Krisje në gjeopolitikën sovjetike të Putinit

0
119

Me siguri presidentit rus, Vladimir Putin, duhet t’i ketë ardhur keq që nuk jemi në vitin 1968, kur ka lexuar njoftimin zyrtar nga Uzbekistani se ai shtet  i Azisë Qendrore del nga Traktati ushtarak i CSTO, i drejtuar nga Moska. Sepse në vitin 1968 Moska pushtoi ushtarakisht Çekosllovakinë, një anëtare e Traktatit Ushtarak të Varshavës, të drejtuar nga Moska, pikërisht për ta ndaluar atë shtet të Europës Qendrore që të dilte nga Traktati i Varshavës. Por, kohërat tani janë të tjera dhe Vladimir Putini nuk mund të imitojë udhëheqësin rus të asaj kohe, Leonid Brezhnjevin që urdhëroi pushtimin e Çekosllovakisë, ndonëse në qendër të ambicies së vet prej udhëheqësi të Kremlinit presidenti i tanishëm rus i ka vënë vetes ëndrrën për të ringjallur Bashkimin Sovjetik të kohës së Leonid Brezhnjevit. I vetmi lehtësim që mund ta ketë ngushëlluar presidentin rus duhet të ketë qenë fakti se Moska nuk e emërtoi CSTO-në “Traktati i Tashkentit”, në kohën që themelimi i organizatës u bë në kryeqytetin e Uzbekistanit në vitin 1992.
Në këtë raport mes ambicies gjeopolitike të presidentit rus dhe aktit të daljes së Uzbekistanit nga CSTO, Organizata e Traktatit të Sigurimit Kolektiv duhet parë dhe rëndësia e këtij zhvillimi të ri në Azinë Qendrore. Duhet thënë që në fillim se dalja e Uzbekistanit nga CSTO është një goditje për strategjinë ruse të afishimit të saj si fuqi kryesore rajonale, aziatike dhe globale. Sepse CSTO ku marrin pjesë Rusia, Bjellorusia, Armenia, Kazakistani, Kirgizstani dhe Taxhikistani, është krijuar dhe planifikuar nga Moska si një organizatë ushtarake, e cila duhet të konfirmojë kontrollin rus në vendet anëtare dhe si një kundërvënie ndaj NATO-s. Në një farë kuptimi është një formë ringjallje e Traktatit Ushtarak të Varshavës që krijoi Moska në kohën e perandorisë komuniste sovjetike.
Nga viti në vit Moska ka intensifikuar masat dhe mekanizmat, që CSTO të shndërrohet në një instrument ushtarak i saj në Azinë Qendrore. Këto hapa të drejtimit rus të kësaj organizate kanë synuar që të pakësojnë gradualisht hapësirën e sovranitetit të shteteve të Azisë Qendrore dhe t’i japin Moskës kompetencat e ushtrimit të këtij sovraniteti. Në këtë kuadër Moska ka kërkuar që shtetet anëtare të japin baza ushtarake për organizatën, gjë që në fakt do të thotë të japin baza për forcat ruse. Uzbekistani e ka kundërshtuar këtë kërkesë të Moskës. Moska ka kërkuar që CSTO të krijojë forcat paqeruajtëse dhe t’i vendosë në shtetet anëtare, të cilat kanë probleme e konflikte mes tyre. Por, edhe kjo është kundërshtuar nga Uzbekistani, ndoshta duke patur parasysh se të ashtuquajturat forca paqeruajtëse ruse që ishin vendosur në Abhazi dhe në Osetinë e Jugut në Gjeorgji, ndërmorën në gusht të vitit 2008 një agresion ushtarak kundër Gjeorgjisë dhe i shkëputën me dhunë asaj këto dy territore të saj. Moska ka krijuar edhe një forcë të ndërhyrjes së shpejtë të CSTO, në emër të mbrojtjes së shteteve anëtare nga terrorizmi. Është kundërshtuar nga Uzbekistani edhe pjesëmarrja në forcat e ndërhyrjes së shpejtë të CSTO, i trembur nga perspektiva se kjo forcë mund të përdoret për ndërhyrje në jetën e brendshme të vendeve anëtare.
Ndërhyrja e Moskës në të drejtat sovrane të shteteve anëtare ka shkuar deri në pikën e kërkesës që CSTO, pra Moska, të ketë të drejtën e vetos në dhënien e lejes për stacionimin e trupave të huaja ushtarake në territorin e një vendi anëtar. Kjo masë e Moskës synon qartë që ajo të ruajë ekskluzivitetin e bazave të saj ushtarake në vendet anëtare dhe të mos lejojë ata që të hyjnë në marrëdhënie bashkëpunimi me SHBA dhe me NATO-n. Uzbekistani e ka kundërshtuar këtë kërkesë të Moskës.
Akti i daljes se Uzbekistanit nga CSTO është një goditje për ambiciet ruse dhe për prestigjin rus në Azinë Qendrore dhe në krejt hapësirat ish-sovjetike. Moska ka synuar që t’i japë kësaj organizate një karakter pansovjetik dhe të përfshijë sa më shumë shtete që kanë dalë nga ish-Bashkimi Sovjetik, që nga Bjellorusia e deri në Azinë Qendrore. CSTO është projektuar prej saj si një nga instrumentet më të rëndësishme të një sistemi të tërë postsovjetik institucionesh e organizatash që ka krijuar Moska për të ruajtur influencën e vet në tërë hapësirën ish-sovjetike, si Unioni i Shteteve të Pavarura, CIS, Bashkimi Doganor, Unioni Euroaziatik, etj. Diplomacia ruse ka ndërmarrë përpjekje të shumta për zgjerimin e kësaj organizate me anëtarë të rij dhe një ofertë e drejtpërdrejtë i është bërë Ukrainës nga Vladimir Putin. Përpjekjet e diplomacisë ruse janë zgjeruar edhe më tej për të rekrutuar edhe shtete të tjera jashtë ish-Bashkimit Sovjetik, madje ta shtrijnë CSTO edhe në Ballkan, duke i bërë ofertë Serbisë që të bëhet anëtare e kësaj organizate. Mediat ruse kanë njoftuar edhe për bisedime që janë zhvilluar mes Moskës dhe Beogradit për mundësinë e anëtarësimit të Serbisë në këtë organizatë ushtarake ruse.
Ikja e Uzbekistanit jep një provë rajonale dhe ndërkombëtare se kjo organizatë nuk është në përputhje me të drejtat sovrane të shteteve anëtare dhe se synimet e saj tejkalojnë kuadrin e një bashkëpunimi normal rajonal. Ky proces dezintegrimi e vendos CSTO dhe Rusinë në një pozitë të vështirë politike, diplomatike, gjeopolitike, propagandistike dhe etike, në rajonin e Azisë Qendrore. Zhvillimi duhet parë edhe në kuadrin e ecurive të reja të pritshme në këtë zonë, në dritën e tërheqjes së forcave të NATO-s nga Afganistani në vitin 2014. Vakuumin e krijuar nga largimi i NATO-s, Rusia kërkon ta shfrytëzojë si një rast për të forcuar kontrollin e saj mbi shtetet e Azisë Qendrore, nën pretekstin e forcimit të masave kolektive të sigurisë dhe Rusia të dalë si garantja e vetme e sigurisë së tyre. Por një perspektivë e tillë, e Rusisë si e vetmja garante e sigurisë, nuk duket se shihet e favorshme për Uzbekistanin, i cili po kërkon rrugë dhe mënyra të reja për sigurimin e sovranitetit të vet. Tashkenti ka zhvilluar kontaktet dhe bisedimet me SHBA-në dhe me NATO-n për vendosjen e një bashkëpunimi më të gjerë ushtarak, i cili do të kompensonte boshllëqet në armatime që mund të krijojë dalja nga blloku ushtarak rus.
Në aspektin publik, Moska u paraqit sikur e kapërdiu lehtësisht këtë ilaç të hidhur uzbek. Madje, në media të ndryshme ruse u hodh mendimi se më mirë që iku Uzbekistani sepse ka qenë anëtar i pabindur dhe se tani do të forcohet më shumë uniteti i vendeve anëtare të mbetura. Nga ana tjetër, mediat shtetërore ruse, në stilin e njohur konspirativ bizantin, menjëherë e anatemuan lëvizjen e Uzbekistanit si të nxitur nga SHBA dhe nga NATO. E vërteta duhet të jetë ndryshe dhe Rusia vështirë të pajtohet me këtë prirje centrifugale në organizatën e drejtuar prej saj. Por ndryshe nga Leonid Brezhnjevi në vitin 1968, presidenti i tanishëm do të përpiqet që ta riparojë krisjen në gjeopolitikën sovjetike të tij nëpërmjet metodave të subversionit të brendshëm apo rajonal. Në këtë bindje të çojnë metodat e përdorura nga Vladimir Putini në Ukrainë për mbytjen e revolucionit demokratik dhe largimin nga pushteti të presidentit properëndimor,Viktor Jushçenko, dhe sjelljen në pushtet të presidentit prorus, Viktor Janukoviç. Metoda të përdorura edhe në Kirgizstan, me organizimin e një grushti shteti para dy vjetësh, kur atje u kërkua largimi i bazave ushtarake ruse.
Rusia mund t’i hapë telashe Uzbekistanit edhe në marrëdhëniet me shtetet kufitare sepse në Azinë Qendrore të gjithë shtetet janë të pakënaqur nga kufijtë që trashëguan nga ndarjet administrative të ish-Bashkimit Sovjetik. Uzbekistani ka probleme kufitare edhe me Kirgizstanin, me të cilin janë të diskutueshme 56 rajone kufitare, me Taxhikistanin, etj. Moska mund të nxisë përplasje kufitare dhe ndëretnike. Kërcënimin e një perspektive të tillë e projektonte qartë radio shtetërore ruse, “Zëri i Rusisë”, në 28 qershor,(dita e daljes uzbeke nga CSTO), kur paralajmëronte Tashkentin se “duke patur parasysh situatën në Azinë Qendrore, që është shumë e vështirë, ato shtete nuk mund të bëjnë pa garanci sigurie nga ana e fqinjëve të tyre. As SHBA dhe as NATO nuk mund t’ua japin këto garanci. Tashkenti ka kohë të mendohet për këtë dhe Uzbekistani mundet shpejt ta shohë veten përsëri në listën e anëtarëve të CSTO”.
Sido që të jetë ecuria e këtij zhvillimi të ri, elementi kryesor që del nga ai është se ka diçka themelore, që nuk funksionon në strategjinë dhe në gjeopolitikën sovjetike të Kremlinit dhe të presidentit rus. Ajo që nuk shkon janë metodat e vjetra të shtrëngimeve, të mekanizmave detyruese dhe të marrëdhënieve të pabarabarta që Rusia kërkon t’u imponojë shteteve të tjera që bashkëpunojnë me të, qofshin ish-republika sovjetike, qofshin jo ish-republika sovjetike. Derisa Moska të heqë dorë nga metodat sovjetike dhe nga ëndrra sovjetike e rikrijimit të perandorisë, që ajo drejtonte në kohën e Luftës së Ftohtë, do ta ketë vështirë të gjejë një identitet të vërtetë si një shtet demokratik, një fuqi kontinentale e pranueshme nga shtetet e tjera dhe nga sistemi ndërkombëtar i marrëdhënieve. Krisja e re në gjeopolitikën sovjetike të presidentit Vladimir Putin duhet të shërbejë si një sinjal se në mentalitetin dhe në mënyrën e veprimit të diplomacisë ruse në arenën ndërkombëtare duhet të ndërmerret një kthesë rrënjësore dhe Kremlini të lejojë që edhe në politikën e brendshme, edhe në politikën e jashtme të hyjnë erërat e reja të standarteve dhe të vlerave demokratike.

 

Nga Shaban MURATI

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu