Kurti kërkon fundin e Thaçit

0
224

Prishtinë, 156 tetor – Lideri i lëvizjes “Vetëvendosje”, Albin Kurti, në mbledhjen e gjashtë të Këshillit të Përgjithshëm të kësaj lëvizjeje, të dielën ka potencuar se “Vetëvendosja” e ka ndarë mendjen dhe e ka të qartë qysh moti që Qeveria aktuale duhet të rrëzohet në mënyrë që Kosova të përparojë.

Kurti ka thënë se lëvizja që ai drejton është duke e riaktualizuar nismën për rrëzimin, siç e ka quajtur ai, të “regjimit” dhe se deputetët e opozitës, por edhe të pozitës, e dinë, sipas tij, që kjo Qeveri po i kushton shumë shtrenjtë Kosovës politikisht, ekonomikisht e moralisht. “Një ditë më shumë me këtë Qeveri është një ditë më pak për Kosovën…Secili deputet që e dëgjon mendjen dhe zemrën e vet nuk është për këtë Qeveri. Këtë zë të brendshëm e privat të deputetëve le ta bëjmë zë publik që ta nxjerrim jashtë këtë Qeveri”, ka thënë Kurti.

Sipas tij, nëse para një viti ekzistonte dëshira për ta rrëzuar Qeverinë, mungonte mundësia për ta bërë këtë, ndërsa sot Kurti ka vlerësuar se ekziston mundësia dhe duhet të dokumentohet vullneti për këtë gjë. “Në votimin e së enjtes që shkoi, deputetët që votuan për pezullimin e këtij privatizimi i kishin plot 589 mijë e 911 vota të qytetarëve, ndërsa deputetët që ishin kundër pezullimit të tij i kishin gjithsej 363 mijë e 693 vota të qytetarëve. Diferenca ndërmjet këtyre numrave është 226 mijë e 218. Kjo diferencë është më e madhe sesa numri i gjithëmbarshëm i votave të PDK-së që ishin 224 mijë 239 vota, me ç’rast e kemi neglizhuar faktin se sa shumë vota të vjedhura janë pikërisht te ky numri i fundit”, ka thënë Kurti.

Lidhur me votimin e së enjtes nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, Kurti ka thënë se u dëshmua se 20 ulëset e rezervuara për minoritete e hedhin përtokë “edhe çfarëdo demokracie minimale”. Sipas tij, Plani i Ahtisaarit si një “solucion brutal” kundër demokracisë është vënë në shërbim edhe të privatizimit brutal të Kosovës. 

Kurti ka vlerësuar se deputetët që po ndërgjegjësohen duke dalë prej koalicionit qeverisës, i cili Kosovës po i sjell veçse “ditë të zeza të mjerimit” social dhe rrënimit politik, kanë bërë, sipas tij, që numri i deputetëve që e përkrahin këtë Qeveri të jetë më i vogël se 60. “Qëndrimet tona për zgjedhjet e dy presidentëve në shkurt e në prill të vitit të kaluar, njëri me sms-a e tjetra me zarf, u dëshmuan të kenë qenë të drejta. Qëndrimet tona për marrëveshjet partiake jashtë institucioneve për këta dy presidentë po ashtu u dëshmua të kenë qenë të drejta. Pra, qëndrimet tona, si gjithmonë, qëndrojnë, pra janë përnjëmend qëndrime”, ka shtuar ai. Qëllimi i marrëveshjes së tre kryetarëve partiakë në prill të vitit të kaluar ishte sipas Kurtit, emri i presidentes në zarf dhe jo reformat zgjedhore a kushtetuese. Ai ka konsideruar se nuk mund të ketë marrëveshje me ata që e organizuan vjedhjen e votave për reformë zgjedhore. “Votat u vodhën me plan, sepse plaçka është interesi i hajnave, ligji u shkel me paramendim, sepse shkelësit e ligjit u mobilizuan për të vjedhur. Një ligj i ri nuk i eliminon hajnat e vjetër, por i amniston ata. Dhe, aq më pak një ligj i ri në marrëveshje me këta hajna të vjetër. Data e vërtetë e kësaj marrëveshjeje nuk ishte 6 prilli i vitit 2011, por 1 prilli i cilitdo vit”, ka thënë Kurti.

Kosovës, sipas Kurtit, i nevojitet një model tjetër, një program tjetër qeverisës që bazohet në shtetin zhvillimor, i cili është edhe shtet i së drejtës, edhe shtet social.

Me shtetin zhvillimor, Kurti ka potencuar se shteti nuk është më spektator, por bëhet aktor dhe faktor i cili nuk e kontrollon zhvillimin, por merr pjesë në të, nxit orientime të caktuara që janë të leverdishme, koordinon e mbështet iniciativa të ndryshme, si dhe promovon eksportin dhe përpiqet të bëjë zëvendësimin e importeve. Industria do të duhej të ishte e lidhur me bujqësinë, ngase, sipas Kurtit, ekonomia që bazohet vetëm në shërbime e financa nuk mund të jetë e suksesshme për Kosovën.

“Jo shoqëria të jetë në funksion të ekonomisë dhe ekonomia në funksion të tregut, por tregu në funksion të ekonomisë dhe ekonomia në funksion të shoqërisë”, ka thënë ai, duke kritikuar kryeministrin Thaçi si dhe deputetët e ministrat që “nuk po e dinë” se si ta përdorin nocionin “ekonomia e tregut të lirë”. “ Kryeministri e zyrtarë të tjerë të lartë thonë ‘ekonomia e lirë e tregut’ dhe jo ‘ekonomia e tregut të lirë’. Pra, nuk dinë as t’i thonë. Kjo ‘ekonomia e lirë e tregut’ po u kushton shumë shtrenjtë qytetarëve të Kosovës”, ka shtuar Kurti.

Qeverinë aktuale Kurti e sheh të përbërë nga shpifjet dhe gënjeshtrat, ndërkaq njerëzit e “regjimit” i cilëson si të “shpifur”. Megjithatë, ai mohon që lëvizja “Vetëvendosje” i urren qeveritarët personalisht.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu