Ku shkuan 2 miliardë dojçmarkat e 3%?

0
418

Me paratë e fondit 3-përqindësh, Bujar Bukoshi dhe Isa Mustafa duket se kanë korruptuar edhe krerët e gjyqësisë dhe hetuesisë në Kosovë, prandaj deri tash nuk ka pasur hetime ndaj tyre, ka thënë Ibrahim Kelmendi, për “Tribuna Shqiptare”. Por, thotë se gjyqtarët ndërkombëtarë nuk janë ‘aq të prishur sa të dalin në mbrojtje të hajnive qindramilionëshe’. Thotë se krerët e ish-qeverisë në Mërgim duhet të japin llogari para ndonjë komisioni parlamentar, ose diku tjetër, se ku shkuan afër 2 miliardë markat e 3-përqindëshit

 

Njëri prej themeluesve të LPK-së, Ibrahim Kelmendi thotë se vetëm një arsye e madhe mund të ketë ndikuar që deri tash të mos bëhet padi për keqpërdorim ndaj Bujar Bukoshit, Isa Mustafës dhe administratorëve të tjerë të fondit 3-përqindësh. “Është problematike të bëhen këto padi, sepse Mustafa dhe Bukoshi, me ato mjete i kanë korruptuar krerët e gjyqësisë dhe hetuesisë. Sepse përndryshe do të duhej kaherë të nisnin hetimet’, ka thënë Kelmendi, për gazetën “Tribuna Shqiptare”. Sipas tij, duhet që dikush të nisë hetimet për këto çështje, por Kelmendi e shton pyetjen hipotetike, kush duhet të hetojë. Ndërsa, thotë se sistemi gjyqësor i vendit është nën ndikimin e Bukoshit dhe Mustafës, për gjyqtarët ndërkombëtarë vlerëson se nuk janë ‘aq të prishur sa të dalin në mbrojtje të hajnive qindramilionëshe’.

Nuk i frikësohet padisë së Bukoshit

Kelmendi komenton deklaratat e Bujar Bukoshit se ai i ka duart e pastra, sepse i ka dokumentet. “Taman puna me pritë prej Bukoshit të thotë që ka keqpërdorë fondet. Ata mos t’i tregojnë vetvetes përralla, por të raportojnë para ndonjë komisioni parlamentar, ose le t’i bëjnë publike aktivitetet e tyre. Faktet në terren janë që në atë fond kanë hyrë të paktën 2 miliardë dojçmarka”, ka thënë Kelmendi. Ai thotë se deklaratat e tij për keqpërdorimin e fondeve i ka bazuar në ato çfarë i ka thënë qeveritari gjerman. “Sepse, unë nuk kam pasur mundësi t’i survejoj Bujarin edhe Isën. Tash, unë nuk mundem që qeveritarin gjerman ta dërgoj në gjykatë. Bukoshi duhet ta paraqesë qarkullimin e xhirollogarive bankare nëpër krejt shtetet e botës. E pastaj, nuk mbetet ma shteg për spekulime”, ka thënë Kelmendi.

Ai nuk frikohet nga ndonjë padi e mundshme prej Bujar Bukoshit. “Atij nuk i jam frikësuar për 20 vjet, me gjithë kërcënimet e tij. Ka qenë një subjekt që e ka përndjekë LPK-në më zi se Serbia. Por, nuk tutet ariu me tupan”.

“Gjithçka për Drenicën” mblodhi 600 milionë marka në muaj

Ndërkohë, Kelmendi thotë se disa persona që kanë punuar në kuadër të fushatës “Gjithçka për Drenicës”, i kanë thënë se të paktën 600 milion marka i kanë inkasuar brenda një muaji. “Bile, s’kanë pasur kohë as t’i numërojnë, por i kanë gjuajtur në thasë të plastikës. Mërgimtarëve u kanë dhënë edhe letra me vlerë, se gjoja do t’u kthehen paratë kur të çlirohej Kosova. Por, fatkeqësisht në Drenicë pas luftës, kanë lypë para për rivarrosjen e viktimave të Polacit, por s’ua kanë dhanë paratë as për tabute”, ka thënë Kelmendi.

Sipas Kelmendit, pas luftës Bukoshi e pat themeluar një fond humanitar në Kosovë, ua ka ndërtuar disa shtëpi të varfërve. “Por, fondi ka qenë fond shtetëror. Emigrantëve nuk ua kanë marrë si ndihma humanitare, por si tatim. Për 10 vjet kanë mbledhë tatim e tash duan me dy-tri llafe të shpëlahen prej atyre keqpërdorimeve”, ka thënë Kelmendi.

Le të hetohet edhe “Vendlindja Thërret”

Ibrahim Kelmendi thotë se është plotësisht dakord që të hetohet edhe fondi “Vendlindja thërret. “Edhe pse ai fond nuk ka qenë qeveritar, por ka qenë fond i një organizate politike. Megjithatë, jam i hapur, le të hetojë kushdo. Sipas tij, imazhi i LPK-së nuk mund të dëmtohet nga sulmet e LDK-së.

 

Agim FAZLIU

Prishtinë, 20 mars

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu