Kush do ta fitojë betejën në Kushtetuese?

0
325

656X37350230GJK

Behxhet Shala dhe Mazllum Baraliu, kanë dhënë vlerësime për seancën e djeshme dëgjimore në Kushtetuese, në të cilën përfaqësuesit e partive politike paraqitën argumentet për seancën e konstituive të Kuvendit të Kosovës.

Drejtori ekzekutiv i KMDLNj-së, Behxhet Shala dhe njohësi i çështjeve juridike kushtetuese, Mazllum Baraliu, të cilët kanë qenë të pranishëm të enjten në seancën dëgjimore në Gjykatën Kushtetuese, në të cilën janë prezantuar argumentet lidhur me seancën konstituive të Kuvendit të mbajtur më 17 korrik, kanë dhënë vlerësime të ndryshme në raport me argumentet e prezantuara nga PDK-ja, LDK-ja, AAK-ja dhe Vetëvendosje!
Behxhet Shala ka vlerësuar për “Epokën e re” se përfaqësuesi i PDK-së në Kushtetuese, Arsim Bajrami, ka qenë dominues në raport me përfaqësuesit e partive të tjera të cilët kanë prezantuar argumentet lidhur me seancën e 17 korrikut. “Në radhë të parë nuk e kam të qartë se pse është organizuar kjo seancë dëgjimore, kur palët, vërejtjet, sugjerimet dhe gjithçka që ka shkuar në favor të tyre i kanë dërguar me shkrim. Mendoj se në aspektin profesional Arsim Bajrami ka qenë dominant, për shkak se është ekspert i Kushtetutës dhe tekstualisht ka mundur t’i balancojë ato çështje që ka dashur t’i thotë lidhur për seancën konstituive”, ka thënë Shala, duke shtuar se në këtë seancë është përdorur një fjalor politik. “Në këtë seancë është përdorur një fjalor politik mirëpo, në fund të fundit, përpos vendimit juridik, Gjykata Kushtetuese mund të marrë vendim politik. Dua të them se përfaqësuesi i PDK-së ka qenë më i përgatitur se të tjerët”, ka deklaruar Shala.
Ai ka thënë se seanca dëgjimore nuk ka qenë e nevojshme. Sipas tij, këtë e dëshmon edhe mosinteresimi i gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese për të parashtruar ndonjë pyetje, për përfaqësuesit e partive të cilët kanë qenë të pranishëm në seancën dëgjimore. “Ju e keni parë se si asnjëri nga gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese nuk ka pasur asnjë pyetje për të parashtruar për përfaqësuesit e partive politike. Dhe me vetë faktin se nuk kanë parashtruar pyetje, përfaqësuesit e partive politike nuk kanë sjellë diçka të re përpos argumenteve që kanë dorëzuar më herët me shkrim. Kjo seancë më tepër ka qenë një seancë mediale sesa për ta bindur gjykatën. “Po ashtu, në këtë seancë askush nuk është thirrur si përfaqësues të koalicioneve, por si përfaqësues të partive politike. Pra, Arsim Bajrami nga PDK-ja, Vjosa Osmani nga LDK-ja, Albulena Haxhiu nga Vetëvendosje! dhe Ardian Gjini nga AAK-ja”, ka thënë Shala.
Shala ka deklaruar se Kushtetuesja ka dy opsione për ta marrë vendimin lidhur me seancën konstituive të Kuvendit. Ai ka thënë se nëse Kushtetuesja merr vendim juridik, ai do të jetë në favor të PDK-së. “Është shumë problematike të prognozohet epilogu i Gjykatës Kushtetuese. Tani varet nëse do të marrë kjo gjykatë një vendim juridik apo politik. Nëse do të marrë vendim politik, atëherë ai do të ketë për qëllim ta zhbllokojë ngërçin politik në të cilin gjendet Kosova. Dhe nëse merr vendim juridik, mendoj se argumentet më të fuqishme i ka PDK-ja sesa LDK-ja dhe subjektet e tjera që kanë qenë të pranishme në seancën dëgjimore”, ka deklaruar Shala. Drejtori ekzekutiv i KMDLNj-së, Behxhet Shala, ka thënë se nëse nuk do të ketë marrëveshje politike, atëherë zgjedhjet do të jenë opsioni i vetëm për tejkalimin e ngërçit politik.

Baraliu: Blloku kishte më shumë argumente

Vlerësim krejt ndryshe nga ai i Behxhet Shalës rreth seancës dëgjimore ka dhënë njohësi i çështjeve juridike kushtetuese, Mazllum Barali. Ai ka deklaruar se përfaqësuesit e koalicionit paszgjedhor dhe Vetëvendosje!-s kanë pasur më shumë argumente krahasuar me atë të PDK-së. “Blloku opozitar, për mendimin tim, kishte më shumë argumente dhe më shumë prova bindëse sesa Arsim Bajrami. Pavarësisht kësaj, tani varet ekskluzivisht nga Gjykata Kushtetuese se çfarë vendimi do të nxjerrë. Mendoj se Kushtetuesja duhet të sjellë një vendim profesional dhe të pandikuar”, ka deklaruar Baraliu.
Baraliu ka thënë se nuk mund ta paragjykojë vendimin që do ta marrë Gjykata Kushtetuese lidhur me seancën e 17 korrikut. “Nuk mund të paragjykoj se cili do të jetë vendimi i Gjykatës. Vendimi varet nga bindjet dhe vullneti i gjyqtarëve. Ajo çfarë mund t’u kërkoj gjyqtarëve unë si qytetar është që ata të jenë profesionalë, të paanshëm, të pandikuar politikisht dhe ta bëjnë këtë punë sa më parë”, është shprehur Baraliu.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu