Ky është qëndrimi përfundimtar i Amerikës për dialogun dhe taksën

0
176

Nëse e bëni këtë, jemi optimist mund të arrini një marrëveshje historike normalizimi në vitin 2019”, kështu thuhet në një deklaratë të përbashkët të ambasadorit të SHBA-ve në Kosovë, Philip Kosnett dhe ambasadorit amerikan në Beograd Kyle Scott, në të cilin kanë përgëzuar Greqinë dhe Maqedoninë për kurajon në arritjen e marrëveshjes historike.

Në deklaratë thuhet se kjo arritje do të vendoste themelet për një të ardhme paqësore për popujt e tjerë në këtë rajon.

“Keni mbështetjen e plotë të Shteteve të Bashkuara dhe ne do të bëjmë gjithçka që mundemi për t’ju ndihmuar të keni sukses dhe për të ndërtuar besimin e nevojshëm për të zhvilluar dhe zbatuar një marrëveshje gjithëpërfshirëse. Presidenti Trump u shkroi liderëve të Serbisë dhe Kosovës për të inkurajuar të dy vendet që të “kapin këtë moment dhe të ushtrojnë udhëheqjen politike në marrjen e vendimeve për të balancuar interesat e të dy vendeve.” Presidenti Trump shtoi se do të ishte për keqardhje të humbet kjo mundësi unike për paqen, sigurinë dhe rritjen ekonomike. “Presidenti Trump ishte po aq i qartë kur iu drejtua Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së se udhëheqësit kanë detyrim për t’u shërbyer qytetarëve të tyre”, thuhet ne deklaratë.

“Ne besojmë se një marrëveshje është e mundur dhe shpresojmë të festojmë së bashku me ju, ashtu siç e festojmë guximin e udhëheqësve grekë e maqedonas. Në fakt, Presidenti Trump ka ftuar tashmë Presidentët Vuçiç dhe Thaçi në Shtëpinë e Bardhë për të iu kujtuar arritjen sa më shpejt të marrëveshjes. Shtetet e Bashkuara nuk e përshkruajnë dhe nuk do të përshkruajnë se si duhet të duket zgjidhja, por beson se duhet të jetë e zbatueshme si në Kosovë ashtu edhe në Serbi dhe duhet të kontribuojë në stabilitetin afatgjatë të rajonit. Udhëheqësit dhe ekipet e tyre duhet të rifillojnë bisedimet e udhëhequra nga BE për të parë atë që është e mundur dhe për të komunikuar në mënyrë transparente me qytetarët e tyre – për të siguruar që bisedimet reflektojnë vullnetin e popullit dhe për të ndihmuar në kapërcimin e ankthit dhe dyshimit”, theksohet ndër të tjerash në deklaratën e Kosnett dhe Scott.

“Ne e pranojmë se kjo nuk është e lehtë. Ne nuk jemi të verbër ndaj ngjarjeve historike dhe tensioneve të vazhdueshme që kanë çuar në mosbesim dhe keqperceptim që rëndojnë marrëdhëniet. Kjo është arsyeja pse çdo marrëveshje duhet të jetë e gjerë dhe e dobishme për të dyja palët, për t’i dhënë Kosovës dhe Serbisë sukseset e tyre. Kjo është edhe arsyeja pse Shtetet e Bashkuara janë të angazhuara të punojnë me Serbinë dhe Kosovën për të siguruar që të dy palët të zhvillojnë dhe zbatojnë në mënyrë efektive një marrëveshje të qëndrueshme. veprimet e fundit nga Beogradi dhe Prishtina që rrisin tensionet duhet të ndalen nëse ka ndonjë shpresë për të sjellë paqe, prosperitet dhe drejtësi të qëndrueshme në rajon. Nëse të dyja palët dështojnë ta shfrytëzojnë këtë mundësi, ju rrezikoni të humbni mundësinë më të mirë për gjeneratat e ardhshme”, theksohet mes tjerash në deklarate.

Të dy ambasadorët kanë kërkuar që të ketë kompromis nga Prishtina dhe Beogradi në vazhdimin e dialogut e ndërmjetësuar nga BE-ja, duke siguruar se i njëjti e ka mbështetjen e plotë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu