Kryetari Haskuka nuk duhet t’i harrojë premtimet elektorale

0
186

Ec ma ndryshe ka vlerësuar se kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka në muajt e parë të qeverisjes së tij ka dështuar në përmbushjen e premtimeve të dhëna gjatë fushatës paraelektorale sa i përket zvogëlimit të numrit të drejtorive komunale, përfaqësimit të barabartë gjinor në Ekzekutiv si dhe zbatimit të transparencës radikale në qeverisje.

Kjo organizatë i ka bërë disa rekomandime kryetarit Haskuka, i cili deri më tani ka mbajtur mbledhje me drejtorët e tij pa prezencën e mediave.

Ja njoftimi i plotë:

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka në muajt e parë të qeverisjes së tij ka dështuar në përmbushjen e premtimeve të dhëna gjatë fushatës paraelektorale sa i përket zvogëlimit të numrit të drejtorive komunale, përfaqësimit të barabartë gjinor në Ekzekutiv si dhe zbatimit të transparencës radikale në qeverisje.

Në fillim të mandatit të tij qeverisës Haskuka ka mbajtur numrin e njëjtë të drejtorive si në mandatin e kaluar të qeverisë Muja, pra 13 gjithsejtë. Në këtë mënyrë, Haskuka, përbërjen e Qeverisë lokale ia ka përshtatur nevojave të koalicionit qeverisës dhe jo programit të tij përkatësisht zotimeve të prezantuara gjatë fushatës paraelektorale.

Në të njëjtën kohë nga 13 drejtorët/eshat e emëruar nga Haskuka, vetëm 2 drejtori udhëhiqen nga gratë, ani pse në paraqitjet gjatë fushatës paraelektorale ai qe zotuar se gratë do të përbëjnë gjysmën e Ekzekutivit lokal. Për më tepër deri më sot nuk janë publikuar informata relevante rreth këtyre të emëruarve politik që do të ishin të mjaftueshme për publikun për të vlerësuar kredibilitetin e tyre.

Transparenca në muajt e parë të qeverisjes së re të Prizrenit mbetet problematike edhe për faktin se vendimet e organeve komunale nuk janë publikuar deri më tani, ndërkohë që mbledhjet e kryetarit me drejtorët e tij janë mbajtur pa praninë e gazetarëve dhe monitoruesve të shoqërisë civile.

EC Ma Ndryshe e ka parasysh faktin se ende nuk janë bërë 100 ditë që prej betimit të kryetarit Haskuka, por përkujton lidershipin komunal se duhet angazhim prej ditës së parë të qeverisjes për realizimin e premtimeve elektorale. Prandaj kryetari Haskuka ka obligim moral që të realizojë premtimin e dhënë para votuesve për zvogëlimin e numrit të drejtorive në Ekzekutivin e Prizrenit. Ndërsa përfaqësimi i barabartë gjinor në Ekzekutiv dhe transparenca e organeve komunale përtej obligimit moral janë edhe obligime ligjore që duhet ai duhet ti zbatojë në afatin sa më të shkurtër kohor.

Për këto arsye EC rekomandon kryetarin Haskuka që:

-Urgjentisht të merr hapa për mundësimin e prezencës së gazetarëve dhe monitoruesve në të gjitha mbledhjet e Ekzekutivit komunal;

-Të shtojë presionin te MAPL-i për funksionalizimin e ueb faqes zyrtare të Komunës së Prizrenit;

-Të publikohen vendimet e të gjitha organeve komunale;

-Të publikohen informatat relevante rreth të emëruarve politik për të vlerësuar kredibilitetin e tyre;

-Ti shqyrtojë modalitetet për zvogëlimin e numrit të drejtorive si dhe rritjen e përfaqësimit të komunitetit të grave në Ekzekutivin komunal.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu