Krijimi i një fronti mbarë popullor për Drejtësi e Barazi Shoqërore, detyra më atdhetare sot

0
106

Detyra më atdhetare që kërkohet sot, angazhimi më patriotik e shqiptar, çështja tashmë imediate dhe e shtruar për zgjidhje, për shumicën popullore dhe vendin e shqiponjave është çlirimi i njeriut të thjeshtë, i mbetur brenda halleve e problemeve të papara ndonjëherë, prej mashtrimit, abuzimit dhe shfrytëzimit.
Në qoftëse nuk thellohemi, por mbetemi në cektësinë tonë (që fatkeqësisht na karakterizon), mund të reagojmë duke e kundërshtuar këtë tezë, si të tejkaluar e të kapërcyer tashmë, në këtë shoqëri të konsumit e në këtë kapitalizëm popullor, me parti – shtet e pushtet gjoja pa ideologji e mbiklasore. Ndërsa po të ndalemi pak çaste, sa për të menduar e gjykuar thjeshtë, se si të mëdhenjtë e pushtetit ekonomik e politik nuk lindën të tillë, por u bënë me mekanizma shteti e marifete politike, do të kuptojmë se kemi mbetur të tradhëtuar, të abuzuar, të mashtruar e të shfrytëzuar sistematikisht për më shumë se njëzetë vjet me radhë.
Në fillimet e këtij “ndryshimi demokratik”, shqiptarët punëtorë e të guximshëm, çanë dallgët e deteve me mjete, forma e rrugë primitive, të rrezikshme e të pabesueshme për botën e qytetëruar, provuan vuajtje ekstreme e poshtërime, nëpër bagazhe makinash, maunesh e hambarësh të anijeve, pyjeve të Greqisë, arave dhe plantacioneve frutore të botës.
Gjithkush, vendosi të ikë prej këtej, për një jetë më të mirë, por mbi të gjitha për të mbajtur familjen e vet, për pak vite sa të kalonte ajo periudhë që marifetçinjtë dhe hileqarët e quajtën tranzicion, duke e ënë të tillë sot e kësaj dite. Realisht, populli e bëri detyrën patriotike, për të mbajtur familjet e tyre dhe Shqipërinë, por djallëzia e hileqarëve që u vetëquajtën elitë politike, do të bënte të vetën, duke i lënë të shpërfillur dhe të urryer padrejtësisht, pa të drejta si shqiptarë dhe pa kurrëfarë interesimi, për këtë pjesë popullsie, pa asnjë mundësi integrimi për ta në vendin e tyre, të dhimbjes së madhe. Jo vetëm kaq, por foletë e tyre i shkatërruan dhe grabitën, djersën e derdhur prej vitesh për ndërtimin e Shqipërisë me industri e bujqësi të zhvilluar, e plaçkitën, si dhe prindërit e tyre i sëmurën prej stresit të paparë, prej papunësisë e mashtrimit sitematik.
Çlirimi i njeriut të thjeshtë (që pëbën shumicën popullore), të mbetur në ingranazhet e demagogjisë, i tallur e i zhveshur nga puna e mundësitë për të jetuar, mendoj se është detyra parësore dhe çështja e shtruar për zgjidhje për shoqërinë shqiptare. Në këtë kuadër, mbeten të shpërfillura patetizmat dhe thirrjet për flamurin dhe ngjyrat e tij, për urrejtje ndaj fqinjëve grekë e sërbë, sikur të mos e njihnim veten e gabimet tona, sikur të mos ishim dëshmitarë të kësaj drame me dhimbje pafund e grabitje galopante prej atyre që u lidhën me më mafiozët e më makutërit e botës, për t’u bërë të pashpirtë e të pangopur.
Ky është problemi dhe antagonizmi që ka nisur të thërras shqiptarët, për zgjidhje politike dhe vendosjen e vendit në shinat e normalitetit politik, ekonomik e social dhe jo rreziku nga jashtë, përderisa të huajt i kemi ulur në qoshe, si zot shtëpie.
Kësisojë, emigrantët u bënë gjahu i parë i djallëzisë; dhe më pas u godtën masivisht, grupe të tëra sociale, që nga ata që bënë luftën për çlirim e ndërtim të vendit, e duke vazhduar me shkatërrimin e pasurisë intelektuale, që ishte prona më e çmuar e shqiptarëve, me ushtarakët, këtë pjesë të shëndetshme dhe elitare të shoqërisë, me braktisjen e brezit të ri, duke e lënë pa rrënjë në iluzionet dhe ëndërrat e tyre të moshës. Gjithashtu, jashtë vëmendjes janë lënë invalidët dhe personat me aftësi të kufizuar, radhët e të cilëve shtohen nga dita në ditë, për shkak të stresit dhe sëmundjeve të panjohura më përpara.
E gjithë kjo “jetë e re” që na u servir djallëzisht, kjo mënyrë e mënxyrë e të jetuarit, erdhi sepse na duhej demokracia e liria, që asnjëherë nuk i kuptuam se çfarë ishin, veç mashtrimit të madh të viteve ’90 dhe zhgënjimit sistematik e permanent në vazhdim.
Kaluan dy dekada që atëhere, nga dita kur në vendin tonë u vendos sistemi i ekonomisë së tregut, alla kapitalizmi popullor, i cili shpalli si objektiv kryesor, ndërtimin e shtetit ligjor, shtetit demokratik të së drejtës, me qëllimin e mëvonshëm të tyre, ndërtimin e sistemit të padrejtësisë.
Pra, gjithçka u bë mbrapshtë: kapitalin e shqiptarëve e bënë pronë për vete dhe njerëzit e tyre, në vend që pronat e krijuara dhe që do krijoheshin të ishin kapitali i shqiptarëve; dhe në vend që të përcaktohej qartë sistemi e mbi këtë bazë të ngrihej shteti i tij, u turrën të bëjnë piramidën qesharake e private të interesave të tyre, duke e servirur si shtet të shqiptarëve.
Kush merr vesh sadopak nga politika në kuptimin e vërtetë të fjalës, e di shumë mirë, se tjetër është shteti, dhe tjetër sistemi shoqëror; dhe se sistemi pjell shtetin e jo shteti sistemin. Si të jetë sistemi shoqëror, natyra dhe ligjet e tij, ashtu do të jetë edhe shteti, që ndërtohet nga vetë sistemi, sipas modelit dhe mënyrës që i duhet, për t’i shërbyer në çdo kohë e në çdo rrethanë.
Si mund të ketë shtet demokratik, shtet të së drejtës në një sistem të padrejtë, siç është sistemi aktual, pavarësisht nga demagogjija që përcillet dhe ngjyrat e bukura që ka veshur dhe ndërron në çdo stinë të tij?!…
Autorët e këtij sistemi, janë politikano-pushtetarët tanë borgjezë (që e dimë fare mirë se si u bënë të tillë), të mbështetur nga “mjeshtrit ndërkombëtarë”, të cilët po eksperimentojnë tek ne, atë që u ka dështuar dhe po u dështon çdo ditë në vendet e tyre.
Situata ka arritur e tillë, që asgjë nuk duhet të shpresojmë më, prej reformave gjysmake e hileqare, si ajo e Kodit Zgjedhor; apo e heqjes së imunitetit (kur nuk të hyn më në punë), dhe pë t’a përdorur atë për gjueti shtrigash; deri tek ndryshimi i ligjeve dhe neneve të Kushtetutës, sa herë nuk u del hesapi marifetçinjëve, duke e shëndërruar në një rreckë, që vetëm Kushtetutë nuk mund të quhet.
Përfundimisht, konkluzioni është më se i qartë, se ky regjim duhet çmontuar në themel, për të vendosur Kushtetën e popullit, të hartuar thjeshtë dhe saktë, me shtyllat bazë të sistemit që dëshiron populli, të shtetit, që i duhet shoqërisë shqiptare për të organizuar një qeverisje të drejtë e në përputhje me vullnetin e popullit, duke qënë i kontrollueshëm në çdo kohë prej tij dhe duke ruajtur të paprekshëm rolin e sovranit.
Thirrjet dhe çirrjet e shpurës politike aktuale, që startoi në vitet ’90, për të bërë shtetin demokratik, ligjor dhe për qytetarin, janë përpjekje të dëshpëruara, pasi dolën sheshit, qëllimet e xhepit dhe të interesave të tyre, si dhe tradhëtia e interesave popullore. Dhe krejtësisht mbrapshtë, siç nënvizova më lartë, me anë të këtij instrumenti primitiv (të quajtur shtet), të ngritur me hallka dallaveresh e interesash dhe vetëm për qëllimet e oborrit të tyre, kërkojnë të bëjnë sistemin.
Ky nuk është as ngatërrim padashje dhe as lajthitja e tyre, por detyra që vjen prej qëllimeve dhe planeve të tyre të mbrapshta, të mbështetura nga “miqtë e Shqipërisë”, që realisht janë bashkëgrabitës.
Atë që politika duhet t’a kishte thënë prej kohësh, tashmë e thotë populli i mbetur në udhëkryqin e trishtimit: ky është sistemi i borgjezisë së sajuar dhe të komanduar prej njerëzve të dyshimtë, sistemi i zhvillimit të pabarabartë, sistemi i shfrytëzimit të njeriut prej njeriut mashtrues, sekser, njeriut me pushtet, pasuri e favore; sistemi i padrejtësisë shoqërore dhe i gënjeshtrave pafund; është sistemi i konflikteve dhe i shumë e shumë të zezave, tashmë të provuara gjatë më se dy shekujve me radhë.
Prandaj dhe shteti ynë i sotëm nuk do të bëhet kurrë shtet i vërtetë demokratik e ligjor, edhe sikur të ikë Berisha me shokët e vet, sepse sistemi pjell të tjerë Bisha, që ndonëse mund të mos jenë si ai në pamje e në formë, sepse janë njëlloj në përmbajtje, kopje e vetë sistemit, që i nxjerr në krye me mekanizmat e vet të pistë, fiks siç i duhen këtij institucioni të krimit.
Ndërgjegjia e shëndetshme kombëtare është e qartë dhe e bindur, se ndaj kësaj padrejtësie shoqërore me përmasa kaq galopante, i interesuar dhe me frymë reagimi, mbetet të jetë vetëm populli dhe sidomos shtresat e rrënuara të shoqërisë.
Përse? Sepse interesaxhinjtë, ata që me zor presin të bëjnë korrupsionin e radhës, mallkojnë e luten për rrëzimin këtij regjimi antihuman, duke vrapuar dyerve të selisë me ngjyra të shplara, apo ndonjë force që i jep shanse personale për të vazhduar aty ku e lanë miqtë e tyre blu.
Në këto kushte, si gjithnjë gjatë Historisë tonë, por edhe sipas përvojave të historisë së popujve që luftojnë për liri e identitet kombëtar, mësojmë se përballë situatave të tilla asimiluese e me rreziqe ekzistenciale, ndërgjegjia pastërtisht e shëndetshme, ka bërë apel për reagim e Bashkim mbarë popullor, kundër të keqes. Kështu ndodhi gjatë pushtimit fashist të vendit tonë, por kështu duhet dhe është e domosdoshmë të ndodh edhe sot, në kushtet e këtij invazioni modern, ku populli ka humbur pushtetin e tij dhe vendi copëtohet dhe humbet përditë nga pasuria e tij kombëtare, nga morali, trashëgimia dhe dinjitetit i tij kombëtar, duke marrë pamjen e trishtë të vendit të grabitur e të tokës së djegur.
I gjendur sot në grackën e mashtrimeve sistematike dhe tërësisht i ç’orientuar politikisht, populli është bërë mosbesues, duke përjetuar krizën më të thellë të identitetit të tij dhe nuk po e di më, nëse është socialistë apo demokratë, siç ushtallarët e politikës e kanë quajtur.
Berisha e harroi premtimin e kafshatës për njerëzit, për shumicën popullore, se ky është profesioni i tij (mashtrimi), dhe, se është më lehtë të merresh me bosat e sidomos ata që i bëri vetë në mënyrë abuzive, me vjedhje e grabitje, të cilëve ua tund letrat sa herë u duhet mbështetja e tyre!
Pak vëmendje duhet, për të parë, se sa ka shkuar numri i ligjeve, konçensioneve apo vendimeve të qeverisë shqiptare, që kanë vepruar për gjithë këto vite në dëm të interesave popullore e sidomos në kurriz të shtresave me nivel të ulët ekonomik…!!
Këtë kosto të paimagjinueshme dhe me pasoja për të ardhmen e brezave, e kanë shkaktuar me radhë dy monopolet politike: herë PD dhe herë PS, ashtu siç është bërë, po me radhë, edhe marrja e pushtetit. Klika që ka ardhur në pushtet, ka fajësuar vetëm me fjalë, tjetrën që zëvendësoi dhe asnjëherë nuk e ka penalizuar grabitjen dhe tradhëtinë e bërë… por e ka thelluar rrugën e “reformave”, duke i hequr sovranit çdo mundësi për të kontrolluar dhe vendosur mbi fatet e tij. Pra, thjeshtë është bërë loja antishqiptare dhe antipopullore, veçse sipas skenarit të radhës, që shqiptarët të shpresojnë po sipas radhës që kanë vendosur ustallarët dhe të ndarë e të coptuar, duke pritur radhën e zhgënjimit, si mundësi e pushtetit të klikave të paracaktuara; duke mos lejuar që ky pushtet të dalë jashtë duarve të tyre.
Gjatë gjithë këtyre viteve, kemi ndjekur një teatër zbavitës, të inskenuar prej atyre që kanë shijuar përfitimet e pushtetit dhe abuzimet me të. Kjo ka ndodhur në gjithë këto vite, dhe kështu do të ndodhte, përderisa nuk ka patur reagim popullor të organizuar; dhe asnjëherë, në kuvendin që duhet të ishte i popullit, nuk ka qënë vullneti real i sovranit.
Kjo nuk është armiqësi ndaj njerëzve të rëndësishëm, që bëjnë vepra të mira për popullin, apo ndaj atyre që kanë vënë pasuri me sakrifica dhe punë, as ndaj njerëzve pasionantë e sudiozë të politikës, por dashuri për popullin që vuan, dëshirë e pasion, siç kanë mjaftë njerëz që luftojne me të gjitha mundësitë e tyre për prosperitetin e këtij vendi!
… Me gjithë përpjekjet tona dashamirëse, e kemi të pamundur çmontimin prej themeli të kësaj të keqeje të madhe pa ndihmën e popullit që inspiron idealet socialiste, pa socialistët dhe progresistët e këtij vendi, pa u rreshtuar në këtë betejë me idealistët dhe humanistët e këtij vendi.
Pavarësisht, se sot djallëzia dhe loja e fëlliqur janë bërë virtut, aftësi e zotësi, dhe se vetëm ato përshëndeten, vlerësohen e gradohen, ka dhe një moral ndryshe, që është morali i shoqërisë, ka dhe virtute e cilësi që kërkojnë të çlirohen prej thundrës imorale, që padrejtësisht është lartësuar e ngitur në pushtet.
Pikërisht ky moral, përpiqet të ngrihet në shkallën e një fronti mbarë popullor, si detyrë atdhetare e mision historik, jashtë monopolit partiak njëzetë e ca vjeçar, prej popullit të vetorganizuar për Drejtësi e Barazi Shoqërore!

Nga Astrit KOSTURI

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu