Kosova në udhëkryq

0
76

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar të shtunën rezultatet e zgjedhjeve të 11 qershorit. Tani koalicioni më i madh i dalë nga këto zgjedhje do të ketë një muaj afat për formimin e Kuvendit.

Sipas ish-kongresistit me prejardhje shqiptare Joe DioGuardi, Kosova duhet të formojë një koalicion me së paku 61 deputetë shqiptarë, ndryshe e ardhmja e Kosovës rrezikohet si shtet sovran pikërisht për shkak të ndikimit që mund ta ketë Lista Serbe në Kuvendin e Kosovës.

Në një deklaratë dhënë gazetës “Zëri”, DioGuardi ka thënë se Kosova duhet të jetë tërësisht e lirë nga ndikimi i Serbisë.

Mirëpo, në këtë kontekst analisti nga Shqipëria, Fatos Lubonja, ka thënë se më e rrezikshme se ndikimi i Listës Serbe apo kujtdo tjetër është paaftësia e shqiptarëve për të kapërcyer interesin vetjak kur ky është kundër interesit të shoqërisë. Sipas tij, është e trishtueshme kjo që po ndodh në Kosovë në këtë aspekt.

Ndërkohë në anën tjetër, shefja e Zyrës së BE-së në Prishtinë Nataliya Apostolova në një deklaratë të saj, të lëshuar menjëherë pas certifikimit të rezultateve, ka thënë se Kosova duhet të formojë një Qeveri të fortë, e cila do të jetë në gjendje për t’i adresuar reformat që populli kërkon.

DioGuardi: Qeveri me 61 deputetë shqiptarë

Shqiptarët e Kosovës duhet të formojnë një koalicion prej së paku 61 deputetësh shqiptarë, në të kundërtën e ardhmja e Kosovës rrezikohet seriozisht si një shtet sovran. Kështu ka thënë një nga veprimtarët më të vjetër për pavarësinë e Kosovës, ish-kongresisti nga Nju-Jorku, Joe DioGuardi. Sipas tij, Qeveria e re duhet të jetë tërësisht e lirë nga Serbia.

“Shqiptarët e Kosovës duhet të formojnë tani një koalicion prej së paku 61 deputetësh shqiptarë në të kundërtën e ardhmja e Kosovës rrezikohet seriozisht si një shtet sovran, i cili duhet të jetë tërësisht i lirë nga Serbia dhe ndikimi i Serbisë mbi serbët e Kosovës, të cilët kanë automatikisht 20 vende në Parlamentin e Kosovës me 120 deputetë”, ka thënë DioGuardi.

Më tutje ai ka shtuar se serbëve, si rusëve, nuk mund t’i besohet e ardhmja e Kosovës.

“Mos harroni se Serbia ende nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës për pothuajse 10 vjet dhe ka premtuar të mos e njohë pavarësinë e Kosovës edhe pas 115 vendeve, Kombet e Bashkuara e kanë bërë këtë që nga 17 shkurti i 2008-s. Serbët, si rusët, nuk mund t’i besohen të ardhmes së Kosovës, të cilën qeveria serbe e shpalli si ‘Jerusalemin’ e tyre, duke nënkuptuar në mënyrë të egër që Kosova është themeli i kombit serb, të bazuar në një fitore mitike në një betejë të luftuar së bashku shqiptarët kundër ushtrisë osmane më 1389-n në ‘Fushën e zogjve’, e cila ndodhet në Kosovë”, ka thënë ai.

Më tej, ish-kongresisti, i cili për dekada promovoi dhe mbrojti të drejtat e shqiptarëve në SHBA, ka thënë se sot Kosova mbetet më e ndarë se kurrë.

“Zgjedhjet e fundit konfirmojnë edhe një herë se Qeveria e Kosovës është e bazuar kryesisht në patronazhin e partive politike dhe të personaliteteve me pak transparencë. Kjo ka penguar një evolucion natyror në një demokraci pjesëmarrëse, një ekonomi tregu e bazuar në punë reale (jo emërime dhe patronazh), duke i lënë kosovarët të varur nga remitancat nga jashtë dhe të cenueshëm nga ndërhyrjet e vazhdueshme të Serbisë”, ka përfunduar ai.

Lubonja: Qeveri LVV-LDK, kryeministër një figurë e respektuar

Paaftësia e shqiptarëve për të kapërcyer interesin vetjak kur ky është kundër interesit të shoqërisë është shkaku dhe njëherësh treguesi kryesor i prapambetjes së shqiptare.

Në këtë aspekt, sipas analistit nga Shqipëria, Fatos Lubonja, është e trishtueshme ajo që po ndodh në Kosovë aktualisht. Sipas tij, zgjidhje ka pa fund, por që ato të kryhen duhet çliruar koka e politikanëve shqiptarë nga kjo e keqe.

“Paaftësia e shqiptarëve për të kapërcyer interesin vetjak kur ky është kundër interesit të shoqërisë është shkaku dhe njëherësh treguesi kryesor i prapambetjes sonë. Kjo na ka mbajtur në regjime autoritare të korruptuar e të padrejtë duke na shtyrë ta braktisim vendin”, ka thënë Lubonja për gazetën “Zëri” duke shtuar: “është e trishtueshme kjo që po ndodh në Kosovë në këtë aspekt. Zgjidhje ka pa fund, por që ato të kryhen duhet çliruar koka e politikanëve shqiptarë nga kjo e keqe dhe momentalisht duket se ky çlirim është më i vështirë se çlirimi nga një pushtim i huaj”.

Më tutje gjatë bisedës për “Zërin” Lubonja ka thënë se kjo paaftësi është më e rrezikshme se çdo bashkëpunim me Listën Serbe apo këdo tjetër.

“Kjo paaftësi që në thelb është paaftësi për të ndërtuar shtetin e së drejtës kundër shtetit të personit/ave është rrezik më i madh se çdo bashkëpunim me Listën Serbe apo ku di unë”, ka thënë analisti shqiptar.

Sipas Lubonjës, kapërcimi mund të bëhet vetëm duke i ndëshkuar politikanët e korruptuar.

“Duke qenë se në Shqipëri kemi mbi 100 vjet që nuk e arrijmë këtë, më duket punë e vështirë. Kjo mund të arrihet kur populli i ndëshkon kësi politikanësh dhe jo kur bashkëpunon me ta në një rreth vicioz që i riprodhon ata, duke mos lejuar të dalë kush ta thyejë rrethin vicioz”, ka thënë ai.

Pavarësisht të gjithave, Lubonja ka një zgjidhje teorike, megjithëse thotë se në praktikë kjo i duket e pamundur. “Në këto kushte më duket shumë e lehtë të jap zgjidhje në teori: P.sh. Krijimi i një Qeverie me kryeministër një figurë të respektuar që nuk është në krye të asnjërës prej partive kryesore, i mbështetur p.sh. nga ‘Vetëvendosja’ dhe nga LDK-ja, por më duket praktikisht gjë e pamundur se shqiptarët nuk funksionojnë dot në këtë mënyrë. Kam frikë se në këto kushte do të kemi një zgjidhje që do të jetë përsëritje e politikave të vjetra”, ka përfunduar Lubonja.

Apostolova: Liderët të formojnë Qeveri të fortë për reformat që i kërkon populli

Një Qeveri të fortë, e cila do të jetë në gjendje për t’i adresuar reformat të cilat populli i kërkon, ka sugjeruar edhe shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë Nataliya Apostolova. Sipas saj, tani është përgjegjësi e udhëheqësve politikë t’i dëgjojnë qytetarët e tyre dhe të formojnë një Qeveri të qëndrueshme e cila do t’u shërbejë interesave të popullit.

“Kosova përballet me shumë sfida, duke filluar nga papunësia e lartë, sistemi arsimor me performancë të ulët deri te korrupsioni dhe sundimi i dobët i ligjit, të cilat mbeten pengesë për tërheqjen e investimeve të qëndrueshme për zhvillimin e ekonomisë. Prandaj është e rëndësishme që liderët politikë t’i marrin seriozisht këto sfida, të formojnë një Qeveri të fortë dhe t’i fillojnë reformat që populli i kërkon”, ka thënë Apostolova në një deklaratë të saj, të lëshuar menjëherë pas certifikimit të rezultateve nga KQZ-ja të shtunën.

Më tutje Apostolova ka thënë se Bashkimi Evropian edhe një herë rikonfirmoi angazhimin e BE-së për perspektivën e Kosovës dhe të Serbisë drejt BE-së përmes takimit të fundit jozyrtar në Bruksel mes presidentit të Serbisë dhe atë të Kosovës të ndërmjetësuar nga Federica Mogherini.

Sidoqoftë, në fund shefja e Zyrës së BE-së ka thënë se pa marrë parasysh se kush e formon Qeverinë e re, BE-ja pret një përshpejtim dhe zbatim të agjendës për reforma të BE-së. “Kosova ka një perspektivë të qartë evropiane. Njerëzit e Kosovës presin një udhëheqje të përgjegjshme e cila do të bëjë përparime të rëndësishme përgjatë rrugës evropiane. Tani u takon atyre udhëheqësve që ta bëjnë këtë”, ka thënë ajo.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu