Kur në krye të shtetit ke një njeri që ka arritë ta ketë në kontroll tërë sistemin…

0
120

Në mandatin e parë si Kryeministër, Hashim Thaçi (HTH) e dogji Fatmir Sejdiun. Fillimisht, duke e lënë LDK-në me zero pushtet, dhe duke i “kapur” kështu organet vitale të shtetit, si policia, drejtësia, inteligjenca, arsimi, shëndetësia…

Pastaj, e rrëzoi Sejdiun përmes Gjykatës Kushtetuese.

Në mandatin e dytë, si Kryeministër- qeverisjen e kishte edhe më të lehtë me Behgjet Pacollin. Edhe këtë të fundit e dogji. E, vendosi president për pak ditë, për ta rrëzuar nga ai post.

Presidentja pasuese, Atifete Jahjaga, edhe ashtu ishte pa fuqi reale politike.

Në mandatin e tretë, si zëvendëskryeministër formal, por si kryeministër real, arriti që ta djeg edhe Isa Mustafën.

Ndonëse ra nga posti i shefit të qeverisë formalisht, HTH arriti të mbetet në pushtet dhe të bëhet president, falë kontrollit që kishte ndaj Gjykatës Kushtetuese, dhe kreut të saj- Enver Hasani, i cili e shpëtoi PDK-në nga rënia prej pushteti, me atë vendimin kontravers. Ky vendim i Enver Hasanit, i cili më vonë u dogj gjithashtu nga HTH, bëri që PDK ta ruaj kontrollin dhe të vazhdoj kapjen e shtetit.

Ardhja në krye të shtetit, i ofroi komoditet, dhe erdhi koha që të digjej edhe formalisht Isa Mustafa, përmes mocionit.

Dhe krejt në fund i kishte mbetur dikush që e rrezikonte.

Erdhi koha për djegien edhe të një njeriu që kishte mbetur pa u djegur- Ramush Haradinaj.

Para se ta digjte Haradinajn, me koalicionin e lidhur parazgjedhor, e dogji bashkëpunëtorin e tij më të afërt- Kadri Veselin, duke ia shuar ambicien për kryeministër.

Ardhja e Ramush Haradinajt kryeministër, siç edhe u dëshmua deri më tani nuk mund të dalë nga kontrolli i kontrolluesit të sistemit- HTH.

Nëse vazhdohet me këtë mënyrë të qeverisjes, sikurse dy ngjarjet e javës së fundit, fillimisht me spektaklin Gjuriq, e pastaj me atë që ndodhi me “Gulenistët”, Haradinaj e ka djegien edhe më të dhimbshme se sa “homogët” e tij.

HTH, si i gjithfuqishëm në këtë vend, do të vazhdoj me gjasë të na befasoj në ditët në vijim.

P.S. “Djegiet” sikurse e ministrit të Brendshëm dhe Shefit të AKI-së, janë periferike.

Shkruan: Adrian Çollaku

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu