Letra anonime e bën “spiun” të Serbisë

0
163

Një letër plot akuza për Ismet Hoxhën nga Vushtrria, një prej ish-luftëtarëve të UÇK-së, është gjetur para derës së selisë së shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së, në Vushtrri.

Bahri Bivolaku, zëdhënës i Komunës së Vushtrrisë, ka thënë se letra është gjetur të premten në mëngjes te dyert e hyrjes së objektit ku ndodhen shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së. Letra ishte  e shkruar me kompjuter dhe e cila përmbante përplot akuza për njërin nga komandantët e luftës së UÇK-së, Ismet Hoxha.

“Letra ka emblemën e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së në Prishtinë me numër të protokolit 104 të datës 28.12.2013  i është adresuar edhe Policisë së Kosovës. Në letër, Hoxha akuzohet si bashkëpunëtor i Serbisë dhe policisë serbe, ndërsa uniformën  e UÇK-së, në letër thuhet se Hoxha e ka veshur për t’i shërbyer okupatorit nga ai pozicion”, thotë Bivolaku.

Sipas Bivolakut, i cili në cilësinë e zëdhënësit të Komunës, informacionin ua ka dërguar mjeteve të informimit, thotë se në letër ka edhe akuza të tjera të rënda për komandant Ismet Hoxhën.  “Komandanti Hoxha, në këtë letër akuzohet mes tjerash dhe cilësohet si njeriu që di për gjithë historinë e të zhdukurve dhe vendndodhjen e trupave të tyre. Letra përmban edhe shumë akuza të tjera të kohës së tashme.

Kjo letër, me këto akuza të rënda e ka shqetësuar tej mase të apostrofuarin, vetë Ismet Hoxhën, i cili këtë rast e ka paraqitur edhe në Policinë e Kosovës”, ka sqaruar zëdhënësi Bivolaku.

Ai tutje tha,se Policia e Kosovës ka filluar ta hetojë këtë rast për ta zbuluar autorin e  letrës. Ndërkaq, vetë Hoxha, sipas Bivolakut, i ndjerë tepër i shqetësuar ka shfaqur shpresën se autori i kësaj letre, i cili ka keqpërdorur edhe emblemën e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së në Prishtinë, të zbulohet dhe të vihet para drejtësisë dhe që OVL-ja të distancohet nga pamfleti.

Ndryshe, vushtrriasit thonë se bashkëqytetari i tyre, Ismet Hoxha, ka qenë një prej komandantëve të luftës së UÇK-së, në Zhilivodë dhe është shquar për guxim dhe trimëri.

I apostrofuari Ismet Hoxha i cili aktualisht  është i angazhuar në sigurim në “Trepçë” ato që përmban kjo letër i  ka quajtur shpifje e trillime nga individë për qëllime të ulëta.

“Akuzat që më janë bërë në letër janë të rënda, janë shpifje e trillime nga njerëz, të cilët unë i di se edhe kush janë, sepse vetë përmbajtja e letrës aludon te ata njerëz, njëri punon në polici e tjetri në organet komunale”,  tha dje Hoxha, i kontaktuar përmes telefonit.

Sipas tij, Policia është duke i kryer hetimet për identifikimin e autorëve të letrës denigruese në të cilën, sipas tij, persona  që fshihen prapa anonimusit kanë përmendur edhe persona të tjerë, kryetarë gjykatash, zyrtarë të ndryshëm që kanë punuar në Komunë. Ai ka bindjen se hetimet  do të zbardhin prapavijën e letrës me akuza kaq të rënda dhe  se ata që qëndrojnë pas letrave të tilla janë lehtësisht të identifikueshëm.

“Jo dy ditë por dy orë do të më mjaftonin. Unë e kam të kryer akademinë policore dhe po të isha unë, do t’i zbuloja autorët e kësaj letre, jo për dy ditë, por për dy orë. Aty thyhen interesat dhe qëllimet personale. Ky pamflet që ishte ngjitur në derë të shoqatave të dala nga Lufta, me këtë përmbajtje të shëmtuar, me shpifje çfarë nuk ta merr mendja për personalitetin tim, ka për qëllim dëmtimin e vlerave të luftës së UÇK-së, ka për qellim diskreditimin e personalitetit tim, e para së gjithash dëmton imazhin e luftës çlirimtare”, thotë ai.

“Emrin tim e ka përdorë edhe  Millosheviqi gjatë procesit gjyqësor ndaj tij, në Tribunalin e Hagës dhe ky ka qenë edhe një tjetër motiv i këtyre njerëzve që të më akuzojnë dhe të shpifin për mua” thotë ai me bindjen se krejt kjo, nuk do të shkojë shumë kohë dhe do të zbardhet.

“Do të shohim pastaj se kush ishin ata që u përpoqën të më dëmtojnë ,jo vetëm mua por edhe gjithë luftën çlirimtare”, thotë  i apostrofuari Hoxha.

 

Nga: Kajtaz Gecaj

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu