LDSH në Asamblenë e Tretë të saj, rikonfirmon Humanizmin si ideologji

0
147

Kësaj radhe do të dëshiroja të flisja rreth një eksperience disa vjeçare, të mbushur me ide e përpjekje të shumta, që lënë pas konstatimet, qarjet e sharjet; dhe kanë të bëjnë me një platëformë krejt ndryshe, me një moral dhe principe të pastra njerëzore: Aty në qëndër të Tiranës, përballë ish- Libraria “Flora”, vepron prej më shumë se dy vjetësh një grup idealistësh, të cilët vlerësojnë si dëm mbi të gjitha dëmet, shkatërrimin e njeriut shqiptar. Pikërisht, mbi bazën e këtij konstatimi, ky grup intelektualësh dhe të rinjsh, u mblodh më 20 maj 2010 për të nisur një marrshim të ri fisnik e human, nën emrin “Lëvizja për Drejtësi e Shqiptarëve”, si mjë subjekt politik (parti), me pretendimin se vendi ka nevojë për zgjidhje politike. Ky angazhim qytetar e intelektual, synon të tregojë se idealizmi dhe humanizmi nuk janë nocione të kaluara, por përkundrazi janë prezente dhe synojnë që idealet dhe kjo ideologji të jenë në themel të organizimit shoqëror e politik të njerëzimit.
Kjo kauzë dhe ky synim, u hodh që ditën e themelimit të LDSH, si një parti me një frymë mospajtimi e mosnënshtrimi, si një apel refuzimi e kundërshtimi, si protestë e revoltë ndaj regjimit të instaluar në vendin tonë prej ’90-s, vetëm me gënjeshtra e premtime boshe. Themeli i kësaj Levizjeje, bazat teorike e ideologjike, u hodhën në Asamblenë e Dytë të Përgjithëshme, që njihet si Asambleja e Elbasanit, që u mbajt më 24 tetor 2010, tre ditë mbas njohjes zyrtare të saj. Me kurajo civile, kjo lëvizje e konfirmon veten si parti ideologjike; dhe denoncon farsën e propagandën demagogjike, se tashmë partitë nuk kanë ideologji; dhe se ato janë jashtë klasore, duke fshehur kështu, karakterin e tyre ideologjik e klasor, si parti të borgjezisë së dyshimtë shqiptare(se realisht, është një elitë mafioze).
Këto qëndrime të prera dhe të qarta, u konfirmuan edhe nga Asambleja e Tretë e saj, që u mbajt më 16 shtator 2012, në ditën e 70 vjetorit të Konferencës së Pezës, si kujtesë për shqiptarët, se edhe sot jemi përballë të njëjtave sfida, se duhet sërish të jemi të bashkuar për të fituar lirinë e vërtetë dhe të drejtat njerëzore.
“Nuk po kërkojmë të bëjmë as më shumë dhe as më pak, – u tha që në Asamblenë Themeluese, – se sa atë, që historia botërore na mëson: se sa herë, që klasa politike ka tradhëtuar interesat e shoqërive të tyre, kjo e fundit, pra, shoqëria, nuk ka braktisur politikën por ka mbjellë idetë, synimet dhe qëllimet e saj, për të prodhuar politikë dhe mekanizma të tillë funksionalë dhe të kontrollueshëm në çdo kohë, që ajo (politika) të mos mundet më t’a mashtrojë, manipulojë e zhgënjejë shoqërinë dhe individin!”
Realisht, duke e analizuar me qetësi e ftohtësi, situatën konfuze në Shqipëri, kjo është një detyrë jetike për shoqërinë e sotme, për njeriun shqiptar që është zhgënjyer sistemtikisht prej partive, të cilat janë ndërtuar vetëm për interesa kryetarësh dhe klanesh, por asnjëherë për interesat e masave popullore. Kjo është detyrë e një shoqërie që bën përpjekje për emancipim, për ndërgjegje të shëndetshme dhe vetëdije qytetare, e një shoqërie që bën përpjekje për të ngritur mekanizma që bëjnë të mundur funksionimin normal dhe në dobi të saj.

Eksperiencat janë të shumta dhe konvergojnë e konkludojnë, se Historia e kombeve na mëson, që mbas dramave dhe tragjedive të tilla të ngjashme me këtë që po kalon populli ynë, fillojnë Rilindjet e Mëdha, siç janë edhe përpjekjet e popullit shqiptar për Rilindje të Drejtësisë Shoqërore, Barazisë e Dinjitetit Njerëzor e Kombëtar.
Me një fjalë, organizimi nga poshtë prej njerëzve të thjeshtë, propaganda dhe çuarja e frymës sqaruese, të ideve humaniste e sociale tek masat popullore, janë një hap i mbarë dhe një risi në politikën shqiptare, që tregon, se po vjen ora e shumëpritur e reflektimit dhe e zgjimit kombëtar pas kësaj letargjie të pashpresë.
… Kjo përmbysje e madhe antihumane, duke prishur kaq keq raportet shoqërore, u bë në mënyrë djallëzore nga antishqiptarë dhe ustallarë të huaj e vendas, u bë për grabitjen e pushtetit të popullit, duke u pasuar me shkatërrimin e ekonomisë së krijuar nga puna heroike e shqiptarëve, me grabitjen e saj deri edhe pasuritë kombëtare tokësore e nën tokësore që u takonte dhe u takon brezave të ardhshëm, u shoqërua me degjenerimin moral e politik, me zhbërjen e historisë, shkatërrimin e ushtrisë etj. për të ndërtuar, siç e kanë ndërtuar tashmë, pushtetin primitiv e feudal, raportet e përmbysura sociale, ku shumica shtypet e shfrytëzohet.
Njeriu i thjeshtë, që kërkon të jetojë jetën e vet me ndershmëri e djersë, që nuk përfiton në asnjë nga oborret e fëlliqura të kësaj politike, e kupton tashmë, se ky regjim nuk është për të, nuk i shërben atij, përkundrazi ndjen se në xhepin e tij, është futur vjedhurazi një dorë e fshehtë e këtij regjimi plaçkitës, grabitës e kriminal.
Situata e rëndë dhe kriza shumëplanëshe në vend, janë një ngecjeje që i kaloi dy dekadat e historisë tonë dhe vërteton se ky pluralizëm i shfrenuar dhe pa rregulla loje, është një farsë demokratike, një demagogji e radhës, si të gjitha demagogjitë e konsumuara në këtë vend, që nga, bie fjala çeku i bardhë e piramidat financiare, dhe, deri tek zhvlerësimi i parimeve morale dhe humane të kësaj shoqërie në krizë dhe panik ekzistencial.

Lëvizje të tilla, që pjesa më e shëndetshme e shoqërisë kërkon të iniciojë, janë të vështira të lindin e të rriten të pastra, sepse pengohen me mekanizma shteti për t’u asgjësuar që në fillimet e tyre. Vetë ligji elektoral, është një mekanizëm që vazhdon të jetë diskriminues e asgjësues për partitë e reja, për idetë që shoqëria kërkon të evidentojë dhe të zbatojë në terrenin konkret. Edhe pse në kushte të tilla, LDSH (Lëvizja për Drejtësi e Shqiptarëve), në zgjedhjet e 8 majit 2011, bëri të pabesueshmen, bëri realitet gati të pamundshmen, duke arritur të futet në zgjedhje në disa komuna e bashki, për t’u treguar PS –së dhe PD-së, se ka dhe popull; dhe, se me vullnetin e mirë, me përkushtim dhe vendosmëri arrihet gjithçka, pa nevojën e futjes në sqetullat e monopolit politik “PS-PD”.

Që të ngrihet një parti e tillë, prej popullit të munduar e të vuajtur prej plagëve të shumta të këtij sistemi, i mbërthyer tashmë nga kriza e mosbesimit dhe i ç’orientuar politikisht (gati në depresion të thellë), duhen njerëz të palodhur dhe idealistë, që nuk shikojnë se çfarë ka për të marrë e për të ngrënë, por vijnë me militantizmin dhe idealizmin e tyre, duke sjellë kohën, kontributin e tyre modest dhe solidaritetin në lëvizje.
Grupet sociale ku mbështetet LDSH janë shtresat e paprivilegjuara, klasa punëtore e fshataresia, personat me aftësi të kufizuar, emigrantët, veteranët dhe pensionistët, ish ushtarakët, romët dhe egjyptianët, por në këtë fazë të parë, në krye të këtij marrshimi fisnik e human, që përcjellin me dashuri të madhe imazhin e shoqërisë sociale që duam të ndërtojmë, me pasionin e shpirtit dhe të fjalës së tyre, janë femra shqiptare dhe shkrimtarët.
Të dytët.. shkrimtarët! Përse…? Sepse edhe këta pa bukurinë shpirtërore të femrës shqiptare (grave, vajzave, nënave e motrave tona) nuk mund të frymëzohen e të japin vepra të mrekullueshme me shije të kaq larta estetike.
Gruaja shqiptare, jo vetëm që është një forcë e madhe e shoqërisë tonë, por edhe më e ndjeshmja, që ka përjetuar me dhimbje gjithë këtë dramë dhe tragjedi shqiptare, që kollandris me ato pak të ardhura familjen dhe që është më e përgjegjshme për natyrën e saj të butë e delikate, më korrekte dhe më e interesuar nga çlirimi prej shpërfilljes dhe plagëve të shumta të kësaj shoqërie të egër, paragjykuese dhe maskiliste. Përse të mos jenë udhëheqëse dhe drejtuese gratë e vajzat shqiptare, përse të mos i mbështesim ato, që të jenë në krye të Levizjes tonë, në krye të punëve të shoqërisë shqiptare, përderisa ato me pak të ardhura, me shumë pak mundësi, i shohim të sukseshme në mbarëvajtjen e familjes dhe fëmijëve të tyre, në biznes, në krijimtari e kudo?!
Gruaja shqiptare, energjia e saj femërore, parandjenja e ndjenja e saj njerëzore e më shumë hyjnore, i duhet Lëvizjes për Drejtesi të Shqiptarëve; dhe kjo duket se është vënë në rrugë të mbarë.
Duke qënë në pozitat e një shkrimtari, do të sugjeroja, që poetët, artistët, letërsia dhe arti në përgjithësi, të jenë avanguardia, ashtu si kudo në botë, kur shoqëritë e tyre kalonin drama të tilla të ngjashme; dhe që qenë të parët që dhanë alarmin për shoqëritë e tyre, duke e kthyer fjalën dhe artin e tyre, në bombë e flamur; dhe krijimtarinë në mision e angazhim politik. Vërtetë partitë janë grupime njerëzish, me interesa e qëndrime të njëjta, me qëllime e synime të përbashkëta, por mbi të gjitha nuk duhet të harrojmë se partia është programi, janë idetë dhe fryma që ai program përçon tek njerëzit, shpresa që lind prej tyre, energjia që çlirohet dhe që ve në lëvizje mendjet dhe fizikun e njerëzve për ndryshime në jetën e tyre shoqërore, familjare dhe personale. Dhe këtë, më shumë se sa shkrimtarët, askush nuk mund t’a bëjë, prandaj në krye të këtij misioni janë dhe duhet të jenë e gjithë armata e shkrimtarëve dhe e artistëve.
Gjithë ky angazhim, gjithë kjo rrugë misionare e LDSH -së, nuk mund të bëhet nga një parti me mercenarë, me njerëz të lidhur me interesa të dukshme e të padukshme, me rropatje për të kapur poste e për t’u bërë qeveritarë e sekserë, as me punëtorë partie që paguhen për të thënë gënjeshtra e pallavra, por nga njerëz që u flet shpirti, nga njerëz që kanë demostruar se janë me shpirt të pamposhtur.
Me këtë filozofi, e kemi të vështirë të bëhemi parti e madhe, por bëhemi dhe është e mundur të bëhemi, një parti për popullin, e besueshme dhe shpresëdhënëse.

 

Kryetari i LDSH- Astrit Kosturi

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu