KQZ: Në balotazh për Ferizajn PDK dhe LDK

0
324

( E plotësuar) Qytetarët e komunës së Ferizajt kanë votuar të dielën për të zgjedhur prijësin e tyre. Në garën për të parin e komunës janë tetë kandidatë derisa janë raportuar dhjetëra parregullsi gjatë ditës së diel dhe atë nga subjekte politike në garë e nga organizata që nga afër e kanë monitoruar procesin e votimit.

Prezenca e paautorizuar e personave nëpër vendvotime, posterë të kandidatëve afër qendrave të votimit, lista me emra edhe të votuesve që kanë vdekur para dhjetë viteve, tentime për të votuar edhe pse nuk është mbushur mosha për këtë të drejtë qytetare, janë vetëm disa nga parregullsitë që janë raportuar gjatë ditës së diel.

Tërë këto parregullsi janë raportuar ndonëse deri në orën 15.00 sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, nga 95 mijë e 449 qytetarë me të drejtë vote, të drejtën për të votuar e kanë shfrytëzuar vetëm 18.5 për qind e qytetarëve.

Qytetarët e Ferizajt e të rrethinës kanë pasur mundësi të dielën të votojnë në zgjedhje të jashtëzakonshme dhe atë pas dorëheqjes së ish-kryetarit Bajrush Xhemajli, i cili ka marrë vendimin e plotfuqishëm nga gjykata pas një aksidenti me pasoja vdekjeje që ai kishte shkaktuar.

Për të zgjedhur pasardhësin e Xhemajlit, ferizajasit të dielën kanë pasur mundësi të zgjedhin mes tetë kandidatëve: Agim Aliun kandidat nga Partia Demokratike e Kosovës, Adem Salihajn nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Ramadan Hasanin nga Aleanca Kosova e re, Naim Feratin nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Faton Topallin nga lëvizja “Vetëvendosje”, Bujar Ademin nga Partia e Drejtësisë, Ramadan Eminin nga Lëvizja e Bashkuar dhe kandidatin e pavarur Rrahim Sadikun.

Kandidatët që pretendojnë karrigen e të parit të komunës, me të hedhur votën në Ferizaj përkatësisht në rrethinën e Ferizajt kanë bërë thirrje tek qytetarët që të dalin sa më masovisht në zgjedhje në mënyrë që të zgjedhin më të mirin që ata mendojnë. Kandidatët ashtu siç e thotë ligji, janë kursyer nga deklaratat politike ndërsa kanë uruar që procesi të jetë demokratik e konform standardeve të kërkuara.

( E plotësuar) Nga Ferizaj raportohet se simpatizantët e PDK’së kanë nisur festimet nëpër rrugët e qytetit.

Pritet që para masës të dalë edhe Kryeministri Hashim Thaçi, i cili njëherësh është Kryetar i PDK’së.

Disa çaste më parë, organizatat joqeveritare, INPO dhe D4D, kanë publikuar rezultatet preliminare të zgjedhjeve për Kryetar të Ferizajt.

Sipas tyre, Agim Aliu i PDK’së ka marrë 40.7 përqind të votave, Adem Salihaj i LDK’së 24.1, Faton Topalli i Vetëvendosjes 16 përqind të votave, Naim Ferati i AAK’së ka marrë 10.9, kandidati i AKR ka marrë 4.8, ai i PD’së 2.6, Rrahim Sadiku (i pavarur) 0.5, derisa kandidati i LB Ramadan Emini ka marrë 0.4 përqind të votave.

Këto janë rezultatet të votave të numëruara në 117 qendra të votimeve. Ende nuk janë numëruar 7 qendra, ashtu sikurse nuk janë numëruar as votat me kusht.

Në konferencën e fundit për shtyp të KQZ-së, para pak çastesh, kryetarja e Valdete Daka kumtoi rezultatet e preliminare të zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar të Ferizajt.

Sipas saj në këto zgjedhje PDK ka marrë 40. 74 për qind LDK 24. 09 Vetëvendosje, 15. 96 për qind dhe AAK 10. 86 për qind. AKR 4.87, PD 2.60 Lëzizja për Bashkim 0.30 për qind ndërsa kandidati i pavarur Rrahim Sadiku 0.50 për qind .

Sipas këtyre rezultateve në balotazh do të shkojnë kandidati i PDK-së Agim Aliu dhe ai i LDK-së, Adem Salihaj.

Në votime kanë marrë pjesë 29.74 për qind e zgjedhësve.

PDK shpall fitoren, në balotazh me LDK’në

Kandidati i PDK’së për Kryetar të Ferizajt, Agim Aliu, ka deklaruar se është fitues i zgjedhjeve të sotshme.

Sipas tij, në bazë të rezultateve preliminare ai prin kundrejt rivalit të tij nga LDK’ja, Adem Salihaj.

Pra, në balotazh do të përballet Agim Aliu dhe Adem Salihaj, sipas të dhënave të Shtabit Zgjedhor të PDK’së.

 

Ferizaj, 29 prill – ( E plotësuar) Valdete Daka, kryetare e KQZ-së, në konferencën e katërt të këtij komisioni lidhur me zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar komune në Ferizaj në orën 20, e shpalli të përfunduar procesin zgjedhor, i cili ashtu si ishte paraparë u mbyll në orën 19. Në votime, sipas Dakes, kanë pjesë 29.660 qytetarë ose 31.07 për qind e zgjedhësve.

(E plotësuar) Në konferencën e dytë për media të mbajtur në orën 12.00, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve paraqiti për raportin lidhur me daljen e votuesve për Kryetar Komune në Ferizaj, deri në orën 11. 30.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, tha se dalja e deritashme e qytetarëve në votime në Ferizaj, është 9.4%, ose 8971 votues.

“Ju njoftojmë gjithashtu se, Pilot- projekti “K-vote”, të cilin KQZ është duke e përdorur në këtë proces zgjedhor, është duke funksionuar plotësisht dhe, sipas tij është nxjerrrë ky rezultat: deri në orën 11.00, kanë votuar 8.3% ose, 7924 votues. Nga raporti të cilin e kemi pranuar nga Komisioni Komunal Zgjedhor në Ferizaj, deri në këto moment nuk ka probleme të cilat, do ta dëmtonin imazhin e këtij procesi zgjedhor të jashtëzakonshëm”, tha në këtë konferencë kryetarja Daka.

KQZ njofton opinionin dhe qytetarët e komunës së Ferizajt se mund t’i shtrojnë pyetjet e tyre apo edhe t’i ngrisin shqetësimet eventuale, në telefonat: 038. 211-152 dhe 038. 200 23 254 /Zëri/

***

LDK sërish me akuza për parregullsi në Ferizaj

Shtabi zgjedhor i Degës së LDK-së në Ferizaj, përkatësisht përgjegjësi i sektorit për marrëdhënie me medie, Haxhi Bajrami, në një konferencë me gazetarë, publikoi disa parregullsi që janë duke e karakterizuar procesin zgjedhor për kryetar të Komunës së Ferizajt.

Sipas informacioneve nga terreni që LDK ka siguruar, në qendrën e votimit në fshatin Softaj një vëzhgues i PDK-së, i cili ka qenë i dënuar nga gjykata e komunës së Ferizajt, për shkak të manipulimit në zgjedhjet e kaluara, është pajisur me bexh nga PDK-ja, duke u futur s’i vëzhgues i kësaj parti në këtë qendër të votimit.

“Sektori përkatës i shtabit zgjedhor të Degës së LDK-së në Ferizaj, ka bërë ankesë në KKZ, dhe me insistimin e vëzhguesve dhe komisionerëve tanë, në atë qendër të votimit, ka ndërhyrë policia e Kosovës duke e larguar personin në fjalë nga kjo qendër e votimit”, thuhet në një komunikatë të LDK-së.

Gjithashtu, sipas LDK-së, në qendrën e votimit ShM (ish-Gjimnazi) “Kuvendi i Arbërit”, votuesve nuk iu është dhënë informacion i duhur për vendvotim, duke orientuar ata në qendrat të tjera, edhe pse pas votimit të tyre është gjetur në faqen e KQZ-së në internet se ata votojnë në këtë qendër votimi.

“Ka edhe ndryshime të ndërrimit të votuese nga fshatrat në qytete. Në këtë mënyrë, maltretohen votuesit duke i endur poshtë e lartë, me qëllim të dekurajimit për të mosvotuar”, thekson LDK.

Më tej, gjithnjë sipas LDK-së, në Q. V. “Gjon Serreqi”, një votues i ka lidhur gishtërinjtë duke deklaruar se i ka të lënduar, me qëllim që të votojë disa herë. “Gjithashtu, aktivistë të PDK-së u kanë bërë presion votuesve të komuniteteve rome dha ashkalinj që të votojnë për PDK-në”, thuhet më tej në komunikatën e kësaj partie.

Ndërkaq, sipas informacioneve që LDK ka siguruar, spreji, i cili përdoret për spërkatjen e gishtërinjve, është i një cilësie të dobët dhe kjo mund të ndikojë që disa qytetarë të pandërgjegjshëm dhe të organizuar nga disa grupacione të PDK-së të kenë mundësi të votojnë disa herë.

“Në fshatin Komugllavë, në qendrën e votimit të këtij fshati, në hyrje të shkollës, aktivistët e PDK-së kanë vendosur një pankartë ku shkruan “VOTO PDK””, theksohet më tej në komunikatë.

LDK-ja ka kërkuar nga vëzhguesit të qëndrojnë afër komisonerit, i cili i kontrollon letërnjoftimet, dhe një kërkesë e tillë është aprovuar nga KQZ-ja. Kjo kërkesë ka pasur qëllim që të mos bëhen manipulime.

Më poshtë, po i paraqesim reagimet e LDK-së:

Në Qendrën e votimit në Talinoc të Muhaxherëve, ka ndodhur një anomali; ka më pak fletëvotimet, sesa votues, edhe pse duhet të jetë e kundërta.

Në vendovitimin nr. 1 janë 723 votues, ndërsa janë 700 fletëvotime, pra ka 23 më pak fletëvotime, sesa votues.

Në vendvotimin nr. 2 janë të regjistruar 703 votues, ndërsa ka vetëm 700 fletëvotime.

Në vendvotimin nr. 3 janë të regjistruar 712 votues, ndërsa janë vetëm 700 fletëvotime.

Një gjë e tillë është e pranishme edhe në ish-Gjimnazin “Kuvendi i Arbërit”.

Në vendvotimin nr. 3 janë të regjistruar 715 votues, ndërsa janë vetëm 700 fletëvotime.

Në vendvotimin nr. 4 janë të regjistruar 667 votues, ndërsa ka vetëm 630 fletëvotime.

Në vendvotimin nr. 6 janë të regjistruar 618 votues, ndërsa ka vetëm 600 fletëvotime

Në vendvotimin nr. 7 janë të regjistruar 620 votues, ndërsa ka vetëm 600 fletëvotime.

Në vendvotimin nr. 8 janë të regjistruar 655 votues, ndërsa ka vetëm 650 fletëvotime.

Sipas informacioneve të fundit nga vëzhguesit e LDK-së deri në orën 10-30, në të gjitha qendrat e votimit në Komunën e Ferizajt kanë votuar afër 8100 votues, apo dikur 8 % e qytetarëve me të drejtë vote. /Zëri/

***

LDK: Parregullsi që në start të procesit zgjedhor

Ka filluar procesi zgjedhor për kryetar të Komunës së Ferizajt. Vëzhguesit dhe komisionerët e LDK-së me kohë janë paraqitur në 25 qendra votimi, në gjithsejtë 124 vendvotime.

Vëzhguesit e LDK-së raportojnë se në qendrën e votimit në fshatin Softaj është vërejtur të sillet në vendvotime me bexh të falsifikuar Naim Sahiti, nga PDK-ja, i dënuar për manipulim dhe vjedhje votash në zgjedhjet e vitit të kaluar.

“Ndërkaq në Gjimnazin Kuvendi e Arbërit në Ferizaj votuesve nuk u japin udhëzimet e duhura, madje ata i kthejnë prapë duke ë udhëzuar për në qendrat tjera edhe pse ata kanë qendrën e votimit aty”, thuhet në një komunikatë të kësaj partie.

***

Ferizaj voton

Qytetarët e Ferizajt votojnë sot për të zgjedhur të parin e qytetit në mes të tetë kandidatëve, gjashtë prej të cilëve vijnë nga partitë politike, një është nga iniciativa qytetare dhe një është kandidat i pavarur.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve thotë se gjithçka është gati për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme, të cilat mbahen pas dorëheqjes së kryetarit të deritashëm, Bajrush Xhemajli, i cili u shpall fajtor si shkaktar i një aksidenti në maj 2009-ës në të cilin humbi jetën një person dhe disa të tjerë u lënduan.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, tha për Radion Evropa e Lirë se të gjitha përgatitjen janë kryer me kohë, në mënyrë që të dielën, më 29 prill, të gjitha qendrat dhe vendvotimet të hapen në ora 7 të mëngjesit dhe mbyllen në orën 19:00.

“Të gjitha përgatitjet, ashtu siç parashihen me Ligj për zgjedhjet lokale janë bërë nga ana e KQZ-së. Janë 25 qendra të votimit, kurse 124 vendvotime me gjithsej 95.449 votues, aq sa i përmban lista votuese. Pritjet tona janë që me siguri se nuk do të ndryshojë dalja e votuesve, krahasuar me zgjedhjet paraprake”, bën të ditur Daka.

Kryetarja e KQZ-së, thotë po ashtu se për vëzhgimin e këtyre zgjedhjeve janë certifikuar 1.514 vëzhgues, prej të cilëve vetëm 6 janë ndërkombëtarë, kurse të tjerët u përkasin partive politike dhe organizatave joqeveritare.

Tetë kandidatët që synojnë të marrin timonin e qytetit të Ferizajt janë Agim Aliu (PDK), Adem Salihu (LDK-LDD), Ramadan Hasani (AKR), Naim Ferati (AAK), Faton Topalli (VV), Bujar Ademi (PD) Ramadan Emini (Lëvizja e Bashkuar) si dhe Rrahim Sadiku, si i pavarur. /rel/

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu