Kurti: Thaçi s’do ta heqë Specialen, por emrin e tij nga kjo Gjykatë

0
109

Thaçi duhet ta dëshmojë që nuk është duke e vazhduar pazarin dhe të japë dorëheqje….

Vendimet e Gjykatës Speciale do ta ndryshojnë historinë, prandaj Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK-ja) është në rrezik nga kjo Gjykatë.

Kështu ka deklaruar dje lideri i lëvizjes “Vetëvendosje” Albin Kurti në një tryezë të organizuar nga partia e tij me temën: “Dhomat e Specializuara dhe raporti me institucionet e Kosovës”.

Kurti ka shtuar se Gjykata Speciale nuk është për t’i rrëzuar pushtetarët e korruptuar, ndonëse pritje të tilla kanë qytetarët.

“E di që shumë njerëz janë lodhur. Themi hajt se kjo Gjykatë na heq pushtetarët e korruptuar, politikanët e krimit të organizuar. Nuk mund t’i heqim qafe me iniciativa që vijnë nga Serbia e Rusia. Popujt e tjerë i kanë rrëzuar e i kanë larguar të korruptuarit e kriminelët. Në Kosovë shumë prej tyre politikanë duhet akuzuar si kriminelë të paqes, çfarë i kanë bërë popullit tonë e jo si kriminelë të luftës”, ka thënë Kurti.Kurti e akuzoi presidentin e Kosovës Hashim Thaçin se nuk është serioz dhe i sinqertë për shfuqizimin e kësaj Gjykate.

“Thaçi duhet ta dëshmojë që nuk është duke e vazhduar pazarin dhe të japë dorëheqje. Për ta dëshmuar që është penduar duhet të japë dorëheqje dhe problemi kryesor me iniciativën për shfuqizimin është mungesa e sinqeritetit dhe e seriozitetit për shfuqizimin. Nuk e ka përnjëmend dhe nuk është fare serioz në këtë iniciativë, sepse ka hyrë i papërgatitur. Jam i bindur që kjo iniciativë s’e ka synim ta heqë Gjykatën Speciale, por emrin e tij nga Gjykata Speciale”, ka theksuar ai.

Ndërsa deputetja Albulena Haxhiu ka thënë se Gjykata Speciale është gjykatë politike, e cila synon të shtrembërojë luftën për liri të UÇK së, por tendenca për shfuqizimin e saj është e padrejtë.

“Më 22 dhjetor 2017 një grup i deputetëve kërkuan shfuqizim të ligjit. ‘Vetëvendosja’ ka pasur qëndrim të qartë edhe për këtë tendencë. E kemi konsideruar si nismë joserioze. Në mënyrë tinëzare dhe joserioze. Ata deputetë përfaqësonin interesat e individëve, prandaj nuk e kemi mbështetur projektligjin, i cili u procedua tashmë në Qeveri”, ka thënë ajo.

Ndërsa shefi i Grupit Parlamentar të lëvizjes “Vetëvendosje”, Glauk Konjufca, ka deklaruar se Dhomat e Specializuara janë krijuar përmes një prapavije me ish-presidenten Atifete Jahjaga.

“Përgjegjësit kryesorë që po e iniciojnë shfuqizimin e Gjykatës Speciale janë Thaçi, Veseli dhe Haradinaj. Nëse Dhomat e Specializuara janë themeluar nga letrat e Jahjagës, Hashim Thaçi duhet të pozicionohet. Nëse Thaçi dëshiron që Gjykata të zhbëhet, duhet të tregojë çka mendon për letrat e Jahjagës. Nëse Thaçi mendon që Dhomat nuk janë të drejta, duhet t’i shkruajë letër Mogherinit dhe të thotë se nuk qëndron prapa letrave të Jahjagës dhe të distancohet. Për sa kohë që ekziston letra e Jahjagës, atëherë Hashim Thaçi duhet të pozicionohet”, ka thënë Konjufca.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu