Krasniqi darkod me Poltiken e VV

0
208

Jakup Krasniqi: Fusnota, anti-kushtetuese

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, thotë se Kosova në nisma rajonale duhet të përfaqësohet me emrin e saj, Republika e Kosovës, sepse çdo ndryshim i emrit në përfaqësimin e saj përbën shkelje të Kushtetutës së Kosovës.

Këtë deklaratë, Kryetari i Kuvendit e bëri në ditën kur në Prishtinë ndërmjetësi i Bashkimit Evropian, Robert Cooper dhe kryenegociatorja, Edita Tahiri, diskutojnë për mënyrën e përfaqësimit të Kosovës në rajon, pjesë kjo e bisedimeve teknike Kosovë-Serbi.

“Realisht përderisa në kushtetutë shkruhet Republika e Kosovës dhe nëse hiqet fjala Republikë, atëherë është një shkelje e kushtetutës. Unë mendojë se presioni i Bashkimit Evropian mbi Kosovës nuk është dashur të bie në këtë nivel. Ne si Kosovë kemi bërë kompromise me dokumentin gjithëpërfshirës të presidentit Marti Ahtisaari dhe unë mendojë se Kosova nuk duhet të futet në kompromise të tjera”, thotë Jakup Krasniqi, raporton RTK.

Ndryshe, Kryenegociatorja Edita Tahiri, ditë më parë ka pranuar se pala kosovare mund të pajtohet që Kosova të prezantohet në rajon pa fjalën republikë, por me një fusnotë.

Sipas saj, mënyra e prezantimit do të paraqesë realitetin e rajonit karshi Kosovës, për faktin që Kosovën përveç Serbisë, ende nuk e kanë njohur as Bosnja e Hercegovina, Rumania dhe disa shtete të Evropës Juglindore.

Modeli i përfaqësimit, sipas Tahirit, është marrë nga shteti fqinjë Maqedonia.

Por, këtë model përfaqësimi dhe krahasimin e kundërshton Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi.

“Arsyeja e parë është që shembull, shteti i Greqisë e ka njohur Maqedoninë si shtet, por ia konteston emrin, ndërsa, tek ne problemi është pak më ndryshe sepse Serbia e konteston edhe pavarësinë e Kosovës dhe emrin e saj Republika e Kosovës”, thotë Krasniqi.

Sipas kryekuvendarit Krasniqi, krahasimi Kosovë-Serbi me rastin Maqedoni-Greqi, nuk mund të jetë zgjidhje e lakmueshme, sepse, ai thotë se Greqia edhe sot e kësaj dite e pengon rrugën e Maqedonisë në anëtarësimin e saj në NATO dhe Bashkimin Evropian. /rtk/

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu