LDK po i bashkohet dialogut me Serbinë

0
141

Analisti politik, Donik Sallova, po thotë se LDK do të futet si pjesëmarrëse në dialogun me Serbinë, në momentin kur Bashkësia Ndërkombëtare do të ndërhyjë në këtë proces.

Madje, ai në një përgjigje për Gazetën Blic, ka thënë se kjo gjë mund të ndodhë në mes të muajit shtator – atëherë kur zyrtarë të lartë të SHBA-ve, pritet ta vizitojnë Kosovën.

“Por, kam dyshime serioze, që si gjithnjë, pas ndërhyrjes së faktorit ndërkombëtar, veçanërisht atij amerikan, LDK-ja së shpejti do t’i bashkohet negociatave finale me Serbinë. Madje, menjëherë pas vizitës së zyrtarëve të lartë të departamentit të shtetit që pritet të jenë nga mesi i shtatorit”, ka thënë Sallova.

Sipas Sallovës, ideja për shkëmbime territoresh kishte nisur që nga takimi i dialogut kosovar me shefen e diplomacisë evropiane, Federica Mogherini – takim në të cilin kishin qenë të pranishëm Hashim Thaçi, Kadri Veseli,Ramush Haradinaj, Behgjet Pacolli, Fatmir Limaj dhe Dardan Gashi.

“Në fakt çështja e “korrigjimit të kufijëve” apo “e shkëmbimit të territoreve” doli pas takimit të fundit të Thaçit me Vuçiqin në Bruksel, ku bashkë me Thaçin ishte edhe delegacioni shtetëror në të cilin ishin kryeministri dhe zv/kryeministrat. Pra, çështja e kufijeve doli nga takimi me Mogherinin në vazhdën e bisedave për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë.” Ka thënë ai.

Sallova ka folur edhe për bashkimin opozitar kundër Thaçit, duke thënë se opozita duhet të jetë kundër përmbajtjes së dialogut dhe jo të lidhet domosdo me figurën e Thaçit.

“Partitë opozitare paralajmëruan sot, se me iniciativë të LDK-së do të thirret një seancë ku me rezolutë do t’i ndalohet Thaçit të bisedojë me Vuçiqin për kufijtë e Kosovës. Por kjo ndalesë a nuk do t’ia hapte mundësinë Thaçit që me Vuçiqin të bisedojë për Asociacionin me kompetenca ekzekutive që do çonte në amandamentimin e kushtetutës së Kosovës, duke e krijuar kështu entitetin autonom politik serb në Kosovë?

Pra, opozita nuk duhet që aksionin e vet opozitar ta ndërlidhë domosdoshmërish me figurën e Thaçit, pavarësisht sa i pabesueshëm në thelb është Thaçi.

Opozita duhet të deklarohet kundër çfarëdo bisedimesh që Kosovën e çojnë përtej kompromiseve të Ahtisaarit. Kështu opozita do dëshmonte qëndrim konceptual politik dhe jo hakmarrje personale ndaj Thaçit.

Mundësinë e vetme e shoh tek VV e cila konsistencën e saj kundër bisedimeve që në krye te herës ta imponojë edhe si qëndrim të përbashkët opozitar me LDK-në e PSD-në”, ka thënë ai.

Seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit, e iniciuar nga partitë opozitare, pritet të mbahet para datës 7 shtator, atëherë kur pritet të mbahet takimi në mes presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe i i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

/GazetaBlic/

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu