Kosova rrezikon ndarje ?

0
328

(E plotësuar) Në kohën kur gjithnjë e më shumë po shtohet presioni për negociata të reja ndërmjet palës kosovare dhe asaj serbe, kryeministri serb, Ivica Daçiq edhe zyrtarisht ka riaktualizuar idenë për ndarje të Kosovës.

Por, autoritetet në Prishtinë tërheqin vërejtjen se logjika e ndarjes nuk do të përfundonte vetëm me Kosovën, por do të prekte edhe vendet tjera dhe se idetë e tilla janë të rrezikshme për stabilitetin e rajonit. Megjithatë, shantazhet dhe obstruksionet e shtetit serb në prag të bisedimeve të reja nuk ndalen vetëm me shpërfaqjen e pretendimeve për Kosovën, por së fundi Beogradi ka shuar shpresat se do t’i zbatojë marrëveshjet e arritura në Bruksel, derisa Kosova insiston se parakusht thelbësor i dialogut është implementimi i konkluzave të arritura në kryeqytetin evropian.

 

Deklarata zyrtare e kreut të qeverisë serbe, Ivica Daçiq se “ndarja e Kosovës është zgjidhja e vetme reale” shihet në Prishtinë, si një dëshmi se pushteti i atjeshëm serb synon të veprojë me logjikën e luftës për territore.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi hedh poshtë idetë për ndarje, duke theksuar se “logjika e ndarjes nuk do të përfundonte vetëm me Kosovën, por kjo do të prekte edhe vendet tjera”. Sipas tij, idetë e tilla për ndarje janë të rrezikshme për stabilitetin rajonal. Edhe opozita në Kosovë gjithashtu idenë për ndarje territoriale e quan hegjemoniste që dëshmon logjikën e luftës për territore. “Idetë për ndarje janë totalisht të papranueshme”, ka thënë shkurt sekretari i përgjithshëm i LDK-së, Ismet Beqiri.

E ndërkaq, Burim Ramadani i AAK-së tërheq vërejtjen se çështja e territoreve është kapitull i mbyllur që nuk do të hapet asnjëherë. Deklarimet e zyrtarëve të lartë serbë, sikurse kjo e fundit e Daçiqit për ndarje të Kosovës, për analistin politik Adrian Arifajn shhet si desert që përdoret për konsum të brendshëm politik sesa që do të ketë ndonjë efekt.

Megjithatë, ai ka vlerësuar se deklarata e kryeqeveritarit serb ka gjasa të jetë një pozicionim i Serbisë tash në prag të bisedimeve të paralajmëruara, ku Beogradi ka për qëllim që ta vërë në tavolinën e bisedimeve çështjen e veriut, me synimin që të nxjerrë një autonomi për pjesën veriore.

Nga ana tjetër, nga ana e përfaqësueses së Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, baroneshës Catherine Ashton, thuhet se do të insistojë me çdo kusht që pas takimeve që do të zhvillojë me kryeministrin kosovar, Hashim Thaçin dhe presidentin serb Tomisllav Nikoliqin në Nju-Jork, të caktojë edhe kohën e saktë për rifillimin e negociatave ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dhe detajet lidhur me atë që do të bisedohet.

Derisa rritet presioni ndërkombëtar mbi palët për nisjen e dialogut, Beogradi shuan shpresat se do t’i implementojë marrëveshjet e arritura në Bruksel. Së fundi ish-shefi i delegacionit negociues të Beogradit në bisedimet me Prishtinën, Borislav Stefanoviq, tha se Qeveria e Serbisë nuk ka pse të zbatojë marrëveshjet e arritura, pasi që sipas tij, nuk ka nënshkruar traktate ndërkombëtare.

Edhe Partia Demokratike Serbe (DSS) ka paralajmëruar se do të paraqesë në Gjykatën Kushtetuese republikane iniciativën për anulimin dhe të gjitha urdhëresat që janë krijuar në bazë të marrëveshjeve të nënshkruara në Bruksel ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Mirëpo, zbatimi i marrëveshjeve të arritura në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, është parakusht për një vendim të mundshëm të Qeverisë së Kosovës për vazhdimin eventual të dialogut me Serbinë, thotë numri dy i qeverisë kosovare, Hajredin Kuçi.

Ndërkaq, drejtuesit e partisë më të madhe opozitare, LDK-së konsiderojnë se në këtë fazë Kosovës nuk i duhet asnjë lloj dialogu me Serbinë. “S’ka arsye që të bisedohet me Serbinë, e aq me pak për veriun, pasi që zgjidhja për veriun dhe rregullimi i brendshëm i Kosovës duhet të jetë brenda Kushtetutës së Kosovës, që ka buruar nga pakoja e Ahtisarit”, ka thënë Ismet Beqiri. Sipas tij, në rast se nuk respektohen marrëveshjet e arritura në kryeqytetin evropian, atëherë përgjegjësisë s’mund t’i ikin as zyrtarët e BE-së që kanë insistuar zhvillimin e dialogut.

Edhe Burim Ramadani nga AAK vlerëson se Brukseli duhet ndëshkojë Serbinë për moszbatimin e marrëveshjeve, ndërsa t’ia hapë dyert Kosovës, e cila për më shumë se një dekadë ka qenë bashkëpunuese me SHBA-të dhe BE-në. Implementimi i marrëveshje për analistin politik, Adrian Arifaj duhet të jetë kushti thelbësor i Prishtinës zyrtare dhe në këtë drejtim ai ka deklaruar se Kosova s’ka asnjë arsyeje që të nxitojë për hyrjen në negociata të reja.

 

Lumturie Blakaj

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu