Letrat e ambasadorit sovjetik për ditët e fundit të Xoxes

0
35

Shaqir Vukaj

ARKIVA RUSE: Si përshkruhej në Moskë lufta për pushtet në qeverinë komuniste të Shqipërisë. Rrëfimi i ambasadorit sovjetik në Tiranë Çuvahin për situatën politike në Tiranë, kërkesat e bazës së partisë për ndëshkimin e ashpër të Xoxes dhe titistëve të tjerë dhe kompromisin që nuk arriti ta bëjë Enver Hoxha me figurën më të lartë politike që do të ekzekutohej me vdekje në Shqipëri.


“Gjuetia e shtrigave” me “Xoxet” e Lindjes komuniste dhe rasti fatkeq i udhëheqësit shqiptar, që nuk u rehabilitua si “homologët” e tij në Bullgari, Hungari, Çeki, Poloni apo Rumani


(Vijon nga numri i kaluar)


Është tepër interesant raporti i ambasadorit sovjetik Çuvahin dërguar Molotovit më datë 17. 9.1948, mbas Plenumit të KQ të PKSH-së “Mbi situatën brenda Partisë Komuniste të Shqipërisë”.


Në një material tepër të gjatë, ai shpjegonte me hollësi gjendjen e brendshme në parti, ashtu siç kishte dalë nga aktivet e partisë neper rrethe, lidhur me qëndrimin ndaj BS-së, ndaj Jugosllavisë, politikën e kuadrit, punën e organeve te sigurimit, figurën e Enver Hoxhës etj. Raporti ishte një analizë e hartuar kryesisht mbi bazën e problemeve që ishin ngritur në aktivet e partisë të rretheve, ku në shumë prej tyre kishin marrë pjesë vetë Koçi Xoxe ose shokët e grupit të tij.


Siç i raportonte ai qendrës, në këto aktive, në ndryshim me të kaluarën, kishin diskutuar qindra e qindra vetë, ku ata, në mbrojtje të vendimeve të këtij plenumi, kishin folur haptazi e pa ndrojtje, me fakte e shembuj konkretë për veprimtarinë e Xoxes dhe grupit të tij, veçanërisht për politiken e kuadrit, marrëdhëniet me jugosllavët, punën e organeve të sigurimit të shtetit etj.


Nga diskutimet dilte, se me ndonjë përjashtim të radhë, te gjithë kërkonin demaskimin deri në fund të veprimtarisë së tij, dhe madje siç propozonte ndonjë plenum partie si p.sh. ai i Korçës, masat e dënimi për Xoxen e shokët e tij duhej të ishin më të ashpra se ato që kishte vendosur Plenumi i KQ.


Të shumta kishin qenë diskutimet për veprimtarinë e Sigurimit të Shtetit, ku siç shkruante Çuvahini “Puna e organeve të Sigurimit të Shtetit, pa përjashtim, ju nënshtrua një kritike dërmuese në të gjitha aktivet e partisë”.


Por krahas punës së Xoxes që zë vendin kryesor në këtë material, ai, shkruante se nga anëtarë të thjeshtë e kuadro partie kishte pas shumë kritika për KQ të PKSH-së, veçanërisht për marrëdhëniet me Jugosllavinë, madje siç shkruan ai “Aktivet e partisë tregojnë se masa e anëtarëve të thjeshtë të partisë nuk kanë qenë dakord me politiken e ndjekur nga KQ i PKSH-së, ndaj Jugosllavisë.”


Në një pikë të veçantë “Mbi Enver Hoxhën” ai i shkruante Moskës se në të gjitha aktivet e partisë është venë në dukje se “Enver Hoxha ka luajtur një rol të rëndësishëm kundër veprimtarisë se jugosllavëve dhe shërbëtorëve të tyre Koçi Xoxe, Pandi Kristo” etj.


Por, vazhdonte me poshtë ambasadori, ai “duke qenë njeri i butë dhe liberal nga natyra, ka rënë nganjëherë në pozita oportuniste…Dëshira për të mos e acaruar më shumë situatën brenda KQ, Enver Hoxha ka tentuar me të gjitha mënyrat të arrijë një zgjidhje kompromisi….


Edhe mbas letrave të KQ të PK të BS-së dhe Rezolutës së Byrosë Informative, ai e ka zgjatur për pesë muaj dhe nuk ka guxuar që ta shtrojë në rrugë bolshevike para partisë, çështjen e veprimtarisë minuese të agjentëve te Titos…


Madje, ai fillimisht nuk ka menduar ta shtronte per lirim nga detyra Koçi Xoxen, dhe deri në fund ka menduar t’i zgjidhte problemet me kompromis, midis tij dhe Koçi Xoxes, dhe vetëm mbasi ka parë insistimin e anëtarëve të KQ, Enver Hoxha propozoi për shkarkimin e tij…..Aktivet e partisë nëpër rrethe nuk i pranuan vendimet e Plenumit të KQ, dhe kërkuan që ndaj Koçi Xoxes e grupit të tij të merren masa më të ashpra”.


Siç del nga materiali sekret i ambasadorit sovjetik në Tiranë i datë 5. 10.1948, ne prag të Kongresit të Parë të PKSH-së, Xoxe me kërkesë të tij është takuar me Çuvahinin, ku ka kërkuar ndihmë, për përgatitjen e diskutimit për këtë kongres.


Sipas fjalëve të Xoxes, ai do të pranonte para kongresit lidhjet me udhëheqjen jugosllave, si gjatë ashtu dhe mbas Plenumit të Beratit, lidhjet e tij që në vitin 1943 me Vukmanoviç Tempon, të cilit, që atëherë, ai, pa dijeninë e udhëheqjes, i raportonte për gjendjen ne PKSH etj.


Në vazhdim, ai “me lot në sy”, kishte dashur të bindte Moskën se ai ishte mik i BS-së, duke thënë se “Unë jam gati të jap jetën time, për të vërtetuar se unë nuk jam antisovjetik…se nuk kam vepruar me vetëdije kundër Bashkimit Sovjetik”. Meqë ai, i ishte shmangur këshillave për hartimin e diskutimit, Xoxe kishte ikur “me gjendje shpirtërore të rënduar” përfundonte ambasadori.


Meqenëse në Kongresin e Parë të PKSH-së, kritikat kundër Xoxes e shokëve të tij ishin shumë të ashpra, e madje disa delegatë kërkuan që ai te ndiqej penalisht, ambasadori sovjetik, në një material për udhëheqjen sovjetike, i karakterizonte kritikat ndaj K. Xoxes e shokëve të tij si “aziatike”, me “frymë turke” etj. dhe i kërkonte leje udhëheqjes së vet që të takohej me Hoxhën, për t’i dhënë disa këshilla.


Në përgjigjen e datës 20 nëntor 1948, Moska i tërhiqte vëmendjen ambasadorit për vlerësimet e tij si “të njëanshme dhe të padrejta” dhe jo vetëm që nuk i jepte leje të takohej me Enver Hoxhën, por edhe e thirri urgjentisht në Moskë “për konsultime”.


Siç do të shkruante Çuvahini shumë vite më vonë në kujtimet e tij (në v. 1995, ai botoi kujtimet për punën në Shqipëri) se, me që kritika kundër Xoxes “kishte karakter të ashpër, të egër” ai kishte kërkuar leje nga Moska për tu takuar me Hoxhën “për t’i tërhequr vëmendjen se ishte e domosdoshme të zbuteshin pak trimoshët kundër grupi të Koçi Xoxes e Pandi Kristos…”.Siç gjykojnë disa studiues rusë, Moska, në këtë kohë nuk donte të ndërhynte.


Lidhur me pozicionimin e Moskës ndaj K. Xoxes, në mënyrë të veçante tërheqë vëmendjen qëndrimi i Stalinit gjatë takimit me Enver Hoxhën me 23 mars 1949, ku ndërmjet të tjerave është folur edhe për marrëdhëniet me Jugosllavinë dhe rolin e Xoxes e shokëve të tij. Në qoftë se një vit më parë ai, duke marrë shkas nga vetëvrasja N. Spirus merrej vetë me problemet shqiptare, siç del nga proces-verbali i botuar nga rusët per këtë takim, Stalini jo vetëm nuk ka dhënë asnjë mendim apo këshillë, në se duhej dënuar ai e shokët e tij etj, por ai vetëm ka dëgjuar, dhe e vetmja pyetje që ka bërë për ta, ka qenë në se ata janë sllavë, ortodoksë.
Duke iu referuar materialeve të arkivave ruse, del se në këtë periudhë, dokumenti i fundit ku përmendet K. Xoxe e veprimtaria e tij, është telegrami i Çuvahinit i dt.20 maj 1949 për një takim me Enver Hoxhën, ku ndërmjet tjerave, ai i ka folur për gjyqin ndaj tij e grupit të tij, dhe ku e informonte se “prokurori do të kërkojë dënim me vdekje për Koçi Xoxen” dhe për të tjerët burgim me afate të ndryshme.


Sipas disa studiuesve rusë e të huaj, Moska nuk kishte nevojë të ndërhynte në ketë proces, sepse e dinte se veprimtaria e Xoxes dhe e shokëve të tij kishte qenë aq antikombëtare, sa vetë shqiptarët do ta dënonin, pa pas nevojë për “këshilla e ndihmë” nga jashtë.


Siç shkruan studiuesi gjerman Hodos në librin e tij “SCHAUPROCESSEN” botim i vitit 1981 “Koçi Xoxe nuk ka qenë një “titist” i shpikur, si pasuesit e tij në trekëmbëshat e Budapestit, Pragës, Sofjes, apo qelitë e burgjeve të Varshavës dhe Berlinit Lindor, por një titist i vërtetë, njeri i besuar i Jugosllavisë në PKSH-së. Xoxe ka qenë përjashtim, nga i cili filloi rregulli”.


Siç theksojnë studiuesit rusë Vollotkina, Murashko, Noskova, Pokijvallova, në librin e sipërpërmendur “Moska dhe Evropa Lindore”, procesi gjyqësor dhe dënimet janë dhënë nga Tirana, pa ndikimin dhe ndërhyrjen e Moskës, madje siç vënë në dukje ata, “megjithëse ai ishte dënimi i parë me vdekje për njërin nga liderët komunistë, ai mbeti në periferi të jetës politike të bllokut sovjetik që po formohej”.


Dënimi i Xoxes nuk ka pas pothuajse asnjë jehonë në BS dhe në vendet e tjera që ishin futur në rrugën e socializmit. Siç duket për Moskën, dënimi i Xoxes, në një vend të vogël si Shqipëria, nuk mund të shfrytëzohej në atë masë që duhej për ta përdorur si shembull bindës në luftën kundër titizmit. Prandaj asaj i duheshin gjykime e dënime të tjera në vendet socialiste.


Dhe siç del nga dokumentet, i interesonin jo vetëm asaj, por edhe disa udhëheqësve të këtyre vendeve… Duke ndjekur me kujdes dokumentet e botuara për përndjekjet dhe dënimet në vendet e tjera (që në krahasim me ato për Xoxen janë shumë herë më voluminoze) arrihet në përfundimin se për dënimet e Kostovit në Bullgari, Rajkut në Hungari dhe Sllanskit në Çekosllovaki, si dhe të shumë kuadrove të tjera në këto vende dhe vendet e tjera të bllokut sovjetik, Moska ka ndërhyrë direkt, dhe në disa raste ajo i ka organizuar dhe drejtuar vetë këto procese.


Mbas letrës së KQ të PK të BS-së dhe Rezolutës së Informbyrosë për Jugosllavinë, vërehet një ndryshim i dukshëm në politikën e udhëheqjes sovjetike, si në planin e brendshëm ashtu dhe në marrëdhëniet dhe qëndrimin ndaj partive komuniste të vendeve të Evropës Lindore. Në këtë periudhë, duke filluar nga fundi i vitit 1948, në BS njëlloj si në vitet ’30-të, shihet një rritje e dukshme e proceseve politike gjyqësore dhe dënimeve.


Metodat sovjetike të dhunës, filluan të përshtaten dhe të përdoren edhe në vendet e Europës Lindore, ku pothuajse pas çdo rasti konkret ishte dora e Moskës.


Siç del nga dokumentet e arkivave, në këtë periudhë kemi një vërshim materialesh sekrete drejtuar Stalinit dhe udhëheqësve kryesorë sovjetikë që vinin nga udhëheqësit e partive komuniste të këtyre vendeve, nga ambasadat sovjetike, nga këshilltarë sovjetikë etj.


ku bëhej fjalë për gjendjen në udhëheqjet e këtyre partive, per pikëpamjet e liderëve të veçantë, disa nga të cilët akuzoheshin për nacionalizëm, për mosvlerësim të rolit të BS-së, për spiunazh në favor të anglo-amerikanëve apo të Jugosllavisë etj. por që më së shumti ishin pasojë e luftës së brendshme për pushtet.


Dokumentet tregojnë se në Hungari, Bullgari, Çekosllovaki, Poloni, Rumani mijëra e mijëra vetë u ndoqën, u internuan apo u dënuan, pa folur për dhjetëra të tjerë që u dënuan me vdekje, apo me burgim të përjetshëm, ku më të spikaturit ishin Kostovi, Rajku dhe Sllanski.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu