Kthim në Shqipëri me operacionin e Zbulimit Anglez

0
104

Dokumenti i parë që botohet sot është një prej dokument eve të shumta që janë në Dosjen e SOE britanike të Zyrës së Stambollit, Dosje e cila flet për një bashkëpunim midis Zbulimit Anglez dhe ish-ministrit të Zogut, Musa Juka. Zbulimi Anglez, megjithëse mundohej ta mbante larg syve të shqiptarëve të tjerë bashkëpunimin me Jukën, përsëri me sa duket e vlerësonte atë për aftësitë që kishte treguar në krijimin e një rrjeti agjenturor në shërbim të Zogut. Për këtë arsye, Zyra e SOE pranon bashkëpunimin e ofruar nga Juka. Zbulimi Anglez, i cili në fakt ishte i interesuar për një kryengritje në të gjithë Ballkanin në prapashpinën italiane, mundohej që të kontaktonte të gjithë ata që kishin ndopak influencë në vendet e tyre për t’i shërbyer këtij plani të përgjithshëm. Ndërkohë, ish- funksionarë apo ushtarakë të Mbretërisë Shqiptare të cilët kishin mbetur pa asnjë mundësi veprimi apo influencë në Shqipëri, me sa duket kërkonin një rikthim të mundshëm në qendër të ngjarjeve duke përdorur kanalet e Zbulimit Anglez. Një prej tyre duhet të ketë qenë edhe Musa Juka, i cili sipas dokumentacionit ka kërkuar bashkëpunimin e Shërbimit të Fshehtë Anglez për të bërë të mundur një rikthim në Shqipëri, por këtë radhë me ndihmën britanike. Leximi me vëmendje i këtyre dokumenteve shpesh nxjerr në pah edhe përplasjen e personaliteteve dhe karaktereve të këtyre ngjarjeve, megjithëse toni i tyre është sa më i mundshëm zyrtar. Është interesant fakti që personi që drejton Zyrën e SOE në Stamboll për Shqipërinë, me emrin e koduar D/H 274 është një person që e njeh mjaft mirë këtë vend, ka qëndruar jo pak në Shqipëri, por ka qenë gjithashtu në krye të listave të vëzhgimit të rrjetit informativ të drejtuar nga Musa Juka, si personi kryesor i agjenturës angleze në Shqipëri. Fati tashmë i ka përplasur sërish në role të kundërta, duke bërë që Musa Juka t’i drejtohet për një mundësi bashkëpunimi personit që dikur e ka ndjekur dhe vëzhguar rreptësisht. Dokumenti që botohet sot tregon qartë se me gjithë problemet që kishte figura e Musa Jukës në Shqipëri, Zbulimi Anglez ishte përgatitur për ta infiltruar atë në një operacion sekret, ku një nëndetëse angleze do të përdorej për këtë qellim. Përveç këtij fakti, dokumenti tregon qartë se anglezët e dinin se Juka ishte një figurë e papranueshme në përgjithësi nga publiku shqiptar, dhe në veçanti nga rinia shqiptare, e cila me sa duket kishte filluar të ishte edhe në vëmendje të këtij Zbulimi. Po kështu, një detaj shumë interesant del nga ky dokument. Është një detaj që në fakt shikohet edhe në dokumente të tjera, ku tregohet se me gjithë influencën e madhe që Shërbimi Sekret kishte në institucionet zyrtare angleze, e kishte të vështirë të gjente bashkëpunimin e një prej ikonave të pavarësisë intelektuale në Angli, ‘BBC’. Jo vetëm në këtë dokument, por edhe në dokumente të tjera ku bëhet fjalë për një bashkëpunim të mundshëm të ‘BBC’ me Shërbimet Sekrete, duket qartë që edhe pse Anglia ishte në luftë, Shërbimi Sekret e kishte shumë vështirë që ta kishte këtë institucion të pavarur nën shërbimin e vet. Për këtë arsye, Shërbimet Sekrete filluan që të rekrutonin edhe njerëz brenda ‘BBC’, por kjo është jashtë temës së sotme.
Dokumenti i dytë që botohet sot tregon mbi mënyrat që Zbulimi Britanik kishte filluar të ndërmerrte për të dërguar para në mbështetje të njerëzve të tij në Shqipëri. Dërgesa e parave dhe e korrierëve ishte një prej problemeve më të vështira që kishte Zyra e Stambollit. Duke pasur parasysh që të gjitha bankat kontrolloheshin nga italianët, ishte shumë e vështirë që të dërgohej ndihmë monetare për rrjetin e britanikeve. Me sa duket, një prej metodave të përdorura ka qenë dërgimi i parave ndërmjet kambistëve që kryenin këtë punë midis Stambollit dhe Shqipërisë. Në listën e dërgesave shikohet se një prej marrësve të ndihmave britanike është edhe ish- majori zogist Abas Kupi, i cili ka ardhur në Shqipëri nga Stambolli me kërkesën e britanikëve. Po kështu, nipi i tij është rekrutuar së bashku me disa prej oficerëve shqiptarë në Stamboll për t’u dërguar në shkollën e posaçme britanike në Palestinë, shkollë e cila përgatiste ekspertë në fushën e sabotimeve dhe zbulimit ushtarak.

1. Korrierët dhe Financat
Juaja 50. Konfirmojmë shënimin se shuma në flori, ekuivalent me 400 sterlina, i është dhënë Togerit ELMAS në 11.5.42 për t’u dërguar tek agjenti POISON nëpërmjet personave që shkëmbejnë valutë
Telegrami Ynë 525 i datës 10.5.42. Jemi dakord për t’i dërguar nga ana e Juaj të njëjtën shumë ABAS KUPIT. Tashmë dimë nga Raporti Juaj 55 se, e njëjta metodë mund të adoptohet edhe për agjentin POISON. Ju lutemi kombinoni me Stambollin për të caktuar një pseudonim për KUPIN dhe na njoftoni edhe ne. Kemi mbajtur shënim për mundësinë e një korrieri për ta përdorur për vajtje-ardhje nëpërmjet ELMAZ, gjithashtu edhe mundësinë e një kompensimi për agjentin BARRIER nëpërmjet RUSHDIUT.
Ndërkohë kemi Tuajen 502 për të cilën tashmë jemi përgjigjur me telegram duke sugjeruar se ekuivalenti I 200 pound sterlina ti dërgohen agjentit POISON nëpërmjet korrierit të Musa Jukës. Pjesa e mbetur 200 sterlina flori nga 400 sterlina flori sipas miratimit tonë me telegramin 525 mund ti dërgohet KUPIT nëpërmjet kambistëve. Ky dërgim është eksperimental si në metodën e përdorur si në rezultatin e arritur derisa nuk kemi lajme nga ABAZ KUPI. Po i referohem letrës sonë 1/ALB/1/DH80/53 e 24.4.42 dhe shpresoj që Ju keni dërguar një Parullë së bashku me dërgesat nëpërmjet kambistëve apo me korrierët – kjo Parullë është për identifikimin si dhe për marrjen e kontakteve të para.
22. Rekrutime
E Juaja 53. Toger ELMAS dhe Kapter SHEMA janë gati për të ardhur në Palestine, po kështu edhe Togeri ADEMI ( nga rrethinat e Dibrës) si dhe REXHEP BAJRAKTARI. Duhet t’i pranoni këta të fundit nëse janë të aftë. Po presim lajmet Tuaja për 2 oficerët në Paris, për të cilët kemi dhënë autorizimin tonë për t’i sjellë në Stamboll. Për sa i përket pagesave, duhet të paguani sipas pagesave zyrtare (Kapiteni 27 paund, nënkapiten 24 paund, kapter 8 paund në muaj). Për sa i përket borxheve Ju luten shikoni se sa janë ato. Shpresoj që do t’i mbaroni sa më shpejt këto detyra dhe t’i dërgoni këta njerëz në Palestinë. Ju lutemi përfshini në Raportin Tuaj të ardhshëm një përmbledhje të emrave, mosha, vendlindja, përkatësia fetare etj. E Juaja paragrafi 18. SEFEDIN SALLAKU tashmë në Paris duket interesant. Nëse mundeni që të rregulloni problemin e vizave me turqit, do të ishte me shumë interes të dërgoni një apo më shumë persona nga Stambolli për në Shqipëri me shpresën që do të kemi kontakte të sigurta atje. Sigurisht, varet nga zonat qe njohin.
3. ELMAS e mirëpriti idenë që një apo dy persona të merreshin nga forcat vullnetare degoliste, meqenëse vijnë nga Jugu I Shqipërisë. Do te ishte mirë që shpesh Banda të tërhiqej në Jug të Shqipërisë, ku vendasit i njohin shtigjet si dhe mund të tregojnë se cilat fshatra janë të besueshme
Firmsur D/H 80

96/274/Alb 11.6.42
Për SOE Kajro Kopje për SOE, London Nga: D/H 274

INFILTRIMI I MUSA JUKES (Emri i Koduar MUZZLE) dhe DERRICK
Shtesë mbi Raportin tim, 93/274/Alb e 9.6.42
1. DERRICK ka bërë disa deklarime të cilët i qartësojnë të gjitha problemet për pranimin tonë të infiltrimit të MUZZLE me Nëndetëse. Me sa duket, MUZZLE e ka diskutuar këtë plan me të disa herë gjatë javë së kaluar dhe e ka bindur atë se ai është i sinqertë në ofertën që ka bërë për tu rifutur në Shqipëri.
MUZZLE e ka pyetur DERRICK nëse ai do të donte që ta shoqëronte atë dhe me sa duket DERRICK ka pranuar. Por, ne këtu nuk mund të bëjmë dot pa DERRICK, na duhet një oficer Shtabi që të qëndrojë me ne. Me sa duket, DERRICK e kupton këtë gjë dhe do të qëndrojë me ne. MUZZLE gjithashtu e ka pyetur DERRICK nëse mundet që ta marrë me vete Kolonel Selmanin. DERRICK i ka thënë që kjo nuk është e nevojshme, pasi ai do të jetë vete atje. Meqenëse e duam DERRICK jashtë këtij aksioni, MUZZLE do të shkojë në idenë e marrjes me vete të Kolonel Selmanit.
DERRICK është në përgjithësi një prej oficereve më të zotë tashmë jashtë Shqipërisë, por edhe një prej më të mirëve që ka Shqipëria. Do të ishte e vështirë për ne ta humbisnim atë dhe na duhet një këshilltar i mirë. SELMANI nuk mund ta zëvendësojë atë si këshilltar, pasi SELMANI është i paaftë për të marrë vendime, edhe kur duket sikur merr vendime bie dakord vetëm me idetë tona. DERRICK kur nuk është dakord me idetë tona na kundërshton. SELMANI gjithashtu edhe mund te flasë, por megjithatë është i kushtëzuar, pasi flet vetëm shqip, për të folur në ambiente jashtë atyre shqiptare.
DERRICK thotë që ai (Musa Juka, shën ynë) ka shumë mbështetës në Shkodër, në vendlindjen e ti,j veçanërisht në mes të katolikëve, por edhe në Veri dhe në Jug të Shqipërisë. Por, në Shqipërinë e Mesme nuk bën dot asgjë, pasi çdokush është kundër tij për një arsye apo për një tjetër. Megjithatë, kjo zonë është zona e SELMANIT dhe në këtë mënyrë i bën ata një kombinim i mirë. DERRICK thotë që ky ishte mendimi i MUZZLE kur propozoi që ta merrte SELMANIN me vete. Tek unë nuk ka pranuar asnjë herë që fuqia e tij në Shqipëri ka limite, ndërsa me DERRICK sigurisht që ka folur më hapur.
RINIA është kundër MUZZLE, pasi qendrat e saj janë më së shumti në Shqipërinë e Mesme, veçanërisht në Tiranë dhe Elbasan. Këtu DERRICK me sa duket e ka nënvlerësuar rëndësinë e Shkodrës dhe Korçës, ku ngjarjet kanë treguar që rinia është e fortë. Nëse ndihma e MUZZLE do të pranohet, atëherë të rinjtë që janë në krye të Programit të ‘BBC’ në Londër duhen bërë që të pranojnë ndihmën e MUZZLE. Një sugjerim mbi këtë pikë kam bërë edhe në raportin 93/274/Alb të 9.6.42. Një pikë tjetër shumë e rëndësishme është që një prej folësve (të Programit Shqip në ‘BBC’, shën ynë). TAJAR ZAVALANI është oficer dhe është i detyruar të pranojë autoritetin ushtarak, ndërsa civilët janë vështirë për t’i bërë të pranojnë. Sipas DERRICK, POISON dhe BARRIER, nuk do të punojnë me MUZZLE, ndërsa BASIN dhe Bilal Nivica do të pranojnë këtë bashkëpunim.

Firmosur D/H 274

 

Nga Auron Tare [email protected]

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu