Krasniqi: Kryeministri mund të jetë mbret vetëm në kryeministri

0
213

Grupet Parlamentare të opozitës kanë kërkuar që kryeministri i vendit, Hashim Thaçi të vij të raportoj nesër në Kuvend të Kosovës, por një gjë e tillë nuk do të ndodh pasi që agjenda e tij është që do të shkoj për vizitë zyrtare në Shqipëri. Me këtë nuk janë pajtuar partitë opozitare, por seanca vazhdoj punimet me pikat sipas rendit të ditës, duke mos vendosur asgjë.

Në kohën kur ishte paraparë raportimi i kryeministrit, Hashim Thaçi, dy deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca dhe Visar Ymeri kishin shpalosur një pankartë me mbi shkrimin “Kosova e Hashimit”.

Me këtë rast kryeministri, Thaçi ka vlerësuar se nuk plotësoheshin kushtet për raportim duke u larguar nga foltorja duke e shtyrë kështu kryesuesin e seancës, Sabri Hamiti të merrte vendim për një pauzë 15 minutëshe.

Pas pauzës, deputeti i PDK-së, Ilmi Reçica ka arsyetuar refuzimin e shefit të tij për të raportuar para deputetëve, duke shtuar se një gjë e tillë i ishte pamundësuar nga deputetët e lëvizjes Vetëvendosje

“Raportimi për takimin e tij të pestë u pamundësua, prandaj nuk u mundësuan kushtet që ai raportim për t’i informuar deputetët edhe opinionin, deputetët, të bëhet”, ka thënë Reçica.

Por Shefi i Grupit Parlamentar i LDK-së, Ismet Beqiri ka kërkuar që raportimi i kryeministrit të ndodh nesër.

“Debati të mbahet nesër dhe kryeministri e ka për obligim sipas rezolutës që ai të raportoj në kuvend dhe nuk ka asnjë logjikë dhe nuk mund të bëjmë debat pa raportim të tij. Prandaj ne propozojmë që ai ta bëjë nesër në një seancë dhe do të themi mendimin tonë dhe mendojmë që nuk duhet të shkohet në Bruksel pa e pasur një raport para deputetëve”, ka theksuar Beqiri.

Edhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Liburn Aliu ka thënë se Vetëvendosja është që raportimi të vazhdonte sot.

“Mundësi ka pasur të vazhdoj pas 15 minutave dhe ai nuk është kthyer. I ka marrë të tanë me vete. Ai mund të vijë dhe të raportoj këtu”, ka theksuar Aliu.

Ndërkohë edhe Shefi i GP të AAK-së, Ardian Gjini ka thënë se nuk është ide e keqe që të ftohet nesër dhe të bëjë paraqitjen para deputetëve.

“Edhe për një kohë që vjen Kosova ka me paguar çmim për një qeverisje të keqe. Detyrë e jona me minimizuar çmimin për çka mund të paguajnë qytetarët, ne kemi marrë rroga të mira viza kemi lëviz kudo, por qytetarët tonë jo. Nuk është rruga për me degradu vendin kështu. Çmimin po e paguan qytetarin tonë është e detyrë e jona me ruajt vendin dhe institucionin tonë”, ka theksuar Gjini.

Edhe Shefja e GP të Koalicionit për Kosovë të Re, Myzejene Selmanaj ka kërkuar raportimin të kryeministrit gjatë ditës së nesërme.

Por deputeti, Ilmi Reçica ka thënë se kryeministri nesër nuk mund të vijë të raportoj, pasi që ka për të udhëtuar për një vizitë zyrtare në Shqipëri.

Sipas tij, raportimi mund të ndodh nga ora 19:00 deri në 20:00 në mbrëmje.

Më pas kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi ka thënë se kjo praktikë në ekziston në asnjë vend ku funksionon demokracia.

Sipas tij, përgjegjësia është e shumicës së deputetëve, duke respektuar shumicën e deputetëve.

Krasniqi ka thënë se kryeministri mbret mund të jetë në kryeministri, por jo edhe në parlament.

“Kryeministri është mbret në kryeministri, por jo në parlament. Agjendën e kemi të caktuar për sot e nesër nuk mund të caktojmë agjenda tjera”, ka thënë Krasniqi.

Më pas edhe pse ishin dy mocione njëri i koalicionit qeverisës dhe tjetri i opozitës, Krasniqi asnjërin nuk e hodhi në votim, duke bërë që mos të caktohet dita se kur do të raportoj kryeministri.

Ndryshe, seanca ka vazhduar punimet me miratimin në lexim të dytë të Projektligjit për arsimin dhe aftësimin profesional dhe formimin e Komisionit Ad-hoc për përzgjedhjen e anëtarëve të Komisionit të Pavarur të Mediave, ku kanë mbetur të caktohen vetëm ata nga radhët e PDK-së.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu