Krasniqi mohon grushtimet ndaj Kamishit

0
155

Pavarësisht xhirimeve që ekzistojnë e ku shihen qartë deputetët e involvuar në rrahjen që ka ngjarë muaj më parë në hollin e Kuvendit të Kosovës, Florim Krasniqi nga lëvizja “Vetëvendosje” ka mohuar se ka grushtuar deputetin e Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiun, të njohur si “Kamishi”.

Këtë mohim Florim Krasniqi e ka bërë javë më parë kur edhe ka dhënë deklaratën para prokurorit komunal të Prishtinës, Ruhan Salihut, i cili është duke zhvilluar hetimet përkitazi me rrahjen që ka ngjarë në Kuvendin e Kosovës më datën 28 qershor të këtij viti.

Prokurori i rastit Salihu konfirmon se tashmë ka përfunduar intervistat me dy nga katër të pandehurit, derisa intervistimin e palës së dëmtuar, në këtë rast Kamishin, e ka përfunduar disa javë pas rastit.

“Bekim Haxhiu është intervistuar më herët në cilësinë e palës së dëmtuar, ndërsa gjatë muajit shtator janë intervistuar edhe Florim Krasniqi e Rexhep Selimi. Selimi është mbrojtur në heshtje, ndërsa Krasniqi ka dhënë deklaratë”, ka njoftuar prokurori i rastit Ruhan Salihu.

Ai nuk ka dhënë detaje përkitazi me deklaratat e dhëna, por gazeta ka mësuar se Krasniqi ka mohuar të gjitha akuzat që i vihen në barrë se ka marrë pjesë në grushtimin mes deputetëve, grushtim i cili kishte nisur pas akuzave të deputetëve të lëvizjes “Vetëvendosje” ndaj disa deputetëve të PDK-së, që sipas lëvizjes, kanë qenë pjesëtarë të Shërbimit Informativ të Kosovës.

“Krasniqi ka mohuar akuzat, ndërsa Rexhep Selimi para prokurorit ka qëndruar në heshtje me arsyetimin se do të përgjigjet në gjykatë në qoftë se një gjë e tillë i kërkohet”, ka njoftuar një zyrtar i afërt me rastin.

Ndonëse është ftuar disa herë, shefi i grupit parlamentar të “Vetëvendosjes”, Visar Ymeri, as më datat 10 dhe 11 shtator, nuk është paraqitur në prokurori. Tek prokurori Salihu nuk është paraqitur as truproja e Rexhep Selimit, Besart Bujupi.

“Këta dy janë arsyetuar me faktin se asnjëherë nuk i kanë pranuar ftesat dhe gjatë muajit ftesat do t’u dërgohen përsëri”, ka thënë më tutje ky zyrtar.

Selimi e Krasniqi janë paraqitur në prokurori pas marrjes së ftesës së tretë nga prokurori Ruhan Salihu. Fillimisht ata kishin qenë të ftuar për datën 3 gusht dhe nuk janë paraqitur në gjykatë me arsyetimin se nuk i kanë marrë ftesat.

Kësaj here nuk ishte paraqitur as Bekim Haxhiu, i cili është paraqitur në ftesën e dytë. Por prokuroria, deputetëve të lëvizjes “Vetëvendosje” është detyruar që t’ua dërgojë edhe ftesën e tretë dhe tashmë është në përgatitje të ftesës së katërt për Visar Ymerin.

Ndonëse nga prokuroria nuk japin detaje se si do të veprojë prokurori në rast se Ymeri nuk paraqitet edhe këtë herë në gjykatë, por Kodi i Procedurës Penale e qartëson mjaft mirë se nëse një i dyshuar refuzon tri ftesa të prokurorisë, atëherë kjo e fundit është e detyruar që marrjen në pyetje të tij ta sigurojë duke angazhuar policinë që të sjellë në prokurori personat e dyshuar.

Rrahja në hollin e Kuvendit të Kosovës ka ngjarë më 28 qershor të këtij viti madje pas akuzave të shkëmbyera mes deputetëve të lëvizjes “Vetëvendosje” me ata të PDK-së. Këta të fundit e posaçërisht deputeti Bekim Haxhiu në vazhdimësi është kritikuar nga lëvizja “Vetëvendosje” në lidhje me veprimtarinë e tij në Shërbimin Informativ të Kosovës.

Madje, SHIK-u ka qenë edhe arsyeja e grushtimit të deputetëve ku lëndime të natyrës së lehtë kishte pësuar Bekim Haxhiu i njohur si Kamishi.

 

Nga Selvije Bajrami

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu