Kuçi s’heq dorë nga Traktati i Paqes me Serbinë

0
273

Iowa, 17 gusht – Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi edhe në Iowa të SHBA-ve përmendi Traktatin e Paqes, si një ide që duhet të jetë si qëllim final për të arritur fqinjësi më të mirë me Serbinë, si njëra nga mënyrat për të stabilizuar gjendjen edhe më tej në rajon. Ai për këtë ide kërkoi angazhimin e SHBA-së dhe BE-së.

Kuçi në konferencën ‘Programi i Partneritetit midis shtetit të Iowas në SHBA dhe Kosovës’, elaboroi se me Traktatin e Paqes duhet të mbyllet kapitulli i konfliktit në mes të dy vendeve dhe popujve, duhet të përfshihet njohja reciproke në mes të dy shteteve, respektimi i tërësisë territoriale, mospengimi i njëri-tjetrit në fushat e integrimeve rajonale, evropiane, në OKB dhe mekanizmat tjerë ndërkombëtare, çështja e reperacioneve të luftës, kërkimi i faljes nga ana e Serbisë si dhe fushat e mundshme të bashkëpunimit ekonomik, transporti etj. Çdo luftë duhet të përfundojë me paqe, theksoi ai, dhe duke cituar presidentin amerikan Wilson.

“Vendimi për të bërë paqen është po aq i rëndësishëm sa vendimi për të filluar luftën. Kjo nuk është kërkesë për ta harruar të kaluarën dhe dhunën nga Serbia, por për të mbyllur kapitullin e konfliktit dhe hapjen e kapitullit të bashkëpunimit dhe paqes mes vendeve, popujve dhe rajonit tonë”, tha Kuçi.

Ai për këtë ide kërkoi angazhimin e SHBA-së dhe BE-së dhe sipas tij, ky Traktat duhet të ketë garanci ndërkombëtare.

Kuçi gjatë prezantimit të tij u fokusua edhe në prezantimin e prioriteteve të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe sfidat më të cilat përballen institucionet dhe shoqëria kosovare.

Zëvendëskryeministri po ashtu foli për bashkëpunimet e mundshme në partneritet me shtetin e Iowas, duke veçuar këtu ngritjen e kapaciteteve njerëzore përmes punës së përbashkët në Kosovë përmes pranisë ndërkombëtare, si dhe trajnimet e vazhdueshme të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu