Kurti: FAK-u dhe vendet e rezervuara nuk duhen ndërlidhur

0
424

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili ka qëndruar në SHBA ditëve të fundit, gjatë një interviste dhënë Zërit të Amerikës, duke folur për mos-kalimin e ligjit për formimin e Forcave të Armatosura të Kosovës, ka thënë se kronologjia e zhvillimeve dhe ngjarjeve përkatësisht më këtë çështje e tregon kuptimin e asaj se çfarë ka ndodhur.

Ai tha se fillimisht ekziston marrëveshja e prillit të vitit 2011, që Kosova të jetë me shumë zona zgjedhore. Por, sipas tij, meqenëse kjo nuk u realizua, atëherë Serbia e pa që duhet të kërkojë edhe mandate shtesë për vendet e rezervuara, pasi që nuk do të mund ta ketë zonën serbe brenda Kosovës në zgjedhjet e ardhshme.

“Ata synonin që të ishin gjashtë, apo shtatë zona shqiptare dhe një zonë virtuale serbe, e përbërë prej veriut dhe enklavave. Kjo dështoi, dhe tash duan një apo dy mandate shtesë që është në kundërshtim me kushtetutën e Republikës së Kosovës, dhe një dëshmi më shumë që përparësitë që i kanë marrë nga plani Ahtisaari po i përdorin kundër planit Ahtisaari. Dhe duket që në bisedimet e Brukselit, kryeministri Thaçi i ka premtuar ish-kryeministrit të Serbisë Daçiq që do të vazhdojë ulëset e rezervuara për një ose dy mandate, para Baroneshës Ashton atje”, ka thënë Kurti mes tjerash.

Dhe tash, duke pas parasysh se e ka dhënë këtë premtim atje, Kurti thotë se kryeministri po përpiqet që edhe Kosova të përfitojë diçka, konkretisht Forcat e Armatosura të Kosovës.

Ai thotë se FAK-u edhe ulëset e rezervuara nuk duhet të lidhen me njëra-tjetrën, dhe as me premtimet që i ka bërë kryeministri në Bruksel.

“Ne kemi nevojë për ushtri, dhe ushtria e Kosovës, e quajtur Forcat e Armatosura të Kosovës nuk është kundër serbëve, nuk është kundër asnjë minoriteti në Kosovë, ajo mund të jetë vetëm kundër pretendimeve të Serbisë për Kosovën. Prandaj, të gjithë ato që kundërshtojnë Forcat e Armatosura të Kosovës, në fakt nuk përfaqësojnë as qëndrim minoritetesh, por përfaqësojnë qëndrimin e Beogradit i cili e kundërshton këtë gjë”, ka thënë Kurti.

Ai është shprehur kundër vazhdimit të vendeve të rezervuara për pakica pasi që, sipas tij, ato na e minojnë shtetësinë neve, duke e bërë Kosovën një vend jofunksional.

Në lidhje me zgjedhjet e ardhshme parlamentare, të cilat me gjasë do të mbahen më 8 qershor, Kurti ka thënë se Kosova ka nevojë për zgjedhje të parakohshme sepse, siç tha ai, “sa më shkurt të jetë në krye të shtetit kjo qeveri, aq më mirë do të jetë për Kosovën si republikë, dhe për popullin e Kosovës”.

Por, ai ka thënë se duhet të aprovohet edhe ligji i zgjedhjeve, dhe se kemi nevojë që këto zgjedhje të jenë të përgatitura mirë.

“Po bëhen disa pazare politike jashtë-institucionale dhe jashtë-ligjore dhe kjo po ndodh midis krerëve politikë të partive në Kosovë ku ne nuk marrim pjesë. Ne mendojmë që ka nevojë për diskutime parlamentare në kuvendin e Republikës dhe mendoj që tash që Kosova do të ketë një zonë zgjedhore, tash që listat do të jenë të hapura, praktikisht nuk do të ketë reformë zgjedhore. Dhe është mirë që në zgjedhjet e ardhshme të kujdesemi që të mos përsëritet çka do qoftë që i përngjan asaj vjedhjes industriale të dhjetorit të vitit 2010. Pra, kemi nevojë për zgjedhje të lira e demokratike, e jo vetëm për zgjedhje të qeta, siç u quajtën atëherë”, ka thënë Kurti.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka folur edhe për Gjykatën e Posaçme të Kosovës, që do të gjykonte ish-luftëtarët e Kosovës, vendim për të cilin, ky subjekt politik është shprehur kundër.

“Ne kemi një kryeministër të cilit shumë më tepër i frikësohen qytetarët e vendit se sa Serbia. Dhe kemi një kryeministër i cili është i dobët karshi të tjerëve dhe i fuqishëm karshi qytetarëve të Republikës, prandaj na erdh edhe ky tribunal, kjo gjykatë e veçantë që në fakt vjen pas kapitullimit të dialogut me Daçiqin në Bruksel, ku u morën vesh për asociacionin e komunave me shumicë serbe, në të cilin praktikisht gjithandej e fitoi pushtetin partia e Beogradit. Natyrisht, pas kapitullimit vjen tribunali, dhe për bindjen time kjo gjykatë speciale e dorëzon luftën çlirimtare jashtë vendit. Ne e kemi kundërshtuar këtë gjë; pas tribunalit të Hagës, për paqe, stabilitet dhe pajtim në Ballkan, ka nevojë për një tribunal ndaj Serbisë. Ajo shkaktoi katër luftëra, dhe vrau 150,000 jo-serbë: sllovenë, kroatë, boshnjakë dhe shqiptarë. E jo tash, UÇK-ja të kriminalizohet dhe mediat botërore të mbushen me shpifjet e ndryshme që e kanë burimin në Beograd e fatkeqësisht e gjetën edhe vulën e senatorit Marty në Këshillin e Evropës”, u shpreh Kurti.

Ndërkaq, në lidhje me çështjen e luftëtarëve të Kosovës që shkojnë në luftën e Sirisë, lideri i VV-së ka thënë se kur në vitin 2012 opozita siriane pat ardhur në Kosovë, pati gjetur mbështetjen e pa rezervë të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës, e cila, sipas tij, bëri gabim kur e krahasoi opozitën siriane me UÇK-në dhe Assadin me Millosheviqin.

“Mbase Assadi mund të krahasohet dhe me diktatorë të tjerë, mirëpo jo edhe opozita siriane. Dhe në këtë mënyrë, Ministria jonë e Punëve të Jashtme kontribuoi që dhjetëra të rinj të shkojnë në këtë luftë ku nuk dihet qartë as qëllimi, as përbërja, as betejat, etj. Mendoj që shkuarja e tillë në luftë është e gabueshme, dhe mendoj që këtë e bëjnë shumë njerëz të cilët janë në gjendje të dëshpëruar në Kosovë. Pra, Kosova po shndërrohet në një tokë pjellore për gjithfarë ekstremizmash, për shkak të papunësisë së madhe, varfërisë së madhe, dhe qytetit të ndarë të Mitrovicës ku i kemi tre maune me dhe midis urës mbi Ibër, ndonëse janë pesë mijë pjesëtarë të KFOR-it, një mijë e dyqind të EULEX-it, tetë mijë policë të Kosovës, dhe dy mijë e pesëqind pjesëtarë të FSK-së. Pra, ndarja e brendshme, dhe mungesa e perspektivës për punësim, po bën që shumë të rinj të ndërmarrin edhe këto lloj veprimesh ekstreme që natyrisht nuk janë të dëshirueshme për askënd”, ka thënë Kurti.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu