Kreu i PPE, Swoboda, flet pa dorashka për Berishën. Kryetari i PS-së pritet si kryeministër në Bruksel. Rama: Ndërkombëtarët do të garantojnë ndryshimin përmes votës në 23 qershor

0
131

Kreu i PPE, Swoboda, flet pa dorashka për Berishën. Kryetari i PS-së pritet si kryeministër në Bruksel. Rama: Ndërkombëtarët do të garantojnë ndryshimin përmes votës në 23 qershor

Brukseli rrëzoi dje alibinë e mazhorancës dhe kreut të saj, Sali Berisha, se PS-ja është shkaku i mos përparimit të Shqipërisë në rrugën e saj drejt integrimit në familjen evropiane. Për Presidentin e grupit Socialist dhe Demokrat në Parlamentin Europian, Hannes Swoboda, shkak i bllokimit ka qenë pikërisht kryeministri Berisha dhe qeveria që ai drejton. “Berisha dhe qeveria e tij kanë bllokuar tanimë për shumë e shumë vjet edhe fillimin e negociatave për integrimin dhe, njerëzit duhet të jenë të motivuar të shkojnë në zgjedhje të votojnë”- deklaroi dje Hannes Swoboda menjëherë pas takimit që ky i fundit zhvilloi me kryetarin e opozitës Edi Rama. Ndër të tjera, në deklaratën e përbashkët për shtyp, Swoboda dha garancitë e tij se pala evropiane do të japë çdo garanci që zgjedhjet e qershorit të jenë të standardeve demokratike në mënyrë që vota e çdo qytetari të garantohet. “Së pari jam shumë i kënaqur të takohem përsëri ashtu siç jemi takuar shumë shpesh gjatë muajve të fundit, me Edi Ramën, kryetarin e Partisë Socialiste. Shoh te ai tani liderin e opozitës, por dhe kryeministrin e ardhshëm. Ky është mesazhi im. Ju duhet ta bëni të mundur tani të ndryshoni drejtimin e vendit. Berisha dhe qeveria e tij kanë bllokuar tanimë për shumë e shumë vjet edhe fillimin e negociatave për integrimin dhe njerëzit duhet të jenë të motivuar të shkojnë në zgjedhje të votojnë. Ne do të bëjmë ç’është e mundur nga pala evropiane të kontrollojmë zgjedhjet, në kuptimin që të jetë një votim korrekt sipas ligjit, mos jetë i keqpërdorur. Sepse për një herë të vetme ne duam zgjedhje të qarta dhe korrekte. Dhe, sigurisht, zgjedhje me një votë të qartë të qytetarëve për të ndryshuar drejtimin e vendit, për të luftuar realisht korrupsionin, për të luftuar vërtet për kohezion social. Është kaq e rëndësishme, sa njerëzit duhet të përdorin këtë mundësi dhe të votojnë”- u shpreh Hannes Swoboda.

Nga ana e tij, kryetari i PS-së, Edi Rama u shpreh se sytë e ndërkombëtarëve janë drejtuar tashmë nga Shqipëria, për të garantuar ndryshimin përmes votës. “Është gjithmonë e më e qartë se ka një vetëdijësim shumë të posaçëm të të gjithë komunitetit ndërkombëtar, të të gjitha forcave që janë me sytë nga Shqipëria, institucione, parti, për të garantuar ndryshimin përmes votës. Për të garantuar që shqiptarët të mund të vazhdojnë në rrugën e integrimit me një qeveri të dalë nga vota e lirë dhe sigurisht me një qeveri e cila të ndryshojë drejtimin e vendit. Është përditë e më e qartë për të gjithë se pse Shqipëria ka ngecur, se kujt i takon përgjegjësia për ngecjen e saj dhe se Shqipëria duhet të rifillojë rrugën e saj drejt perspektivës evropiane përmes votës së lirë dhe përmes zgjedhjeve që të ndajnë këtë të shkuar që vazhdon me të ardhmen që është prapa derës”- u shpreh kreu i PS-së, Edi Rama.

Takimi Rama – Swoboda

Kreu i Partisë Socialiste priti dje në zyrën e tij në një takim të posaçëm kreun e grupit Socialist dhe Demokrat në Parlamentin Evropian, Hannes Sëoboda. Mësohet se gjatë takimit, që zgjati rreth 60 minuta, Rama nga ana e tij e njohu euro-parlamentarin Swoboda me zhvillimet më të fundit politike në Shqipëri, si dhe përgatitjet e PS-së për fushatën e ardhshme zgjedhore. Gjithashtu, bashkëbiseduesit kanë diskutuar edhe në lidhje me agjendën e evropiane të Shqipërisë, në rrugën e saj drejt integrimit në Bashkimin Evropian. Gjatë takimit, Swoboda e vuri theksin tek zgjedhjet e ardhshme, të cilat sipas tij do të duhet të jenë të ndershme dhe të lira. Në këtë aspekt, “kreu i grupit socialist dhe demokrat në Parlamentin Evropian u zotua se institucionet e Bashkimit Evropian do të japin çdo garanci që zgjedhjet e qershorit të jenë të standardeve demokratike në mënyrë që vota e çdo qytetari të garantohet”- thuhet në njoftimin e djeshëm të PS-së.

“Berisha dhe qeveria e tij kanë bllokuar tanimë për shumë e shumë vjet edhe fillimin e negociatave për integrimin dhe, njerëzit duhet të jenë të motivuar të shkojnë në zgjedhje të votojnë”

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu