armëve në Egjipt në vlerë prej 3,8 miliardë dollarë, koncerni “General Dynamics”, shiti prej vitit 2001 tanke në vlerë prej rreth 2,5 miliardë dollarësh, ndërsa koncerni “Boeing” bëri kontrata në vlerë prej 1,7 miliardë dollarësh.

Në Tunizi, po e njëjta panoramë. Ndërsa policia e presidentit Ben Ali kishte vrarë dhjetra njerëz në përleshje, Michelle Alliot-Marie, Ministri e Mbrotjes së shtetit francez deklaronte në mes të janarit se “Franca është e gatshme t’i ofrojë presidentit Ben Ali gjithë dijen e saj të rëndësishme në administrimin e manifestimeve të dhunshme publike”. Ajo i referohej deklaratës së muajve më parë të Dominique Strauss-Kahn, president aktual i Bankës Botërore, i cili lavdëronte “progresin e arritur të Tunisizë”.

Mediat franceze, kur përmendin skandalin e qëndrimit francez ndaj diktatorit tunizian i referohen edhe rastit të diktatorit të Haitit, Zhan Klod Duvalje, i cili në 1986, pasi u përzu nga vendi i tij në mënyrë të ngjashme me Ben Aliun, gjeti strehë në Paris bashkë me 900 milionë dollarët që i kishte rrëmbyer popullit haitian.

Pra, me pak fjalë në këto dy vende perëndimi demokratik kishte ofruar mbështetjen e vet të gjithanshme për vendet që qeveriseshin nga liderët autokratë, ndërsa këta të fundit kishin bërë gjithçka për ta shpërlbyer këtë, duke u dhënë në këmbim favore ekonomike dhe të mira materiale të kombeve të tyre.

Shqipëria?

Në të gjitha qeverisjet e pas vitit ’90, liderët politikë në qeverisje kanë shfrytëzuar të mirat e vendit për të blerë (pa thonjëza) mbështetjen e huaj. Të majtë apo të djathtë, qofshin, kanë investuar edhe financiarisht që të merrnin ndonjë “foto” në kancelaritë e huaja për të pasur mbështetjen politike në vend.

Pësimi i Sali Berishës në vitet 1996-1997 kur doli kundër SHBA-ve, u bë mësim jo vetëm për të, por edhe për të tjerë, ndaj nuk është për t’u habitur pse ata kanë qenë të gatshëm ta shesin vendin, si në tregun e gjësë së gjallë, me copa, në emër të investimeve të huaja dhe zhvillimit ekonomik të vendit.

Në fjalën e tij pesë ditë më parë në mbledhjen e qeverisë, kryeministri Berisha theksonte se Shqipëria brenda pak viteve është bërë një nga vendet më tërheqëse për investimet e huaja, sepse ndërsa në vitin 2006, nga 141 vende ajo renditej e 80-a, në 2009 është ngjitur me 55 vende, duke u renditur në vendin e 25-të, ose në shifra, në 2006 investimet e huaja ishin 258 milionë euro, në vitin 2009 mbi 700 milionë euro. Po kush erdhi në Shqipëri?

Qeveria ua ka hapur derën të gjithëve, jo vetëm për biznesin e ndershëm, por edhe atë vrasës, siç ishte ai e demontimit të municioneve, apo siç është ky i plehrave. Një listë e gjatë kryesuar nga SHBA-të, vendet fqinje apo më tutje, të cilat kanë pasur dyert e hapura, në këmbim të mbështetjes politike ndaj qeverisë, për të bërë milionat me ekonominë shqiptare.

SHBA

Në qeverisjen e parë Sali Berisha e kishte dreqosur me amerikanët, derisa ishte shpallur “armik” nga administrata Klinton. Por herën e dytë të ardhjes në pushtet, ai kishte vënë mend, duke u hapur krahun amerikanëve dhe bizneseve të tyre të ligjshme apo jo, të leverdisshme apo jo për Shqipërinë. Viti 2006 ishte i amerikanëve. Ish-ambasadorja amerikane Marsi Ris, do të nënshkruante disa prej bashkëpunimeve më të bujshme në Shqipëri.

Në Fier ishte projektuar për t’u ndëruar një TEC dhe një impiant gazi në Fier që do shërbente edhe për Italinë, një investim prej 1,9 miliardë dollarësh. “Ky projekt është investimi më i madh që është bërë ndonjëherë në Shqipëri”,-shprehej ambasadorja Ris, duke theksuar faktin se biznesi amerikan merrte pjesë në këtë projekt me afro 600 milionë dollarë, për të ndërtuar një stacion rigazifikimi me kapacitet vjetor prej 10 miliard metër kub gaz, ndërsa termocentrali do të ishte me tre faza nga 400 Megavat secila.

Po atë vit, ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Marsi Ris, gjatë ceremonisë së nënshkrimit të marrëveshjes për ndërtimin e rrugës Rrëshen-Kalimash, shprehej se “qëllimi im është të mbështes dhe inkurajoj një prezencë më të madhe të biznesit amerikan në Shqipëri”.

Atëherë, fituesja e parazgjedhur, kompania amerikane “Bechtel”, merrte përsipër të bënte segmentin rrugor Rrëshen-Kalimash, ku tuneli i Kalimashit me gjatësi rreth 5 km do të kushtonte rreth 110 milion euro për vetëm dy kalime. Në bashkëpunim me të do të ishte turkja “Enka Construction & Industry Co. Inc”, një nga kompanitë që drejton industrinë e ndërtimit në Turqi.

Sot pas gati pesë vitesh, rruga ka përfunduar, por më parë ajo përfundoi në prokurori, si një rrugë pa projekt dhe pa kosto. Sot ajo është rruga më e shtrenjtë në vend me një kosto që llogaritet në 1.3 miliardë euro dhe ka gëlltitur 50 për qind të shumës së investime për infrastrukturën rrugore në Shqipëri prej vitit 2005.

Nuk mbaron me kaq. “Bechtel-Enka” ka shumë siguri për të marrë edhe ndërtimin e rrugëve Tiranë-Elbasan dhe Tepelenë-Berat dhe me aq seriozitet, saqë pak javë më parë në takim me Berishën ishte presidenti dhe themeluesi i kompanisë, Riley Bechtel, sepse bëhet fjalë për një faturë për 500 milionë euro.

Karta amerikane ishte përdorur për të privatizuar edhe kompaninë e vetme e prodhimit dhe përpunimit të naftës në Shqipëri, ARMO. Fituesi i garës kishte përfshirë në emrin e konsorciumit amerikan “Rafineri Asociated Anica Texas”, me shifrën 125 milionë euro si dhe 240,5 milionë euro për investime në 4 vitet e ardhshme. Ajo ishte vetëm koperturë, dhe sot privatizimi ka dështuar.

Në vitin 2001 qeveria socialiste do të ftonte kompaninë “Lockheed Martin” për të financuar sistemin e kontrollit të hapësirës ajrore. Në gusht 2006, ajo nënshkroi kontratën e dytë për Sistemin e Integruar të Vëzhgimit Bregdetar, prej 17, 4 milionë dollarësh, ndërsa prej vitit 2001 kishte investuar mbi 29 milionë euro dhe të gjitha këto fonde ishin mes agjencisë Nacionale të Trafikut Ajror, BNP Paribas dhe Export-Import Bank e SHBA-së dhe vetë fondeve të buxhetit të shtetit shqiptar, pra me lekët e shqiptarëve.

Greqia

Nëse ka qeveri më të interesuar për ruajtjen e status-quosë në Shqipëri është ajo e Athinës. Qeveritë shqiptare e kanë shndërruar ekonominë vendase të varur nga ekonomia Helene, ndërsa Shqipëria është tregu në veri të Greqisë, nga ku vilet valuta që kthehet në Athinë. Grekët kanë zaptuar sektorët kryesorë të shërbimeve, furnizimit me lëndët djegëse, apo mallrat e konsumit të përditshëm, kompanitë greke janë shndërruar në aktore të para të ekonomisë shqiptare. 50 për qind e totalit të investimeve të huaja në Shqipëri i përkasin Greqisë.

Investimet greke e kanë ndihmuar shumë tranzicionin shqiptar, por nga ana tjetër ato kanë përfituar shumë herë më tepër nga Shqipëria dhe shqiptarët.

Qindra milionë euro të konsumatorëve shqiptarë në tregun e telefonisë apo qindra milionë të tjerë të tregut bankar përfundojnë te kompanitë mëma në Athinë, duke ndihmuar në ekonominë greke, po aq sa puna dhe kursimet e 1 milionë emigrantëve shqiptarë, që aq shumë kanë dhënë për ekonominë helene në këto dy dekada.

Numri i bizneseve greke në Shqipëri llogaritet në 110, Greqia është partneri i dytë tregtar i Shqipërisë, pas Italisë, ndërsa sipërmarrjet greke kanë realizuar një volum investimesh me mbi 1 miliardë euro dhe këto janë kryesisht në shërbime, apo tregun bankar.

Qeveria nuk ka shitur ekonominë, por tentoi të shesë edhe vendin. Kulmi ishte pakti detar, i cili i jepte Athinës 355 kilometër hapësirë detare në Jon, zonë shumë e pasur me naftë dhe gaz, siç po del përditë e më tepër nga raportet e fundit.

Komploti antishqiptar i qeverisë Berisha nisi në gusht të 2007-ës dhe u firmos në 27 prill 2009, nga ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Basha dhe Greqisë, Bakojanis në prani të dy kryeministrave, Berisha dhe Karamanlis. Në 25 Shtator 2009, anëtarët e Komisionit të Ligjeve, pa praninë e opozitës e miratuan, duke shënuar një skandal të paprecedentë.

Dinjiteti i Shqipërisë u vu në vend nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese një vit më parë, por qeveria greke tashmë me shumicë të majtë, ka kërkuar një negociim tjetër, sepse rezervat e hidrokarbureve po presin shfrytëzimin dhe qeveria shqiptare ka shprehur vendosmërinë për t’i çuar deri në fund planet për ndarjen e detit dhe të shelfit kontinental me Greqinë.

Italia

“Kopshti prapa shtëpisë”. Italia kështu e ka Shqipërinë prej gati një dekade. Ish-kryeministri Nano ishte shumë bujar me italianët, duke u krijuar lehtësira të papara, që u thelluan nga pasardhësi Berisha. Ai sapo erdhi në pushtet në shtator 2005, si askund tjetër në botë, me një urdhër të homologut Italian vendosi në parlament, Moratoriumin e mjeteve lundruese në Shqipëri, në emër të luftës ndaj skafistëve, ndëshkim që është ripërtërirë dhe për një afat tjetër.

Shumë prej kontratave të nënshkruara dhe të denoncuara nga demokratët, siç ishte “Petrolifera” në Vlorë, mbetën në fuqi dhe sot janë përfunduar. Por shumë të tjera janë në rrugë e sipër, sigurisht jo për të mirën e shqiptarëve.

Refuzimi në bllok i popullsisë në jug të Italisë ndaj projektit eolik të sipërmarrësit siçilian Salvatore Moncada gjeti strehë në 2008 në Shqipëri. Në gadishullin e Karaburunit, me një investim prej 1.015 miliardë euro do të ndërtohet centrali më i madh eolik në Europë prej 500 megavatësh, dhe me një kabëll nënujor do të çohet energjia në Itali.

Në ëndrrën e tij për ta bërë Shqipërinë një superfuqi të vogël energjetike në Ballkan, Berisha është shprehur i gatshëm për t’u dhënë italianëve shfrytëzimin e 20 miliard kilovat/orë energji, prodhimin e 5 mijë megavatëve me anë të energjisë me erë dhe padyshim prodhimin e energjisë bërthamore, pas interesimeve të gjigandit të energjetikës italiane “Enel”. Gjatë vizitës së Berluskonit në 2008 në Shqipëri u nënshkruan disa marrëveshje si ajo e grupit “Falcione” për realizimin e një rigazifikatori në Fier dhe e firmës “Colacem” për ndërtimin e një fabrike çimentoje në Lezhë.

Italianët kanë marrë edhe disa projekte të mëdha energjetike.
Por investimi më i madh që mund t’i bënte Berisha qeverisë italiane ishte ofrimi i vendit si bazë për mbledhjen e mbeturinave urbane ose jo, një problem akut për jugun e Italisë. Pak muaj më parë, Ministria e Mjedisit dhe qeveria hartuan të ashtuquajtur “listë të gjelbër” të mbeturinave që duhen importuar gjoja për nevoja të industrisë ricikluese në vend, e cila ka nevoja për plehra të “pastra”, por ndërkohë qeveria shqiptare ka në plan të ndërtojë inceneratorë për të djegur plehrat urbane dhe padyshim nuk është mohuar se vendi do të marrë plehrat edhe nga Italia.

Franca

“Dua të inkurajoj qeverinë shqiptare për krijimin e një klime të mirë për biznesin. Modernizimi i administratës dhe përparimi në fushën fiskale duhet të tërheqin më shumë investime në Shqipëri. Shkëmbimet tregtare, krahasuar me vitin e kaluar, janë dyfishuar e veçanërisht me blerjet e fundit të helikopterëve”. Ishte fjala e Sekretares së Shtetit për Tregtinë e Jashtme, Anne Marie Idrac në qeverinë franceze që shprehte mbështetjen maksimale për qeverinë “Berisha”.

Dy vite më parë, Sali Berisha do të firmoste në Paris një kontratë me vlerë 78 milionë euro për blerjen e 5 helikopterëve ushtarakë nga kompania europiane “EuroCopter”, duke shënuar shpenzimin më të madh shqiptar për ushtrinë. Qeveria e justifikoi këtë blerje me modernizimin e forcave ajrore dhe mundësinë financiare me faktin e rritjes se buxhetit për ushtrinë, në shifrën 2 për qind GDP-së, kusht i vënë për anëtarësimin në NATO.

Berisha ishte pritur nga presidenti Sarkozi, më 24 prill 2009 shumë i interesuar për firmosjen e marrëveshjes në fjalë. Revista franceze “L’Expres” theksonte dy vite më parë vëmendjen e politikës franceze ndaj kontratës, duke përmendur edhe vizitën e Berishës në Francë përpara se të përzgjidhej fituesi.

Por “bingo” më e madhe franceze me paratë e shqiptarëve u bë me kontratën koncesionare të nënshkruar mes qeverisë shqiptare dhe firmës franceze SAGEM. Në mars 2008 firma u shpall fituese e koncesionit për prodhimin e pasaportave të reja biometrike dhe kartat e identitetit të shqiptarëve dhe pse dosja e tyre ishte e paplotë.

Por më e rëndë ishte CV-ja e firmës në vende të tjera. Në Nigeri, SAGEM kishte bërë kartat e identitetit, por procesi dështoi i manipuluar çka solli arrestime dhe dënime zyrtarësh vendorë, ndërsa dy ministra të qeverisë së Nigerisë u dënuan për marrje ryshfeti.

Pa sukses kishte rezultuar edhe një eksperiencë në Kosovë, pasi UNMIK-u kontraktoi këtë kompani franceze për të sjellë pajisjet dhe sistemin e regjistrimit të gjurmëve të gishtërinjve të popullsisë, por pajisjet dhe sistemi i saj dështuan duke bërë anulimin e procesit.

Fakti më i rëndë ishte se shteti shqiptar shiste një konçesion shumë fitimprurës. Është firma franceze ajo që përfiton paratë e pajisjes së rreth 4 milionë shqiptarëve me karta identiteti pasaporta biometrike, me një çmim më të lartë, se bie fjala në Maqedoninë fqinje dhe ku të marrësh një dokument të tillë sot është bërë torturë dhe tallje nga firma prodhuese.

Turqia

Në fushatën për zgjedhjet parlamentare të 3 korrikut 2005, Sali Berisha denonconte Nanon se Albtelecomi ishte shitur lirë, sepse vlente rreth 300 milionë euro dhe se socialistët kishin futur në xhep nga ky privatizim 100 milion euro”. Më 12 tetor 2005 shumica e Berishës në Kuvend e bllokoi privatizimin, por më pas Berisha ndërroi mendje: “Unë e informova kryeministrin Erdogan se kompania e konsulencës ndërkombëtare ka mbaruar ekspertizën e saj.

Sipas gjykimit të ekspertëve mbi këtë ekspertizë, kontrata ekzistuese ka nevojë të rishqyrtohet në nene të caktuara. Jam informuar se zoti Ahmet Çalik ka treguar vullnet të plotë të angazhohet në rinegociimin e kontratës dhe unë jam optimist në rezultatin e këtyre negociatave”,-shprehej ai pas një vizite zyrtare në Ankara.

Pas kësaj procesi i privatizimit të kompanisë së vetme shtetërore të telefonisë fikse u konsiderua i mbyllur. Në maj të 2005-ës kompania turke “Çalik Energy”, ishte shpallur fituese e tenderit për privatizimin e 76 për qind të aksioneve të Albtelekom-it, duke ofruar 120 milionë euro dhe po ai Kuvend i drejtuar nga PD do ta kalonte, duke çimentuar lidhjen me homologun turk.

Në 25 qershor 2009, vetëm tre ditë para zgjedhjeve vendore, kryeministri Erdogan do të vinte krah Berishës në përurimin elektoral të autostradës Rrëshen-Kalimash. “Unë dëshiroj të falënderoj, të përshëndes dhe të përgëzoj në praninë tuaj mikun tim Sali Berisha, ministrat shqiptarë dhe të gjitha ata që punuan për këtë vepër”,- shprehej Erdogan, për rrugën cila firmës turke i kishte një normë fitimi mbi 27 për qind, qindra vende pune për punonjësit turq dhe më pas projekte në vazhdimësi në Shqipëri dhe në Kosovë.

Çekia

Në 28 prill 2009, dy muaj para zgjedhjeve parlamentare kryeministri Berisha do të fluturonte drejt Pragës për të dorëzuar aplikimin për statusin e kandidatit në BE. Edhe pse ishte këshilluar të mos e bënte një veprim të tillë nga udhëheqësit e vendeve të BE-së, sepse Shqipëria nuk kishte plotësuar shumë kushte, Berisha ia la në dorë aplikimin homologut çek Mirek Topolanek.

Berisha nuk e kishte fshehur qëllimin elektoral të vizitës, sepse në 4 prill Shqipëria sapo kishte marrë anëtarësimin në NATO. Dukej qartë se pas fjalëve të kortezisë, çekët duhet t’i kthenin një nder Berishës. Qeveria shqiptare sapo i kishte dhënë një copë të majme të ekonomisë kombëtare gjigandit çek të energjetikës ÇEZ, duke u shitur OSSH-në.

Sigurisht për një grusht eurosh. Me një VKM të hartuar para privatizimit, qeveria rriti pronat e patundëshme të OSSH-së dhe i hoqi borxhet, duke ia lënë atë buxhetit të shtetit. Çekët e CEZ, fitues të tenderit ndërkombëtar për blerjen e 76 për qind të aksioneve të kompanisë shtetërore të Shpërndarjes së energjisë elektrike (OSSH), përfituan kështu ulje rreth 60 milionë euro nga çmimi i paracaktuar, ndërsa kishin ofruar vetëm 102 milionë euro për të. Se ai ishte një privatizim klientelisht e tregoi koha.

Një vit më vonë, sipas Entit Rregullator të Energjisë, arkëtimet ishin vetëm 50 për qind dhe po kështu edhe në 2010. Në vend të rritjes së performancës, çekët e përkrahur nga qeveria, rritën çmimin e energjisë në 13 për qind, kur kishin kërkuar 44 për qind dhe tejfrynë faturimet, çka e ka futur shërbimin e energjisë në kolaps.

Lobimi, fatura e shtrenjtë me paratë e shqiptarëve

Nga SHBA-të deri në Europë, qeveria e Berishës ka shpenzuar pa hesap për të fituar lobistë. PD do të bënte fushatë me kompaninë amerikane “BG&R”, kundrejt një kontrate jotransperente. Partia në pushtet edhe sot e kësaj dite nuk ka zbardhur asgjë nga kontrata e nëshkruar para zgjedhjeve të korrikut 2005.

Në 2006-ën, një ish-guvernator dhe ish-sekretarit amerikan për sigurinë kombëtare, Tom Rixh, i larguar nga administrata e Bush, në këmbim të lobimit për afrimin e Shqipërisë në NATO dhe rritjen e Sigurisë Kombëtare, u pagua me një faturë prej 480 mijë dollarësh amerikanë dhe përveç kësaj atij i ishin hequr me paratë e taksapaguesve shqiptarë edhe shpenzimet e udhëtimit apo qëndrimit në Shqipëri, ku rëndom vinte i shoqëruar nga sekseri serbo-boshnjak, Damir Fazlliç, aq i përmendur në Ballkan si i lidhur me krime dhe trafiqe dhe që kohët e fundit shoqëron ish-gjeneralin e luftës së Kosovës Uesli Klark, për biznesin e lojërave të fatit.

Një tjetër pazar për lobimin ekonomik të Shqipërisë ishte nënshkuar nga qeveria Berisha në tetor 2006, me forumin “Krans Montana”, për të organizuar aktivitete dhe takime lobuese, me një faturë prej 250 mijë eurosh në vit dhe një kontratë që duhej mbajtur tërësisht konfidenciale.

Implikimi amerikan në Gërdec

SHBA-të ishin të përfshira në biznesin vrasës së Gërdecit. Jo vetëm nga fakti se një 22-vjeçar amerikan si Efraim Diveroli, kishte marrë nga Pentagoni kontratën 300 milionë dollarë amerikanë për të çuar armë dhe municione për trupat afgane, jo vetëm nga fakti tjetër se për të demontuar municionet ishte caktuar një firmë amerikane si SAC. SHBA, me anë të ambasadës së saj në Tiranë, ishte në dijeni të procesit që kishte nisur në Shqipëri prej vitit 2007 dhe që përfundoi tragjikisht në 15 mars 2008.

Në qershor 2008, kongesmenët demokratë në SHBA, kishin akuzuar ambasadorin amerikan John Withers se kishte fshehur të vërtetën për armët kineze që iu shitën Pentagonit nga pala shqiptare nëpërmjet kompanisë së Diverol. Kongresmeni Henry Waxman i dërgoi një letër Condoleezza Rice duke e informuar për takimin e fshehtë që Withers bëri me Mediun, pas të cilit u ra dakort të fshiheshin armët kineze nga Rinasi që të mos i pikaste një gazetar i “New York Times”.

Në nëntor 2007 Mediu, urdhëroi që municionet kineze të zhvendoseshin përpara vizitës së gazetarit amerikan duke kërkuar fshehjen e fishekëve duke i larguar ato përmes aeroportit të Rinasit, duke ngarkuar gjeneral Spahiun, sipas urdhërit të ambasadorit amerikan gjatë takimit të gjatë Withers-Mediu, ku kishte qenë i pranishëm edhe majori Harrison, i cili do të dëshmonte për këtë edhe në Kongresin amerikan. Pas hetimeve Departamenti i shtetit e nxorri të papërlyer ambasadorin në Shqipëri.

Në vitin 2007, kur ministër i Mbrojtjes ishte po Fatmir Mediu dhe kryeministër Sali Berisha, dy kongresmenë amerikanë Richard Lugar dhe Sam Nunn do të njoftonin gjithë gëzim shkatërrimin nga qeveria shqiptare e një rezerve 16 ton të armëve kimike vdekjeprurëse të mbetura nga Lufta e Ftohtë, duke e bërë vendin tonë të parin vend në botë pa armë kimike.

Fondet që mendohen se ishin nga 20-50 milionë dollarë dhe ishin “harxhuar” për të asgjësuar lëndë helmuese luftarake, sepse asnjëherë vendi nuk kishte pasur armë kimike çka e bën shumë dyshues këtë aksion dhe shumën e përdorur, duke implikuar në këtë aksion edhe dy kongresmenët amerikanë.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu