Kush e urren Rexhep Qosjen?!

0
156
Reshat Sahitaj
Çuditërisht sa herë që Rexhep Qosja deklaron diçka, automatikisht të gjitha fjalët e tij fillojnë të analizohen nga llupa të grupeve, klaneve, ideologjive dhe të individëve të informuar e të painformuar mirë mbi rolin dhe aktivitetin e Qosjes në dobi të çështjes kombëtare. 
Në mesin e këtyre thashethemexhinjve mund të lexojmë edhe mendime të disa “analistëve” të cilët reputacionin e analistëve e kanë fituar jo se janë të mençur, por nga se janë të përkrahur nga disa medie për qëllime të padronëve të tyre, e madje nga disa akademikë të sponsorizuar nga qyteti i Bardhë. Se këta nuk janë të pajisur me mençuri dhe dituri shkencore, mund të vërehen nga shkrimet e tyre të pa korrigjuara në rrjete sociale, nga fjalori i tyre e shprehjet “akademike”, si dhe në deklaratat televizive gojore, por jo ne shtypin e përditshëm, sepse aty ua redaktojnë dhe rregullojnë fjalitë dhe strukturën e shkrimit.
A është i vetmi Rexhep Qosja që kritikohet?
Në fakt, gjuha e urrejtjes kundër personaliteteve dhe figurave kombëtare që jemi duke e përjetuar ne bashkëkohorët, është vetëm një vazhdim nga qindra e qindra vjet më parë e që vazhdon edhe në ditët e sotme.
Në historinë antike dhe atë të vjetër të popullit shqiptar, për t’i nënshtruar vendet tona, armiku përdorte emra të familjeve të njohura shqiptare për t’iu kundërvu figurave që luftonin për pavarësinë e tokave tona. Për këtë historianët mund ta sqarojnë më mirë se si e shemben mbretëreshën Teuta, si dezinformohej populli mbi luftën e Skënderbeut, si zhvlerësohej lufta e Ali Pashë Tepelenës, Ismail Qemajlit, Hasan Prishtinës, Azem Galicës, e deri në ditët e sotme si bëhej dhe bëhet zhvlerësimi i luftës së UÇK-së.
Nga këto thashetheme zhvlerësoheshin figurat e mëdha kombëtare, për t’i vë në skenën kombëtare figurat në shërbim të dreqit. Andaj, po të analizohen mirë thashethemet e dikurshme që tani po i quajmë analistë, do të vijmë deri të një rezultat se nga këto, ne kurrë nuk kemi arritur t’i mbrojmë territoret tona që të mos pushtohemi. Teuta u tradhtua nga burri i saj dhe gjenerali i saj. Skënderbeu po ashtu nga të afërmit e tij, Ali Pashë Tepelena nga djali i tij e kështu më radhë do të vijmë deri të tradhtitë e ditëve të sotme, që janë bërë dhe bëhen pikërisht nga ata që janë të shitur tek një forcë antishqiptare, e që dikur ka funksionuar përmes thashethemeve e tani analizave dhe analistëve.
Analistë të tillë (thashethemexhinj) kemi në Kosovë, si edhe në Shqipëri siç është Fatos Lubonja, i cili pa asnjë njohuri për Ramush Haradinajn respektivisht për luftën e UÇK-së, e pa fije turpi deklarohet kundër luftës së Ramushit e të UÇK-së. Madje jo vetëm që i zhvlerësojnë figurat kombëtare, por këta shkojnë edhe më larg duke i akuzuar aleatët tanë të cilët bombarduan caqet ushtarake të Serbisë. Këta analistë nuk ngurrojnë të bëjnë “analiza” se amerikanet dhe evropianet (NATO), e paska çliruar Kosovën për interesa të tyre imperialiste, e nuk ishte objektiv çlirimi i shqiptarëve. Të tillët gjithnjë kanë gjetur përkrahje dhe gjejnë edhe sot nga një shtet, nga një forcë e hijeve te errëta.
Ku qëndron fshehtësia e guximit të tyre të çohen kundër personaliteteve kombëtare?! Cili është ai çelësi enigmatik, përmes të cilit ngritën në piedestal këta “analistë”, akademikë”, “shkrimtarë”… dhe flasin sikur të dinë çdo gjë mbi një figurë tonë kombëtare?! Është shumë vështirë për të gjetur çelësin enigmatik nën drynin e të cilit mbahen sekrete burimet e këtyre analistëve bashkëkohorë, sepse ato burime nuk ruhen në Kosovë, por diku larg në një qytet të bardhë, apo mbase edhe më larg.
Nga kritikat e figurave të njohura zhvillohet shoqëria
 
Duke i lexuar analizat e “analistëve” në medie të shkruara dhe elektronike, përballë opinionit shqiptar dalin shumë lloj analistësh ne mesin e të cilëve mund t’i dallojmë që dikush është krejtësisht i ndikuar nga manipulimet ditore, dikush qëllimisht i pa informuar mbi veprimtarinë e Rexhep Qosjës apo Adem Demaçit, dikush tjetër i shpërblyer nga klani i tij për guximin që ka treguar, ndonjë tjetër i paguar nga çelësi enigmatik që ruhet në qytetin e bardhë.
Mendoj se ne shqiptarët duhet të jemi më gjakftohtë në vlerësimet tona personale. Do të ishte mirë që analistët e tillë të mos ngutën të shkruajnë e të deklarojnë vetëm pse padroni i gazetës apo televizionit ua ka dhënë mundësinë të shprehen, sepse pas padronëve qëndrojnë interesa të tjera që ata “analistë” një ditë do të mbetën në baltë nga vetë ata që i kanë ngritur.
Nëse shkohet nga logjika që të gjejmë dobësi të një figurë kombëtare, kjo është gjëja më e lehtë, nga se secili njeri në botë i ka dobësitë e tij. Mirëpo një analistë i mirëfilltë i cili ka lexuar literaturë botërore dhe atë kombëtare, nuk do të ndalët të dobësitë e një figure kombëtare apo madje edhe figura tjera shkencore. Ata analistë që kanë lexuar literaturë të sipërpërmendur, do ta shohin se të gjitha figurat botërore janë marrë me polemika dhe kritika agresive ndaj bashkëkohësve të tyre, por të gjithë ata kanë mbetur përjetësisht figura të pazëvendësueshme, ndërsa analistët janë harruar. Me deklarata dhe kritika agresive janë marrë shumë personalitete të njohura si Kanti, Balzaku, Hygo, Faik Konica, Frashëri e tani Qosja, Demaçi, Kadare etj. Më figura të tilla krijohet historia dhe secili prej tyre e ka vendin e vetë në historinë kombëtare, e analistët vetëm çojnë pluhur dhe ndikojnë në krijimin e gjendjes konfuze në popull e asgjë më shumë. Me kritikat në mes personaliteteve letrare, politike, shkencore, shkojnë përpara proceset e zhvillimit të një populli, pavarësisht se ato origjinën e kanë nga pakënaqësitë individuale të tyre.
Në shënjestër të kujt është Rexhep Qosja? 
Para se të klasifikohet se kush e ka në shënjestër Rexhep Qosën, duhet të kthehemi se kë e ka vu në thumb Rexhep Qosja më deklaratën e tij. Nga shkrimet dhe intervistat e shumta të Rexhep Qoses, mund të duket se Qosja nuk ka dëshirë që deklaratat dhe shkrimet e tij t’i rrëmbejë pluhuri i harresës së historisë. Çdo fjali e tij, është e shkruar që mendimi i tij të mos mbetët mendim i përshtatjes ditore politike, por mendimet e tij t’i qëndrojnë krenare gjeneratave të ardhshme dhe t’i shërbejnë shtresës politike të mëvonshme për ruajtjen dhe zhvillimin multidimensional të një shteti shqiptar.
Ditëve të fundit Qosja kritikat e tij ia drejtoi figurës së Ibrahim Rugovës për opsionin e tij pacifist që ai e mbante. Kjo kritikë e Rexhep Qosjes, zgjoi revoltë të te gjithë ithtarët e politikës pacifiste. Viteve të fundit vlerësimi i opsionit pacifist duke e ngritur Ibrahim Rugovën si President historik, e ka nxitur Rexhep Qosën të thotë mendimin e tij për opsionin pacifist dhe liderin e këtij opsioni.
Është krejt normale që pasardhësit e opsionit pacifistë, do të ndjehen të shqetësuar, kur të dëgjojnë se ai opsion i tyre kritikohet. Të kritikohet opsioni pacifist, do revoltohet tërë ajo masë e popullit shqiptar që verbërisht i besuan se pa luftë Kosova do çlirohet. Opsionin pacifist e përbënte shumica dërmuese e popullit shqiptar. Në këtë mes pacifistë kishte shumica ishin shqiptarë të denjë dhe kombëtarisht të gatshëm t’i ndihmonin Kosovës për t’u çliruar nga zgjedha e armikut serb. Mirëpo kjo masë përbëhej edhe nga shtresa e atyre që nuk donin t’i prishnin relacionet me Serbinë, që ishin disa tregtarë, disa shkencëtarë, disa të tjerë që punët i kishin mirë dhe sa më shumë që zgjatej robëria aq më mirë për ata. Kjo shtresa e fundit që kanë ditur të ishin dikur faktorë, kanë ditur të vazhdojnë notimin deri sot. Kjo shtresë masës pacifiste të denjë kombëtarisht nuk ua tregojnë prapaskenat e politikës se tyre, por ende i manipulojnë dhe i ndërsejnë kundër çdokujt që përpiqet te zbardhë atë periudhë, e në mesin e tyre është Rexhep Qosja dhe Adem Demaçi. Tani gjejnë dobësi dhe shpifin “argumente” kundër Demaçit e Qosjës, që mendimet e tyre të mos i përqafojë populli. Njëri prej shpifësve ishte Astrit Haraçia i cili deklaroi se po të ishte Demaçi patriot, Serbia do ta kishte vrarë, hiç më pak agresiv ndaj Demaçit nuk u tregua as akademiku Mark Krasniqi i cili gjatë një emisioni në një televizion qëllimisht i largohej temës mbi Gjon Sereqin e Maria Shllakun, për të cilën ekzistojnë mendime se e kishte tradhtuar. Tjetri deklaron se po të ishte Qosja patriot nuk do merrte shpërblime letrare nga Beogradi etj. Të gjitha këto insinuata ndaj Demaçit apo Qosjës janë të fabrikuara në Beograd.
Ç’kërkon Rexhep Qosja, nga vlerësuesit e historisë?! 
Ne shqiptarët ende nuk kemi traditë që figurat historike t’i vlerësojmë sipas akteve të tyre, por i vlerësojmë në mënyrë subjektive sipas qejfeve tona personale.
Po të analizohen figurat tona historike do të shohim shumica e tyre për t’u çliruar nga Perandoria Osmane, kanë kërkuar mbështetje nga Serbia. Të gjithë këta jo që i kanë besuar Serbisë, por nuk kanë pasur zgjidhje tjetër për t’u furnizuar më armë. Pas çlirimit nga Turqia, të gjithë këta personalitete vriten nga Serbia, sepse të njëjtit tani ia kthyen pushkën Serbisë që po i pushtonte tokat tona. Historianet tanë i gjejnë faktet e kohës kur ata u ndihmuan nga Serbia, dhe i fshehin faktet që ata e luftuan Serbinë.
Pasi që Rexhep Qosja, Adem Demaçi e shumë të tjerë janë pjesëmarrës aktiv i të gjitha proceseve të dekadave të fundit për çlirimin e Kosovës, natyrisht që kanë plotësisht të drejt të analizojnë dhe t’i shprehin mendimet e tyre lidhur me figurat e luftës së fundit. Mendimet e Demaçit, Qosjës.. . janë vetëm shpalosje e analizave të tyre, që mendojnë se pacifizmi ishte opsion i gabuar, që janë vetëm mendime të tyre.
Askush nuk e mohon se organizimi i LDK-së 15 dhjetor 1989 e deri më 1993 ishte lëvizja më madhore e popullit shqiptar, dhe për këtë Ibrahim Rugova e ka meritën e tij të pakontestueshëm. Zhvillimi i ngjarjeve të mëvonshme, dalja e UÇK-së në skenën politike shqiptare si formë e rezistencës luftarake se pa luftë Kosova nuk çlirohet, është periudha më e ndritur në historinë e popullit tonë. Nga ky moment të gjitha opsionet e Ibrahim Rugovës ( pesë opsione që i ka pasur), janë krejtësisht të pafrytshme, që më vonë duhet të merren historianët rreth këtyre vlerësimeve.
Dalja në skenë e UÇK-së është vendimtare që Aleanca e Veriu-Atlantikut të angazhohet për bombardimet e caqeve ushtarake serbe, natyrisht ku si pretekst për ta aktivizuar diplomacinë Perëndimore dhe forcat e tyre ushtarake merret masakra e Reçakut që është kulminacioni i vendimit që Serbisë duhet t’i përgjigjen me forcë, në emër të humanizmit për dëme shkaktuar civilëve shqiptarë, e më vonë shpërnguljet masive ishin pretekst për ta joshur opinion perëndimor.
Sipas Demaçit dhe Qosjës, në këto momente vendimtare roli i Ibrahim Rugovës mbetët i zbehur, sepse lideri i LDK-së në vend se të përkrahte luftëtarët ai deklaronte kundër tyre.
Pra, për të dhënë vlerësime mbi një figurë kombëtare pozitive apo negative duhet të studiohen të gjitha këndet e akteve te tij. Për të dhënë vlerësime duhet të lexohen shumë libra të botuara gjatë asaj kohe nga autorë të huaj për luftën në Kosovë, si dhe autorë të tjerë si Geert Ahrensi e shumë të tjerë ngase gjatë bisedave më diplomatet e huaj shqiptarët ndryshe deklaronin e ndryshe në medie tona u thoshin popullit. Sipas Ahrensit është letra e Ibrahim Rugovës drejtuar institucioneve botërore, e cila 50 vite të ardhshme nuk guxon të bëhet publike për opinionin shqiptar.
Mos u nguteni t’i klasifikoni figurat tona kombëtare, se historia një ditë do t’i vlerësojë kush ishte shqiponjë e kush ishte korb.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu