Kryeimami i Kaçanikut u arrestua në Turqi, dyshohet se abuzoi seksualisht me një të mitur

0
173

Florim Nezirajt iu prishën pushimet ende pa i përfunduar ato, kur më 6 korrik Policia e Turqisë e arrestoi atë në Antalia nën dyshimin se ka abuzuar seksualisht me një të mitur. Insajderi ka siguruar dokumente të Zyrës së Kryeprokurorit të Antalias, që dëshmojnë për dyshimet e ngritura ndaj Kryeimamit të Kaçanikut nga autoritetet turke

Në korrikun e këtij viti Kryeimami i Kaçanikut, Florim Neziraj udhëtoi me vëllezërit e tij për pushime në Antalia të Turqisë; njërën nga qytetet më të vizituara turke gjatë sezonës së verës.

Por, pushimet e Nezirajt u prishën ende pa përfunduar, kur më 6 korrik Policia e Turqisë arrestoi atë, nën dyshimin se abuzoi seksualisht me një të mitur. Dyshimet i ngriti Zyra e Kryeprokurorisë së Antalias e cila në bashkëpunim me Policinë e Turqisë e mbajti për katër ditë në paraburgim Nezirajn.

Insajderi ka siguruar një dokument të Zyrës së Kryeprokurorit të Antalias, të përpiluar më 9 korrik, në të cilën janë ngritur dyshimet se Florim Neziraj abuzoi seksualisht me një të mitur në Antalia. Dokumenti i është dërguar edhe autoriteteve kosovare në Turqi, në bazë të detyrimeve dhe përgjegjësive ligjore.

“Florim Neziraj, me baba Ahmetin dhe nënë Azeminën, Shtetas i Kosovës, i arrestuar më 06.07.2018 u mor në pyetje nga Zyra e Kryeprokurorit të Antalias”, thuhej në shkresën e Kryeprokurorit të Antalias, Serik Culh, të cilën e ka siguruar Insajderi.

Poashtu, në formularin e mbushur nga Zyra e Kryeprokurorit të Antalias theksohet se Florim Neziraj dyshohet për një vepër penale: “Abuzim seksual me një të mitur”.

“Akti që pretendohet se ka kryer i dyshuari: Abuzim seksual me fëmijë”, thuhet në dokumentin e Zyrës së Kryeprokurorit të Antalias, teksa bëhet e ditur se Kryeimami i Kaçanikut u arrestua në qytezën bregdetare të Kepezit – pjesë e Bashkisë së Antalias.

Insajderi ka tentuar të marrë një përgjigje nga Kryeimami i Kaçanikut, por të afërm të saj janë lajmëruar në telefon. Kanë thënë se Florim Neziraj ndodhet momentalisht jashtë vendit. Gazeta i ka dërguar edhe pyetje Nezirajt, por sërish nuk ka pranuar të përgjigjet.

Në një intervistë për media para dy javësh, Neziraj mohoi të jetë arrestuar në Turqi. “Nuk është e vërtetë”, tha Neziraj të shtunën e kaluar.

Po ashtu, Insajderi ka tentuar të marrë një përgjigje edhe nga Ambasada e Kosovës në Turqi, lidhur me rastin, por nuk ka pranuar ende përgjigje nga asnjëra prej institucioneve në fjalë.

Ndërkaq, pesë ditë më parë, në Policinë e Kosovës është raportuar një dyshim për abuzim seksual nga një imam në Podujevë. Një familje në fshatin Sibovc të Podujevës e ka denoncuar hoxhë Beqir Nuredinin nën dyshimin se ka dhunuar seksualisht vajzën e tyre V.I., 16-vjeçare.

Shteti në dijeni për arrestimin dhe dyshimet e ngritura ndaj Nezirajt

Republika e Kosovës është njoftuar direkt nga autoritetet turke pas arrestimit të Florim Nezirajt të premtën e 6 korrikut në qytezën Kepez të Turqisë. Madje, siç tregojnë dokumentet e siguruara nga Insajderi, Zyra e Kryeprokurorit të Antalias njoftoi autoritetet kosovare në Turqi për arrestimin e Kryeimamit të Kaçanikut.

Po ashtu, për rastin ka folur të shtunën e kaluar edhe ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli, Ka thënë se është në dijeni të rastit, por nuk ka dhënë shumë detaje.

“Po rasti është i njohur për ne, qytetari i Kosovës Florim Neziraj nga Komuna e Kaçanikut. Florimi ka qenë në paraburgim për 4 ditë në Antali, pastaj është liruar dhe i’u kanë kthyer te gjitha dokumentet. Ne jemi në kontakt me zotëri Nezirajn”, deklaroi Pacolli të shtunën e 21 korrikut, në një prononcim për portalin Kallxo.com.

Ndërkaq Policia e Kosovës ka vlerësuar arrestimi i Kryeimamit të Kaçanikut në Turqi është çështje konsullore, por është shprehur se është në dijeni për rastin.

“Ne për të gjitha rastet që janë kompetencë e Policisë së Kosovës, natyrisht që jemi përgjigjur dhe do të përgjigjemi gjithnjë, por çeshtja për të cilin na keni shkruajtur neve, është çeshtje Konsullore, prandaj referoju autoriteteve përkatëse për të marrë një përgjigje të mundshme atje”, thuhet në përgjigjen e Zyres për Informim e Policisë së Kosovës.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu