“Kush ka menduar që 8 vjet pas vendimit të GJND-së do kemi President që vrapon pas Serbisë”

0
116
Albin Kurti

Sot bëhen 8 vjet që kur Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë ka shpallur vendimin këshillëdhënës, sipas të cilit deklarata e shpalljes së pavarësisë së Kosovës nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare.

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, përveç që ka kujtuar këtë ditë, ka nisur kritika të shumta ndaj presidentit të vendit, Hashim Thaqi.

Kurti ka shkruar se pas gjithë këtyre viteve, duhet të vihet në dukje që Deklarata e pavarësisë së Kosovës, përmban një moment emancipues të rëndësishëm, të cilin, siç shkruan ai “një qeveri me vullnet politik tjetërfare do të mund ta mobilizonte progresivisht në drejtim të heqjes graduale të kufizimeve të vendosura përmbi të, si pasojë e një kompromisi ndërkombëtar çfarë ishte pakoja e Ahtisaarit”.

Përveç të tjerash, Kurti thotë se ky moment emancipues është harruar edhe nga Qeveria e atëhershme Thaqi e edhe tani Qeveria Haradinaj.

Lideri i VV-së, gjithashtu thotë se leximi që GjND-ja i bëri Deklaratës së Pavarësisë doli të jetë më progresiv sesa qëndrimet e veprimet e qeveritarëve të Kosovës të udhëhequr nga Hashim Thaqi.

Postimi i plotë i Kurtit në Facebook:

Kush ka mundur ta paramendojë që 8 vjet pas vendimit të GjND-së mbi ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, e i cili goditi rëndë Serbinë ndërkombëtarisht, do të kemi President që flet për kompromise të reja të dhimbshme ndaj Serbisë? Kush ka mundur ta paramendojë që 8 vjet pas atij të vendimi te GjND-së, do të kemi President e Qeveri që vrapojnë pas Presidentit të Serbisë, e që kërkojnë pajtim me Serbinë e papenduar dhe pa e paditur atë për krimet e luftës e për gjenocid?

Më 22 korrik 2010, saktësisht 8 vjet më parë, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GjND) dha verdiktin e saj se Shpallja e Pavarësisë së Kosovës ishte në përputhje me ligjin ndërkombëtar.

Në tetor të vitit 2008, me kërkesë të Serbisë, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së e kishte ftuar GjND-në ta japë mendimin e vet këshillues mbi atë nëse shpallja e njëanëshme e pavarësisë nga ana e institucioneve të përkohshme të vetëqeverisjes së Kosovës ishte në përputhje me ligjin ndërkombëtar. Ftesën për GjND e kundërshtuan aleatët e afërt të Kosovës, ndërkohë që abstenuan vende që e njohin Kosovën. Kërkesën e Serbisë për të ftuar GjND-në e mbështetën kryesisht vendet që nuk e njohin Kosovën, dhe, sajë disa mungesave, ato e patën shumicën. Kompozimi i Asamblesë së Përgjithshme, bashkë me pasivitetin dhe paaftësinë e qeveritarëve të Kosovës, mundësuan pra, jo gjykimin e Serbisë fajtore për krime lufte e gjenocid, por gjykimin e së drejtës së Kosovës për pavarësi e sovranitet.

GjND-ja atëbotë radhazi shprehu qëndrimet e saj që nuk ka pse të mos e jep një mendim për këtë çështje, që nuk ka ndalesë të përgjithshme në ligjin ndërkombëtar për të shpallur pavarësinë, që Rezoluta 1244 dhe Korniza Kushtetuese janë pjesë të ligjit ndërkombëtar, se ata që e shpallën pavarësinë nuk e konsideronin veten, thjesht, njerëz të IPVQ-ve, se heshtja e PSSP-së atëbotë e konfirmonte këtë gjë, se KS i OKB-së në bazë të R1244 nuk e kishte të rezervuar të drejtën për përcaktimin e statusit të Kosovës, dhe se, përfundimisht, as R1244 e as Korniza Kushtetuese nuk e ndalonte nxjerrjen e deklaratës së pavarësisë.

Duhet të vihet në dukje që Deklarata e Pavarësisë së 17 shkurtit 2008 përmban një moment emancipues të rëndësishëm, të cilin një qeveri me vullnet politik tjetërfare do të mund ta mobilizonte progresivisht në drejtim të heqjes graduale të kufizimeve të vendosura përmbi të, si pasojë e një kompromisi ndërkombëtar çfarë ishte pakoja e Ahtisaarit. Ky moment emancipues është pikërisht fjalia e parë e deklaratës, aty ku thuhet “Ne, udhëheqësit e popullit tonë, të zgjedhur në mënyrë demokratike, nëpërmjet kësaj Deklarate shpallim Kosovën shtet të pavarur dhe sovran.” Pikërisht në këtë moment ndodh vetëtransformimi i Kuvendit të Kosovës nga një Institucion i Përkohshëm Vetëqeverisës (IPVQ) nën UNMIK-un në një institucion të popullit dhe shtetit të pavarur e sovran të Kosovës. Nuk është e rastësishme që edhe GjND-ja e veçoi këtë moment si argumentin kryesor në përgjigjen e saj negative në pyetjen se a e ka shkelur Deklarata e Pavarësisë ndonjë ligj ndërkombëtar. Siç arsyeton vendimi i GJND-së, këtu nuk mund të flitet për tejkalim qoftë të ligjit të përgjithshëm ndërkombëtar qoftë atij special (si p.sh. R1244) sepse institucionet që shpallën pavarësinë nuk ishin ato që i rregullonte R1244 – pra, nuk ishin IPVQ; ato u vetëtransformuan, përmes vetë aktit të shpalljes, në organe të shtetit të pavarur të Kosovës dhe si të tilla nuk mund të konsideroheshin më përgjegjëse ndaj R1244. Natyra performative e aktit të shpalljes, që karakterizon universalisht çdo akt shpallës, nuk i mungoi as shpalljes së 17 shkurtit; madje, nga perspektiva e ligjit ndërkombëtar, e shpëtoi atë nga të konsideruarit si një akt i jashtëligjshëm.

Por çfarë ka ndodhur më pas? Qeveria Thaqi e asaj kohe, e më vonë qeveria pasardhëse e deri te kjo Haradinaj, e kanë harruar pikërisht këtë moment përurues me potencial emancipues të Deklaratës së Pavarësisë. Duke pranuar bisedime të vazhdueshme me Serbinë për çështje të brendshme të Kosovës, të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, kanë pranuar të ulen në tryezë bisedimesh me dy entitete (Serbia në njërën anë, BE-ja në anën tjetër) të cilat ose janë armiqësisht kundër vetë qëllimit themelor të asaj shpalljeje (rasti i Serbisë) ose janë neutral karshi të njëjtës (rasti i BE-së).

Leximi që GjND-ja i bëri Deklaratës së Pavarësisë doli të jetë më progresiv sesa qëndrimet e veprimet e qeveritarëve të Kosovës të udhëhequr nga Hashim Thaqi. E, regresioni i këtij po vazhdon me shpejtësinë e njëjtë të vrapimit që ai bën pas Serbisë e Vuçiqit.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu